NËNA IME MBUSHI NJË SHEKULL JETË

Shkruan:
Xhafer Shatri

Te dashur miq,

Nëna ime, Timë Shatri, e gjinisë Kabashi, këtë muaj i mbush 100 vjet.

Është mirë me shëndet dhe vazhdon të kujdeset me shumë përkushtim për oborrin dhe lulet e shumta. Natyrisht, ajo është gjithnjë në kontakt me fëmijët, me nipat, mbesat, stërnipat dhe stërmbesat e saj. E thotë shpesh dhe me mburrje se, i kam 63 pasardhës.

Ajo jeton ne Tomoc, aty ku është martuar para 74 vitesh dhe për të kujdeset mbesa e madhe, Floria.

Nana, pardje kishte festë në shtëpi. Floria kishte vendosur t’ia festonte Ditëlindjen. I kishte organizuar të gjitha, i kishte ftuar të afërmet dhe shoqet e Nënës Timë.

Këtë festë e kishin plotësuar shumë mirë edhe tre miq të moçëm të Familjes me urimet përmes Radio Fontanës: Mustafë Rugova, Idriz Zeqiraj dhe Zeqir Mehmetaj. I falenderoj përzemërsisht që të tre.

Në fakt kishim problem me datën e saktë, sepse asokohe, para një shekulli, besa edhe shumë vjet më vonë, shqiptarët nuk i shënonin datat e sakta të lindjeve e besa as të vdekjeve, më tepër thuhej pak para Sh’mitrit ose pak para Shëngjergjit, ose në Arbain, ose n’Plaka…

Ndërkaq Nëna, siç i ka thënë e ëma, pra gjyshja ime, kishte lindur në muajin maj, dhe dita kishte qenë e enjte, “e ejte e gëzueme“…

Çdonjëri prej nesh ka aq shumë për të thënë dhe për të shkruar për nënën e vet. Edhe unë gjithashtu. Nëna më thotë shpesh se, “…  po të dija me shkru krejt Kuqishtën e kisha ba letër dhe e kisha mbush me shkrim për hjekat e mia…“

Kuqishta është një livadh yni dhe ka një sipërfaqe prej gati 2 hektarësh.

Kurrë nuk kam qëndruar mirë me matematikën, por nëse e marrim një faqe libri format A4, pra 21 : 29.7 cm, atëherë del se 1 m katror i ka 16 faqe, ndërsa 2 hektarë bëjnë 20’000 metra katrorë, kështu që Memoraret e Nënës Timë do të duhej të futeshin në librin e Ginisit, sepse do t’i kishin 320 mijë faqe! Jam i sigurt se krejt do t’i mbushte, kryesisht, me detaje që, besoj, se çdo lexuesi shpeshherë do t’i rrënqethej trupi.

***

Nëna Timë është mirë me shëndet dhe ka një kujtesë të jashtëzakonshme, sikur të ishte 50 vjeçare. Ajo ende qëndis si më e mira nuse dhe gati tërë ditën thurë qorape e papuçe. Por pasioni kryesor i saj janë lulet dhe oborri. Gati askush në katund s’e ka oborrin si ajo… Gjelbrim, drunj dhe lule, ky është maraku i saj…

Ajo shpesh na flet për fëmijninë e vet. Me pasion të posaçëm flet për gjyshën e saj, Sykën, që ka jetuar 115 vjet, në Kerla, fshat te Burimi i Ibrit.

Sërgjyshja ime, Syka e ka rritur një çetë me fëmijë dhe ditën e fundit të jetës, kah dreka shtrihet në shtrat dhe i thotë të resë: bima këtu djalin e vogël!

Ia sjellin stërnipin te shtrati dhe ajo i thotë: Thujma kangën që ta kam mësu, kingji jem! Dhe fëmija ia nisë të recitojë:

Plasi guri, e plasi toka,
Shkoi mbi ré Oso Kuka!

