Shkrimi dhe censura apo Shkrimtari përballë të gjitha erërave

Shkruan:
Mark Krasniqi

Krijuesi i cili ia përkushton tërë talentin dhe potencialin e vet punës intelektuale – letrare ose shkencore është i lidhur si mishi me thoin me veprën e vet, e cila është pjesë e sferës së tij shpirtërore, qëllimi e kuptimi i jetës dhe gëzimi i tij. Prandaj ndalimi i veprës së tij është dënimi më i madh për të, sepse me një masë të tillë atij i vihen edhe prangat që mos ta marrë penën në dorë. Kjo dhunë është e njohur në botë si gjenocid intelektual, të cilin e përdor shumë shpesh sidomos pushteti totalaitar antidemokratik.

Edhe ndër ne kjo ka qenë praktikë e përhershme e politikës partiake-policore gjatë gati një gjysmë shekulli, sidomos kundër krijuesve shqiptarë të cilët nuk kanë qenë në vijën e partisë. Për të gëzuar mëshirën e kësaj politike, veprave të shumë krijuesve tanë u vjen era temjan!

Unë nuk e duroj erën e temjanit se më shkakton dhëmbje koke, prandaj edhe veprat e mia janë anatemuar nga patrikët bolshevikë në shërbim të politikës serbomadhe dhe nga sahanlëpirësit e tyre në redaksi dhe institucione të ndryshëm.

Për këtë arsye, mjerisht, opusi i krijimtarisë sime është mjaft modest. Ata që rrinë nën dardhë, i hanë kokrrat; ata që rrinë në gjunj në kishë, shijojnë erën e temjanit dhe marrin bekimin e patrikut. Unë, si i mallkuar, nuk e kam ndjekur vijën e partisë, nuk jam ulur nën dardhë as nuk kam hyrë në kishë me temjan në dorë. Por kjo ka shkaktuar fushatën e madhe të gjahtarëve të temjanosur kundër postierit të maleve, lepurit analfabet, dhelprës bishtgjatë dhe arushës gjumashe, të cilat politika e revolucionit kulturor i ka ndjekur nga vitrinat e librarive dhe i ka futur në shpella të thella, madje edhe “Qëngji e ujku“, sipas një recensenti pacifist të librit tim përkatës, paskan qenë politikisht të dyshimtë dhe të dëmshëm për shoqerinë socialiste, sepse ngjarja e njohur përfundon me vargjet:

I vogli prej të madhit, gjithmonë është në rrezik,

delja kurrë s’arrijti ujkun ta bëjë mik…”

Kuptohet, fati i veprës sime është fati im, por më dhemb edhe për fatin e veprave që janë pjesë e thesarit të kulturës sonë kombëtare, siç janë ato të Naimit, Të Çajupit, Poradecit, Agollit, Kadaresë etj. Sidomos është i rëndë fati i Historisë së popullit shqiptar dhe i veprave të tjera, nga të cilat brezi i ri duhet të mësojë diçka nga e kaluara jonë dhe të përgatitet për të ardhshmën. Megjithatë ndiej njëfarë kënaqësie që vepra ime ka qenë kurban i politikës dogmatike represive e jo temjan i saj.

Marrë nga libri i Shaip Beqirit  “Gëzhoja e perlës“, faqe 298

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*