Për antologji

Shkruan:
Flaka Surroi

Korona ka gjasa që nuk do të na lëshojë të sillemi lirshëm para mesit të majit. Do ta kemi detyrë primare ta ruajmë veten që t’i ruajmë të tjerët që janë më të ndjeshëm, që të mos sëmuren. Porse lufta me koronën neve kosovarëve na bëhet më e vështirë për shkak se ne prej vjetësh luftojmë për t’i ruajtur mendtë e kresë. Sepse, veç neve na bën vaki që partneri i koalicionit ta rrëzojë Qeverinë në mes të epidemisë dhe në mes të gjendjes së jashtëzakonshme shëndetësore – thuajse prej mocionit na është varur jeta

COVID-19 e kaloi milionëshin këtë javë – pra mbi një milion të prekur dhe 56 mijë të vdekur, prej të cilëve vetëm dje u shënuan rreth 1200 viktima në SHBA. Ç’është më e veçuara në gjithë këtë pandemi, numri më i madh i të prekurve dhe të të vdekurve janë shënuar në shtetet që nuk e kishin marrë me seriozitet çështjen e pandemisë. Nuk i kishin marrë masat parandaluese me kohë dhe nuk i kishin respektuar vërejtjet që vinin nga OBSH-ja.

Kosova e vogël duket të jetë organizuar me kohë. Dhe me gjithë mungesën e testeve që mbase do të na tregonin për një numër më të madh të të prekurve, megjithatë ka shënuar vetëm dy vdekje (një zyrtare dhe një jozyrtare, kjo e dyta në Leposaviq, që nuk është regjistruar si rast në Institutin e Shëndetësisë Publike).

Përderisa në Prishtinë shumë njerëz duket se rrinë në karantinë, duket se armiqtë më të mëdhenj në drejtim të ruajtjes nga infeksioni e kanë motin dhe kokëfortësinë.

Motin, ngase sa po përmirësohet, mblidhen me dhjetëra dhe ecin rrugëve pa ndonjë qëllim. Njerëzit në moshë shikojnë të gjejnë ndonjë bankë diku, “sepse po mërziten në shtëpi”, e të rinjtë më “kapadai” dalin pa maska e pa dorëza dhe i ekspozojnë tatuazhet nëpër krahë. Thuajse kanë dalë në ekspozitë. Kjo papërgjegjësi mund të na kushtojë, prandaj nuk do të ishte keq që të zgjatej koha e ndalimit të qarkullimit bile në Prishtinë.

Kokëfortësia – është ajo tipikja – “hajt se mu s’më gjen gjë”, prandaj edhe dal. Dhe bëj ashtu si dua.

Mandatimi

Në javën kur në Kosovë numri i të prekurve mbërriti në 132, e prodhuam një emision special, shumë informativ, me inkuadrime nga Madridi dhe New Yorku për të treguar se kjo pandemi nuk është hajgare. Shikueshmëria e këtij emisioni as që mund t’i afrohej ndonjërit që lidhet për tema politike, që tash e sa kohë na janë bërë sëmundje për t’i përcjellë.

Natyrisht ky emision u transmetua pasi që për ditë të tëra u përpoqëm t’i shoshitim e mbase edhe t’i sqarojmë procedurat e përcaktuara me Kushtetutë për krijimin e Qeverisë së re ose jo.

Nuk e di a ia dolëm. Edhe pse mjaft qartë e përcaktuar me Kushtetutë, e më pas edhe me aktgjykimin e Kushtetueses – ende ka mbetur e paqartë nëse zgjedhjen që e ka bërë Thaçi, do të na çojë deri në fund të mandatit me një Qeveri në detyrë që nuk mund të kalojë projektligje, apo do ta detyrojë atë që ta shpërndajë Kuvendin pas kalimit të krizës shëndetësore me koronavirusin.

Ajo që është e qartë është se Thaçi e ka ftuar Kurtin që ta japë emrin e kandidatit për kryeministër, kurse VV-ja nuk ka asnjë detyrim kohor për të dhënë përgjigje. Sepse ashtu e thotë Kushtetuta.

