Pasha i Putinit

Xhafer Shatri

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kur puthjet e zjarrta bëhen publikisht, aty ka pak dashuri e shumë më tepër interes.

Kështu do të mund të thuhej, pa inat e pa ironi, për qëndrimin disaorësh të Putinit në Beograd, ditën e Zotit, më 17 kallnor 2019.

Në këtë vizitë kishte shumë folklor, shljivovicë e patetikë.

Qërshi në këtë torte të madhe pansllaviste ishte Ceca, gruaja e Arkanit, e cila ishte aty si e ftuar e nderit. Sipas shtypit serb, vejushës së Arkanit “Putini nuk ia ndante sytë“.
Sidoqoftë, të dy kryepersonazhet, Vuçiqi e Putini, kishin nevojë për këtë spektakël, dhe hallka që i lidhte këto nevoja ishte Kosova.

Putini përmes kësaj vizite dëshironte të përçonte mesazhin gjithandej se Rusia nuk është e izoluar, se në disa nga vendet më nevralgjike të botës (Siria, Serbia e Bosnja) ka aleatë e pika mbështetëse, se mendimi i saj është i rëndësishëm…; ndërkaq Vuçiqi kishte nevojë për t’ia mbyllur gojën opozitës dhe t’i thoshte Perëndimit, nëse nuk me ndihmoni të realizoj ato që serbët presin prej meje në Kosovë, unë shkoj me Rusinë…

Teatër pompoz, sepse e vërteta është pakëz më ndryshe: Serbia është një ujdhesë në një territor masiv të kontrolluar nga Nato. Nëse aleanca Perëndimore vendos, Rusia nuk mund të dërgojë në Serbi asnjë pushkë gjuetie e lëre më diçka tjetër. Nuk ka kah. Për fatin e mirë.

Në anën tjetër, Rusia 3 vitet e fundit ka pësuar tri disfata, njërën pas tjetrës, në Ballkan. Mali i Zi, një aleat shekullor i Rusisë, është bërë anëtar i Natos. Përpjekjet e Rusisë për ta penguar këtë proces të pashmangëshëm, edhe duke mëtuar me shkaktu luftë qytetare në Mal të Zi, dështuan dhe u demaskuan publikisht, tash edhe përmes një procesi maratonik gjyqësor.

Maqedonia, pasi i qëroi hesapet pa gjakderdhje me Putinin e vocërr, Gruevskin, po bëhet anëtare e Natos. Edhe këtë proces, gjithashtu të pashmangëshëm, Rusia u përpoq seriozisht ta pengojë, por kot. Për me keq, në këtë kryqëzatë ajo i ashpërsoi keq marrëdhëniet edhe me një aleat tjetër të vjetër, Greqinë.

Prandaj zallahia serbo-ruse do të pashatet shpejt dhe marrëdhëniet mes të dy shteteve do të vazhdojnë të jenë bistek i interesave dhe i kundërthënieve. Në këto marrëdhënie Kosova ka dhe do të ketë një rol rëndësor.

Në vizitë u këmbyen edhe dhurata, mikpritësi mori dekoratën “Aleksander Nevski“, ndërkaq musafirit iu dhurua një këlysh me emrin simpatik, Pasha. Këlyshi i pafajshëm ishte përzgjedhur në funksion të nevojave politike të të dy palëve. Sepse ishte sjellur enkas nga Kosova. Për dreq, si edhe miti serb për Kosovën, që mbështetet në rrena të shumëta, poashtu edhe raca e Pashait të Putinit mbështetet në një rrenë të tejdukshme.

Në vitin e kahershëm 1939, Shoqata e Ndërkombëtare e Kinologëve për herë të parë e regjistroi nën numrin 41 emrin e qenit : Deltari ilir (Qeni deltar i Ilirisë). Mirëpo, më 1957, Shoqata e kinologëve të Jugosllavisë kërkoi që ky emër të ndryshohej dhe ia arriti që tani e tutje ky lloj qeni të quhet “Qeni deltar jugosllav i Sharpllaninës“. Ky emër u zyrtarizua më 24 nëntor 1970.

Ndërkaq pas shpartallimit të Jugosllavisë, paternitetin e qenit te Sharrit e kanë ndarë mes tyre vëllazërisht Serbia dhe Maqedonia.

Në vitin 1970 shqiptarët e kishin një shtet të formuar 58 vjet më parë, por ai ishte tepër i angazhuar me çështje globale e për tema jetike siç është ajo se a më mirë të themi qime apo lesh… dhe nuk kishte kohë të merret me këso gjërash të vogla si puna e qenëve.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe gati gjysmë shekulli më vonë, kur shqiptarët i kishin dy shtete, por në UNESKO, Lahuta, instrumenti i njohur popullor u regjistrua si trashëgimi e Serbisë.

Populli antik dhe stërnipat e Haxhi Qamilit, si patriotë me fletë që janë, edhe kësaj radhe e bënë bërllog.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code