Shkruan:
Xhafer Shatri
Apo koha kur i vrisnin yjet
Në përvjetorin e rënies së Rexhep Malaj e Nuhi Berishës
Lajmi erdhi i mjegulltë. Flitej për rrethimin e dy shqiptarëve në Prishtinë dhe për vrasjen e tyre, por akoma nuk dihej për emrat. Ankthi i dilemës nuk zgjati shumë: një cingërimë telefoni dhe qenia, dhoma, qyteti, çdo gjë u mbush me llahtar: Bëhu i fortë! Parmbrëmë, në një rethim kanë mbetur të vrarë Rexhepi dhe Nuhiu…
I foli për njërin prej tyre që e kishte njohur 12 vjet më parë në një konvikt studentësh në atdheun e tij të robnuem, se si ai u bë shpejt për të më shumë se vëlla, se si pas një kohe ishin betuar në një Flamur për të mos e tradhtuar kurrë njëri-tjetrin, se si e kishin sfiduar, pa iu dridh çerpiku, njërin prej shteteve më të fuqishme komuniste të kohës tonë, se si kishin përpiluar e shpërndarë trakte së bashku, se si i kishte ndarë fillimisht arrestimi e pastaj se si ishin ritakuar dikund në një burg të vjetër, prej nga kishin planifikuar të iknin, se si i kishin ndarë e transferuar nëpër burgje të tjera, në momentin kur thyemja e pashmangëshme e burgut ishte vetëm çështje netësh… I foli se sa i zoti e sa i bukur ishte ai, sa serioz, sa i vendosur e i përkushtuar ishte, sa shumë e kishte dëmtuar vendin e tij të robnuem vrasja e tij e planifikuar. I foli gjatë e me bindje për të si për njërin prej njerëzve më të zotët që i kishte lindur e rritur ndonjëherë ajo tokë e kredhur në dhimbje, terror e dhunë…, i foli për aftësinë, guximin dhe burrërinë e tij të pashoqe…, i foli gjithashtu për trishtimin që ia thellonte shpresa përgjithmonë e humbur për një ngrykmarrje të gjatë me të…
…
… i foli pastaj, me një frymë, edhe për një djalë të njomë, të hijshëm e të gjatë si lis, me të cilin ishte takuar në shkretëtirën e fillimmërgimit në një peron të shkretë të stacionit të trenit, i foli për një sokol të vërtetë që ishte personifikimi më i qashtër i djalërisë se një kombi në njërin prej udhëkryqeve më të mëdha të historisë së tij. I tregoi se si ai kishte shkuar me mision në Kosovë, se si kishte arritur t’i lidhë me qindra fije të këputura të shpartalluara nga terrori i një shteti modern, se si kishte shkuar atje, në flakë e enë prush, me bindje se më mirë është të vdesësh atje ballë për ballë me pushtues se sa të dergjesh e të përcëllohesh nëpër mërgim. I foli për letrat e tij plotë kurajo e besim në fitore, i foli për shkathtësitë e tij të jashtëzakonshme, për faktin se ishte ndër njerëzit e rrallë që ngrihej në pesë të mëngjesit dhe nuk flente kurrë para orës 24, se si rrinte me orë të tëra mbi librat, se si ishte njëherit Atdhetar i përsosur, Njeri dhe Poet, se si nga e gjithë qenia e tij buronte një dëlirësi e pashoqe…
…
… kah fundi nisi t’i flasë se sa fatkeq e i pikëlluar ndihej pas lajmit të zi për vdekjen e tyre…, i foli se si kjo ishte ndër vrasjet më të rënda në historinë e një kombi, se sa shumë ishin dëmtuar përpjekjet për liri dhe të të gjithë atyre që ishin të përfshirë në to…, i foli se si shpresonte se ata, pas dekonspirimit, do të dilnin jashtë, se si ai do të shkarkohej nga një barrë e padurueshme detyrimesh të gjithëllojshme dhe më në fund do t’i përkushtohej i tëri asaj që e kishte ëndërruar gjithë jetën: leximit dhe shkrimeve…, i foli si askujt tjetër, për pikëllimin e pakufijshëm në të cilin e kishte kredhur vrasja mizore e shokëve të tij.
Shiu filloi të bie sërish, një shi i imtë e i ftohtë dimri që t’i shponte edhe eshtërat.
…
E mori Paul-in për krahësh dhe shkuan te ulësja e tij nën strehën e ngrehinës ngjitur për urë. Kur u ulën, Paul e mori flautën dhe nisi të luajë Requiem-in e Mozartit. I binte flautës mrekullisht. Kur e mbaroi, e pyeti sakatin tjetër që posa kishte mbetur pa krahë: Si i kishin emrat shokët tu?
Uji i saj kishte marrë ngjyrë të murme, në të përgjakur, sikur të vinte nga larg, atje nga dheu i shqiptarëve.
Gjenevë, 13 janar 1984
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment