Njëra nga dhimbjet më të mëdha të Kosovës e ka emrin Nana Pashke

Shkruan:
Xhafer Shatri

Më 27 prill 1999, forcat serbe ndalën edhe dy djemtë e Pashke Markut, Milanin 35 dhe Gjovalinin 36 vjeç. Atë ditë Nana Pashke me pjesën tjetër të familjes në kolonën e të dëbuarve u ndoqën në Shqipëri. Milanit një oficer i kishte rënë plumb në ballë. Drejt të vëllait kishte mësy Gjovalini, por atë e kishin ndalur më një rafal automatiku…

Në fillim të korrikut 1999 familja e Pashke Markut u kthye në Kosovë. Nana Pashke i kërkoi gjithandej djemtë e saj. Një ditë e çuan në Rahovec, ku silleshin mbetjet mortore nga varrezat masive nëpër Serbi. Ua njohu teshat e trupit. Ua preku gjymtyrët nën tesha, por pati përshtypjen se kishte mbetur vetëm shkrumbi i tyre. Prej atë ditë i shkoi mendja se mund t’ia kenë djegur djemtë, prandaj i lindi ideja se duhet të digjej edhe ajo. Një ditë i shpëtoi një fjalë: O kanë mirë me shku e me u djegë para Kuvendit të Kosovës. Më 26 maj 2003, Nana Pashke veshi teshat më të mirat që i kishte, e mori një kantë me benzinë dhe u nis për në botën tjetër. Shkoi te varret e djemve. Pastaj u kthye, e u ndal afër rrugës. Ishte tamam midisi i largësisë që ndante varret e djemve dhe shtëpinë e familjes. U lye me benzinë dhe ia vuri flakën vetesPo bëhen 20 vjet prej që ka përfunduar lufta në Kosovë, ndërsa plagët e saj, të dukshme e të padukshme, vazhdojnë të pikojnë gjak e të shkaktojnë dhimbje. Ajo që të lërë krejt pafrymë në këtë plagnajë është se Kosova asnjëherë nuk gjeti kohë dhe nuk mori mundin për t’i bërë një balancë luftës, për t’i regjistruar zyrtarisht e shtetarisht të gjitha krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. Ky do të duhej të ishte detyrimi i parë i parisë së vendit ndaj viktimave: të hetohen profesionalisht të gjitha rrethanat në të cilat humbën jetën çdonjëra e çdonjëri. Të nxirren në dritë të diellit faktet dhe provat materiale për çdo rast veç e veç dhe ato të administrohen e procedohen prej të parës deri te e fundit.

Pastaj të hulumtohet me këmbëngulje fati i të pagjeturve, në mënyrë që çdo viktimë ta ketë një varr, ku familja e saj do të mundë të shkonte për ta derdhë në heshtje një grusht lot.

Sjellja e parisë së Kosovës ndaj viktimave të krimeve serbe dëshmon më së miri se në duar të kujt ishte vendi ynë e fati i tij në këto 20 vjet.

Kur flasim për krimet e Serbisë në Kosovë duhet theksuar me nderim e trishtim njëherësh, se, atë që nuk e bëri dot shteti ynë, e bëri, në një masë të mirë, Natasha Kandiq dhe ekipi i saj i njohur si Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH). Ky institucion autoritativ denoncoi publikisht ushtarakët më të lartë serbë për krime kundër shqiptarëve në Kosovë, publikoi të dhëna e analiza profesionale për shumë raste veç e veç, dha shembullin më të mirë se si do të duhej të vepronin organet e drejtësisë në Kosovë.

Falë FDH-së, më 2015, dolën në dritë të gjitha rrethanat e njërës prej masakrave më të mëdha që kreu Serbia në Kosovë, Masakra e Mejës. Dosja mban emrin “Operacija Reka“ dhe në të ka fakte, prova e detaje me të cilat edhe një zyrë civile, e lërë më dikush tjetër do të mundë ta gozhdonte Serbinë kurdo dhe kudo në botë.

