
Shkruan:
Xhafer Shatri
1.
Në këtë muaj me zjarre gjithandej, mediet dhe rrjetet sociale janë dominuar nga debati për Goran Bregoviqin dhe Festën e birrës në Korçë.
Anise nuk kam shumë kohë për to, kësaj radhe, nga kurreshtja jam përpjekur ta përcjell këtë debat të nxehtë ndërshqiptar. Dhe përfundimi është gri. Sepse, veç dy tri shkrimeve të themelshme, të tjerat gëlonin nga sharjet dhe emocionet.
Në këndvështrimin tim, Bregoviqi demonizohet kot. Ai është një kitarist, muzikolog e kompozitor par excellence. Si artist që është, si shumë artistë të tjerë, ai, kur mundet, e eviton politikën. Në një intervistë për Al Xhazira, Bregoviq e pranon “paanësinë“ e tij me luftën në Bosnje: nuk dijsha me kë të jem: me Nanën serbe, me Babain kroat apo me Gruan boshnjake?
Koncertin maestral “Tri letra nga Sarajeva“, Bregoviq e nis menqurisht me rrëfimin për gazetaren dhe jevrejin e vjetër, i cili, për çdo ditë, lutej te Muri i Lotëve:
Gazetarja: Ju jeni këtu për çdo ditë, i luteni Zotit, flisni me Zotin?
Plaku: Po ka 60 vjet që vi rregullisht…, dy herë në ditë.
Gazetarja: Po për çka i luteni Zotit?
Plaku: Lutem që luftërat mes jevrejve, të krishtërve dhe muslimanëve të ndalen, në mos për asgjë tjetër, që fëmijët tanë të mund të jetojnë në paqe…
Gazetarja: Dhe…?
Plaku: Kam përshtypjen se po i flas murit…
Bregoviq: Nëse ka ndonjë mësim në këtë rrëfim ai është se Zoti gjatë punës së tij nuk e ka paraparë të na mësojë se si të jetojmë bashkë, prandaj ne duhet të mësohemi vetë…
Kjo është credoja e Goran Bregoviqit.
Kjo është natyra e tij prej artisti dhe nuk mund ta gjykosh. E mira do të ishte që ai, megjithatë të merrte anën e viktimës, por oportunizmi, shpeshherë është udha më e lehtë. … Edhe për Kosovën nuk mund t’i shkruhet ndonjë gjynah i madh, Bregoviqit. Punë inercioni, sepse muzika është edhe biznes.
Por problemi është se prapa ftesës për Bregoviqin, nuk qëndron Bashkia e Korçës, as Festa e birrës, por Edi Rama. Këtë e ka kuptuar çdo vëzhgues i vëmendshëm. Dhe kur Rama u bind, më në fund, se nuk mund ta bëjë Kosovën shesh për pshesh, si inatçi i pandreqshëm që është, nuk po lë rast pa gjuajt shigjeta me rromuze e me sharje në oborrin e vëllezërve të vet. Sjellje e padenjë edhe për një shtetar impulsiv e mujshar si ai.
Më sa po shihet, qëllimi i Ramës është që, të gjithë ata që po kundërshtojnë me shumë të drejtë çorbën e Vuçiqit, “Ballkani i hapur“, t’i paraqesë si arrivistë e nacionalshovinistë të pandreqshëm, si vetje primitive të cilët i pengon edhe një muziktar i talentuar si Bregoviqi…
2.
Nuk është kjo as e para dhe e as e fundit herë që Edi Rama sillet pabesisht me Kosovën: Në vitin 2013, vetëm tre ditë pasi ishte zgjedhur kryeministër, Edi Rama erdhi në Kosovë. Në Kuvendin e Republikës ai mbajti një fjalim përçarës, sa që i detyroi deputetët e LDK-së të dalin nga salla në shenjë proteste.
Në Shtëpinë e popullit të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë u soll e foli pa asnjë konsideratë. U soll si buall në një sallon aristokratësh.
Më 2018, në kremtimin e 10 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Edi Rama në mbledhjen solemne, në Kuvendin e Kosovës, deklaroi:
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta…, pse jo edhe një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë, brenda dekadës së ardhshme”.
