Pse dështoi koalicioni ?

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Kosova, kësaj radhe, bëri historinë, por à la shqiptarçe: në kohë murtaje e rrëxoi qeverinë. Në kohën e digjitalizimit global u përserit Legjenda shqiptare e Urës së Shenjtë. Legjenda e vetërrënimit. Vula gjenetike e shqiptarëve.

Pse ndodhi kështu?

Sepse LDK, duke qenë e uzurpuar nga persona që kanë mëkate të mëdha, si pjesëmarrës aktiv në plaçkitjen dhe shtetrrënimin e Kosovës, pasi nuk arrijti t’i fitojë votat, u përpoq ta evitonte koalicionin. Këtu e ka burimin e vonesa katërmujore e formimit të qeverisë.

Këtu e ka burimin edhe anashkalimi i Vjosa Osmanit, njërit prej kuadrove më premtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe emërimi për ministër i Agim Veliut, personit që publikisht ishte kundër koalicionit. Sepse ishte dhe vazhdon të jetë i lidhur me mijëra fije me Prontomafinë. Krejt Kosova e di se shkatërrimi i sistemit të arsimit në Kosovë pati marrë përmasat e epidemisë në kohën kur Agim Veliu ishte ministër i Arsimit.

2.

Qeveria Kurti, ani se gëzonte një simpati të paparë deri sot në Kosovë, ajo kishte kundërshtarë të vendosur e të shumtë në institucione dhe në administratë. Ajo kishte armiq të përbetuar kapësit e shtetit, në krye të të cilëve ishte dhe vazhdon të jetë Hashim Thaçi. Mjafton t’i hedhësh një sy raportit të BIRD etj. të financuar nga ambasada britanike, për t’u bindur se si pjesa dërrmuese e buxhetit të Kosovës përfundon në xhepat e pushtetarëve – jeniçerëve të Prontomafisë. As në shtetet më të mjera afrikane nuk plaçkitet kaq hapur paraja publike si në Kosovë.

Ky është shkaku kryesor pse i tërë estabilishmenti i vendit u bashkua dhe u vërsul kundër qeverisë së posaformuar. (Shih pjesë të Raportit te: https://xhafershatri.info/cili-eshte-shkaku-i-vertete-i-mocionit-per-rrezimin-e-qeverise-te-cilin-e-dergoi-ne-kuvendin-e-republikes-isa-mustafa-me-shoke/)

Për t’u maskuar motivi i plaçkitjes publike të buxhetit, duhej gjetur një pretekst, gjoja antiamerikanizmi i Albin Kurtit; dhe duhej shpikur një casus belli, gjoja mos’heqja e tarifës 100%.

Pra, këmbëngulja për heqjen e menjëhershme të taksës madje edhe në kohën e kulmit të pandemisë, kur qarkullimi i njerëzve është ndaluar gjithandej në botë, kur janë mbyllur hermetikisht kufijtë, dëshmon se kjo kërkesë ultimative realisht burimin e ka në Kosovë e jo në Washington. Këtë, me metodat e tij të pista, tashmë të njohura, të denoncimit e nxiste Hashim Thaçi. Si gjithëmonë për hesapet e veta.

3.

Në rënien e qeverisë ka kusure edhe Albin Kurti. Ai, pas zgjedhjeve, humbi shumë kohë, kohën më të vlefshme, duke qëndruar në Shqipëri, duke dhënë intervista koti, ku gazetarë mercenarë, ia kashagitnin sedrën thua se ai i kishte fituar mbi 50% të votave… E aso kohe ai duhej të qëndronte në Kosovë, duhej t’i formonte e plotësonte ekipin e vet me ekspertët më të mirë e më të përvojshëm, duhej të lirohej nga militantë e bashkëpunëtorë demagogë që mrizojnë prej vitesh nën hijen e lisit fillak të idealizmit të VV-së.

Pas formimit të qeverisë, Albin Kurti kohën më të madhe do të duhej t’ia kushtonte krijimit të partneritetit të mirëfilltë me ministrat e koalicionit, sepse vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohej një kohezion i qëndrueshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë qeverinë funksionale dhe Kosovën shtet të çkapur.

Nuk ka asnjë dyshim se Agim Veliu, ani se ministër, vazhdonte me këmbëngulje të jetë kundër këtij koalicioni. Një incizim e nxjerr atë zbuluar si rrënues të koalicionit dhe përçarës të LDK-së (Shih: https://www.facebook.com/GPlisi/videos/2622475071411895/UzpfSTEwMDAzMzQ1NDQ1NDIxOToyMzQ1NDE2MDc2NzA5ODY/ )… Por, pas shkarkimit Veliu e tha një të vërtetë shqetësuese: “Deri te emërimi i Xhelal Sveçles si zëvëndës imi, komunikimi me kryeministrin ka qenë shumë i mirë. Pas ardhjes së Sveçles, Kurti ka ndërprerë çdo komunikim me mua…“

Pavarësisht rolit të tij destruktiv Agim Veliun nuk duhej shkarkuar, sepse ashiqare ky shkarkim ishte një dalje me vetëdije para tytave të pusisë.

