Shqiptari made in Serbia

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kur blejmë diçka, e kjo na ndodhë shpesh dhe të gjithëve, e shohim se shumica e mallërave e ka të shënuar dikund prodhuesin, i cili shpeshherë identifikohet me emrin e vendit: made in germany, made in swiss, made in china etj., etj. Por është një prodhim i veçantë, shumë më delikat me emrin njeri dhe me kombësi shqiptar, i cili shpeshherë ka një «markë» të tillë, një shenjë që shihet vështirë, por nëse i hap sytë mirë, mund t’ia lexosh në mos në ballë sigurisht në veprime: made in serbia…

Dyshimi që ka rrënjë dhe degë

Duke qenë krejtësisht dhe kaherë i liruar nga paranoja ballkanike e komplotit më duhet të them që në fillesë se ka kohë që më sëmbon një dyshim përmbytës për një veprimtari të veçantë të shtetit serb: ajo e krijimit të shqiptarit sipas nevojave dhe kutit të Serbisë.

Ju do të thoni se ky po i thjeshtëson njerëzit në çerpiç që sajohen me kallap. Larg asaj. Por po nisem nga një logjikë krejt e thjeshtë: shteti serb për të dominuar këto hapësira ka përdorë një imagjinatë të pabesueshme shkencore, ushtarake, politike, diplomatike, religjioze… Askund nuk gjen një teori të përpunuar publikisht për ndryshimin e faqes së dheut, apo thënë më mirë të përbërjes etnike të banorëve të saj si në Serbi. Nuk e teproj nëse këtu përmend shkarazi elaboratet e detajizuara për të arritur këtë synim, pas të cilave vijnë aksionet politike e propagandistike: paraqitja e objektit të elaboruar si rrezik i madh për kombin dhe shtetin serb, për rajonin dhe për civilizimin e krishterë, për kontinentin e vjetër… Pasojnë mandej ekspeditat e kombinuara ndëshkuese policore dhe ushtarake që kanë si strategji tokën e djegur… krahas këtyre bëhen hapat diplomatikë për paraqitjen e xhelatëve si viktima dhe të viktimave si xhelatë, për t’u vulosur kjo pastaj në vendime e traktate afatgjata e besa edhe të përjetshme.

Në pamundësi që këto veprime të bëhen përnjëherë, ma thotë mendja, se ka pasur edhe metastaza, kur synimet përgjithësohen dhe përgatitet terreni te pala e kundërt që ajo të jetë sa më e paaftë dhe sa më pak e përgatitur për të përballuar furinë e sulmit.

Kjo duhet të jetë një veprimtari dreqnore e përpunuar deri në detaje me rrjedhoja konkrete: krijimin dhe përhapjen e psikologjisë së nënshtrimit me megafonë të gjallë e autoktonë në të gjitha mjediset: politike, intelektuale, financiare, religjioze, mediale etj. Me një fjalë kudo ku përthehet jeta e njeriut shqiptar duhej përçuar e bërë dominuese psikologjinë e vënies në gjumë, pajtesën me poshtrimin, krijimin e klimës konfliktuoze për gjëra dhjetësore; vënien në pah dhe avancimin e mediokriteteve; rrënimin e sistemit të vlerave, ku patrioti paraqitet si renegat dhe ky i fundit si patriot, ku krijuesi paraqitet si sharllatan dhe ky i fundit si krijues, ku qëndrestari e njeriu me kurriz paraqiten si matrapazë ndërsa këta të fundit si burra me dinjitetet…

Ky «njeri» që e gjen me bollëk në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare është prodhim i fabrikës së tullave ku piqen çerpiqkrijesat me shenjën e qartë të markës: SHIPTAR MADE IN SERBIA.

Gjithë procesin se si bëhet dhe si funksionon kjo fabrikë nuk e di, sikundër që nuk e di se si ndryshohen me porosi kushtet meteorologjike në vende të ndryshme e në kohë të caktuara, por kjo nuk më pengon që të merrem me efektet rrënuese të «prodhimeve» të saj.

Duhet të jetë diçka si Pallati i ëndërrave. Një institucion sekret që ka koordinuar tërësinë e aksioneve të shtetit serb në Kosovë: gjithë spektrin e masave ndëshkuese, përthellimin e skamjes kolektive, ngulfatjen e arsimit, shkencës, kulturës, përpunimin e opinionit…

Jam krejt i sigurt se ky institucion vazhdon punën, duke iu përshtatur rrethanave të reja.

Helmuesit e mendjes

Objekt i këtij shkrimi është analiza e mundshme e funksionimit të mekanizmit për përpunimin e opinionit, apo krijimi i mendësisë dominuese te shqiptarët.

Ekzekutues të drejtpërdrejtë të kësaj veprimtarie duhet të jenë pjesëtarët më subtil të kolonës së pestë, për besueshmërinë e të cilëve krejt mjedisi (lagjja, shkolla, katedra, institucioni, ndërmarrja, besimtarët…) do t’i fuste duart në zjarr. Këta oficerë të Serbisë janë llahtarisht dinakë e të pabesë. Vendpuna e tyre është masa dhe eksponentët e saj, kudo që ndodhen, por që bëhen me vetëdije ose pa të përçues apo viktima të kësaj veprimtarie. Kjo shtresë e infektuar është e numërt dhe mund të quhen lirisht shiptari made in serbia, shkurt SHMS.

