Ndaljauni turrin rrënuesve të shtetit

Shkruan:
Xhafer Shatri

Letër pa zarf ShS, Zonjës Vjosa OSMANI

Zonja Presidente,

Zonja kryetare e Kuvendit të Republikës,

Po ju drejtohem me këtë letër publike dhe në të dyja cilësitë e funksioneve që ushtroni për të tërhequr vëmendjen Tuaj dashamirëse për sa vijon:

Mora vesh se qenkesh vendosur definitivisht që, më 4 dhjetor, ta rrënojnë Burgun e Gurrakocit, këtë ngrehinë që në kujtesën tonë kolektive personifikon dhunën e Serbisë mbi Kosovën, torturat më mizore të organeve serbe të shtetit kundër shqiptarëve, aksionet më të përgjakshme për t’ia ndryshuar Kosovës strukturën etnike.

Po e specifikoj rolin e Burgut të Gurrakocit në tri aksione të Serbisë me qëllim nënshtrimin dhe zbrazjen e Kosovës:

Aksioni i Otkupit, që praktikisht përkthehet në plaçkitjen e çdo gjëje që kishin shqiptarët (bagëtinë, bylmetin, pemët, perimet dhe krejt bereqetin deri edhe miellin në magje) për t’i dërguar në Serbi, ndërkohë gjithandej nëpër Podgurë e Kosovë njerëzit, sidomos fëmijet, vdisnin urie;

Për të qenë ky aksion i efektshëm çdo familje e madhe e Rrafshit të Podgurit, me pretekstin se po e fshehin drithin a miellin, e kishte nga një burrë në Burgun e Gurrakocit;

Aksioni për destabilizimin e Shqiperisë dhe vrasjet ndërshqiptare: Që nga viti 1948, për 20 vjet rresht, Burgu i Gurrakocit ka shërbyer për përgatitjen e rrjetit të spiunëve dhe diversantëve që janë dërguar në Shqipëri me mision për të vrarë shqiptarë dhe për ta destabilizuar shtetin e tyre. Ata që nuk kanë pranuar të bëhen mish për top e për hesape të Serbisë, janë çallamitë me dajak nëpër qelitë e errëta të këtij burgu.

Në dimrin e egër të viteve 1955-1956 gjithandej në Kosovë është zbatuar Aksioni i Armëve, i cili kishte synim shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Gjatë gjithë kësaj kohe në Burgun e Gurrakocit janë torturuar mizorisht për armët që nuk i kishin me mijëra shqiptarë të Rrafshit të Podgurit. Në acarin e atij dimri të tmershëm, nëpër drunjtë e oborrit të Burgut të Gurrakocit, janë mbajtur gjatë tërë natës, të zhveshur e të zbathur, e të lidhur për drunjsh me qindra djem nënash të cilëve përgjithmonë u është shkatërruar shëndeti.

Si fëmijë 5 vjeç, me sytë e mi e kam parë axhën dhe babain tim kur janë kthyer nga Burgu i Gurrakocit, në një mëngjes dimri, me trupa të ngrirë e me gjymtyrë të sakatosura.

Zonja Presidente,

Ju vë në dijeni se nuk është vetëm Burgu i Gurrakocit që po rrezikohet nga cubat e Kosovës që, në të gjitha nivelet, e kanë kapur shtetin për fyti.

Menjëherë pas Luftës së fundit është rrënuar me buldozer Kulla e Popit në Istog, një Monument tjetër i krimeve të tmershme serbe kundër shqiptarëve.

Në vitet 1944/1945, në Kullën e Popit, në Istog janë mbajtur dhe janë masakruar me qindra shqiptarë të Rrafshit të Podgurit, të Sanxhakut dhe të Drenicës. Aty partizanoçetnikët e Brigadës së Bokës kanë therë shqiptarët me singia saqë, sipas dëshmitarëve okularë, rrëketë e gjakut që dilnin nga Kulla e Popit kishin vërshuar oborrin e Kullës-burg, rrugën kryesore të qytezës dhe mbërrinin deri të shkolla që ishte mbi 80 metra larg!

Në Kullën e Popit është mbajtur, deri në ditën kur e kanë pushkatuar në Malin e Sadikrexhëve, edhe gjyshi i Ibrahim Rugovës, Rrusti. Këtë e kishin arrestuar, sepse në kullën dhe në bukën e tij, me dashamirësinë më të madhe, i kishte thënë komandantit të një brigade shqiptare që gjoja kishte ardhur për ta çliruar Kosovën, se dallimi në mes xhandarëve të krajlit dhe të partizanëve të Titos është si puna e hithit: hithi i vjetër të rexhë, por hithi i ri ta çon lëkurën ushël!

E shoh të nevojshme të përmend se pasi e kanë marrë Rrust Rugovën, djali i tij Uka, kishte shkuar te komanda partizane për ta kërkuar të atin dhe, duke u thënë se babai i tij gjë të keqe dhe kujt të keqe nuk i kishte bërë, oficerët partizanë i thonë: eja se edhe ti po na duhesh këtu. Ukë Rugovën me një kontingjent tjetër i kanë nxjerrë nga Kulla e Popit, si duket i kanë dërguar për Skënderaj, por asnjëri prej tyre nuk është kthyer i gjallë në shtëpi.

Shumica e të burgosurve që janë masakruar brenda në Kullë, ose që janë pushkatuar nëpër prozhmet e Istogut, janë varrosur, në fakt janë hedhur në kënetën te Lluga e Xhamisë. Në vitin 1945, në këtë varrezë masive, një i afërm i veti e kishte identifikuar, në saje të mesteve të tij, kufomën e Rrust Rugovës.

