Serbia përballe demonëve te saj

Shkruan:
Xhafer Shatri

  1. Përgjakja e Pejës

Më 15 dhjetor të vitit të kahershëm 1998, më takoi një i njohur i vjetër, diplomat i ngarkuar prej vitesh nga vendi i tij për të përcjellë nga afër luftërat e fundshekullit në Ballkan. Si gjithnjë, ishte i drejtpërdrejtë:

– Kjo që ka ndodhur në Pejë e dëmton imazhin e shqiptarëve, ju nxjerr si shkaktarë të luftës, dëmton simpatinë që gëzoni në botë, përpjekjet tuaja për liri identifikohen me terrorizmin… etj., etj.

E shikova me vëmendje dhe u binda edhe një herë se artistët më të mëdhenj nuk janë ata që i shohim në ekran, por soji i atij që kisha përpara… Pasi e kreu e pyeta:

– A mund të ma thuash se kujt i duhet më shumë vrasja e serbëve në kafenenë „Panda“, shqiptarëve apo Serbisë? Ma thuaj një argument të vetëm se një shqiptar me vetëdije minimale politike do të kryente një krim të tillë.

– Do të thotë se ti përjashton mundësinë që shqiptarët ta kenë kryer krimin?
– Jo, unë s’përjashtoj askënd, ajo në çka unë këmbëngul është kjo: në mulli të kujt çon ujë ky akt i rëndë terrorist? Në mullirin e Kosovës gjithsesi jo!

U ndamë. Ai shkoi në punët e tij, ndërsa unë, si shumica e shqiptarëve në atë kohë, u kredha në trishtimin tim. Luftën e kishim brenda e ne ishim bërë pikë e pesë.

Çka kishte ndodhur?
Më 14 dhjetor 1998, në kafenenë «Panda», që ndodhej në një ngrehinë përdhese afër Gjimnazit të Pejës, ishin mbledhur si zakonisht për ta kaluar mbrëmjen me dhjetëra serbë, kryesisht të rinj. Disa luanin letra, disa dëgjonin muzikë… Pikërisht në orën 20:15, dyert e kafenesë ishin hapën me rrapëllimë nga dy persona në uniforma të zeza e me maska në fytyrë, njëri i gjatë e tjetri i shkurtë…, ata pa një pa dy dhe pa thënë asnjë fjalë të vetme kishin filluar të shtinin mbi të pranishmit me kallashnikovë. Rezultati: 6 të vdekur (Ivan Obradoviq, 14 vjeç, Vukota Gvozdenoviq, 16 vjeç, Svetislav Ristiq, 17, Zoran Stanojeviq, 17, Dragan Triufkoviq, 17, dhe Ivan Radeviq 25 vjeç; 15 të tjerë ishin plagosur.
Një dëshmitar rrëfen: djemtë në tavolinën qendrore ranë përtokë të kositur nga rafalët. Disa prej tyre u përpoqën të mbroheshin. Por u kositën nga plumbat. Trupat e tyre kishin rënë mbi njëri-tjetrin, gjaku shkonte rrëke… 48 gëzhoja ishin shpërndarë brenda dhe jashtë derës…. dhe mua kurrë e askush s’më ka marrë në pyetje se si dhe çka ka ndodhur…
Varrimi i viktimave u bë më 16 dhjetor. Ceremoninë e salikimit e bëri vetë patriku Pavle në sheshin kryesor të qytetit të Pejës ku, sipas medieve serbe, merrnin pjesë 15 mijë serbë. Me atë rast kreu i Kishës Ortodokse Serbe, me një gjuhë plot helm, i dha flakë urrejtjes ndëretnike. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, një dëshmitar bashkëpunues deklaroi para Gjykatës për krime të luftës: Pas varrimit pasoi nata e kristaltë, kur serbët thyen të gjitha vitrinat e shqiptarëve

  1. Peja në gjendje lufte

Në tetor 1998, në Kosovë u vendos misioni verifikues i OSBE-së. Forcat serbe ishin kudo të pranishme. Ndërkaq, siç thotë Natasha Kandiq, Peja ishte nën kontrollin e Njësisë për Operacione Speciale, dora e hekurt e UDB-së, me të cilën udhëhiqte Milorad Ulemek, i njohur si Legija, si dhe të njësive të policisë lokale të njohura me emrin „Munje“ (Vetëtimat), ose ndryshe edhe çakejtë, me të cilët udhëhiqte Nebojsha Miniq i njohur me nofkën “Mrtvi” (Vdekësi).

