Pesha e fjalëve të fundme

Shkruan:
Xhafer Shatri

“Çdonjëri ka njohur dikënd në rininë e vet, i cili ka ditur t’ia kuptojë aspiratat dhe shqetësimet; dikënd që e ka ndihmuar ta gjejë rrugën e tij dhe të bëhet i rritur.

Për Mitch ALBOM, ky njeri ishte Morie SCHWARTZ, profesori i tij i Universitetit.

Pas një ndarjeje shumëvjeçare, Mitch mëson se Morrie vuante nga një sëmundje vdekjeprurëse dhe se kishte vendosur që vdekjen e vet ta kthente në një leksion shterrues të filozofisë.

Mitch e viziton profesorin 15 herë gjatë muajve të fundit të jetës së tij, për të kërkuar bashkë me të përgjigje në pyetjen që i mundon të gjithë: si me jetu?“

 

Gjatë këtyre vizitave, gazetari i njohur i sportit, merr më vete edhe manjetofonin dhe kështu incizon një pjesë të mirë të bisedave të pafundme me profesorin e vet, të shtrirë në shtratin e vdekjes.

Pas ikjes së Morie SCHWARTZ në amshim, Mitch Albom publikon librin “Leksioni i fundit“ i cili shpejt u bë bestseler, u përkthye në shumë gjuhë të botës duke u bërë ndër librat më të lexuar gjithandej globit.

Më vjen keq që këtë libër të mrekullueshëm e lexova me kaq vonesë; sepse të kredhesh në kërkesat dhe nevojat e përditshmërisë e të mos lexosh “Leksionin e fundit“ nuk është gabim, është faj. Ndaj vetëvetës, natyrisht.

Ja pse:

“ Mitch, të vdesësh, tha befas Morie, është e trishtueshme, sigurisht. Por të jetosh duke qenë fatkeq është edhe më zi. Shumica e njerëzve që më vizitojnë nuk janë të lumtur…“

“Jam duke vdekur ndoshta, por jam i rrethuar nga njerëz që më duan dhe kujdesen për mua. Sa njerëz mund të thonë kështu?“

“Të gjithë e dijnë se do të vdesin një ditë, por askush nuk e beson këtë.“

“Është më mirë kur e dijmë se do të vdesim dhe kur të jemi të përgatitur se vdekja mund të na vijë në çdo moment. Kjo na mundëson, në fakt, të jemi shumë më të gjallë derisa jetojmë…“

“Mitch, e vërteta është se duke mësuar të vdesim, mësojmë se si të jetojmë.“

“Ai më dha shenjë me kokë drejt dritares, pre nga hynte një lumë drite.“

‘E sheh? Ti mund të dalësh kur të duash. Mund të vraposh rreth shtëpisë derisa të zihet fryma. Unë nuk mundem. Nuk mund të dalë. Nuk mund të vrapoj. Nuk mund të dal jashtë pa pasur frikë se mund të më ndodhë ndonjë e keqe. Por a di çka? E vlerësoj këtë dritare pafundësisht më shumë se ti… Përmes saj shikoj për çdo ditë. I shoh ndryshimet në drunj, forcën e erës që fryen. Është sikur të mund ta shohësh përmes xhamit kohën kah fluturon. E di se koha ime gati ka përfunduar, por natyra më tërheq aq shumë sikur ta shihja për herë të parë.”

“Në çka dhe në kë mund të mbështetemi si në familje? Kjo më ka bindur qartësisht gjatë sëmundjes time. Pa mbështetjen, pa dashurinë, pa mëkimin, pa kujdesin e familjes ne nuk do të kishim shumëçka. Dashuria është aq e rendësishme. Siç e thoshte poeti i madh, Auden, ‘Duajeni njëri tjetrin, përndryshe jeni të humbur’.“

“Të sypozojmë sikur të isha i divorcuar, i pamartuar, pa fëmijë. Kjo sëmundje dhe çdo gjë nëpër të cilën kjo më ka detyruar të kaloj do të ishte shumë më e vështirë. Nuk jam i sigurt se do të mund ta përballoja. Natyrisht se më vizitojnë miqtë, dashamirët, por kjo nuk e zëvendëson dikënd që nuk ta kthen shpindën asnjëherë.“

“Familja është këtu, në një masë të mirë për këtë, jo vetëm për ta dashur, por që ta dijsh se ajo është këtu dhe të mbron. Është ndiesia që kisha kur më vdiq nëna, që unë e quaj ‘siguri shpirtërore’, pra ndiesia që familja juaj do të jetë gjithnjë e gatshme të përkujdeset për ju. Asgjë dhe askush tjetër nuk mund t’ua japë këtë siguri. Sigurisht as paratë e as fama.“

“Të plakesh nuk do të thotë vetëm të rrezbitesh. Por edhe të përparosh…“

“ Të luftosh gjithnjë kundër plakjes, do të mbetesh fatkeq, sepse pleqëria edhe ashtu do të vijë patjetër.“

“Vdekja i jep fund një jete, por jo edhe një marrëdhënieje.“

“Kam menduar për epitafin mbi varrin tim: “Ai nuk u ndal së dhëni mësim deri në frymën e fundit.“

“Jeta pas vdekjes?

Morie ishte agnosist, por pas konstatimit të sëmundjes, ai e rishqyrtoi qëndrimin e tij. Pra edhe për pasvdekjen:

“Megjithatë, gjithësia është tepër harmonike, madhështore e mbresëthellë për të qenë vetëm fryt i rastit.“

Ju, lexues të kësaj skice, mos e bëni atë që bëra unë, të vonoheni kaq gjatë pa e përpirë këtë libër krejt të veçantë, në faqet e së cilit do të gjeni të vërteta të pathëna askund dhe me një qartësi të jashtëzakonshme.

 

Mitch Albom dhe Morrie Schwartz

Titulli origjinal:

Tuesdays with Morrie: An Old Man, a Young Man, and Life’s Greatest Lesson

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*