Një fjalë zie për Rexhë Halimin

Në 15 vjetorin e vdekjes*

Shkruan: Xhafer SHATRI

1.

Nja një muaj para se me dalë pranvera, në karrigën e parkut të qytetit, jo larg Bahnhofit të Zurichit, ku kishte punuar mbi 30 vjet rresht, e lëshoi zemra Rexhep Halimin, mërgimtarin e vjetër nga Ferizaj. Ishte hera e parë dhe e fundit që atë dhe të gjithë ata që e kanë dashtë e respektuar i la në baltë Zemra e tij fisnike.

2.

E kam njoftë këtu e 22 vjet më parë, në Zurich dhe si sot me kujtohen duart e tij, duart e tij të mëdha dhe fytyra e vrarë, portreti më origjinal i mërgimtarit të Kosovës…

Këtë portret (me emra nga më të ndryshmit: Zijah, Shabi, Shyqë, Kadri, Adem, Selman, Qamil, Hasan, Muhamet, Hevzi, Sylejman, Sadri, Zeçë, Mehmet, Xhemail, Ragip, Simon, Ismet, Gafurr, Hamit, Ahmet, Fehim, Ilaz, Shefqet, Zahir, Shahin, Jup, Beqë, Qazim, Osman, Januz, Ibni, Myfit, Hekuran, Sherif, Bajram, Hajdin, Remzi, Faridin, Selim, Shaban, Mejdi, Halil, Avdi, Hyzri, Avdyl, Nazmi, Sylë, Isë, Jahir, Salih…) mund ta takoje në Gjenevë, në Luasanne, në Bernë, në Zyrih, në Dusseldorf, në Bazel, në Dortmund, në Stutgart, në St. Gallen, në Mynih, në Vjenë, në Bruksel… dhe mund ta dalloje që larg, sidomos atë vijën e prerë, dramatike, që tregonte se mendja ishte rreth dy mijë kilometra larg nga trupi; një vijë e dhimbshme që përhitej edhe përmes shikimit të tretur diku larg, në një votër ku ai mungonte, në një votër ku ai e dinte se jetonte e ndezur shpresa se ai, megjithatë do të kthehet një ditë.

Askund si te këta njerëz nuk e kam parë trupin e braktisur nga mendimet e përfshira në një furtunë shqetësimesh…

Pas çdo takimi me ta, e ato kanë qenë shumë, ma ka çarë shpirtin si me me thikë pyetja e pakalueshme: si do t’i vijë puna këtij vendi, këtij populli, përderisa ata që kanë mbaruar shkolla, ata që krahas përgatitjes intelektuale kanë dhe obligimin kryesor të marrin mbi supe përgjegjësitë e veta, tash në këto kohë me acar, janë strukur, sipas porosisë së shefit të tyre; në birë të minit…, dhe hallet, dhe fati i këtij vendi e i këtij populli kanë mbetur në duart e plasaritura të Rexhës e të shokëve të tij, në supet e tyre të lodhura nga puna e rëndë, nga brengat e shumta që di t’i ngarkojë në shpinën e njeriut vetëm mërgimi; kanë mbetur në supet e njoma të nxënësve e të studentëve që bënin të pamundurën për të dëshmuar se Kosova nuk po dorëzohej, se shqiptarët nuk po nënshtroheshin.

Për arsye se, si shumëçka në historinë e shqiptarëve, edhe kjo qëndresë bëhej në mënyrë të çuditshme: kundër pushtuesve kishin ngritur krye ata që do të duhej të ishin të fundit, ndërkaq kishin shtrirë qafën dhe kishin futur veshët në lesh ata që do të duhej të ishin prijatarë…

Fatbardhësisht pati edhe përjashtime, sepse në atë shkozishtë gri kishte dhe ndonjë Lis, personifikim i të cilëve ishte dhe mbeti Ukshin Hoti, shëmbulli i shkëlqyer i intelektualit konsekuent.

3.

Rexhep Halimi banonte në ‘haimet’, pranë Bahnhofit. Jetonte vetëm, sepse familjen e kishte në Kosovë. Të gjithë ata veprimtarë që kanë kaluar nëpër Bahnhof-Zurich e kanë ditur se do të mund të bëjnë konak te Rexha ose te Ragipi: një studio me kuzhinë të përbashkët. E mobiluar vetëm me gjërat më të domosdoshme; një shtrat, një orman dhe një tranzistor, për të dëgjuar ndonjë këngë ose lajm shqip. Asgjë tjetër.

Aty Rexha ka ndarë me ata që ia kanë mësy edhe kafshatën e gojës, edhe rrogën, edhe teshat e trupit. Aty janë përgatitur traktet e banderolat, nga aty janë siguruar paraprakisht megafonet dhe pajisje të tjera aq të domosdoshme në prag të çdo demonstrate…

Te Rexha, duke u thirrë në përpjekjet për çlirimin e Kosovës, ka gjetur strehë edhe ndonjë argat i dreqit, që nuk linte birë pa hi e sakrificë pa pështy…, keni parasysh besëpremtë, ata bastardët e pashmangshëm që i ka çdo lëvizje politike e që zakonisht rrinë me fëlçi të hapura e me thika në dorë… Dhe kur punëve të pista u dilte tymi, atëherë Rexha i shkretë me atë thjeshtësinë e tij epike përsëriste: Burra, në këtë botë nuk paska mal pa çakej!