Çuditërisht, jo menjëherë, por tri ditë më vonë filluan reprezaljet. Më së shumti u godit lagjja “Kapeshnicë”. Sipas Natasha Kandiq, që ato ditë ishte në Pejë, rreth 200 policë e ushtarë morën pjesë në reprezalje. Rreth 150 veta u arrestuan dhe u dërguan në polici. Ata u morën në pyetje nga oficerët e sigurimit që kishin ardhur nga Beogradi. Të arrestuarit ishin torturuar mizorisht, sidomos nga tre inspektorë që njiheshin me emrat: Ljubo, Zoran dhe Strikoviq.

Më në fund UDB-ja seleksionoi 5 shqiptarë; Agron Kollçaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Logjaj dhe Vëllaznim Përgjegjaj, të cilët më 22 dhjetor u nxorën para gjykatësit hetues, Nebojsha Zhivkoviq. Ky lëshoi vendimin për vazhdimin e hetimeve ndaj tyre, të dyshuar si kryes të aktit terrorist në kafenenë «Panda».

Vetëm lëkura e tyre mund të dëshmojë se çka kanë përjetuar këta të rinj fatkëqij.
Adem Demaçi i demantoi autoritetet serbe të pushtimit dhe mediet e tyre duke thënë se ky akt terrorist nuk është vepër e shqiptarëve, dhe se ia përkujton rastin në kazermën e Paraçinit…

  1. Akti terrorist si mbulesë për krime monstruoze

Masakra në kafenenë «Panda» u krijoi terren të përshtatshëm njësive ndëshkuese të ushtrisë dhe policisë serbe. Ja çka deklaroi një pjesëtar i tyre para një gjykate në Beograd. Unë u angazhova nga Nebojsha Miniq, i cili kishte qenë 15 vjet në burg, sepse e kishte vrarë një shqiptar. Me të ne plaçkitnim shtëpitë e shqiptarëve natën, dhe kur ata vinin për t’u ankuar në polici, ne i merrnim në pyetje… Më kujtohet një rast kur ne i grabisnim shtëpitë e shqiptarëve, pjesëtari ynë Ranko Momiq e detyroi një grua të re shqiptare t’ia bënte seksin në gojë…

Pasi e plaçkitëm diskotekën e një shqiptari ne shkuam në kazermë, ku Miniq e takoi kapitenin e ushtrisë, Toplica Mladenoviq. Ai na i dha 20 kallashnikovë dhe 20 bomba. Ne i angazhuam nja dhjetë veta dhe kështu e formuam njësitin «Çakejtë». Që të gjithë u vendosëm në shtëpitë e shqiptarëve. Ne kishim uniformat, armët, xhipat. Miniq na tha se shteti ka nevojë për ne dhe se ne jemi njësi ushtarake. Ai ishte njeriu më i rëndësishëm në qytet, çdo derë e hapte me këmbë.

Më 14 maj 1999, në shtëpinë e një shqiptari të pasur, të cilin e kishim ndjekur, mbajtëm mbledhjen e shtabit. Pastaj shkuam në kazermë te kapiteni Toplica Mladenoviq dhe pastaj jemi nisur drejt fshatit Qyshk. Kur hymë në fshat, dy shqiptarë dolën në rrugë me duart lart. Miniq dhe Lugati i vranë që të dy. Askund nuk pamë terroristë. U ndamë nëpër fshat. Dëgjoheshin rafalët. Digjeshin shtëpitë. Pastaj niseshin gratë, fëmijët dhe pleqtë për t’u bërë refugjatë. Qanin fëmijët… Nuk mund t’ua përshkruaj këtë skenë. Të gjithë i ndiqnim për në Shqipëri.

