Mesazh urimi në Ditën e çlirimit të Rrafshit të Podgurit

Shkruan:
Xhafer Shatri

Sot në 20 vjetorin e çlirimit të Istogut me rrethinë, djem dhe vajza të kesaj ane, burra e gra duhet t’i kujtojmë me pietet e të mos i harrojmë kurrë Ata dhe Ato që nuk iu nënshtruan kurrë dhe nuk e pranuan asnjëherë pushtimin serb. Ata dhe ato që shkruan historinë tonë me përpjekje e qëndresë të paepur e sidomos me gjakun dhe me jetët e tyre.

Janë shumë dhe çdonjëri i madh për kohën dhe i përjetshëm në mënyrën e tij. Por unë, për shkak të natyrës së një urimi do të përmend këtu tre prej tyre që përfaqësojnë tri gjenerata:

Zekë Berdynajn, Hoxhën e Radavcit e prijësin e pavdekshëm të Rrafshit të Podgurit, luftëtarin e paepur, eruditin e qëndresëtarin, shëmbullin lapidar se si lufta për Liri e për Atdhe ka përparësi mbi çdo gjë tjetër, Njeriun që fenë nuk e përdori për t’i përçarë por për t’i bërë bashkë shqiptarët, të burgosurin e pathyeshëm të Goli Otokut e burrin e urtë që na i ktheu odat dhe xhamitë në mësonjëtore të Kombit.

Kosovë Rexhë Balën, mësuesin e gazetarin, të burgosurin dhe të arratisurin politik, Poetin e Qendresës e të Mallit për Vendlindjen, Njeriun e papërkulshëm e vetmitarin në Dhé të huaj, Patriotin e heshtur e publicistin që vendi i tij nuk gjeti kohë ta kujtojë asnjëherë…

Mervete Maksutajn, qikën e Kosovës e luftëtaren e Lirisë, trimëreshën që i doli Kulshedrës përballë, idealisten e njomë që u vra për këtë Tokë në lulen e rinisë.

Në këtë Ditë të Madhe nuk guxoj të mos i përmend brezin e prindërve të mi, brezin e Babës Demë e Nanës Timë, shëmbull i qëndresës së heshtur e monumente të vuajtjes nën pushtim.

Dua ta falënderoj Atin tim e gjeneratën e tij për luftën në Kacuberr, në Koloshin, në Treg të Ri e në Drenicë, e sidomos për rrëfimet origjinale për pushkatimet te Lluga e Xhamisë, për qindra kufoma shqiptarësh që nuk i zinte as Lumi as, Toka, për detajet se si u pushkatuan babë e bir, Rrustë e Ukë Rugova dhe se si një bastard shqiptar kishte hipur mbi trupat e tyre dhe, para turmës së felemisur, mbante fjalimin e tij mizor mu në qendër të Istogut!

Ta falenderoj Nanën Timë dhe shoqet e saj, për çdo gjë që kanë bërë, po sidomos për këngët me heroizma të Jakup Ferit e Zhujë Selmanit, Dedë Gjo Lulit e Ndoc Mark Gegës, Oso Kukës e Azem Bejtës, Kamer Loshit e Nak Berishës…, përmes të cilave mëtonin t’ia mësojnë gjeneratave vijuese Rrugën që çonte te Liria.

Duke i kujtuar njërëzit që kanë rënë e janë shkri për këtë Tokë, ne pavdekësojmë veprën e tyre dhe e kuptojmë me themel çmimin e lartë që ka Liria që po e gëzojmë dhe detyrimi që kemi për ta forcuar dhe për ta mëkuar Atë!

Lavdi e përjetshme djemve e vajzave, burrave e grave të Rrafshit të Pogurit që me jetën dhe me veprën e tyre e nderuan Kombin dhe Kosovën!

Podguras, gëzuar të gjithëve Dita e Lirisë!

Juaji vëllazërisht,

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*