
Shkruan:
Xhafer Shatri
Shqiptarët kanë një elitë politike, e cila kryesisht është e kriminalizuar deri në asht.
Është fjala për persona të zhytur thellë në gjynahe, po që mbijetojnë falë drejtësisë që nuk funksionon.
Qeverisja e Haradinaj linte shuuumë për të dëshiruar. Madje ai mori edhe vendime absolutisht të papranueshme deri edhe të dënueshme, por dy suksese madhore të saj, bënë historinë: Ushtria dhe ndalja e procesit të ndarjes së Kosovës.
Dorëheqja e Haradinajt, prandaj ishte një akt moral. Ai dha shëmbullin se me Gjykatën që e inicoi Serbia do të përballet jo si kryeministër, por si qytetar i Kosovës. Fatin e tij të mos ia bëjë barrë vendit. Dhe natyrisht të mos i nënshtrohet shantazhit që, në këmbim të shpëtimit të lëkurës, të pajtohet me copëtimin e Kosovës.
Ky është një akt atdhetarie e vizioni prej burrë shteti, që Haradinaj e ka më të theksuar se çdo politikan tjetër.
Krejt ndryshe ka vepruar e po vepron Thaçi. Për të nuk ka fare rëndësi se çfarë çmimi duhet të paguajë Kosova, vetëm që ai të mos shkojë në burg. Në burg të merituar. Ky është modeli i politikanit që qarqet perëndimore proserbe po duan ta imponojnë në parinë e Kosovës.
Përpjekja e Prontomafisë dhe partive të saj për të banalizuar aktin e lart moral të Haradinajt, janë veprime të shëmtuara që dëmtojnë substancialisht Kosovën.
Qëndrimi i këtyre partive ndaj dorëheqjes së Haradinajt, për turpin e tyre, nuk ndryshon për asnjë presje nga qëndrimi i Aleksandar Vuçiqit. Ky flet për dorëheqjen si tryk që ka për qëllim rritjen e rejtingut në zgjedhjet e ardhshme, të njëjtën gjë e thonë edhe partitë e Hashim Thaçit…
Edhe mediet e Prontomafisë, po i bien të njëjtit avaz. Një propagandë e kulluar antishqiptare.
Por qytetari i Kosovës nuk është budalla, ai di të lexojë, të vlerësojë dhe të ndëshkojë.
Qytetari i Kosovës e ka kuptuar qartë se Haradinaj po shantazhohet me Gjykatën speciale jo për keqeverisje, por për shkak se është dëshmuar si kundërshtar i vendosur i çdo tentimi për të cënuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
Këtë fakt që nuk e thanë mediet e Kosovës e tha Tatjana Lazareviq, redaktore e Kossev dhe gazetare e nivelit evropian: Për të qenë fer duhet thënë se Haradinaj shihej si pengesa kryesore e propozimeve të Beogradit për ndarjen e Kosovës…
Albin Kurti (dhe VV-ja e tij), siç e kam thënë edhe më parë, e huqi rastin për të dëshmuar se është lideri i ardhshëm i shqiptarëve.
Nuk pritej shumë prej tij vetëm t’u thotë të gjithëve:
VV nuk është pajtuar asnjëherë me mënyrën e qeverisjes së Haradinajt, por vlerëson kundërshtimin e tij të vendosur të çdo përpjekjeje për copëtimin e Kosovës.
VV garanton qytetarët se nuk do të lejojë kurrë copëtimin e vendit.
Point final.
Por e huqi. Nuk është fundi i botës, por ky ishte një rast i papërseritshëm për t’u dëshmuar Lider e Burrë Shteti.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment