Vaje për Vëllaun e Njeriun që nuk është më

Malush Shatri

2 gusht 1950 – 19 shtator 2007

Shkruan:
Xhafer Shatri

Sot u bënë 12 vjet që nuk je më në këtë botë të padrejtë dhe më duket se ke ikur mbrëmë pas një përballjeje të pabarabartë me sëmundjen e tmershme.

12 vjet  dhe boshllëku që le me ikjen tënde është gjithandej i pranishëm dhe krejt e mizorisht i paprekshëm: në familje, në shtëpi, në oborr, në rrugë, në fshat e kudo në rrethinë.

Cilin kujtim për ty ta rëndis të parin e cilin të fundit në këtë vaje?

Nuk e di, sepse janë aq shumë sa që nuk ka laps që u del në skaj…

 a. Sa herë nisem me shku në shpi, me e gëzu atë Nanë, qe një jetë të tërë me pret me aq duresë në votër, fakti se nuk je më ma vret gëzimin.

Edhe pse e di se nuk je më në këtë botë, megjithatë sytë e mi, krejt trupi, të kërkojnë gjithandej në shtëpi, në oborr, në sokak… dhe vetëm pastaj, pasi ta ketë pushtuar terri Tokën, sepse dua të jemi vetëm, këmbët më çojnë te Varri yt, për ta bërë një ndejë bashkë: Ti, unë dhe Nata. Sepse vetëm kështu mund të flas me Ty dhe mund të t’i them fjalët që kurrë nuk t’i kam thënë për të gjallë…

 b. Ngado që kam bredhur në burgimet dhe arratisjet e pafund më ke munguar shumë, më është dukur se jam pa krah, se jam pa gjysmën time.

Nuk ka ditë që nuk i kam kujtuar e nuk i kujtoj hjekat tua, sakrificat mbinjerëzore dhe përkushtimin tënd lapidar për Familjen, për Lirinë e për Atdheun.

Më kujtohet si sot vizita jote në Burgun Qendror në Beograd, këtu e 42 vjet më parë kur na e ndërpren vizitën, për të cilën ti i kishe bërë vajtje-ardhje 1200 km, sepse nuk pranuam të komunikojmë me njëri tjetrin serbisht dhe kur, në ndarje, u morëm ngryk më the në vesh:

Për prapavijë mos ke merak, fronti të takon ta mbajsh vetë. Të gjithë, i madh e i vogël jemi me ty…

U ktheva ne qelinë e zezë tuj fluturu.

Sa herë që jam ngushtu’, sa herë është dashur t’u bi rrugëve trup dhe t’i hapi edhe me gjoks, ishin edhe fjalët tua që më jepnin forcë…

Kur e mendoj hollë e hollë bindem se po të mos ishte siguria se familja nuk do të mbetej keq për asgjë derisa të jesh Ti, Baci Lok, e Baci Nuz, ndoshta nuk do të mund të shkoja aq larg me idealizmin e qashtër, deri në marrëzi, të gjeneratës tonë për ta bërë të prekshme Endërrën e Lirisë.

c.Këtu e 55 vjet më parë, në një vjeshtë të vonë, kishe mbetur vetëm në bjeshkë me mbi 120 dele, e ende nuk i kishe 15 vjetë… Posa dola nga shkolla, i pashë bjeshkët ishin bërë sterrë nga retë dhe fërfllaza, e mora do bukë në strajcë dhe u nisa përpjetë. Ma mori mendja se ti duhet të kesh zbritur te bjeshkët e ulëta, në Livadhe të Istogut… Nuk kisha gabuar. Kur dola në Qafë, i ndëgjova kumontë e dhenëve tona… Kishte rënë borë deri në gju… U nisa drejt zërit të trokaçve dhe, kur u afrova, i pashë dhentë në një gropë, ti ishe pranë tyre ndërsa mbi ty, në një shkëmbë kishte hipur Jovan Desha (apo Besha, nuk më kujtohet mirë), një serb i vjetër, që mund të ishte gjyshi ynë, dhe, duke mbajtur dy gurë në duar, t’i shante me nënë e me baba:

Pse ke lshu ovce livadhi jemja, qifsha nona…

Ndërsa ti me gjuhën brisk ia ktheje:

Apo të dhimbet bora që po e shkelin a, po unë kalimtar jam?

Pasi e gjuajti gurin e parë drejt teje, që memzi e evitove…, e nxore nga xhepi bombën  e kuqe italiane dhe i the:

Apo largohesh fill sa nuk ta kam gjuejt qet bume në gjyks e me ta q… nanën e me të ba blozhdë…?

Po shkoj milicia, tha Jovani duke ikur me hapa të shpejtë.

