Ne bisedimet e fshehta për copëtimin e Kosovës, dosja kriminale e Thaçit peshon më së rendi

Xhafer Shatri

Ka disa muaj që në bisedimet e fshehta Kosovë – Serbi një rol rëndësor po luan eurodeputeti francez, Arnaud Danjean, dikur funksionar i lartë i shërbimeve sekrete franceze në Ballkan. Ai është ndërmjetësues i drejtpërdrejtë mes Vuçiqit e Thaçit.

Përndryshe, Danjean është njohës i mirë i rajonit dhe me emrin e tij lidhet edhe nxjerrja e Hashim Thaçit nga naftalina e ilegales dhe futja e tij në sferat e larta të politikës.

Bisedimet, sipas të gjitha gjasave, kanë avancuar, prandaj ngutja e Thaçit që, duke anashkaluar Kuvendin, të marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese për të vënë vënë firmën e tij në marrëveshje.

Bisedimet mes dy vendeve të armiqësuara nuk janë të lehta. Në tavolinë nxjerren fakte, kundërfakte, kurthe, ndërskamca, emocione e çka jo tjetër. Aty përballen edhe propozime e kundërpropozime nga më të ndryshmet. Por ka edhe vija të kuqe, të cilat askush nuk ka të drejtë as t’i shkelë, as t’i kalojë. E para prej tyre do të duhej të ishte integriteti territorial i Kosovës.

Ajo që dihet, edhe publikisht, është se Serbia, që gjysmë shekulli, është e interesuar ta zgjidhë çështjen e Kosovës duke e ndarë atë. Apetitet e saj kanë evoluar në përputhje me rrethanat ndërkombëtare dhe me pozitën e faktorit shqiptar.

Pas shpalljes së Pavarësisë, kalkulimet për ndarjen e Kosovës u pashitën përkohësisht,  sepse kundër këtij plani djallëzor të Serbisë kishte vendime që peshonin shumë : Vendimi i Komisionit të Badinterit, që kufijtë administrativ të njësive federale, e Kosova ishte edhe e tillë, të trajtoheshin si kufij shtetërorë; kundërshtimi, i përsëritur, i Grupit të Kontaktit, ku përfshihej edhe Rusia, për çfardo ndryshimi të kufijve, Plani i Ahtisarit etj.

Kulmi i mbrojtjes së kufijve të Kosovës dhe hedhjes posht përgjithmonë të planeve të errëta të Serbisë ishte vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, sipas të cilit shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Por kjo temë e rrezikshme për Kosovën u hap menjëherë pas publikimit të Raportit të Dick Mart-it, në të cilin kreu u politikës së Kosovës, Hashim Thaçi akuzohej për krime të rënda, konkretisht si shef i një grupi gangsterësh.

Me këtë akuzë të rëndë që u bë edhe dokument zyrtar i Këshillit të Europës dhe për të u themelua edhe Gjykata Speciale, Serbisë iu dha rasti qe ta nxjerrë nga kllefi thikën dytehshe: ta zhvlerësojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta shtrojë në tavolinë copëtimin e Kosovës. «Nuk mund të fitojë vetëm njëra palë, edhe ne duhet të marrim diçka… » është fraza tullë e shumëpërsëritur e Daciq-it dhe Vuçiqit gjithë këto vite…

Fundja kjo pritej nga Serbia, por ajo që nuk pritej kurrë është që zyrtarë të lartë të Kosovës të bëhen altoparlantë  të strategjisë së Beogradit. Në këtë diversion antishqiptar po prin kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi. Ky ka marrë aq hov në këtë veprimtari rrënuese, sa që në një intervistë ditë më parë e tha pa i lëviz çerpiku: « Unë jam nismëtar i idesë për korrigjimin e kufijve ».

Megjithatë faktet flasin krejt ndryshe. Pa përmendur politikanë e intelektuarlë serbë që çështjen e copëtimit të Kosovës e kanë parashtruar në të gjitha format dhe përmbajtjet e mundshme, që të paktën 50 vjet e këtej, po citoj shefin e misionit rus në Kosovë, Andrej Shugurov, i cili në tetor të vitit 2014 e thoshte atë që Thaçi po e përsërit gjithandej:

« Pakicat në Kosovë nuk kanë të ardhme, prandaj këmbimi i territoreve do të ishte opsioni me i arsyeshëm për të dyja palët. Duhet të kthehet gjendja në meshekullin e kaluar, kur Lugina e Preshevës i takonte Kosovës, ndërsa Veriu i Kosovës Serbisë ».

Për ata që e njohin sadopak këtë temë, ashiqare shihet manipulimi i paskrupull me të vërtetën elementare si nga Thaçi si nga Shugurovi.

Shtrohet pyetja: çka e shtyri Thaçin në këtë harakiri politik?

Për këtë ka vetëm një përgjigje : Dosjet që ndodhen në Gjykatën Speciale, e ku Thaçi është i akuzuari i parë! Ato dosje janë të trasha e me përmbajtje të tmershme. Në kapitujt e tyre, veç tjerash, ekzistojnë emra atdhetarësh të dëshmuar që janë vrarë gjatë dhe pas luftës dhe me këto krime ndërlidhet grupi që është denoncuar në Raportin e Këshillit të Evropës. Ka fakte të padiskutueshme se vrasjet e disa personaliteteve publike janë kryer me urdhër të gangsterëve politikë, mes tyre edhe nga komandanti i lloçit e i pluhurit të Tiranës, i njohur gjithandej edhe me emrin, Koçi Xoxja i Kishnarekës.

Andaj nuk është rastësi aleanca e Thaçit me Vuçiqin dhe me funksionarë të korruptuar evropianë. Thaçi po e zhvillon betejën që nga i akuzuar të kalojë në statusin e dëshmitarit.

Loja e rrezikshme me territore e ka dëmtuar Kosovën substancialisht. Ajo e ka torpeduar seriozisht Shpalljen e Pavarësisë dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Një aspekt tjetër i kësaj veprimtarie rrënuese është se  Serbisë i është hequr nga çafa lakultimatumi që ia kishte shtrënguar BE-ja apo, thënë më mirë, Gjermania se deri në fillim të vitit 2019 ajo duhej, me çdo kusht, ta njohë Kosovën.

Falë Hashim Thaçit, ky ultimatum, tash më, ka rënë ujë.

Fituese e padiskutueshme në këtë lojë të pistë është Serbia. Ajo tash e ka terrenin e hapur; shtetet perëndimore të hutuar e të përçarë, ndërkaq Kosovën pa institucione të mirëfillta e të gjunjëzuar.

Më e shëmtuara në këtë diversion është sjellja e shtetit shqiptar. Edi Rama, publikisht e ka mbështetur Thaçin e Vuçiqin në lojën e pistë me territore.

Kryeministri shqiptar, në një intervistë para një jave e pasqyroi Kosovën si një shtet të dështuar e të papërspektivë. Hileja ishte e qartë; po e marrim atë copë Kosove që po na e lejon Serbia (‘kemi një shans që duhet ta shfrytëzojmë’, thoshte ai) dhe po e bashkojmë me Shqipërinë, gjoja në funksion të bashkimit kombëtar.

Për njeriun që di të mendojë politikisht, ky është një mesazh i qartë antishqiptar. Sepse çështja shqiptare sot mbrohet duke mbrojtur vendosmërisht tërësinë territoriale të Kosovës e jo duke bërë pazar me të.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*