Kryepersonazhi i këtij shkrimi, Pashke Marku, nga katundi Korenicë, nuk përmendet fare në këtë publikim, por është pjesë monumentale e tragjedisë shqiptare në Mejë.

1.

Ushtria jugosllave (UJ) Planin “Patkoi“ në Komunën e Gjakovës e zbatoi në disa valë: më 14 prill 1999, në shënjestër të pastrimit etnik u vunë fshatrat që shtrihen në Lugnajën e Erenikut, Carragojës dhe Krenës, që, si krahinë, njihet me emrin “Reka e Keqe“. Atë ditë forcat serbe detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre shqiptarët e fshatrave Dobrosh, Racaj, Ramoc, Mejë, Brekoc etj., dhe, në kolonë, t’i deportojnë drejt Shqipërisë. Kur kolona e gjatë mbërriti te fshati Bistrazhin, ne dalje të Gjakovës, sipas të gjitha gjasëve, aviacioni i Natos, i manipuluar me dezinformata ushtarake serbe, bombardoi kolonën dhe vrau 40 shqiptarë. Policia pastaj urdhëroi kolonën e të dëbuarve që të ktheheshin në shtëpitë e tyre….

Ndërkaq, më 27 prill, në të njëjtën krahinë operacioni u përsërit, por me përmasa dhe mobilizim shumë më të gjerë. Ai filloi në orën 5 të mëngjesit e zgjati dy ditë. Në të morën pjesë Brigada 549 e motorizuar, Brigada 63 e parashutistëve, Batalioni i policisë ushtarake, Brigada 52 e artilerisë raketore, Brigada 125 e motorizuar, Njësia ushtarake territoriale 113, Policia e Gjakovës dhe disa aradha të Njësive të Posaçme të Policisë federale (NjPP). Aty pari ishin edhe njësitë me hiena të Arkanit dhe Sheshelit, të cilat, si kudo tjetër, vepronin në kuadër të forcave serbe dhe nën një komandë të vetme.

“Operacioni Reka“ është planifikuar dhe mbikëqyrë nga gjenerali Vladimir Llazareviq, komandant i Korpusit të Prishtinës dhe dy ndihmësit e tij, Milan Kotur dhe Veroljub Zhivkoviq, ata ishin vendosur në një pikë strategjike afër Gjakovës dhe i orkestronin dy pikat e komandimit; të Ushtrisë që ishte vendosur në Osek Hilë dhe atë të policisë në Druzhnjë. Prej aty, të dy nënkomandat e shihnin krejt Lugnajën me fshatra si në shuplakë të dorës.

Afër fshatit Mejë, ku puçeshin në një të dy rrugët kryesore që lidhnin fshatrat e Lugnajës me Gjakovën, ishin vendosur dy ‘punkte’, pika të kontrollit, të përbëra nga ushtarë dhe policë. Punktet udhëhiqeshin nga oficerë të policisë së Gjakovës, Dimitrije Rashoviq dhe Milan Shçepanoviq. Detyra e tyre ishte të ‘krehnin’ të dy kolonat e të dëbuarve që vinin nëpër të dy rrugët kryesore të Zonës: aty bëhej plaçkitja sistematike e të dëbuarve dhe përzgjidheshin njerëzit që do të pushkatoheshin pas pak, ndërsa kolonat, vazhdonin rrugën drejt Shqipërisë.

2.