Ajo mund të ndahet në dy kategori në elitën, që një zot e di se si është mbërthyer në këtë veprimtari (frika, interesi konkret, ambiciet, inercioni, lidhja familjare…) dhe në turmën.

Elita e shms-ve,

kur e kaplon zjarri shtëpinë bërtet në kup të qiellit për rrezikun që paraqet përmbytja;

kur një mjedis e përfshin skamja e bukës, SHMS shkruan dhe bërtet në kup të qiellit për mungesën e portokalleve;

kur vendin e mbërthen robnia, SHMS bërtet se në Somali po shkelen të drejtat e njeriut;

kur shumica qajnë e rënkojnë, SHMS ia kërcet gazit si me qenë në dasmë. (Krejt kjo bëhet për t’u harruar hallet e përditshme dhe burimi apo shkaktarët e tyre);

kur kërkohet një angazhim sublim e kolektiv për një çështje jetike, SHMS predikon: fleni dathë se na mbaruam duke punuar për t’u zgjidhur çështja…, ose: jemi të vogjël na me i zgjidh këto probleme. Ka kush merret me to, zotit shyqyr.

Kur ndokush që nuk i nënshtrohet kësaj psikomurtaje dhe përfundon atje ku ndodhë zakonisht, në burg ose në vorr, atëherë ligësia e SHMS shkëlqen me të gjitha ngjyrat e ylberit: asht ngutë, nuk ashtë koha, ashtë budallë, e ka nanën kurvë, ashtë provokator, kohët e fundit ka pas luejt mendsh, s’ka mbetë kush pa i hipë… Runu se ashtë i kuq…, ka lidhje me Rusinë…

Askush si shiptari made in serbia nuk di t’i djegë heretikët, por jo në turrë të druve, e cila megjithatë shkymet një ditë, por në shporetin moral, ku heretiku nuk digjet vetëm deri në palcë, por përcëllohet à jamais jo vetëm ideja dhe emri i tij, por dhe kujtesa për të. Sidomos kjo e fundit.

Elita e SHMS-ve vepron në klane që është vështirë t’i zbërthesh. Në pamje të parë përshfaqja e tyre të duket një rastësi apo edhe hamendje e djerrë. Por kur t’i shikosh me vëmendje e sheh se ata janë pjesë e një strukture që funksionon në koordinim të plotë qoftë kur mbrohet qoftë kur sulmon. Dhe ajo zakonisht sulmon.

Kjo kategori ka padrinon, safin e parë dhe epigonët. Krahinarizmi ose fisi është kodra më e mirë, prej ku udhëheq padrino. Ndodhë kështu, sepse veprimi i efektshëm kërkon terren të sigurtë, të shkelur, pra të njohur. Kur njihet terreni, shihen edhe plasaritjet dhe dimensioni i tyre, atëherë aty shkëlqen SHMS «intelektual» ose bajraktar, sepse futet si pykë, dhe në emër të kombit, në emër të dijes, në emër të zotit, në emër të institucionit, në emër të vlerave, në emër të sakrificave, në emër të dhimjbes kolektive, në emër të idealeve…, futet thellë e më thellë deri sa të kërcasin të gjithë nejtë e trungut që quhet qëndresë, ideal, vend, komb, institucion, mjedis etj.

Elita e SHMS-ve, janë si minjtë. Ata të parët e hetojnë tërmetin apo përmbytjen e anijes. Dhe nëse çdo gjë ka përfunduar; atëherë me zërin energjik të sorrës thonë: na e kemi dijtë, na ju kemi thanë, nuk na kanë ndëgjue, nuk i mëshohet murit me krye.

Por nëse vështirësitë janë tejkaluar, si gjithnjë nga ata që nuk janë SHMS, atëherë këta të fundit dalin e thonë: jemi lodhur e rraskapitur në përballje me rrezikun, me hasmin. Kemi sakrifikuar shumë, kemi nevojë për pushim të gjatë; ky është popull mosmirënjohës, sepse nuk po na shpërblen për sakrificat dhe mundin.

Hunda e hollë dhe dora që i lëviz penjtë e tyre u ndihmojnë elitistëve të SHMS-ve të jenë të gatshëm për të kërcyer nga ngrehina që po bie. Dhe zakonisht ata, pas çdo rrokopuje i ke gjithnjë shëndoshë si molla, të shlodhur dhe të gatshëm për të zënë këtë pusi ose atë pozitë. Ata janë mjeshtër të pritave. Prandaj çdo ndryshim ata i gjen në pozicion të favorshëm ekonomik, politik, kulturor, medial etj.

