Shqiptarët nuk kanë ku të kthehen

Shkruan:
Emin Azemi

Pas viteve të 90-ta, shumica e dërmuese e punëtorëve grekë, portugezë, italianë dhe spanjollë janë kthyer nga Franca, Gjermania, Zvicra, Austria, Belgjika në vendet e tyre pasi që ato përjetuan një zhvillim të hovshëm ekonomik. Të vetmit që nuk janë kthyer janë shqiptarët

Treguesit e fundit të Eurostat-it bëjnë të ditur se nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së vetëm vitin e kaluar kanë ikur 228.000 banorë.
Nga Serbia në shtetet e BE-së kanë shkuar 51.000 veta, nga Shqipëria – 62.000, kurse nga BeH – 53.000 veta, nga Kosova vitin e kaluar janë larguar 34.500 veta, nga Maqedonia e Veriut – 24.300, kurse nga Mali i Zi – 3000 banorë.
Sipas këtyre treguesve, Italia është destinacioni kryesor i 23.000 shqiptarëve, pastaj vjen Greqia (17.000) dhe Gjermania (10.000).
Nga Maqedonia e Veriut, sipas këtyre statistikave, vitin e kaluar më së shumti (11. 500) kanë ikur në Gjermani, pastaj në Itali dhe Slloveni.
Askush sot nuk ka iluzione se ky trend i ikjeve mund të frenohet brenda natës. As ata që premtojnë mrekullira, që kryesisht janë politikanë, nuk iu besojnë fjalëve të tyre. Madje këta të fundit janë tërthorazi stimuluesit kryesor të ikjeve jashtë vendit, por në zgjedhjet e radhës ata sërish i ke në krye të vendit, sepse ata nuk shpërngulen askund. Ata kanë sigurua mirëqenie edhe për stërnipat e tyre.
Gjithë ky rrëfim i zymtë për këto ikje kaq masive të të rinjve do të dukej në fund paksa i gëzuar sikur në të ardhmen të siguroheshin kushte për kthimin e tyre, ashtu siç kanë vepruar emigrantët e Spanjës, Greqisë, Portugalisë etj. të cilët pas një qëndrimi disavjeçar në emigracion janë kthyer në vendlindjes e tyre dhe kanë nisur biznese me të cilat kanë regjeneruar ekonominë vendore.

Me këtë problematikë këtyre ditëve është marrë edhe studiuesi ynë i shquar në Londër Daut Dauti.
“Deri në fund të viteve të 80-ta, disa shtete evropiane, siç janë Zvicra, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë qenë plot me punëtorë grekë, portugezë, italianë dhe spanjollë. Këta punëtorë kanë shkuar në këto shtete në fillim të viteve të 60-ta kur kishin shkuar edhe shqiptarët nga ish Jugosllavia. Pas viteve të 90-ta, shumica e dërmuese e këtyre punëtorëve janë kthyer në vendet e tyre pasi që ato përjetuan një zhvillim të hovshëm ekonomik. Në këto situata, këta punëtorë u kthyen dhe kontribuuan edhe më tej në zhvillimin e shteteve të tyre të origjinës, të cilat përfituan edhe nga hyrja në Unionin Evropian. Pra, këta kishin ku dhe pse të ktheheshin.

Të vetmit që nuk janë kthyer janë shqiptarët. Në fakt, me shqiptarët vazhdimisht po ndodhë e kundërta: numri i tyre në këto shtete është në shtim e sipër. Kjo është për shkak se shqiptarët nuk kanë ku të kthehen. Shtetet e tyre nuk ofrojnë kushte për kthim, siç ishte rasti me Spanjën, Italinë, Greqinë dhe Portugalinë, dhe gjendja ka eskaluar edhe më tej në aspektin negativ”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, studiuesi Daut Dauti.

Të gjithë mund të kenë njëfarë mirëkuptimi për gjendjen në të cilën ndodhen ekonomitë e vendeve të Ballkanit, sidomos trojet shqiptare. Por, askush nuk mund të ketë mirëkuptim për ato politika që nuk parashikojnë projekte në të ardhmen (pas 20,30 viteve), që do të krijonin parakushte për rikthimin e njerëzve tanë nga emigracioni. Në këtë mënyrë do të fitonin të dyja palët: edhe njerëzit tanë do të shpëtonin nga asimilimi i mëtejmë, por edhe vendi i tyre i origjinës do të lulëzonte nga bizneset dhe iniciativat zhvillimore private.

Të presim, pra, çka do të ndodhë pas 30 viteve! (koha.mk)

Burimi: https://www.koha.mk/shqiptaret-nuk-kane-ku-te-kthehen/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*