Praktika e pastrimit etnik tashmë ishte e mirushtruar: një pjesë e forcave serbe e kishin përthekuar zonën e operacionit, ndërsa pjesa tjetër futeshin nëpër shtëpi dhe urdhëronin shqiptarët të ikin drejt Shqipërisë. Që në oborr të gjithëve u merreshin çdo gjë me vlerë që kishin, para së gjithash stolitë, paratë dhe veturat…

Dëshmitari i mbrojtur K73 para Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), dha detaje që dëshmojnë vendosmërinë dhe egërsinë e Serbisë për t’i qëruar hesapet me shqiptarët: “Në Ramoc, pjesëtarët e Ushtrisë urdhëruan banorët t’i lënë shtëpitë dhe të nisën drejt fshatit fqinjë, Korenicë. Kur arritën te udhëkryqi, oficeri Sasha Antiq, i ndau tre shqiptarë (Pashk, Pjetër dhe Mark Abazi), të cilëve më vonë ia bashkuan edhe një tjetër të lidhur me tel gjembor (Hysen Ragami), dhe ky pastaj ia dorëzoi komandantit të NjP të Policisë, i njohur me pseudonimin “Markoni“ duke i thënë: ‘Këta 4 fundzorrë janë tutë…’ Ky oficer i mori burrat dhe i çoi aty afër, në mal. Pas disa minutash u dëgjuan krismat. Kur u kthye oficeri iu tha të pranishmëve: Isha tepër i ndershëm, ua dhashë nga një cigare, e thithnin dhe qanin sepse e dinin se çka do të ndodhë me ta.“ 1

Po atë ditë forcat serbe “…që në orën 5 të mëngjesit granatuan Korenicën dhe pastaj këmbësoria e mbështetur nga tanket hyri në fshat nga Lagjja ‘Përtej përroit’ dhe urdhëroi banorët të dalin nga shtëpitë dhe të nisen drejt Shqipërisë. “Një polic e gjeti në oborr 16-vjeçarin Blerim Mala, e shtriu për toke, i vuri tytën e pushkës automatike në kokë dhe babait të tij Vatës ia kërkoi çelësat e veturës që ishte në oborr… “ 2

Atë ditë në Korenicë forcat serbe vranë 70 shqiptarë, shumica banorë të fshatit. Mes të tjerësh vranë vajzën 15-vjeçare Klaudije Malaj me babë dhe gjyshe. Aty vranë edhe shqiptarë nga fshatra të tjera që ishin strehuar në fshat.

Në të dy “punktet“ u përzgjodhën edhe 274 shqiptarë të tjerë dhe u pushkatuan në grupe të ndryshme. Prej tyre 36 veta ishin të mitur.

Dëshmitari K90 ka deklaruar para GjPN-së se “… një numër burrash që ishin nxjerrë nga kolona, nën kërcënimin e armëve janë dërguar në një shtëpi afër vendkomandës së ushtrisë dhe i kanë futur në një shtëpi diku së pakut 4 grupe prej 5 deri në më shumë se 10 veta. Pas tyre ka shkuar policia. E kam kuptuar pse rafalet po zgjasin aq gjatë. Ishte krejt e qartë se po i vrisnin shqiptarët…, pastaj kam shkuar dhe e kam parë se krejt dyshemeja ishte e mbuluar prej kufomave…“ 3

Një dëshmitar tjetër i GjPN, oficeri Nikë Peraj, pasditën e 27 prillit, kishte parë kufomat e 20 burrave shqiptarë në lëndinë, afër shtëpisë së familjes Hasanaj, në Mejë, rreth 30 m afër “punktit“. Ai kishte parë gjurmë djegieje të barutit në kokat e disave, që tregon se ata ishin vrarë nga afërsia. Peraj kishte parë aty edhe tri kova benzine dhe një grumbull dokumentesh personale të shkoqura… 4Përmes shkatërrimit të dokumenteve personale, policia dhe ushtria mëtonin të pengohej ose edhe të vështirësohej kthimi i të dëbuarve në Kosovë. 5

Martin Pnishi, nga Meja atë ditë, kah ora 11:45 kishte parë 5 persona në uniformë, mes tyre Predrag Stojanoviqin, oficer i sekretariatit të Punëve të Brendshme (SPB) në Gjakovë duke i çuar 7 djem shqiptarë nga shkolla e Mejës drejt urës mbi lumin Travë, afër urës, polici që ishte në mes të urës me mitraloz shtiu mbi ta dhe i vrau. 6

Dëshmitari i mbrojtur K73 deklaroi para GjPN se “…më 28 prill 1999 në Korenicë ka zatetur pjesëtarët e NjPP dhe i ka parë shtëpitë e fshatit në flakë. Në pyetjen e tij se ku janë shqiptarët, njëri prej policëve i thotë: “janë dërguar në ekskursion.“ 7

3.