Vendimet

Pra, tash jemi në situatën kur Qeveria është e përbërë nga ministrat e VV-së, LDK-së dhe minoriteteve (këta të fundit sipas detyrimit kushtetues) dhe vazhdon t’i ushtrojë detyrat e veta sikurse deri tani, pa ndonjë pengesë.

Meqë për shkak të koronës nuk i mbajnë mbledhjet në sallë, krejt mbledhjet mbahen online dhe votimi gjithashtu po bëhet në formë elektronike. Dhe, vendimet e kësaj qeverie nuk po ndalen, sepse kryesisht kanë të bëjnë me shkarkimin e bordeve politike të emëruar nga qeverisja e kaluar, dhe zëvendësimi me njerëz të rinj. Porse që jo domosdo nuk janë politikë.

Dje u emëruan një kallaballëk anëtarë bordesh, prej të cilëve katër u veçuan si anëtarë të VV-së. Kjo zgjoi reagimin e menjëhershëm si të opozitës ashtu edhe të shoqërisë civile. Dhe kritika ishte me vend. Përderisa njëri nga premtimet zgjedhore ishte depolitizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike, emërimi i personave partiakë, sado të kualifikuar të jenë, është shkelje e premtimit.

Për më tepër, fare nuk është me rëndësi nëse është bord i përkohshëm a i përhershëm, për shkak se bordet janë vendimmarrëse. Hiç nuk është me rëndësi se pas gjashtë muajsh do të shpallet konkursi për plotësimin e këtyre vendeve (pikëpyetje a i mbërrijnë gjashtë muaj mandat këta njerëz). Me rëndësi është se ashtu siç janë emëruar, ashtu duhen larguar, qoftë me vetëdëshirë, qoftë me vendim të ministres. Ndryshe, asnjë arsyetim nuk qëndron.

Ndërkohë, edhe Ministria e Jashtme po vazhdon me vendime me të cilat po i kthen diplomatët nga misionet jashtë. Shumë sish të lidhur familjarisht me udhëheqës politikë, të emëruar sipas çelësit politik apo edhe jashtë tij, si dhe njerëz të cilët moti është dashur të jenë kthyer ngase mandatet katërvjeçare u kanë skaduar prej kohësh.

E besoj se në këtë proces, Ministria do ta bëjë edhe një rishikim të numrit të njerëzve që i kemi jashtë, edhe nëse vërtet na nevojiten të gjithë ata konsuj e sekretarë. Krejt ata i kushtojnë buxhetit jo pak para, e ato fort mirë kishin mundur të orientoheshin për ndonjë fushatë për rritjen e njohjeve (por jo me konsulentë të shtrenjtë kot) kur të kalojë korona.

Nga ana tjetër, po shpresoj se kur të vijë koha për emërime të reja, që ato të mos jenë partiake për postet e karrierës, sepse nuk do të mbërrijmë përtej kësaj ku jemi sot.

Ironia

Po më ironikja me gjithë veprimet e Qeverisë në detyrë për të futur njëfarë rendi, madje edhe emërimet partiake nëpër borde, tash po quhen kapje e shtetit nga ata që e instaluan kapjen e shtetit si motiv sundimi këta njëzet vjet.

Është ironike tek i sheh në konferenca për shtyp, duke bërë akuza për një diçka që vetë e kanë krijuar; vetë e kanë kultivuar dhe për të cilën kanë luftuar aq shumë sa edhe kanë vjedhur vota e edhe kanë ndikuar te Kushtetuesja për ta marrë një vendim që atëherë u kishte konvenuar plotësisht, e tash u pengon për shkak se nuk po gjejnë mënyrë që ta interpretojnë më ndryshe dhe për hesap të vetin.

Kritikë për kritikë – të vetmit që duket se u ka mbetur legjitimiteti për të kritikuar janë qytetarët dhe ata pjesëtarë të shoqërisë civile që nuk janë përfshirë në politikë.