Po tjetra, kingji jem?

Ali Pasha në bedena:
Çjanë këto gjamë që po i bjen era
Po luftojnë Rugova e Peja,
Na ka ardhë hasmi te dera…

E lumja gjyshja për ty, hajt shko tash me luejt…

Me këto fjalë të fundit i kishte fluturu’ edhe shpirti.

*  *  *

Me shkru për Nanën, nuk është kollaj për asnjeri, sepse ka aq shumë për të thënë sëcili e sëcila prej nesh. Por ajo që nuk më hiqet kurrë nga mendja është ai momenti, që mos na raftë asnjërit me e harru, kur Nana priste para dyerve të burgut me e pa djalin ose vajzën e vet… Fillimisht, rruga e stërgjatë me shku deri te burgu, pastaj pritja aty, duke pasur përballë muret e larta dhe grilat e trasha…, pastaj futja brenda në derën e madhe dhe salla e ftohtë e shikimi i egër i njerëzve në uniformë dhe ai momenti i pritjes kur përzihen kulmi i dhimbjes e i gëzimit bashkë, dhe kur më vonë ia nxirrnin përballë fëmijën e saj të zbehur, të lodhur me buzqeshje të ngrirë, ku ishin të gjitha tok: gëzimi i vrarë, qëndresa dhe betimi mos me u zhburrnu e mos me u koritë…

Sa Nana e Kosovës ka kaluar nëpër këtë prush, nuk ka laps që e shënon dhe nuk ka libër që e përthekon.

Gjithmonë, para ndonjë dileme apo udhëkryqi madhor, para çdo zgjedhjeje që e kam bërë në jetë, një rëndësi të posaçme i kam kushtuar asaj vuajtjeje, ndiesisë së atyre takimeve të rralla, me grila mes meje dhe prindërve të mi. Dhe vendimi i parë ishte dhe ka mbetur: çdo gjë që të bëj mos me shkelë kurrsesi mbi ato vuajtje, mos me i harru asnjëherë dhe kurrë mos me i koritë.

*  *  *

Duke i shkruar këta rreshta për Nanën Timë, nuk mund të mos flas edhe për një Nanë dhe për djalin e saj që nuk i kam parë kurrë.

Ka qenë vjeshta e vitit 1975, fillimi i tetorit. Nga Idrizova më dërguan në burgun hetues të Nishit. Padyshim ka qenë burgu më i keq nga 12 sosh nëpër të cilat kam kaluar. Rregullorja ishte e ashpër deri mizore. Gardianët ishin të egër dhe antishqiptarë të tërbuem.

Të gjitha dritaret, edhe ajo e qelisë sime ishin përballë oborrit të burgut. Çdo gjë ndëgjohej nga oborri, por nuk mund të shihja asgjë, sepse prapa grilave në dritare ishte një xham i errët e i trashë…

Një natë, dikund kah ora 2 e mëngjesit, ma nxori gjumin një zhurmë e keqe. 4-5 gardianë e rrahnin mizorisht një të burgosur në oborr, mu nën dritaren time. E rrahnin me kërbaç dhe me shqelma. Nganjëherë i thoshin: Drzhi se Hasane, majku ti tvoju (Qëndro Hasan, ta kajsha Nanën)! Ndërsa ai, Hasani, e përmbytte rënkimin sigurisht duke i shtrënguar dhëmbet deri në thyemje.

Rrahja zgjati shumë, deri sa filloi me u zdritë. Dikur, kah fundi, Hasani e shqiptoi zëshëm e përmes rënkimit vetëm këtë fjalë:

Oj Nana jeme, më mbytën bre…

Mëshamjet e sharjet u dëgjuan edhe një kohë, por asnjë fjalë e asnjë rënkim tjetër.

Ky është vetëm një varg nga Balada e Kosovës. E në thelb të saj janë gjithëmonë bashkë: Nana e Dhimbja shqiptare.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*