Viktimat e “Operacionit Reka“, menjëherë pas krimit janë varrosur në disa vende të komunës së Gjakovës. Ndërsa gjatë muajit prill dhe maj 1999, policia i ka zhvarrosur dhe i ka transportuar kufomat në një vend sekret në Batajnicë. Aty i kanë varrosur në 8 varreza masive në kampin e shenjëtarisë…, në qendrën e stërvitjeve të policisë… Kjo është bërë me urdhër të Milosheviqit…8

Për zhvarrimin e viktimave dhe transportimin e tyre në Batajnicë dhe në varreza të tjera masive nëpër Serbi, para GkPN kanë dëshmuar 20 dëshmitarë. Shoferi i MPB të Serbisë, Bozhidar Protiq, ka dëshmuar se nga shefi i tij, Zekoviq, është urdhëruar “ta kryejë një punë shumë të rëndësishme për shtetin“. Ai ka deklaruar se 3 kamionë me kufoma i ka transportuar nga Kosova deri në Batajnicë dhe një kamion deri në Petrovo Selo…9

Vrasja e dytë e shqiptarëve të Kosovës, pra fshehja e kufomave të tyre nëpër Serbi është zbuluar, më 1 maj 2001, nga një gazetë lokale “Timoçke novine“, që fliste për një kamion frigorifer të rrëzuar në lumin Danub e me përplot kufoma të shqiptarëve të Kosovës. Kështu është shthurur lëmshi dhe në Batajnicë janë gjetur pastaj 744 mbetje të shqiptarëve të vrarë.

Ekipi i ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Beograd i udhëhequr nga dr Dushan Dunjiq, që ka ekzaminuar mbetjet mortore nuk ka mundur të konstatojë shkakun e vdekjes së tyre! Me arsyetimin se kufomat ishin në fazën e shpërbërjes… 10 Për të qenë i qartë ekzaminimi është bërë pas rënies së Milosheviqit…

Mbetjet mortore pastaj Zyra (e UNMIK-ut) për personat e pagjetur ia ka dorëzuar ekipit të patologëve në Kosovë dhe pas ekzaminimit të mbetjeve të 744 viktimave, që patologët serbë nuk kishin arritur t’ua konstatojnë shkaqet e vdekjes, konstatoi se 506 prej tyre ishin vrarë, sepse çdo njëra prej tyre kishte një ose më shumë vrima të shkaktuara nga plumbat…!

Kjo flet shumë për nivelin e kriminalizimit të shoqërisë serbe dhe nevojën absolute për denacifikimin e një shoqërie, shumë familje të së cilës jetojnë me një ose më shumë vrasës masivë…

Nga 68 persona që janë marrë e vrarë në Korenicë, më 27 prill, mbetjet e 58 burrave janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë… ndërsa mbetjete e 16 viktimave të tjera janë gjetur pas luftës nëpër shtëpitë ku janë vrarë, në male aty afër ose në varrezat e Gjakovës…11

Nga 274 burra të vrarë në Mejë, 252 janë zhvarrosur më 2001 e 2002 në varrezat masive në Batajnicë, 8 burra janë gjetur në Mejë, një në Nivokaz, një në Ripak Madan ndërsa 12 llogariten të zhdukur… 12

Ka të dhëna se një pjesë e mbetjeve mortore të shqiptarëve ende janë nën pistat e aeroportit të Batajnicës. Do të ishte mirë që paria e Kosovës t’u drejtohet shtetarëve të fuqishëm që vizitojnë Beogradin se nën rrotat e aeroplanit kur aterojnë ende ka mbetje mortore të shqiptarëve që edhe 20 vjet pas luftës i presin familjet e tyre.

4.

Më 21 prill 1999 u vranë nga UçK-ja në Mejë 4 policë dhe një u plagos rëndë. Njëri prej të vrarëve Milutin Prashçeviq, ishte djalë axhe i gruas së Momir Stojanoviqit, shefit të KOS-it (shërbimi sekret ushtarak) për Kosovë. Ka dëshmi se Stojanoviq, pas vrasjes ka mbajtur një mbledhje në Gjakovë, ku ishin shefi i Policisë së Gjakovës Millovan Kovaçeviq, shefi i Mbrojtjes Territoriale Nikolla (Dragan) Miçunoviq dhe natyrisht Momir Stojanoviq.

Në mbledhje Stojanoviq ka kërkuar që për çdo polic të vrarë të vriten 100 shqiptarë. Këtë e ka dëshmuar para Gjykatës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (GKLJ), Nikë Peraj, oficer i Ushtrisë jugosllave, me kombësi shqiptar dhe prezent në atë mbledhje.

Në vitin 2004, gjenerali Sojanoviq u emërua kryeshef i shërbimit ushtarak të zbulimit të Jugosllavisë.

5.

Për Masakrën e Mejës Gjykata Penale Ndërkombëtare ka dënuar gati krejt majën ushtarake e policore të Jugosllavisë: gjeneralin Dragoljub Ojdaniq, shef i Shtatmadhorisë së UJ, Nebojsha Pavkoviq, komandant i Armatës së Tretë, Vladimir Lazareviq, komandant i Korpusit të Prishtinës, Sreten Llukiq, kryeshef i MPB të Serbisë për Kosovë dhe Vllastimir Gjorgjeviq, ndihmësministër i Punëve të Brendshme.

Gjykata ka konstatuar se Operacioni Reka ishte planifikuar nga kreu i Ushtrisë dhe i Policisë dhe kishte “…të paktën dy objektiva drejtuar kundër popullsisë civile shqiptare: hakmarrjen për vrasjen e katër policëve nga UçK-ja dhe dëbimin e shqiptarëve të Komunës së Gjakovës në Shqipëri, si pratikë e gjerë për dëbimin e shqiptarëve.“

Gjykata kishte konstatuar gjithashtu se “…shqiptarët që u vranë gjatë Operacionit Reka, ishin civilë dhe se nuk kishte asnjë argument se ndonjëri prej të vrarëve ka qenë i armatosur ose që ka marrë pjesë aktive në luftime…“13

6.

Më 27 prill 1999, forcat serbe ndalën edhe dy djemtë e Pashke Markut, Milanin 35 dhe Gjovalinin 36 vjeç. Atë ditë Nana Pashke me pjesën tjetër të familjes në kolonën e të dëbuarve u ndoqën në Shqipëri dhe u vendosën në Kallmet. Djali i saj Marjani, veprimtar politik, përmes një çuni dëshmitar, e mori vesh pas disa orësh se çka kishte ndodhur me vëllezërit e tij dhe me shumicën e atyre që kishin pasur fatin e zi të ndalen atë ditë nga forcat serbe. Por lajmin e keq e përpiu shumë kohë në vete. Më vonë mësoi si nëpër mjegull edhe për rrethanat e vrasjes: Milani kishte kundërshtuar ndalimin arbitrar dhe një oficer e kishte rënë plumb në ballë. Menjëherë drejt të vëllait kishte mësy Gjovalini, por atë e kishin ndalur me një rafal automatiku gjithandej nëpër trup…

Gjovalin Marku

Milan Marku

Në fillim të korrikut 1999 familja e Pashke Markut u kthye në Kosovën e djegur e të përgjakur. Nana Pashke i kërkoi gjithandej djemtë e saj me gojë, me sy e me shpirt. Por nuk ishte e vetmja. Me mijëra Nana të Kosovës i kërkonin fëmijët e vet. Çka me ba, Toka e fortë e Qiella Nalt! Çka me thënë para Nanës Ferdonije Qerkezi? Ec e çele gojën para zezonës së saj!

Ndërsa lajmet shkonin e vinin; janë gjallë, por në burgjet serbe, do t’i lëshojnë, por duhet me pagu kaq qindra e mijëra marka… Me këso réshë të trasha e pazaresh të tmershme të familjeve të gjakosura e të braktisura ishte mbuluar Kosova cep më cep.

Nana Pashke dikur e humbi shpresën se do t’i takonte ndonjëherë djemtë e saj. Një ditë e morën dhe e çuan në Rahovec, ku silleshin mbetjet mortore nga varrezat masive nëpër Serbi. Ua njohu teshat e trupit. Ua preku gjymtyrët nën tesha, por pati përshtypjen se kishte mbetur vetëm shkrumbi i tyre.

Më 23 maj 2003, në Lëndinën e Pikëllimit, në Mejë, u rivarrosën, kësaj radhe bashkë me shpresën e shkretë, 40 djem të Kosovës që i kthyen të parët nga varrezat masive në Serbi. Me ta edhe dy djemtë e Nanës Pashke, Milani e Gjovalini.

7.

Prej atë ditë që, në morgun e Rahovecit, ua preku djemve të vet gjymtyrët nën tesha, i shkoi mendja se mund t’ia kenë djegur djemtë, prandaj i lindi ideja se duhet të digjej edhe ajo për me i nda dhimbjet me ta. Këtë ide ajo e endte krejt tërthorazi, por rrallë dhe vetëm në çastet kur dhimbja ia errësonte mendjen. Një ditë i shpëtoi një fjalë: O kanë mirë me shku e me u djegë para Kuvendit të Kosovës.

Më 26 maj 2003, Nanës Pashke i kishte ardhur njëra prej vajzave. Ishte e pame e madhe. Ndejti me të gjithë natën, deri kah ora 4 e mëngjesit. Kur e lodhi të bijën, i tha; po flemë tash çika e Nan’s se edhe pak vijnë njerëz me na pa… Kur u bind se kishte fjetur e bija, i veshi teshat e varrit, më të mirat që i kishte, e mori një kantë me benzinë dhe u nis për në botën tjetër. Sipas të gjitha gjasave, para se me ik, shkoi te varret e djemve. Pastaj u kthye, e u ndal afër rrugës, në një cep me kaçuba, ku, sipas matjes me hapa, ishte tamam midisi i largësisë që ndante varret e djemve dhe shtëpinë e familjes.

U lye me benzinë dhe ia vuri flakën vetes.

Atë çast, rrugës andej pari kaluan me veturë dy veta dhe i thanë njëri-tjetrit: Po digjet një njeri qaty. Jo, ia kthen tjetri, duhet të jetë buç bostani, sepse shihe si i ka duart përpjetë…

Në fakt Nana Pashke, në atë çast përflakjeje, duhet t’i ketë ngritur duart drejt Zotit për të kërkuar drejtësi për Kosovën dhe për djemtë e saj.

 

Varreza e Nanës Pashke

Referencat

1.Operacija Reka, Fond za Humanitarno Pravo, Beograd, 2015 ; paragrafët 22 e 23

2. Po aty, paragrafi 28

3. Po aty, paragrafi 63

4. Po aty, paragrafi 63

5. Po aty, paragrafi 64

6. Po aty, paragrafi 67

7. Po aty, paragrafi 45

8. Po aty, paragrafi 185, 205

9. Po aty, paragrafi 206

10. Po aty, paragrafi 215

11. Po aty, paragrafi 33

12. Po aty, paragrafi 52

13. Po aty, paragrafi 166

Shkrimi është botuar në gazetën Koha Ditore me 27 maj 2019.
Burim: https://www.koha.net/veshtrime/165320/njera-nga-dhimbjet-me-te-medha-te-kosoves-e-ka-emrin-nana-pashke/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*