Ky fjalim e nxjerr Edi Ramën cullak. Sepse edhe më parë, por sidomos në atë kohë bisedimet e fshehta për ndarjen e Kosovës kishin shkuar larg dhe Edi Rama ishte bashkëfajtor prej fillimit. Nuk është e rastit prandaj, që një personalitet si Sonja Biserko, asokohe, shprehu habinë e saj: “Kurrë nuk do ta besoja se një kryeministër i Shqipërisë mund të pajtohet me copëtimin e Kosovës“.
Edhe emërimi i dy ministrave nga Kosova në qeverinë shqiptare ishte vendim me sherr e në funksion të copëtimit të vendit tonë. Sepse, në thelb të këtyre përpjekjeve të rrezikshme, qëndronte strategjia e kahershme e Serbisë: çështjen e Kosovës ta zgjidhë duke e ndarë atë me Shqipërinë… Hashim Thaçi në këtë lojë të pistë ishte vetëm kukull, por me një hall të madh: rrezikun e burgosjes.
Administrata e Trump ishte pajtuar me këtë “zgjidhje“. Prandaj serbët, kudo që janë, Vuçiqi e Dodiku sidomos, e kanë qarë dhe e qajnë edhe sot e me lotë, madje publikisht, humbjen e këtij personazhi të rrezikshëm.
3.
Deri sot çdo marrëveshje e Tiranës me Serbinë ka qenë katastrofike edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë. Nëse për Esat Pashën, Ahmet Zogun e Enver Hoxhën mund të thuhet, por kurrsesi të arsyetohet, se nënshkruan marrëveshje me Serbinë në rrethana të turbullta, për këtë arsye ose atë ngushtesë, Edi Rama në këtë aventurë antishqiptare është futur me komoditet të madh e vetëdije të plotë. Dhe këtë Kosova nuk guxon ta harrojë asnjëherë.
Nuk jam i prirur t’i quaj tradhtarë ata që mendojnë ndryshe nga unë, por megjithatë të shkojë kaq larg, Edi Rama, duhet të ketë një shtysë dhe motiv të fortë. Sepse kryeministrit të Shqipërisë çdo gjë mund t’i thuash, por budallë jo.
Edhe pse Vuçiqi po përgatitet, pa e fshehur fare, për luftë të re me shqiptarët e me Kosovën, megjithatë Edi Rama me korin e propagandistëve të tij po përpiqen të na bindin se, pavarësisht kësaj, ne “shpatat në parmendja duhet t’i kthejmë“…
Duhet të jesh budallë e me katër këmbë e të mos e lexosh këtë përpjekje perfide të një politikani të rrezikshëm.
Për krejt botën, por jo edhe për Edi Ramën, është e qartë se shkaku i mospajtimit të Kosovës me Serbinë është se kjo e fundit po i kërkon Kosovës, si kusht për pajtim; sidomos një copë të mirë të territorit, copën me pikat me strategjike të saj, e ku janë edhe pasuritë më të mëdha ujore e nëntokësore. Kjo është e njëjta gjë sikur dikujt që ia ke vënë prangat t’i thuash: unë t’i heq prangat por me kusht që të ma japësh një gjymtyrë, një veshkë apo një sy…
Kjo logjikë agresive e cinike pajtimin me Serbinë e bënë krejt të pamundshëm.
4.
Të merremi vesh, Edi Rama, ka të drejtë të bisedojë edhe me dreqin e me të birin, pra edhe me Vuçiqin; ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje me cilindo shtet. Për këtë ai nuk i jep llogari Kosovës, por qytetarëve të Shqipërisë, të cilët e kanë zgjedhur. Problemi i ne, ‘kosovarëve’ është se Edi Rama, jo njëherë, por shumë herë, punët dhe hallet tona po i mat me kutin dhe me xhepin e vetë.
Për turpin e tij, ai edhe në solidaritetin e Kosovës me afganët fatzinj, u përpoq të marrë ndonjë meritë.
Nuk thuhet kot prandaj se jetimit edhe njerka i bëhet nënë, e njerku babë.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment