Nuk i patëm fjalët me u taku te vorri

Shkruan:
Xhafer Shatri

Para disa ditësh, krejt  papritur, e mora një lajm shumë të keq:

“Jam Halil Berisha. Po i shikoja disa foto e në një ndër to ishe edhe ti me djalin tim, Valtonin. Valtoni vdiq më 14 shkurt nga infrakti, në Los Angjeles…”

Ishte një lajm që ta ndalë frymën dhe t’i trandë edhe gashtrat e gjunjve.

U ndjeva keq, shumë keq, se ai që ka pritur gjithsesi një fjalë ngushëllimi nga ana ime, ma dha lajmin e zi. Kumtin se, Valtoni, djali i tij e miku im i kahershëm na kishte braktisur përgjithmonë.
Lajmi i keq, ani se nuk të kursen asnjëherë, më kishte ikur sepse kishte shumë javë që, për shkaqe objektive, isha ndarë nga përditshmëria e medieve dhe rrjeteve sociale…

Nga pesha e keqardhjes memzi gjeta forcë t’ia dërgoj Halilit një mesazh ngushëllimi.

***

Me Valtonin ishim njohur në rrethana dramatike. Kosova po kredhej në flakët e Luftës. Dhe ne përpiqeshim që gjendjen e rëndë në Atdhe dhe rreziqet që i kanoseshin atij t’i pasqyrojmë sa më realisht e sa më dëshmueshëm. Në këto përpjekje nuk ishim vetëm. Ishte një vistër vullnetarësh shqiptarë, në të gjitha kontinentet, që ndihmonin me mish e me shpirt, që çdo lajm nga Kosova dhe për Kosovën ta merrte dhenë.

Njëri prej tyre ishte edhe Valton Berisha, djalë refugjatësh që, familjarisht, ishin vendosur në Bazel të Zvicrës…

Asokohe ne kishim nevojë që ekipin e kompjuteristëve që e udhëhiqte Avniu, ta forconim edhe me profesionistë të tjerë.

Nuk pati nevojë t’i them dy herë Valtonit. E la punën dhe erdhi menjëherë në Gjenevë, ku qëndroi shumë ditë rresht dhe na ndihmoi shumë në përgatitjen e webfaqes së Ministrisë për Informim. Veç kësaj ai na dha sygjerime shumë të vlefshme për ilustrimin e lajmeve me dizajn adekuat dhe me imazhe e video.

Ajo që na lidhi të gjithëve dhe shumë me Valtonin ishte edukata e themelshme, modestia dhe përkushtimi i tij maksimal për të bërë çdo gjë të mundshme për Kosovën. Na ndihmonte vullnetarisht e me gjithë zemër.

Nganjëherë, në mbrëmje, kur të gjithë ishim të lodhur e të dërrmuar nga pesha e rëndë e lajmeve dhe pamundësia për të bërë edhe me shumë, Valtoni na i lëshonte t’i ndëgjojmë këngët që kishte incizuar me shokët e tij, poashtu mërgimtarë, anëtarë të bendit “Purgatory“… Ishte artist i vërtetë, luante bukur në kitarë dhe përmes telave të saj e shprehte qashtër e pafundësisht prushmallin e tij për vendlindjen e për Kosovën.

Ishte i bukur si yll dhe i dashur si më i miri e më i shtrenjti vëlla.

***

Pas çlirimit të Kosovës, jeta na degdisi andej e këndej. Me Valtonin “takoheshim“ vetëm kur i ndëgjoja këngët e Purgatory-t. E sidomos hitin për trimin legjendar, Jakup Feri.

Kjo Baladë e papërsëritshme shqiptare është kënduar nga këngëtarë me namë, por nga katër variantët që i kam dëgjuar më së shpeshti; Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Djemtë e Detit, ku ka më shumë kushtrim, varianti i Valtonit me shokë më dukej e më duket edhe sot më i shtruar e më i thellë për shkak se veç kushtrimit e krenarisë e përshkon edhe timbri i mallit të pashuar për çdo gjë shqiptare; për tokën, për gurët, për drunjtë, për qiellin, për zogjtë… Këtë timbër një kënge mund t’ia japë vetëm shpirti e djemve të arratisur, që, trupin, zemrën dhe mendjen i kanë të ndarë në një mijë copa.

***

Komunikimin e fundit me Valtonin e pata para gati dy vitesh:

12/05/2019 05:15
Valton, date d’envoi : 12 mai 2019

“O Zotri Xhafer, 

Vetem thash te pershendes, edhe shume shpesh me kujtohen ato dite ne gjeneve 🙂

 Shpresoj me u taku nga nji kafe ndonji dite ne Zvicerr a Prishtine.“

12/05/2019 18:10
Date d’envoi de votre message : 12 mai 2019

“Oooo Valton Djali, po si te kam o Rrokotel? A je mire me shendet dhe si e ke familjen? Ku je tash me çadra, ne Kosove apo ne Zvicer. 
Të gjithë ne që punuam me ty të kujtojmë përherë e sidomos për mirësinë, përkushtimin dhe talentin. 
Te fala Familjes. Xh“

***

Duke i shkruar këta rreshta, veç pikëllimit më vërshoi edhe një trishtim i thellë për faktin që jeta na shkelë të gjithëve, sepse nuk na jep kohë të marrim frymë, na ngulfatë në çdo çast me kërkesa të reja, çdonjëra më e rëndë dhe më e vështirë se tjetra. Dhe, kështu, na ndanë nga njerëzit e mirë që janë aq pak në këtë botë mizore. Sepse nuk na jep kohë as për t’u thenë atyre qenieve të shtrenjta e të çiltëra ato që ndjejmë për ta: se sa të rëndësishëm janë për ne, se sa shumë i duam, se sa nevojë ka kjo botë për vlerat morale që ata rrezatojnë, për butësinë, mirësinë, për buzëqeshjen e tyre të qashtër…

E kur ata ikin, bëhet vonë. Sepse vdekja është ikje përgjithmonë! Dhe shtresa e trashë e dheut të vorrit nuk i përcjell te veshi i tyre as dhembjen, as pikëllimin, as rënkimet, as mallin e as konsideratën tonë për ta…

Çka me thanë tash, o Valton Djali? Kur nuk më mbetet tjetër veç me ardhë e me ta pa vorrin! Dhe me ta qitë mbi të, diku mu mbi zemrën tënde të madhe, një tufë me lule të Kosovës, një tufë me lule të kuqe të gjakut të saj.

Dhe me e lëshu e me e ndëgju bashkë me vorrin tënd Baladën për Jakup Ferin dhe Po i sjell era retë e zeza, që më shumë se era na i sjell jeta dhe fati i zi kur humbim njerëz të mirë e të shtrenjtë si ti…

Dhe me ndejtë me ty deri sa të humbë Dielli e të shterren lotët.

***

Sonte, duke e shkruar këtë fjalë lamtumire për ty, o Valton Shoqi, ndjeva mallë për tingujt e kitarës tënde…

Ndjeva shumë mallë e dhimbje për ty e për familjen tënde.

Ndjeva dhimbje edhe për Kosovën, sepse ka mbetur pa një idealist, pa një djalë të zemrës e të shpirtit! E Ajo nuk do ta dijë kurrë se sa i mirë, sa atdhetar, sa i qashtër, sa i ëmbël e sa besnik ishte djali i saj, Valton Berisha!

Djali i saj, që mërgimi e malli për Vendlindjen ia çanë e ia dogjën, pa mëshirë, shpirtin e tij të madh.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*