Njëri prej atyre që Kosova u detyrohet përgjithmonë

Shkruan:
Xhafer Shatri

Në vitet e paharrueshme nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Levizja Kombëtare e Kosovës shkëlqeu në të gjitha ngjyrat që shkruhet e regjistrohet historia e një populli.

Në vitet e paharrueshme nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Levizja Kombëtare e Kosovës shkëlqeu në të gjitha ngjyrat që shkruhet e regjistrohet historia e një populli.

Në ato vite të qendresës, të përpjekjeve, të vuajtjeve dhe rreziqeve të papërshkrueshme shkëlqeu një plejadë e grave dhe burrave të Kosovës, mundi, dija e përkushtimi i të cilëve kontribuoi shumë të vijmë te liria që e gëzojmë sot të gjithë.

Asokohe një kontribut madhor në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës e ka dhënë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMLDNJ.

Ky subjekt autoritativ kishte një vistër veprimtarësh autoritativ e të paepur, kishte një strukturë organizative të shtrirë gjithandej në Kosovë. Dhe me një detyrë konkrete: të merrnin shënim, të regjistronin dhe të fotografonin çdo shkelje të të drejtave të njeriut gjithandej në vend. E këto shkelje ishin drastike dhe masive. Jugosllavia e tretë ushtronte gjithandej në Kosovë apartheidin etnik dhe terrorin sistematik.

Nuk pati mbetur familje shqiptare që nuk ishte goditur nga dhuna e terrori i organeve serbo-malazeze.

Veprimtarët e KMLDNJ-së i mblidhnin këto të dhëna e dëshmi dhe i përcillnin në qendër, në Prishtinë. Prej aty pastaj këto të dhëna, shpeshherë të përkthyera në anglisht përcilleshin në Qendrat tona, zakonisht në Gjenevë, por edhe në Bruksel, Londër, Paris, Stutgart, Bon, Nju-Jork, Hagë, Stokholm, Kopenhagë, Stamboll, Kairo, ku i kishim Qendrat tona për Informim, por edhe kudo tjetër ku kishte aktivistë e subjekte shqiptare në mërgatë.

Këto raporte, të pajisur shpehesherë edhe me dokumente e fotografi autentike shpërndaheshin gjithandej te mediet ndërkombëtare, te qeveritë e vendeve të ndryshme, në institucione ndërkombëtare dhe te organizatat që merreshin me shkeljen e të drejtave të njeriut.

Para një jave shpërndava një nga fotografitë që kishin tronditur botën: ishte fotografia e Arian Currit, nga Strellci i Epërm, Komuna e Deçanit, të cilit policia serbe ia kishte vizatuar me thikë në gjoks e në gju kryqin ortdoks dhe shënjat e ëmblemës së shtetit serb.

Këtë dëshmi të tmershme e kishte raportuar, duke ia bashkangjitur edhe fotografinë, kryetari i KMLDNJ-së për komunën e Deçanit, Musa Berisha. Kjo fotogtafi bashkë me raportin, përmes Amnestisë Internacionale u bë e njohur në krejt globin.

Musa Berisha, ky veprimtar i palodhshëm, krahas mijëra rasteve të tjera, pati bërë të njjohur gjithandej në botë edhe rastin tragjik të Ismet Gjocajt, 37 vjeç, nga fshati Gjocaj, komuna e Junikut.

Më 27 nëntor 1997, kur lufta nuk kishte shpërthyer ende, Ismet Gjocajn, policia serbe e thërret në bisedë informative. Para se të shkonte në Stacion të policisë, në Deçan, Ismeti shkoi te Zyra e KMLDNJ-së për ta lajmëruar rastin e tij.

Në Stacion të policisë ndaj Ismetit ushtrohet një dhunë e torturë e egër e diabolike sa që detyrohet të kërcej nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar shpirtin.

Gjatë këcimit ai i then të dy këmbët. E zënë menjëherë pastaj dhe e dërgojnë në Stacionin e policisë në Irzniq.

Aty e masakrojnë me thika, dhe veç të tjerash ia nxjerrin të dy sytë.

Të nesërmen, organet e Serbisë ia dorëzojnë familjes trupin e masakruar të Ismetit në arkivol… Me urdhër të prerë që kurrsesi të mos e hapin arkivolin.

Ditën e varrimit Familja, dhe Musa Berisha me të tjerë e hapin arkivolin dhe e fotografojnë trupin e masakruar të njërit prej martirëve të shumtë të Kosovës.

 

Kjo dëshmi pastaj e mori dhénë.

Musa Berisha të gjitha krimet serbe që kanë ndodhur para e gjatë Luftës i ka proceduar dhe i ka paraqitur para organeve të drejtësisë, në Pejë.

Ky e ka kryer detyrën atdhetare e qytetare. Ndërsa çka kanë bërë ato organe me këto lëndë dhe me shumë të tjera gjithandej në Kosovë, i takon Ministrisë së Drejtësisë të hulumtojë dhe ta thotë fjalën e vetë.

Veç kësaj, dëshmitë e tmershme të krimeve serbe në komunën e Deçanit, Musa Berisha i ka përmbledhur në një libër 600 faqëshe. Kjo megadëshmi do të jetojë e do të udhëtojë ndër shekuj për t’u treguar brezave që vijnë çmimin e lartë që pagoi Kosova për Lirinë që e gëzojmë sot.

Burim: https://www.facebook.com/XhaferShatri1/posts/1307209796376671

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*