Si u bëra Albinist…

Shkruan:
Feim Tahirsylaj

Për Albinin nuk kisha dëgjuar deri në demonstratën studentore kundër regjimit okupues serb. Ishte kjo dita e 1 tetorit 1997. Një ditë më parë, në gazetën Rilindja, kishim bërë planin operativ për ngjarjen e paralajmëruar. Të gjithë gazetarët do të angazhoheshin në përcjellje të demonstratës. Nga lagjja e Velanisë (prej ku do të niste marshimi protestues i studentëve), e deri në qendër te Grandi, do të mbuloheshin me gazetarë të gjitha rrugët e rrugicat e Kryeqytetit, çdo cep e çdo skutë. Aq dendur sa mos të na shpëtonte nga syri as më i vogli detaj.

Të gjitha demonstratat e deriatëhershme, regjimi okupues i Millosheviqit i kishte shtypur me dhunë e përgjakje masive. E dinim se do të kishte prangosje e dhunë policore të përmasave shfrenuese, por nuk mund të dinim sa varre shqiptarësh do të hapeshin të nesërmen e asaj dite?

Velani, 1 tetor 1997. Ditë e ftohtë. Qetësi para furtunës. Në ballë të turmës së stërmadhe studentore, përkrah rektorit historik, Ejup Statovci, shquhej në këmishë të bardhë një djalosh simpatik e flokëgjatë. Kaçurrelat e tij mund t’i krahasoje me ato të legjendës së reggaes, Bob Marley, por mua, nuk e di pse, gjithnjë më ngjante në Çerçiz Topullin.

Përballë turmës qëndronte në gatishmëri policia serbe, me autoblinda dhe e armatosur deri në dhëmbë. Kur turma nisi marshimin, filloi pa paralajmërim vërsulja brutale e policisë. Sakaq, disa policë në rroba civile, mbërthyen për flokësh djaloshin me flokët kaçurrela. Më vonë mësova se ai quhej Albin Kurti, student shembullor. Ato pamje morën dhenë…

Dikur nga mesdita, policia serbe, me tërë egërsinë e saj, arriti të shpërndante edhe grupet më të vogla të studentëve protestuesë. Aty-këtu vëreheshin gëzhoja plumbash dhe gjurmë gjaku nëpër asfalt. Bilanci: dhjetëra të arrestuar e qindëra të rrahur dhe përgjakur nga forcat policore serbe. Vetëm varre, për fat, s’u hapën të nesërmen e 1 tetorit 1997. Megjithatë, ishte kjo dita që shënoi edhe kthesën vendimtare të rezistencës sonë aktive për liri e pavarësi…

Lufta nisi pak muaj më vonë. E, në ndërkohë, djaloshi kaçurrel ishte caktuar zëdhënës i Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, z.Adem Demaçi. Të jesh pjesë e UÇK-së mjedis Prishtine, mu para hundëve të okupatorit, ishte më me rrezik se sa të ishe maleve me kallash. Sepse, si ushtar i armatosur, o e vrisje armikun o të vriste. E në Zyrën e UÇK-së, si i paarmatosur, vetëm mund të të vrisnin, rrugë për mbrojtje s’kishe. Por me Albinin, një djalë i mençur e trim, ishte guximi – guximi përtej guximit!

Dhe ky guxim i kushtoi me prangosje kur, më 24 prill 1999, policia serbe e arrestoi. Ai u dërgua në Serbi dhe u dënua me 15 vjet burg. “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviqit, që e ka mbajtur Kosovën nën okupim. Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më ipej rasti do të veproja sërish njësoj”, do të deklaronte, mes tjerash, Albini në gjykatore.

Albini dhe mijëra shqiptarë, në fakt, ishin pengje lufte të rrëmbyer gjithandej Kosovës nga agresorët serbë, që me tërë arsenalin e dhunës dhe terrorit po përpiqeshin të zhduknin nga faqja e dheut popullin tonë.

Derisa Albini vazhdonte të mbahej në burgjet serbe, në një intervistë për Rilindjen, Enveri dhe Isaku, të sapo liruar, do të më rrëfenin: “Kemi qenë në një dhomë me Albinin. Kur na vizitoi ministri serb Jovanoviq, Albini i tha prerazi: ‘Unë kurrë nuk do të kërkoj amnisti nga krimineli Millosheviq’. Për këtë deklaratë, Albini u torturua për vdekje në burgun e Sremit. Është fat i madh që kemi një djalë të tillë me aftësi e trimëri mbinjerëzore”.

Me kapitullimin e Serbisë, pas presionit ndërkombëtar, nisi lirimi i pengjeve nga burgjet serbe. Ndër të fundit që u liruan, më 7 dhjetor 2001, ishte edhe Albin Kurti. Kjo ishte dita e parë që Albini po e përjetonte lirinë në Kosovën e çliruar.

Por gëzimi i tij do të kthehej në zhgënjim sapo të ndeshej me surrogatët e lirisë dhe demokracisë, në një shtet të cunguar – as mish as peshk. Prandaj djaloshi kaçurrel, që dje kishte zgjedhur të vdiste në këmbë, asesi nuk do të pajtohej që sot të jetonte në gjunjë. Në ndërkohë Albini me një grusht shokësh, pasi do të themelonte Lëvizjen Vetëvendosje, do të riniste rrugëtimin drejt lirisë së plotë, shtetit të plotë, demokracisë së plotë.