Te Rexha zbarkonin nganjëherë edhe policdiplomatët e Enver Hoxhës. Ata zakonisht vinin fshehurazi për t’i fryrë zjarrit që e ndezte Udba. Të llahtariste aftësia e tyre tek abuzonin në mënyrat më të paimagjinueshme me Kosovën, me Shqipërinë dhe me shqiptarët. (“Burra, kur po vijnë ata po kam aq etje me fol e me bisedu’ me ta, por kur po shkojnë po më duket se ma kanë mbush jo veç barkun por edhe trunin me ujë të turbullt!”)

4.

Rexhë Halimi nuk ka qenë as i gojës e as i lapsit, por ka dijtë me e dashtë Kosovën; ka dijtë me e dashtë me një përkushtim fanatik; ka dijtë gjithashtu me qenë besnik edhe deri te shtrati i vorrit. Shpesh ka ndodhur që ai t’i harrojë edhe detyrimet ndaj fëmijëve të vet, por nuk ka ndodhur asnjëherë t’i harrojë detyrimet ndaj Lëvizjes, organizatës që i ka takuar që nga themelimi. Jo njëherë ka ndodhur që Rexhë Halimi t’i japë të gjitha kursimet e veta me qëllim që të blehen mjete pa të cilat një lëvizje politike mund ta luajë vetëm derën.

Jam krejt i sigurt se me kursimet e tij ai ka mundur t’iu sigurojë ardhmëri pa telashe dy- tre brezave të familjes së tij, por ai për familje kishte zgjedhur Kombin dhe për shtëpi Lirinë. Ishte ky një përcaktim i prerë e pa asnjë hije.

5.

Në vitet e rënda të luftës, Rexha i takoi vendosmërisht korpusit të idealistëve që luftën e shihte si çështje jetike të një kombi, e ku bashkimi i të gjithëve përballë Serbisë duhej të ishte lapidar. Por ky korpus, duke qenë krejtësisht i zhveshur nga çdo pretendim pos lirisë, siç është biografia e të gjithë idealistëve, u përballë me kobashët e ‘majtë’ e të ‘djathtë’, që kishin harruar krejtësisht Serbinë dhe përgatisnin ‘ushtritë’ e tyre për të luftuar me njëri-tjetrin. Fundi i përballjes ishte krejt i qartë, sepse prapa kobashëve, historia do ta dëshmojë, qëndronte KOS-i serb dhe plani i tij “Barzan” për luftë të përgjakshme ndërshqiptare.

Dhe kryetragjedia do të ndodhte patjetër sikur të mos ndërhynin VVashingtoni e Londra, që kishin vendosur t’i ndalin njëherë e mirë “pohodet” e kasapit të Ballkanit.

Ndërsa falë kobashëve që në vendin e posaçliruar kapardiseshin me qeveritë e tyre fantazma, Kosova do të mbetet edhe 5 vjet pas luftës jo subjekt që qeveris vetën, por objekt që e administrojnë dhe e shkrryejnë të tjerët.

6.

Zhgënjimet e Rexhë Halimit nuk do të prajnë as pas Luftës. Sepse llaçumia e kobashëve, që kishte shfrytëzuar LPK-në për qëllimet e veta, vendosi ta shpallë inekzistente organizatën që nuk kishte mundur ta shkatërrojë as Udba për 40 vjet rresht! Dhe kjo ndodhte në Prizrenin e lirë dhe para syve të Rexhës e të tjerëve si ai! Ishte ky ai akti i shëmtuar i djemve plangprishës, që para se “të ngjiten ma nalt” vendosin ta përdhunojnë Nënën e tyre!

Dhe ata vërtetë do të shkojnë larg; do të zënë pozita kyçe në Kosovën e pasluftës, do të bëhen multimilionerë, do të ndërtojnë kështjella e pallate edhe pse kurrë në jetën e tyre nuk kishin punuar. Veç miqve ata do t’i ndërrojnë edhe bindjet, si çerapat. Ndërsa ndonjëri prej tyre do të bëhet edhe shef i Oznës, përcjellë me vepra e akte të zeza, që i shkojnë prapa këtij emri.

7.

Rexhë Halimi, pas varrimit, do të përmendet ditë e më pak. Mbi vorrin e tij do të vyshken lulet dhe do të zbërdhylen kurorat e shëmtuara plastike. Më vonë dheun do ta mbulojnë herë bora e herë bari.

Ndërkaq, emrin e tij nuk do ta mbajë asnjë rrugë, asnjë ngrehinë, asnjë urë, asnjë shesh. Ndodhë kështu, sepse popujt e vonuar, si çdo gjë tjetër pos marrëzisë, edhe kujtesën e kanë të cekët. Kështu kopertinat do të mbyllen dhe brenda tyre drama e një njeriu, e një familjeje, e një vendi, e një kombi. Nuk e di se si do të mundet dheu ta mbajë e ta tretë, jo rrashtën, por dramën e Rexhë Halimit.

Ndërkaq nëpër Bahnhofin e Zurichit do të shkojnë e do të vijnë trenat, do të hipin e do të zbresin udhëtarët. Dhe, një ditë, ndonjëri prej tyre apo ndoshta era vetë, do ta sjellë edhe andej baladën për mërgimtarin e paepur në pamjen e kalorësit që i vjen era dhé, e i cili kthehet, dikur, në tokën e premtuar.

*Për herë të parë ky shkrim u botua në revistën “Pasqyra“ në mars të vitit 2004

Si korrigjim vlen te theksohet se Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ne mandatin e saj shpalli Rexhep Halimin, Hero i Kosovës

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*