MALLI PËR KOSOVËN

Shkruan:
Xhafer Shatri

1. Dera e humnerës

Në jetën që e jetojmë vetëm një herë, ndër mallkimet e mëdha që mund të përplasen mbi njeriun janë: Sëmundja, humbja e lirisë ( burgimi ) dhe mërgimi. Edhe skamja gjithsesi, sepse ajo, si kanceri, ia bluan dinjitetin jo vetëm burrit, por edhe gurit.

Malli për vendlindjen e për atdheun ka qenë objekt trajtimi që nga Homeri e këtej. Në viset e ndryshme bregdetare ende ka këngë të shkreta për detarët e lidhur me zinxhir që krejt jeta u shkonte në barkun e galisë duke çarë detin me krah e me lpatra, pa e parë, gati kurrë, diellin me sy.

Jeta e tyre ishte një gjëmë që vetëm vdekja i jepte fund. Si skllevërit e galive dikur, më vonë, ishin edhe skllevërit afrikanë, kur i ngarkonin me përdhunë në anije për t’i shitur në tregun e robërve gjithandej nëpër botë. Sipas kronikanëve, kur këta të fundit i vërshonte malli për familjen, për vendlindjen e sidomos për lirinë e grabitur, e refuzonin ushqimin dhe vdisnin ngadalë. Derisa zotërit mizor nuk e zbuluan hekurin e skuqur si mundësi për t’ua hapur gojën dhe për t’i ushqyer me përdhunë.

2. Malli si sëmundje

Më 22 janar 1506 Papa, Juli i Dytë, formoi Gardën Papnore e cila prej atëherë e deri sot përbëhet nga ushtarë zvicëranë. Gati që të gjithë malësorë.

Shumë prej tyre kur shkonin në qytetin mijëvjeçar, të rrethuar me mure, sëmureshin nga malli për familjen, për bjeshkët, për krojet, për shkrepat e për pishat…

Nuk u hahej ushqimi dhe vdisnin, sepse malli kthehej në pashpresë e trishtim të pashërueshëm.

Për herë të parë këtë dukuri e trajtoi shkencorisht mjeku zvicëran, Johannes Hofer, në një raport të publikuar në vitin 1688.

Këtë sëmundje ai e quajti nostalgji që ishte një bashkim i fjalëve greke nostos kthimi dhe algos dhimbja.

3. Malli i shqiptarëve

Pa folë për këngët e nizamëve, që janë tregim, vajtim më vete, poezitë më të bukura të letërsisë sonë, i janë kushtuar mallit që të përvëlon ne dhé të huaj. Meqë proza i zbret ndjenjat në tokë, përshkrimi i mallit për Shqipërinë nga i madhi Faik Konica mbetët më i ploti dhe më i sakti:

“ Kur vete njeriu, i lire e i vetem, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, embelsia e udhetimit e nje mije gjera qe vihen re nder popuj te huaj, te gjitha keto ta pergezojne zemren e te bejne jo te harosh Shqiperine, po te mos te veje tek ajo aq dendur mendja. Me tutje, si ngopen syte se pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S`di ç`te mungon, s`di se ç`te duhet. Nje hije trishtimi ta mbulon fytyren; e, pike se pari here-here, mbastaj me dendur e me ne fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prinderve, i miqve e shokeve, kujtimi i dheut ku u lindem e u rritem, ku qajtem foshnja e ku lozem djelm, kujtimi i atyre maleve larg te cileve nuk rron dot mire nje shqiptar, kujtimi i kombit, qe, me gjithe ca te liga qe ka, eshte kombi yne, e me teper kujtimi e deshira e etja e gjuhes sone ta shtrengojne e ta derrmojne me te vertete zemren.

Ah, malli i Shqiperise, malli i atdheut te dashur, i shenjte mall e dashuri e shenjte, kush eshte ai shqiptar qe s`e ka pasur ne dhe te huaj! Duhet te jeshe jashte Shqiperise, e te jesh larg, per te kuptuar se ç`force e ç`bukuri te embel ka per veshet kjo fjale: Shqiperi!

Ajo me e zbrazura leter, ajo fjala me e vogel, na sjell, kur vjen nga Shqiperia, nje gaz te parrefyeshem, se na sjell si nje cope te atdheut…“

4. Lirika e mallëngjimit

Poezitë e tre shkodranëve të mëdhenj, Filip Shirokës, Ndre Mjedjes dhe Gjergj Fishtës, kushtuar mallit për vendlindjen, me asgjë nuk ia lëshojnë udhën Shtegëtimit të Çajl Haroldit.

Filip Shiroka në poezitë e tij të mallit “Dallëndyshe shko“ dhe “Dallendyshe eja“, i drejtohet zogut shtetgtar, i cili ikën prej dimrit dhe vjen për ta sjellë pranverën:

SHKO DALLËNDYSHE

Udha e mbarë, se erdh prendvera,

shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,

shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh

saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,

fal me shndet gjytetit tim!

DALLËNDYSHE EJA

Mirë se vjen, me krahë te letë,

Dallndryshë, tui fluturue!
Mirë se vjen! M’ket ânë te xetë
T’dheut t’Misirit me dimnue:
Eja, prá, ktu fluturim,

M’gzò me at zâ gjith âmbëlcim!

Kur jé nisë t’kam porositun

Atje larg t’shkojsh kah Shqypnija;
M’difto pra, kur ké shetitun
A t’kan ra n’mend fjalt e mija,
Me m’shkue n’Shkoder fluturim,

Me m’j’u falë gjytetit t’im?!

Atje malet n’i paç pá,

Jânë prej boret nalt zbardhue:
N’ato fushat ne paç rá,
Janë me lule lulëzue
Atje n’paç vojtë fluturim

Aty âsht gjyteti i im!

Ndërkaq Ndre Mjeda është më i thellë, më modern dhe më i drejtpërdrejtë:

MALLI PËR ATDHE

Ndër njikto vênde për bukurí

Dhén t’êm i shuemi jam tui dishrue;
N’gjytete t’hueja, porsi n’shkretí,

Rrij tui gjimue.

 e bukur fusha kúr çilë prêndvéra,

Lulzim ká kopshti kúr lulet dalin;
E drandofilles nder fushë tret’ éra

E pertè malin.

Por gjith këto t’mira ngushllim nuk m’apin :

Për atdhé t’êmin zêmra po m’shkrihet ;
Njatjè kúr mêndja lëshon ndo‘j herë vrapin

Shêndi i përtrîhet.

Poezia e Fishtës për mallin më shumë i ngjan Lamtumirës së Bajronit se sa epikës legjendare në “Lahuta e Malcisë“

Lamtumirë, vendet e mia

qe, po zhduken dalëngadalë!
Gjëmon deti, ushton duhia,
likundet barka valë mbi valë,
Kah njai diell, që asht tue flakue,
andej fill un tash do t’vete…
Lamtumirë, atdhe i bekue!

Lamtumirë, për sa t’jet jeta!

Nesër nade kur mbi ne,

rrezja e diellit ka me ra,
kush e din sa ujë e dhe,
mue prej teje ka me m’da!
E por n’pyetsha ret mizore,
e por n’pyetsha zogjt e detit,
se për ty, moj tokë arbnore,

s’ka me m’folë kush mue t’shkretit…

5. Kosova, një pikë në hartë e një det me mallë

Duke i rënë botës kryq e tërthur, edhe atje ku s’ta pret mendja, nëse kthjellesh sadopak nga mahnitja, shiko me vëmendje dhe do ta shohësh ndonjë fytyrë të zbehtë, një trup të shqetësuar që ecën shpejtë, një palë sy endërrimtarë që tregojnë se mendja e tij është diku, larg me një gjakim të kahershëm:

Me u kthy’ një ditë patjetër…

Afroju me kujdes e përshendete dhe do të bindesh se është shqiptar. Shqiptar i Anës së Lumenjve:

Arratisur, syrgjynosur,

Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,

Trup e shpirt i sakatosur.

Në përpjekjet e tyre për Pavarësi, patriotët irlandez, kur pranoheshin në organizatën e fshehtë, Shin Fayn, betoheshin në grupe.

Gjatë përbetimit ata kishin kërballë tyre Krishtin e gozhduar që, më shumë se fe, ishte dhe vazhdon të jetë identiteti i tyre, dhe lexonin në kor betimin, një varg i të cilit është lapidar:

“ Pasha lotët e mërgimtarëve! “

I njëjti fat me shqiptarët e Kosovës, që çdonjëri prej tyre e bart në strajcën e vet, një bjeshkë me mallë e një lkê me lotë.

6. Duhet me u kthy’ se nuk bën ndryshe

Kur kthehesh një ditë, së pari të deh liria, pastaj të vret shtëpia bosh, sepse shumicën i gjen në vorre. Krahas mungesës së më të shtrenjtëve, nuk i gjen askund kujtimet e fëminisë e të rinisë së humbur, sepse koha i ka tretë e i ka bërë pluhur e hi.

Ndërsa sh’pia djegë e oborri shkret.

Menjëherë pastaj duhet me shku te varret e dëshmorëve. Ata janë gjithandej. Çdo brez dëshmorët e vet, por të gjithë të rinj e të freskët në kujtesën e kombit. Kombit të lodhur e të dërrmuar nga çizmja e huaj.

Asgjë nuk është më siç e ke lënë dikur. Veç bjeshkëve.

Ato në vjeshtë, sidomos të lënë pa frymë…

Nuk ka fjalë që përshkruan këtë laryshi ngjyrash, lisash, krojesh e shpatesh.

Nuk ka me këtë tokë…

7. Gjithandej vorre e dëshmorë

Tri vorre e coll një trup: Ahmet Nikçi në mes emrave të të dy djemve, trupat e të cilëve kanë mbetur aty ku u vranë, në luftë me armiqtë e kahershëm: njëri prej tyre Dema, 38 vjeç, u vra më 16 nëntor 1941, në Pazar t’Ri, në Sanxhak.

Pas një viti, u vra Rexha, 29 vjeç, mbi Stankaj e Haxhaj, mu në kufi, te Kulla e Moknave.

Buzë një ograje, mu pranë rrugës, një vorr tjetër: Sokol Idriz Shabaj. I vrarë në vitin e përgjakshëm 1945. Ishte 37 vjeç.

Në luftën e fundit, këtu e 24 vjet më parë, tre djemtë rinj, njëri krejt shtalb, i korri kosa serbe e vdekjes, te Sheu i Llaze, në Shtupeq të Madh:

Asllan Nikqi, 23 vjeç

Rifat Shala, 17 vjeç

Faton Nikqi, 21 vjeç

Nuk kishin shpëtim, sepse ora e ligë ua kishte zënë priten në shpat, prapa një shkëmbi të pabesë.

Këto vorre e shumë të tjera si këto janë themeli i lirisë sonë.

Janë malli ynë i prushtë që nuk e tretë as era, as bora, as koha.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*