Rruga ishte me therra, dhembje e gjak. Në protestën e 10 shkurtit 2007, mbajtur në Prishtinë, do të vriteshin nga plumbat e policëve rumunë të UNMIK-ut aktivistët e Vetëvendosjes, Mon Balaj e Arben Xheladini, si dhe do të plagoseshin dhjetëra protestuesë paqësorë. Disa nga ta edhe sot e asaj dite vuajnë pasojat e plagëve, ndërkohë që asnjëri nga vrasësit nuk u hetua, gjykua apo dënua. Përkundrazi, në një proces të montuar politik, qe dënuar padrejtësisht kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai vuajti 5 muaj burg dhe 5 muaj arrest shtëpiak.

Protesta paqësore e 10 shkurtit qe organizuar për të kundërshtuar Planin e Ahtisarit, sipas të cilit mbi 90% e popullatës shqiptare do të diskriminohej nga pakicat me të drejta të dyfishta, në shkëmbim të një shteti jofunksional multietnik. Më thuani një shembull të një shteti multietnik me nën 10% popullatë pakicë? Kot shpalosni hartat e botës, nuk ekziston!

Pikërisht për këtë kundërshti me mjete demomkratike, Albini po vuante burgun dhe po përndiqej e demonizohej politikisht nga një konglomerat sunduesish ndërkombëtarë e vendorë të cilët, në emër të çlirimit, i kishin ngulur thikën në gjoks lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës. E varret e Arbenit dhe Monit ende ishin të njoma…

Unë banoja përballë ndërtesës ku banonte Albini. Nga dritarja e dhomës sime mund të shihja hyrjen që çonte në banesën e tij. Për pesë muaj rresht, para asaj hyrjeje bënte rojë një veturë e bardhë policie me dy policë përbrenda. Vetura qëndronte në të njëjtin vend dhe e ndezur 24 orë, vetëm policët ndërroheshin. Fillimisht nisa t’i kalkuloja shpenzimet e karburanteve, të cilat do të paguheshin nga taksat e një populli të varfër që mezi arrinte të mbijetonte. Pastaj, nuk më linte të qetë as mllefi i grumbulluar në mua, kur kujtoja sa padrejtësisht po mbahej në burg një djalosh aq atdhetar e luftëtar për liri, drejtësi, barazi, demokraci e mevetësi. Pra, përderisa i tërë aparati shtetëror ndërkombëtar e vendor ishte turrur papërmbajtshëm kundër një zëri kundërshtues, kriminelët serbë, që kishin kryer gjenocid mbi shqiptarët shëtisnin të lirë nëpër Kosovë, madje edhe livadhisnin nëpër institucionet surrogate të Republikës!

Në anën tjetër, propaganda e egër mediale, me urdhërat e sundimtarëve, po bënte argatin e djallit për t’i diskredituar kauzat e Vetëvendosjes. Por kjo nuk mund të bëhej pa e izoluar, diskredituar politikisht dhe linçuar publikisht ideologun dhe liderin e saj, Albin Kurtin. Madje, shpifjet e medieve të dirigjuara, shkonin aq larg sa përpiqeshin t’i ndërlidhnin disi fijet e kauzave të Lëvizjes me Beogradin e Moskën. E, deri të gënjeshtra tragjikomike se si kinse “Albini me ca rrugeçër po dëshirojnë të na fusin në luftë me krejt botën”.

E pranoj se, edhe si një vëzhgues, i kam vuajtur shpirtërisht ato padrejtësi kundrejt Albinit dhe Lëvizjes, njëjtë sikur të kisha qenë pjesë e tyre. Me net të tëra nuk kam futur gjumë në sy, kur shihja nga dritarja ime veturën e policisë para banesës së Albinit, kur shihja botën e lirë përreth e brenda asaj bote kinse të lirë mohimin e lirisë së tjetrit. “Unë jam në arrest shtëpiak, por e gjithë Kosova është bërë si një burg i madh”, do të na grishte ndërgjegjën vetë Albini!

Dhe erdhi dita, pra, kur zëri i ndërgjegjës më tha se s’mund të qëndroja edhe më tutje indiferent. Duhej të bëja dhe unë diçka kundruall atij realiteti të përmbysur. Ndaj zgjodha, ndoshta atë më racionalen, t’ia shtoja një përkrahës Albinit dhe kauzave të tij të drejta. Ashtu edhe ndodhi. E ditëve në vazhdim, pika-pika u bëmë lumë, det, oqean…

Ishin padrejtësia, nëpërkëmbja, diskriminimi, varfëria, pabarazia, krimi, korrupsioni, paliria e pashtetësia, të shkaktuara nga të tjerët, që më bashkuan me Albinin. Asnjëherë nuk u pendova përse u bëra Albinist, sepse asnjëherë deri më sot nuk më ka zhgënjyer. Duke i njohur karakterin, moralin, sinqeritetin, sakrificat, shpirtin sublim, çiltërsinë, mençurinë, diturinë, këmbëngulësinë, vizionin, parimet, kombëtarizmin dhe atdhedashurinë – nuk besoj që do të më zhgënjejë ndonjëherë.

Albin, ti e nise rrugën e lirisë më 1 tetor 1997 dhe u riktheve ngadhënjyes më 6 tetor 2019. Vazhdo përpara. Maksima jote është edhe e jona: Vendin tonë nuk mund ta duan të tjerët më shumë se ne. Dhe, kurrë mos e harro atë thënien antologjike: “Kur populli ka frikë nga qeveria, është tirani. Kur qeveria ka frikë nga populli, është liri”!

NA PRIFTË E MBARA, Kryeministri im!

Burim: https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2522446571355077&id=100007692768821

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*