Ju siguroj se edhe një çerek shekulli më vonë, në vitin 1967, i kam parë me sytë e mi skeletet e njerëzve te Lluga e Xhamisë, të cilët i nxjerrte në sipërfaqe uji ose qentë endacakë.

Nga Kulla e Popit nuk ka mbetur asnjë gjurmë, ndërsa te Lluga e Xhamisë edhe sot 20 vjet pas çlirimit të Kosovës, nuk ka qoftë edhe një pllakë modeste përkujtimi.

Ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohe Istogu dhe Kosova udhëhiqen nga njerëz që flasin shqip dhe që do të duhej t’i dinin edhe më mirë se unë faktet që rëndita më sipër. Ata që i kanë zgjedhur  kanë pritur prej tyre që edhe Kullën e Popit edhe Burgun e Gurrakocit t’i kthejnë në Muze, apo Monumente që shqiptarët do të duhej t’u ngrenë viktimave të terrorit serb, vuajtjeve dhe sakrificave të tyre të panumërta.

Por e keqja nuk përfundon këtu. Më 2010, kur, si gjithandej në Kosovë, edhe Istogu kishte kryetar, asamble, qeveri, gjykatë dhe polici komunale, ka ndodhur edhe një barbari tjetër.

Ende pa përfunduar lufta autoritetet serbe të pushtimit e kishin vendosur në objektin modern të Radushës së Re, në Dubravë të Istogut, krejt arkivin dhe dokumentacionin e Burgut të Dubravës. Pas çlirimit, në këtë objekt ishte vendosur bataljoni spanjoll i Kforit. Ndërsa më 2010, ky objekt ishte bosh dhe u privatizua nga firma, e cila objektin e ktheu në fabrikë për përpunimin e qumështit.

Me përjashtim të disa regjistrave që i ka  marrë komuna, sepse për pjesën tjetër nuk ka shprehur asnjë interesim, krejt dokumentacioni tjetër i papërsërishëm është djegë e bërë shkrumb e hi. Aty kishte libreza të punonjësve të të gjitha rangjeve dhe profesioneve, kishte evidencë të të burgosurve, kishte raporte nga më të ndryshmet për ta dhe për trajtimin e tyre; me një fjalë kishte evidenca të detajuara për të burgosurit gjatë gjithë vuajtjes së dënimit. Aty kishte të dhëna edhe për Ukshin Hotin. Më e rënda është se në atë arkiv kishte edhe fotografi, shumë fotografi të masakrës së 22 majit 1999, kur brenda burgut serbët vranë dhe plagosën mbi 300 të burgosur shqiptarë.

Kjo ka ndodhur në muajin tetor të vitit 2010, gati tri vjet pas Shpalljes së Pavarësisë. Pra këto dokumente nuk i ka shkatërruar Serbia, por autoritetet e Istogut dhe të Kosovës, funksionarët e shtetit që ashiqare shqip flasin, por shqip nuk mendojnë.

Zonja Presidente,

Këto veprime antishtet që mëtojnë të shlyejnë nga kujtesa e shqiptarëve edhe krimet më të rënda kundër tyre droj se nuk janë të rastit, ani se edhe mund të duken të tilla. Për më tepër jam krejt i sigurt se gjithandej në Kosovë vazhdon të mbijetoj dhe të funksionojë i ngulitur mirë e sidomos nëpër institucione, një rrjet i mirorganizuar i shqipfolësve që hanë bukën e Kosovës dhe bëjnë punën e Serbisë. Dhe një nga detyrat kryesore të tyre, krahas rrënimit dhe komprometimit të shtetit tonë, padyshim se është edhe fshehja dhe fshirja e gjurmëve të të gjitha krimeve që Serbia i ka kryer gjithandej mbi shqiptarët.

Prandaj, po ju drejtohem, Juve, Njëshit të shtetit me lutje që të përdorni autoritetin dhe kompetencat tuaja kushtetuese dhe të mos i lejoni cubat dhe kapësit e shtetit ta rrënojnë Burgun e Gurrakocit, por edhe objekte të tjera të cilat mbajnë gjallë kujtesën, historinë dhe dëshmitë për vuajtjet, qëndresën dhe mbijetesën e shqiptarëve dhe të Kosovës.

Duke ju falenderuar paraprakisht për kujdesin që do t’u kushtoni këtyre rreshtave, lutem të pranoni, Zonja Presidente, shprehjet e respektit tim më të lartë.

Xhafer SHATRI

Gjenevë, 1 dhjetor 2020

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

2 Comments

  1. I nderuar z. Shatri !
    Kush e ka marrë këtë vendim për rrënim të këtij objekti, ku mund të gjejmë më shumë informata, se publiku nuk është i informuar për këte që ju po shkruani !
    Me respekt !
    Enver Ferati

  2. Pershendetje Z. Ferati,
    Per kete çeshtje eshte folur e shkruar, por shkurtimisht, edhe me pare por vetem si çeshtje e te srehuarve ne ngrehinen e Burgut.
    Vendimin per rrenimin e Burgut, si duket e ka marre Kuvendi Komunal i Istogut.
    Por pavaresisht se kush e ka marre ate vendim, ai duhet te kundershtohet me çdo kusht dhe nga çdo qytetar me vetedije..
    Te fala,
    Xh. Shatri

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code