Ndryshimi i bordeve është mbase hapi i parë drejt përpjekjes së futjes së gjërave në rend. Qoftë edhe bile për një kohë. Megjithatë, problemi i Kosovës me përhapjen e ndikimeve politike në fakt është shumë më i komplikuar dhe përbëhet edhe prej një mori agjencish shtetërore e të pavarura (bile deklarativisht) që nuk e di njeriu se përse janë themeluar, pos për kontrollin e parasë dhe ofrimin e fuqisë politike.

Porse tash, me Qeveri në detyrë, nuk do të ketë shumë mundësi për intervenime në këtë drejtim. Ashtu siç edhe nuk do të ketë shans që të nisë procesi fillestar i vetingut në polici e gjyqësi, e besa edhe arsim. Për shkak se po del se edhe kjo, është njëra nga arsyet më të fuqishme se përse u rrëzua Qeveria as pa i bërë 100 ditë.

Pafytyrësi

E se ky vend ka pasur nevojë për ndërhyrje të këtilla, mbase e dëshmon më së miri rasti i tokës së privatizuar në Malishevë. 2008-n ishin shitur 1000 hektarë tokë bujqësore për çmimin simbolik prej 1 milion eurosh. Po them simbolik, sepse një metër katror e tokës ishte shitur për 10 centë. Po mirë e lexuat, 10 centë.

Njëmbëdhjetë vjet pas, dikujt (ministrit të Tregtisë, nga NISMA) i kishte rënë ndërmend që ta ndërtonte një zonë industriale në Malishevë, pikërisht në këtë tokë, që gjendet në fshatrat Banjë (vendlindja e shefit të NISMËS), Bellanicë (aty ku kalon autostrada e ka pasur shpronësime) e Senik, për të cilën gjë duhej të bëhej shpronësimi i tokës private.

Qeveria e shkuar, ku njëri zëvendëskryeministër kishte qenë shefi i NISMËS, e kishte ndarë një buxhet prej nja 7,5 milionë eurosh vetëm për shpronësimin e tokës, në komunën e cila ende udhëhiqet nga NISMA. Pra, pronari privat, shumë vizionar, që e kishte blerë tokën në kohë të shpalljes së Pavarësisë, do t’i ketë mprehur dhëmbët se do ta fitonte shtatëfishin e asaj që kishte investuar.

Por ja që Qeveria e re, ende pa u shndërruar në Qeveri në detyrë, e kishte anuluar projektin. Sinqerisht, në kohë të koronës, mirë ka bërë. Kush e di sa pajisja mjekësore e teste do të mund të blihen me gjithë këto para.

Dhe pasi lexon për këtë rast, sërish të vijnë në vesh fjalët e atyre që e kanë sjellë këtë vend në këtë derexhe – se kjo qeveri punon kundër interesave të popullit. Fjalë që vijnë nga ata që popullin e barazojnë me grupin e interesit, për interes të të cilit planifikohen ndërtimet e zonave industriale në toka të blera për pak para.

* * *

Korona ka gjasa që nuk do të na lëshojë të sillemi lirshëm para mesit të majit. Do ta kemi detyrë primare ta ruajmë veten që t’i ruajmë të tjerët që janë më të ndjeshëm, që të mos sëmuren. Porse lufta me koronën neve kosovarëve na bëhet më e vështirë për shkak se ne prej vjetësh luftojmë për t’i ruajtur mendtë e kresë. Sepse veç neve na bën vaki që partneri i koalicionit ta rrëzojë Qeverinë në mes të epidemisë dhe në mes të gjendjes së jashtëzakonshme shëndetësore – thuajse prej mocionit na është varur jeta.

E krijuam një titull për roman: “Automocioni në kohën e koronës”. E jetojmë të kushedi satën përpjekje për mbijetesën e lëkurëtrashëve të sojit të atyre që e kanë blerë një metër tokë për 10 centë.

Ne jemi për antologji.

Burim: https://www.koha.net/veshtrime/216068/per-antologji/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code