Ves-elizmi

Shkruan:
Arben Idrizi

Termi «ves» është dimunitiv i mbiemrit Veseli. Jo në përgjithësi, jo si rregull. Pra, po i referohemi një personi të caktuar, në një kohë të caktuar, për arsye të caktuara

Kadri Veseli sot është, fatkeqësisht, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, njërës prej partive më të mëdha politike në vend. Porse, nesër askush s‘do ta kujtojë (nuk mund të ishte ndryshe) veçse si ish shefi i ShIK-ut, një shërbimi sekret partiak. Pavarësisht kësaj (a janë, tekembramja, të dënueshme paragjykimet?), çuditërisht ai është parë nga një pjesë e opinionit si një person i pajisur me dhunti të rralla, posaçërisht me atë të dinakut, inteligjentit, e të tjera. E vërteta është se nuk i ka asnjërën, asgjë nga këto. Më shumë, duket t’i ketë tiparet e tjera, të kundërta, të karakterit, të cilat nuk e bëjnë të pranueshëm, të çmueshëm a të adhurueshëm, përkundrazi. Ka dyshime të pafundme se organizata e tij, në fund të fundit, nuk ishte tjetër pos një bande kriminale. Rrjedhimisht, për të qenë në krye të saj atij nuk i duhej as dinakëri as inteligjencë, të paktën jo në kuptim të mirë të fjalës. Për t’i rënë shkurt, i duhej mbi të gjitha të qenit i mbrapshtë. Dhe ai ishte dhe është i tillë, sa të duash.

Sidoqoftë, mosballafaqimi i drejtpërdrejtë me opinionin, të mosqenit i vënë në dyshim, i kritikuar dhe të qenit në prapaskenë gjithherë të jep një përparësi. Thënë me humor të rëndomtë, prapaskena është gjysmëdritë, do të thotë as tiparet e fytyrës nuk të dallohen qartë. Mund të dukesh, figurativisht, më i ri, më tërheqës, më simpatik. Mund të bësh, pak a shumë, të dukesh i tillë. Derisa të përhapet drita dhe të shihet gjithçka ashtu siç është. E ndonjëherë, natyrisht, edhe kur ka dritë, dikush zgjedh të mos shohë.

Mund të ketë pasur qysh nga fillimi momente të së vërtetës, pra kur ai është parë në dritë. Për një pjesë të caktuar të opinionit dhe për rivalët e tij politikë. Megjithatë, rivalët e tij politikë janë munduar që t’i përdorin dyshimet dhe të vërtetat rreth tij thjesht dhe vetëm në të mirë të veten; në një të mirë të përkohshme të veten, në momente të caktuara, në kohë fushatash zgjedhore, ose pas zënkash personale. Kjo ka bërë që, pra, të dëmtohet e mira e përbashkët; të zhvlerësohet e vërteta. Është e vështirë të ketë shfajësim për këtë.

Duhej të kishte iniciativa dhe këmbëngulje për hetimin e tij dhe të Shërbimit të tij, por ato kurrë nuk shkuan përtej fjalëve. Përtej fjalëve që kishin për qëllim, siç e pamë, vetëm sulmin ndaj tij, në momente të caktuara, për qëllime të caktuara, personale, partiake.

Dua t’i rikthej në vëmendje ngjarjet e fundit, përplasjet e tij me Gazetën Express, për shembull, të cilat, gjithsesi e nxorën lakuriq, ashtu siç është. Do të thotë, një person që kur nuk i pëlqen një gjë (e vërtetë) që thuhet a mendohet për të, kundërpërgjigjet menjëherë me kërcënime, sharje e fyerje. Ashtu siç kundërpërgjigjen përherë banditët, keqbërësit e rëndomtë. Pa maturi, pa dinakëri, pa inteligjencë. Duke u lëshuar këmbë e krye tek instinkti, reagimi i parë dhe i mbramë i atij që veç arsyen nuk e përdor.

Veseli është demagog në nivelin më banal dhe qesharak. Në arsyetim të këtij konstatimi mund ta risjell në kujtesë qëndrimin e tij në Kuvendin e Kosovës, kur ka përplasje mes deputetëve. Ai pretendon të jetë sipër; por ai është zoti i mbrapshtë që ndien kënaqësi të paanë t’i shohë vartësit të përleshen. Në fund i duhet të tregojë autoritetin e hyjnisë qetësuese, hyjnisë që ndalon dhe pajton, hyjnisë palaço që i eksituar nga e keqja thirret te parimet: «Turp o, turp o!» (na nevojitet pak tautologji: turp është, turp është); se po i shohin të gjithë, janë para syve të popullit dhe populli, për të cilin ai gjoja se kujdeset, nuk e meriton një shfaqje të tillë. Por, e dimë, nëse ndonjë zë i thotë drejtpërdrejt dhe papritur atij një gjë që ai s’ka urtësinë, dua të them dëshirën, ta përpijë, ulërin menjëherë, se nuk di ndryshe: «Ma hëngsh…». Pra, nuk ka turp më, as për të, mund ta përdorë gjithë arsenalin më rrugor të mundshëm të sharjeve dhe fyerjeve, para veshëve dhe syve të popullit, për të mos ia lënë tjetrit të veten.

Veseli ka pra një pafytyrësi këmbëngulëse për të përdorur klishe, për t’u shtirur i urtë dhe mirëkuptues, i afërt dhe tolerant, por njëkohësisht edhe për t’ua treguar vendin të tjerëve, atyre që nuk i a njohin meritat, që nuk e duan atdheun, që nuk veprojnë drejt, sipas kutit të tij.

Janë të famshme fjalitë e tij klishe, në parafrazim, përmes të cilave nuk dëshiron ta sigurojë askënd për asgjë, por ta katapultojë veten në altarin e hyjnisë mbrojtëse: «A po shihni me serbë këtu? Jo, i kam larguar unë».

Ai shtiret të jetë zgjidhësi i të gjitha problemeve (por, problemet janë vetëm të tijat, përkatësisht problemi është vetëm dhe ai vetë). Sidomos kur është i mbështetur fort për muri pas akuzave të rënda që do të mund ta çonin në të ftohtë. Për shembull, atij menjëherë i kujtohet ta tronditë opinionin me premtimin se do ta themelojë, njëzet vjet pas luftës, një tribunal ndërkombëtar për gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe. Edhe kur ai e di me mirë se ne se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë kurrë. Apo se do të ndikojë ta përshpejtojë gjykimin e veteranëve të rremë. Edhe kur ai e di se parimisht ai nuk guxon ta ushtrojë një ndikim të tillë. Dhe, në të vërtetë, njëri prej fajtorëve kryesorë për fryrjen e listave të veteranëve është pikërisht ai, ai vetë; dhe shokët e tij të luftës e të partisë.

Them se karakterin e tij e pasqyrojnë bukur mirë sidomos/edhe skandalet e fundit me disa biseda telefonike të disa personave që zhvatin para në emër të tij. Mund të jetë se ai nuk kishte asnjë dijeni për këtë. Porse, një mënyrë e tillë e veprimit është në përputhje të plotë me ves-elizmin. Shokët e tij, vartësit e tij, mund të përfitojnë/zhvatin në emër të tij, atë që tashmë nuk e ka përfituar/zhvatur ai vetë. Derisa nuk e merr vesh opinioni. Mund të zhvatin, mund të kërcënojnë, mund bëjnë çdo të zezë të mundshme. Siç kanë bërë. Sepse, thotë maksima e krimit ves-elian, ata e kanë larguar Serbinë nga këtu, tash meritojnë ta plaçkitin vendin, pra t’i bëjnë pothuajse edhe të gjitha të zezat që i ka bërë regjimi serb.

Veseli është mishërim i vesit.

Termi «ves» është dimunitiv i mbiemrit Veseli. Jo në përgjithësi, jo si rregull. Pra, po i referohemi një personi të caktuar, në një kohë të caktuar, për arsye të caktuara. Një lojë fjalësh, megjithatë, pre e së cilës mund të biem të gjithë.

Burim: https://www.gazetaexpress.com/ves-elizmi/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*