U ndeshëm ballë për ballë, nuk më mbeti tjetër veçse t’i them:

Shko në milici e ku të duash, por mos harro se desh e mbyte një fëmijë, ne ta dijmë shtëpinë…

Iku duke folur vetë më vete.

ç. Më 28 prill 1974, shkuam të dy bashkë me Nurien për ta mbjellur arën buzë Lumit. Ti i ngisje kuajt me pllug, motra e shpërndante farën në hulli, ndërsa unë plehun kimik. Pa i bërë 10 hulli, m’u kujtua se jo të nesërmen, por mu atë ditë, e kisha lënë një takim te dera e spitalit në Prishtinë me një pjesëtar të ilegales. Ishte takimi i parë. Më erdhi aq keq që iu lash vetëm dhe, pa mundur të ta shpjegoj shkakun e vërtetë, u nisa me gjysmë shpirti për Prishtinë…

Kur shkova në takim, ai herifi nuk doli fare. Edhe më vonë kur kam pasur ndonjë punë me të, gati asnjëherë nuk më ka dalur në fjalë. Kur e kujtoj këtë rast, nuk ia fali vetës që të lash në baltë për t’i dal në fjalë një bërllogpatrioti… Keqsjelljen e këtij dallaverxhie, gjithnjë e kam marrë si ndëshkim të meritueshëm që iu lash atë ditë pranvere vetëm…

 d. Moshatari dhe vëllau ynë i përbashkët Qazim Neziri, më ka treguar se pas arrestimit tonë (Meta dhe unë), kishte qëlluar në Xhigana dhe ndien zhurmë te ara jonë, në Kuqishtë. Afrohet buzë gardhit dhe, i fshehur pas një shelgjeje, i sheh një truç policë e udbashë që të kishin rrethuar dhe kërkonin prej teje të rrëmihësh aty këtu nëpër mexhë dhe nëpër arë. Dikush thoshte më vonë se kërkonin një radiostacion, ndërsa të tjerët, shaptilograf… Por ajo që më bëri përshtypje ishte si ua kishe gjuajtur kacinë të këmbët dhe u kishe thënë: unë e kam pasë për detyrë me e mbjellë dhe e kam kryer detyrën time, ju po doni me e çmbjellë arën, unë punën e juve nuk e bëj, sepse nuk paguhem për atë punë…

E kërcënuan keq dhe ai, pa iu dridh syni u tha:

Pasha Zotin, edhe kryet me ma këputë nuk rrëmihi për juve… dhe u nis me shku në shtëpi…

Atëherë i urdhëruan policët me uniformë që të vazhdojnë me mihje. E patën bërë arën ibret…

 e.  Ti as me mend nuk ke mundur ta marrësh se çfarë boshllëku humneror ke lënë në familje.

Na mungon shumë dhe përgjithmonë.

Më mungon gjithmonë një ecje në heshtje pranë teje.

Më mungon humori yt që i bënte të qeshin edhe drunjtë.

çka me të kujtu Ty tjetër në këtë përvjetor?

Së pari qëndresën  tënde të heshtur dhe paroditë e panumërta në llogari të atyre që ishin vënë në shërbim të Serbisë;

Punën e rëndë e të parreshtur për ta rimëkëmbur familjen në vitet e gjata të presionit të pushtuesve dhe legenëve shqiptarë…

Gatishmëria e përhershme për ta ndihmuar çdo njeri në nevojë;

 f. Një nga padrejtësitë më të mëdha në këtë botë të rrejshme më duken vdekjet e hershme të njerëzve të mirë, të njerëzve me kurriz, të njerëzve që rrezatojnë vlera, ndërkohë që rrnojnë gjatë, sa korbi i zi, disa që nuk kanë asnjë vlerë, që e kanë shpirtin pleh, që e ndotin, jo vetem mjedisin ku rrijnë e gjëllojnë, por edhe rrugën kah ecin…

E ti nuk je me ne qe 12 vjet, qe 12 shekuj të errët.

Ti që e doje jetën aq shumë dhe vështirësitë e saj të paunmërta i tejkaloje me humor e optimizëm madje edhe në momentet kur njeriut i luante edhe tepja e kresë prej gazepit…

Në këtë botë të rrejshme ka aq pak drejtësi.

Prehu në Tokën që të ka rritë se, ndoshta, plagët e shumta që t’i dha jeta mizore nuk të dhëmbin më.

Vetëm një gjë më ngushëllon në këtë përvjetor të trishtë: e ke parë të realizuar ëndërrën tonë të përbashkët, Kosovën e lirë dhe nuk të shoh duke u përpjekur ta mundësh agoninë e dhembjet e padurueshme që t’i shkaktonte sëmundja e pabesë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code