Serbët e njohin vetëm një Zot, Frikën

Shkruan:
Xhafer Shatri

Një ushtarak francez e akuzon Francën për bashkëpjesëmarrje në krimet e tmershme serbe kundër civilëve boshnjakë: “6 muaj poshtrim, dhe 18 arkivole me trupat e kolegëve të mi ushtarë…“

Kapiteni francez, Guillaume ANCEL, në librin me kujtime “Erë e akullt mbi Sarajevë“, përshkruan rrethimin e Sarajevës dhe krimet serbe mbi popullsinë civile boshnjake.

Më 1995, ai ishte shef i një njësiti të Forcave për Intervenim të Shpejtë, në kuadër të helmetëkaltërve francez që siguronin aeroportin e Sarajevës.

Detyra konkrete e njësitit që ai udhëhiqte ishte: lokalizimi i vendodhjes së artilerisë serbe që terrorizonte qytetin dhe banorët e tij disa vjet rresht dhe ato informata t’ia përcillte aviacionit luftarak të Natos.

Kapiteni Ancel përshkruan me shumë deshpërim se si ai me ekipin e tij me dhjetëra herë rrezikojnë jetën për t’i zbuluar njësitë e artilerisë serbe që bombardonin pamëshirshëm qytetin dhe posa vinin aeroplanët e Natos mbi qytet për t’i bombarduar ato, duke pasur koordinatat e sakta të ekspertëve ushtarakë, në momentin e fundit tërhiqeshin, sepse ushtarakët francez të udhëzuar nga admistrata e presidentit Miterand nuk ndërmerrnin asgjë…

Guillaume Ancel, për këtë tërheqje të përsëritur e në momentin e fundit akuzon drejtpërdrejt komandantin e Forcave të OKB-së në Sarajevë, gjeneralin francez Boguillard dhe natyrisht funksionarin e lartë të OKB-së Jasushi Akashi, këtë mistrec-sadist të neveritshëm që përpiqej të mbulonte me gjuhën e bungut krimet e llahtarshme serbe…

“Në këtë operacion e kuptova se ne e kishim të ndaluar t’u kundërvihemi serbëve madje edhe kur ishte fjala për jetën ose vdekjen e ushtarëve tanë… E kuptova gjithashtu se ne nuk ishim ne Sarajevë për t’i mbrojtur civilët e pambrojtur por faktikisht agresorët serbë…

Gjatë qëndrimit tim 6 mujor në Sarajevë jo me dhjetra herë por mbi njëqind herë janë anuluar sulmet e merituara të Natos kundër forcave serbe.“

 

Duke e lexuar këtë libër fort real e mësimdhënës, që ua preferoj sidomos ushtarakëve* dhe diplomatëve tanë, m’u kujtua romani i famshëm i Dino Buzatit, “Shkretëtira e tartarëve“, që mund të rezymohet në një fjali të thjeshtë, të vetme e të tmershme: pritje e pa fund e asgjësë… Diçka larg më keq se pritja e Godosë.

 

*Ndoshta libri është përkthyer në gjuhën boshnjake. Ia vlen ta kërkoni. Nëse nuk e kanë përkthyer e botuar, atëherë, mjerë ai komb për ekzistencën e vet.

 

http://miruhbosne.com/?p=54674

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*