SHMS i gjen kudo në institucione, në pikat në nevralgjike të tyre. Rrijnë e vrojtojnë aty dhe në momentin e përshtatshëm kryejnë detyrën, atë të tejës. Kjo është garda pretoriane e shqiptarëve made in serbia, që i gjen kudo në të gjithë krahët, në të gjitha partitë, në të gjitha institucionet, në shoqërinë civile dhe gjithandej në territoret, ku Serbia ka mundur ta shtrijë pushtetin.

Elitën e SHMS-ve e karakterizon sidomos këmbëngulja për të goditur në të gjitha rastet e me të gjitha mjetet ata pak idealistë të shoqërisë.

Për dimensionin e kësaj goditjeje dua të jap vetëm një shëmbull, para të cilit do të duhej të gjithë t’i vëmë gishtin kokës dhe të mendohemi për baltën në të cilën gjëllinë mendësia shqiptare: Në njëzet vjetët e fundit të shekullit që lamë mbrapa në territoret shqiptare të pushtuara është zhvilluar një luftë intensive për liri. Në këtë luftë të pabarabartë ka pësuar ajka e rinisë shqiptare, e cila ka mahnitur botën me vetëflijimin. Dhe merrni me mend, në mungesë të një kushtrimpoezie kjo rini ka shkuar në përleshje e në vdekje me një këngë primitive, që nuk ka asgjë të përbashkët as me luftën e as me lirinë: ku m’je rrit, oj lulja me erë!

Turma e SHMS-ve

Turma e SHMS-ve, e mbërthyer në fijet e elitës, i kthen veprimet dhe idetë e saj në mendësi kolektive që në jetën e përditshme përkthehen në:

Indiferencë dhe individualizëm të skajshëm përballë problemeve kyçe me të cilat përballet vendi;

Mbamendje të cekët jo vetëm për ato që ka bërë shteti serb, por sidomos për veprimet e shërbyesve të tij shqiptarë;

Rrënim të sistemit të vlerave; futja në një thes apo vënia në të njëjtin saf e renegatëve dhe burrave e grave me dinjitet;

Veprime të atypëratyshme, ad hoc, pa menduar për pasojat dhe dështimin e pashmangshëm;

Prodhimin e analfabetëve të shkolluar;

Mungesë ambicjesh, përmes të cilave rrezatojnë vlerat dhe reduktimin e tyre në sujetë dhe inat deri shtazarak;

Praktikë të përgjithshme të lënies së të gjitha gjërave përgjysmë, projekteve, planeve, premtimeve, shkollimit, përgatitjes intelektuale;

Mungesën e vullnetit për të ndryshuar gjërat duke e arsyetuar këtë me «Hajt, more, se bahet mirë»;

Atë punë që mund të kryhet sot me e lënë gjithsesi për pasnesër, duke e arsyetuar këtë me lumenj fjalësh e llogjesh;

Mungesë vizioni e qytetërimi;

Marrje me telashet e fqiut, ndërkohë që shtëpinë dhe oborrin ua ka mbuluar bërllogu…

Përgjumje vetëvrasëse me shpresën e vagullt se «Zoti ka me e bâ mirë».

A ka ilaç kundër virusit shiptar made in serbia?

Për çdonjërin që i ka dy fije mend në krye besoj se është e qartë se nuk do të mund të ndahemi lehtë prej Serbisë. Dhe pengesë kryesore në këtë proces të vështirë do të jenë SHMS-të, për faktin e thjeshtë se janë «tanët», se janë njerëz «të besueshëm», se janë edhe në vende ku u ecën fjala dhe ku u punon dora.

Një faktor tjetër është një opinion kaherë i lodhur e në përgjumje, i cili nuk po tregon ndonjë shenjë përshkundjeje për të bërë një përdallim në mes SHMS-ve dhe idealistëve që janë në përballje të vazhdueshme.

Prandaj thellimi i përdallimit është i domosdoshëm, sepse do të krijojë një opinion kritik, nëpër shikimin dhe vlerësimin e të cilit do të rrezatohen sjelljet, veprimet dhe vendimet e budave të ndryshëm politikë, që po ushqejnë njëri-tjetrin në mungesë të një klase politike të mirëfilltë e të përgjegjshme për udhëkryqet dhe sfidat me të cilët Kosova dhe jo vetëm ajo do të përballet në vitet që po vijnë.

Është fjala për një proces të dekontaminimit, i cili do të jetë i gjatë, i dhimbshëm dhe dërrmues, sepse aktualisht SHMS-të do të kenë në anën e tyre jo vetëm shtetin serb, por edhe disa faktorë rëndësorë ndërkombëtar që kanë nevojë për lyftyra e për toja, me të cilat thuret e lidhet më lehtë.

Në këtë përdallim a dekontaminim rol parësor mund dhe duhet të luajnë mediat përgjithësisht e veçmas gazetarët profesionistë e me dinjitet, duke pastruar në radhë të parë oborrin e vet, në të cilin harbojnë me helm e me thika në dorë eskadronet e zeza të shms-ve.

Shkrimi ështèe botuar në Revistën Pasqyra në vitin 2002.  Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*