Meqë jemi këtu, te punët e brendshme, duhet theksuar se pas emërimit të Bajram Gecit, kandidat i LDK-së për zevëndës ministër, Albin Kurti, për hir të partneritetit duhej të vendoste menjëherë Gecajn si ministër në detyrë e jo militantin e VV-së.

Nuk është mençuri t’u japësh argumente kundërshtarëve, por t’ua marrësh ato.

Kur flasim për kohezionin e munguar të koalicionit qeverisës, sipas të gjitha gjasave, gjynahet më të mëdha i ka Abdullah Hoti, sepse ai, në vend që të përdorte përvojën e tij qeverisëse, për të forcuar kohezionin ai kishte luajtur rolin e pykës. Këtë e dëshmoi me fjalimin e tij denoncues në Kuvend. Duke e dëgjuar me shumë habi e gati pafrymë, ma kujtoi Hysamedin Azemin e ‘famshëm’, kur fliste në Kuvendin e Kosovës, atë ditë kur u suprimua autonomia dhe u imponua Kushtetuta e Tankeve.

4.

Albin Kurti, ani se me përvojë prej gati një çerek shekulli në politikë, shihet se nuk e ka mësuar ende se vaji i ingranazhit politik është kompromisi. Të lëshosh pe në një çështje minore, me qëllim që të realizosh një synim madhor, ky është arti i politikës.

Ai këmbëngulte kot në mbajtjen e tarifës, kur kishte plot mundësi që, në forma të ndryshme ta pezullonte, për ta evituar idhnimin e rrezikshëm të perendive.

Nëse do t’i ndryshosh gjërat më së miri e bën duke qenë aktor, pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje, ndërsa tërhiqesh disa hapa prapa për të marrë turr dhe për ta kaluar lumin. Kështu është edhe me dialogun me Serbinë. Për t’i ndryshuar gjërat duhet të jesh aty, në tavolinë. Pavarësisht vështirësive, pavarësisht poshtrimeve që detyrohesh t’i përbijsh, me rëndësi është rezultati i fundit. Sepse me vështirësitë merren kronikët, ndërsa me rezultatin historia.

Është krejt normale që çdo ndërmjetësuesi në negociatat me Serbinë, pra edhe Grenellit të famshëm, më shumë i duhet një lyftyrë si Hashim Thaçi, që i ka duart e përlyera me gjak dhe e pret burgu, se sa një njeri me kurriz e me dije, si Albin Kurti. Sepse ai, ndërmjetësuesi, mëton ta kryejë punën sa më lehtë dhe sa më shpejtë.

Se si kryhet puna me Hashim Thaçin e Isa Mustafën, i kemi “Marrëveshjet“ për ‘Zajednicën’ të vitit 2013 e 2015, përmes të cilave në fillim Kosova federalizohej, ndërsa përmes të dytës shkonte edhe më larg, kantonizohej e bosnjëzohej.

5.

Në Parlament u fol shumë dhe gjithçka. Ndoshta fjalimi më njerëzor ishte ai i Anton Çunit, njeriut, ushtarakut e luftëtarit, që, për mungesë përvoje, jo aq mjeshtrisht por padyshim sinqerisht e me zemër u përpoq ta shpëtonte koalicionin tashmë me kokë në gijotinë. Çdo fyerje mbi gjestin e tij njerëzor është pështyerje e shëmtuar mbi një dashuri të pastër për Kosovën. Sepse ai ishte i gatshëm të bie në gjunjë edhe para një qelbaniku si Isa Mustafa vetëm për hir të Kosovës dhe për asgje tjetër.

Krahas tij, por me heshtjen e vet shkëlqeu edhe Lumir Abdixhiku, një ministër shëmbullor, që posa nisi të vë rregull në Ministrinë ku është plaçkitur më së shumti bugjeti i Kosovës, e larguan, përmes mocionit, cubat e Kosovës.

Ndërsa Vjosa Osmani shkëlqeu me guximin, aftësinë dhe vetëdijen atdhetare e politike. Për qëndrimin e saj parimor, ajo u vu në kryq nga hijenat e LDK-së, ata që e kanë uzurpuar atë dhe kanë rrjepur e përmjerrë çdo vlerë të sajën. Këta shtetrrënues e jeniçerë të Prontomafisë, shpresojnë se me këtë fushatë linçimesh kundër ikonës së LDK-së sot do ta largojnë atë nga partia.

Qëllimi është i qartë, ta kenë rrugën e shtruar në mënyrë që LDK të vazhdojë të jetë edhe më tej ‘patericë’ e kryeshtetrrënuesit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Por nuk besoj që një grua e zgjuar e me kurajë si Vjosa Osmani do t’ua lëshojë rrugën dhe frymën këlbaçve si Isa Mustafa me shokë.

Për arsyen e thjeshtë se e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës nuk janë këlbaçët, por Vjosa Osmani dhe njerëzit me dije, me kurajë e me moral si ajo.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*