Bata Lekiq ua ndukte stolitë e arit, u kërkonte para. Buba më pati treguar se si „gëlqeroset“ më mirë: I afrohesh shqiptarit nga pas dhe nga një kënd i posaçëm shtie me armë në kokë…, dhe pastaj e sheh qartë se si kafka dhe trutë i tij fluturojnë në ajër. Miniq na thoshte duhet t’i vrasim të gjithë nga dymbëdhjetë në shtatëdhjeteshtatë vjeç.

Aty Qale i pushkatoi për Serbinë 3 shqiptarë. Ai gjithnjë e shkrepte pushkën për Serbinë. Ishin nja 15 civilë, burra e gra. Ranko Bosanac u tha, mos u frikësoni, po ju çojmë në polici, por nxirrni çdo gjë që keni nëpër xhepa, kuletat, orët, unazat, qaforet, letërnjoftimet… I hodhën ato dhe Miniq i tha një fëmije t’i mblidhte. Fëmija dridhej nga frika, madje edhe u përmjerr. “Lugati” ia preku kokën fëmijës me tytën e kallashnikovit. Vdekësi i tha: Lëre, që të mbetet dikush për t’iu treguar shqiptarëve nesër.

Pastaj bëmë një pushim dhe shkuam të freskoheshim, derisa Vdekësi na

tha të shkojmë për t’i ndjekur insektet.
Shkuam drejt Zahaçit dhe Pavlanit. Buzë rrugës ishte ulur një plak shqiptar. E pyetëm: Pse nuk ke ikur? Ai u përgjigj: kjo është shtëpia ime. E vranë. E kam parë Bubën se si i vriste edhe qentë.

Në fshatin X e kam parë Ranko Bosancin se si e përdhunoi një shqiptare. Ajo kishte mbetur katullaqë mbi kanape. Na pyeti: A doni edhe ju pak? Ajo dëneste, nuk qante. Ai e fshiu seksin e tij në trup të gruas, pastaj e shtyu përtokë dhe e vrau me kallashnikov.

Dikur u kthyem duke kënduar dhe duke ngritur tre gishtërinj. Pastaj e çova Miniqin në shtab të ushtrisë, te kapiteni Toplica Mladenoviq…

Atë ditë njësitë ndëshkuese serbe „çakejtë“ vranë 44 shqiptarë në fshatin Qyshk, Komuna e Pejës, dogjën 40 shtëpi me 40 objekte ndihmëse dhe shpërngulën 400 shqiptarë… E njëjta njësi, më 1 prill 1999, kishte vrarë në Lybeniq 66 shqiptarë… (Peshçanik, 28 dhjetor 2011)

  1. çmontimi i shtetit të krimit?

Më 29 dhjetor 2013, zëvendës- kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një emision të shumëshikuar televiziv, ndër të tjera, deklaroi: Gazetarin Quruvia (i njohur si kundërshtar i Milosheviqit) e ka vrarë shteti… Nuk ka asnjë argument se shqiptarët janë autorë të vrasjes në kafenenë «Panda»… Përkundrazi… Dua të them se ka gjëra të tmerrshme me të cilat ne do të detyrohemi të përballemi. Dua të them gjithashtu se këto çështje ne do t’i zgjidhim… Për shkak se nuk jetohet nga gënjeshtrat dhe mashtrimet.

Menjëherë pastaj disa medie, duke u thirrur në burime qeveritare serbe, filluan të nxirrnin në pah detaje për aktin terrorist në kafenenë «Panda». Gjoja të dhënat kanë dalë nga kundërshtitë në mes të dy kriminelëve kryesorë të Serbisë së fundshekullit që lamë pas: Rade Markoviq, ish-shef i UDB-së, dhe Milorad Ulemek, komandant i Njësisë për Operacione Speciale, i dënuar si pjesëmarrës në vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, më 40 vjet burgim.

Ato në substancë shpërfaqin se e vërteta për këtë krim ka dalë në shesh vetëm pasi Legija ka treguar se gazetari Quruvia është vrarë me urdhër të shefit të dikurshëm të UDB-së, Radomir Markoviq, edhe ky i dënuar me 40 vjet burgi, për krime. Rade Markoviq, sipas gazetës serbe «Kurir», në shenjë hakmarrjeje i ka informuar autoritetet se aktin terrorist në kafenenë «Panda» e ka kryer Milorad Ulemek – Legija.

Në fakt, motivet janë shumë më të thella. Sepse ani se regjimi i Milosheviqit është rrëzuar tash 14 vjet, megjithatë strukturat e tij në Serbi kanë mbetur të paprekura. Vuçiq, i vetëdijshëm se nuk mund të qëndrojë në pushtet e aq më pak ta reformojë Serbinë, ka vendosur t’i çmontojë këto strukturat. Mënyra më e mirë është që ato t’i ndërsejë kundër njëra-tjetrës.

Nuk është e rastit se menjëherë pas daljes së Vuçiqit në opinion për masakrën te «Panda» u shkarkuan të dy shefat e shërbimeve sekrete të ushtrisë, gjeneralët Svetko Kovaq (drejtor i VBA-së, Agjencia ushtarake e sigurimit) dhe Dragan Vladisavljeviq (drejtor i VOA-së, Agjencia ushtarake e zbulimit). Këto dy shërbime sekrete përbëjnë shtyllat themelore të shtetit serb. Prej vdekjes së Titos e deri më sot, këto shërbime, që më parë quheshin KOS (Shërbimi i kundërzbulimit) kanë qenë përcaktuese për çdo vendim dhe veprim të elitës politike, intelektuale e kishtare serbe. Asgjë nuk ka guxuar dhe nuk ka mundur të ndodhte pa projektimin apo aprovimin e këtyre shërbimeve.

Ishin këto shërbime që organizuan me mijëra procese politike kundër ushtarëve shqiptarë në ushtrinë jugosllave gjatë viteve ‘80, ishin këto shërbime që qëndronin prapa të gjitha platformave dhe vendimeve

politike kundër shqiptarëve, ishin këto shërbime që kryen dhe orkestruan krimin e tmerrshëm në kazermën e Paraçinit, në vitin e kahershëm 1987, që ishte hapi më konkret për përgatitjen e rrethanave për rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe për shkatërrimin e Jugosllavisë. Ishin këto shërbime që helmuan rininë shkollore të Kosovës në pranverë të vitit 1990…, ishin këto shërbime që nxitën të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi…

Me një fjalë, aktualisht në Beograd po zhvillohet një luftë për jetë a vdekje në mes atyre që duan ta reformojnë Serbinë dhe atyre që e kundërshtojnë këtë. Reformimi i Serbisë do të thotë çmontimi i domosdoshëm i strukturave shtetërore të krimit, të cilat e kanë folenë para së gjithash brenda shërbimeve sekrete.

Prandaj nxjerrja në dritë e aktit terrorist në kafenenë „Panda“ është vetëm maja e Aisbergut dhe nuk besoj se ka për qëllim katarzisin e Serbisë, por para së gjithash për ta bërë atë anëtare të BE-së me çdo kusht.

  1. Funksionimi i piramidës së krimit

Sipas Vuk Drashkoviqit, kryetar i SPO-së, vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që mbështesnin Serbinë dhe gjykonin hapur UÇK-në e kishin marrë vetë Milosheviqi dhe shtabi i tij strategjik në nëntor të vitit 1998. U vendos kështu me qëllim që, përmes një serie të akteve terroriste që do t’i kryente Shërbimi i sigurimit, gjegjësisht eskadroni i tij i vdekjes me të cilin udhëhiqte Legija, para syve të opinionit ndërkombëtar UÇK-ja të nxirrej si organizatë terroriste dhe njëherësh të ndizej maksimalisht urrejtja kundër shqiptarëve në Kosovë dhe kudo në Serbi. Me atë rast qe formuar Grupi Operativ për Ndjekje, i përbërë prej 18 personash, pjesëtar të Njësisë për Operacione Speciale.

Legija këtë grup për aktivitete terroriste në Kosovë e trajnoi në Goçë. Ky grup kreu krimin monstruoz në „Panda“.

Më sa di unë, para disa muajsh Markoviq, duke kërkuar amnisti nga presidenti Nikoliq, ka kërcënuar se do ta rrëzojë Serbinë në të dy gjunjët nëse publikon listën e krimeve të kryera nga UDB-ja ndaj serbëve e shqiptarëve në Kosovë, por edhe listën e krimeve në Bosnjë të kryera po ashtu nga UDB-ja kundër boshnjakëve dhe serbëve, dhe këtë me urdhër të Milosheviqit. (Kurir, 19 janar 2014)

Sipas Natasha Kandiqit, nuk mjafton vetëm zbardhja e këtij rasti, por është e domosdoshme që të dihet se kush e ka bllokuar, dhe kush ka bërë lojëra policore për t’i fshehur gjurmët e këtij krimi. Ajo deklaroi gjithashtu se disa herë i kam pyetur përfaqësuesit e MUP-it (Ministria e Punëve të Brendshme) dhe përgjigjja e tyre ka qenë se nuk mund të zbardhet ky rast, jo pse nuk ka fakte, por sepse zbardhja e rastit është e ndaluar. Babai i njërit prej viktimave, Dragoljub Stanojeviq, atëherë ishte drejtor i kontabilitetit në Pejë, me të punonin edhe disa shqiptarë. Këta e kanë pyetur se a mund t’i shkonin në shtëpi për ngushëllime. Ai u ka thënë, po,sepseunëedisekushmaka vrarë djalin… (Radio slobodna Evropa, 21 janar 2014)

Prindi i njërit prej viktimave, Lazar Obradoviq, deklaroi se që nga fillimi kishte një mur heshtjeje. Më duhet të them se kurrfarë hetimesh nuk janë zhvilluar. Të gjithë kanë heshtur, edhe shteti, edhe mediet. (B92, 22.1.14) Nëna e njërit prej viktimave, Milena Radeviq, deklaroi: Djalin tim e vranë më 14 dhjetor 1998, ndërsa tani ndihem edhe më keq se atëherë. Ai sot është vrarë për së vdekuri. Nga jeta ime ka mbetur vetëm hija, dhe pas kësaj jeta për mua nuk ka asnjë vlerë. Kam besuar në atdheun tim, në Serbinë, kam besuar se luftëtarët e saj janë të drejtë, e si duket ajo ka krijuar monstrumë të gatshëm të sakrifikojnë edhe fëmijët e pafajshëm. E kemi kërkuar të vërtetën 14 vjet dhe kemi hasur në dyer të mbyllura. Kur ka shumë të ‘vërteta’, atëherë mësoni se ato janë gënjeshtra për ta fshehur atë që është pak të them krim… (Elektronske novine, 21. 1. 2014)

  1. Diversionet pas luftës

Pas çlirimit të Kosovës, shërbimet serbe kanë luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha fushat e jetës në vendin tonë. Duke qenë të gjithëpranishme, ato kanë arritur të funksionalizojnë rrjetin e tyre të gjerë dhe të kryejnë veprime praktike para hundëve të shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve, siç ishte marrja pa asnjë pengesë me tona material arkivor nga bodrumet e Kuvendit të Kosovës; çka është më e rënda, ato kanë arritur t’i përpunojnë funksionarët ndërkombëtarë e madje, në një masë, edhe ta sajojnë elitën politike të shqiptarëve. Por ky është një muhabet tjetër.

Siç dihet, pas çlirimit kanë ndodhur disa krime të rënda në Kosovë, të cilat në një mënyrë ose tjetër ngjasojnë me krimin në kafenenë «Panda»: Më 23 korrik 1999, në Staro Gracko (Grackë, fshat në Komunën e Lypjanit) ndodhi një krim i rëndë. Derisa ishin duke korrur grurin në arat e tyre u vranë mizorisht 14 serbë. Lypjani në atë kohë bënte pjesë në zonën britanike të KFOR-it.

Një javë më vonë vinte për vizitë në Kosovë kryeministri i Britanisë dhe njëri prej shtetarëve të huaj më të vendosur për t’ia hequr Kosovës Serbinë nga qafa, Tony Blair.

Më 16 shkurt 2001, afër Merdarit u hodh në erë autobusi i agjencisë „Nishekspress“, me ç’rast u vranë 12 udhëtarë dhe rreth 40 të tjerë u plagosën. Të gjithë ishin serbë.

Pak javë më parë kishte ardhur në Kosovë shefi i ri i UNMIK-ut, Hans Hakerup, një administrator arrogant që përbuzte hapur shqiptarët. Më vonë ky, me dijen e parisë së Kosovës, nënshkroi një marrëveshje me përfaqësuesin e Qeverisë serbe, Nebojsha Qoviq, përmes së cilës Beogradi legalizoi përzierjen e tij brutale në çështjet e brendshme të Kosovës;

Më 13 gusht 2003, në fshatin Gorazhdec, Komuna e Pejës, u krye një akt tjetër i rëndë terrorist. Derisa laheshin në lumë disa fëmijë e të rinj serbë, kriminelët vranë 2 dhe plagosën 4 të tjerë.

Të nesërmen erdhi në Kosovë shefi i ri i UNMK-ut, Hari Hodler. Ndërsa pesë ditë më vonë, me kërkesën e Serbisë, u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurimit, ku u debatua për këtë akt të rëndë terrorist.

Por gjithsesi suksesi më i madh i shërbimeve sekrete serbe në Kosovën e pasluftës kanë qenë ngjarjet e turpshme të marsit 2004. Ato ngjarje të projektuara fund e krye në shtabet speciale në Beograd, janë zbatuar nga vetë shqiptarët, ku rol kryesor kanë luajtur kësaj radhe jo çakejtë e Nebojsha Miniqit, por çakejtë e Shikut dhe të G2-shit. Ishte një luftë e cubave për ta marrë me çdo kusht pushtetin fiktiv në Kosovë. Këto ngjarje haxhiqamiliste kanë qenë përcaktuese për Raportin e Kaj Aides, për dokumentin e Ahtisarit dhe për themelimin e etnitetit serb në Kosovë përmes bisedimeve në Bruksel.

  1. Përfundim

Në 15-vjetorin e masakrës në kafenenë „Panda“, Zyra e Kosovës dhe Metohisë e Qeverisë së Serbisë lëshoi një kumtesë ku, ndër të tjera, thuhej: … tërheqim vëmendjen se edhe pas 15 vitesh, ky krim i tmerrshëm i terroristëve shqiptarë nuk ka epilog gjyqësor… vrasja e 6 të rinjve në Pejë ishte fillimi i një ndjekjeje pas së cilës në Dukagjin (Metohi) nuk mbetën më serbë… Kjo kumtesë të përkujton amanetin e babait të kombit serb, Dobrica Qosiq, i cili në romanin e tij të njohur «Deobe» (Ndarjet), konstaton:

«Ne gënjejmë për të mashtruar vetveten, për të ngushëlluar tjetrin, në gënjejmë nga dhemshuria, në gënjejmë nga turpi, gënjejmë për të trimëruar dhe për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është pasqyrim i patriotizmit serb dhe dëshmi e inteligjencës tonë të lindur. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, me imagjinatë e invencion”.

 Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*