TË GJITHË, I MADH E I VOGËL, JEMI ME JU!

Shkruan:
Xhafer Shatri

Barra kryesore e përballjes me Serbinë ka rënë mbi supet e pjesëtarëve të policisë së Kosovës.

Dje, tre prej tyre, derisa ishin në krye të detyrës, u kidnapuan nga njësitë terroriste të shtetit serb. Mbrojtësit e kufirit tonë, u kidnapuan nga pjesëtarët e atyre njësive që e kanë përgjakur Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën; u kidnapuan nga tipa që janë edukuar me frymën e Legisë me shokë, që kanë vrarë civil, që kanë përdhunuar gra dhe kanë masakruar fëmijë.

Këta kriminelë e kanë përgatitur kidnapimin tash disa javë rresht dhe në një moment e bënë të vetën. Ky është një akt hakmarrës e qyqar i Vuçiqit, ish-ministrit të Millosheviqit dhe kumbarës së Sheshelit.

Prandaj kidnapimi i djeshëm, nuk duhet ta cënojë as moralin, as krenarinë e as dinjitetin e Shërbimit Policor të Kosovës. Policët e kidnapuar ishin duke mbrojtur kufirin nga trafikantë, pjesëtarë të krimit të organizuar dhe ranë në pritën e njësive speciale të ushtrisë serbe, që ishin futur brenda kufirit të Kosovës.

Ky akt terrorist duhet të jetë edhe një motiv më shumë që të rritet numri i njësive të policisë speciale të Kosovës, që i tërë Shërbimi të trajnohet e të pajiset me armatimin më modern, që pagat e tyre të jenë meritore e në përputhje me rrreziqet me të cilat ata përballen 24 orë në ditë dhe në çdo cep të Kosovës.

Të gjithë ata trushpërlarë që në këto ditë të vështira përpiqen ta fajësojnë apo ta denigrojnë Shërbimin Policor të Kosovës, me ose pa vetëdije, bëjnë punën e pistë të kolonës së pestë.

Dje, sot, nesër dhe përgjithmonë Shërbimi Policor i Kosovës është dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të shtetit tonë, të cilin e krijuam me shumë sakrifica dhe jemi të gatshëm ta mbrojmë me çdo kusht e me çdo çmim.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*