A duhet Kosova ta njohë Serbinë ?

Shkruan:
Çedomir Petroviç

“Është e pamundur t’i shtypësh Arnautët (shqiptarët, v.j.) vetëm me kolonizim gradual…., mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm është forca brutale e një qeverie të organizuar shtetërore, në të cilën gjë ne kemi qenë gjithmonë mbi ta… Mund të mbijetojë vetëm ai vend që është i banuar nga populli i tij.”

Në nënshkrim nuk ka Hitler, Gebels dhe të tjerë nga rruga e tyre ku banojnë.

“Dëbimi i Arnautëve”, është një Memorandum i shkruar në vitin 1937 nga Vaso Çubriloviç, asistent profesor në Fakultetin Filozofik në Beograd, i publikuar nga Klubi Kulturor Serb, i cili (klubi) në atë kohë drejtohej nga Slobodan Jovanoviç dhe Dragisha Vasiq.

Teksti konsiderohet si një nga dokumentet themelore të ideologjisë së Serbisë së Madhe të shekullit XX, i cili rendit idetë që autoritetet serbe i përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve, myslimanëve dhe kroatëve.

Krimet kundër shqiptarëve u kryen gjithashtu gjatë luftërave Ballkanike, nga forcat ushtarake dhe policore të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. U vranë 120,000 shqiptarë te të dy gjinive dhe te të gjitha moshave.

Qeveria e Milan Stojadinoviçit nuk mundi ta zbatojë Memorandumin. Arsyeja, fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe shembja e Mbretërisë së Jugosllavisë.

Komunistët do të refuzojnë të turpëruar idetë e Vasa Çubriloviçit, por Millosheviçi do të pranojë me dy duar planin (e tij) për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova me 1999, i quajtur operacioni “Patkua”.

Ky plan do të përfshijë një fushatë brutale, masive të spastrimit etnik, të kryer nga forcat serbe në Kosovë gjatë konflikteve të vitit 1998 dhe 1999.

Sipas Çubriloviçit, kolonistëve duhet t’u ndahen armë dhe t’i shtyjmë në konflikt të drejtpërdrejtë midis malazezëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Në mesin e popullit shqiptar është dashur me sjellë trazira dhe frikë. Me kërcënime ose me të holla duhet me i detyruar që të largohen.

Futjen e gjobave të mëdha, në një jetë tashmë të vështirë dhe të varfër, prerja e pyjeve, vrasja e qenve, duke i detyruar të punojnë me zor.

Grumbullimi i pamëshirshëm i taksave, konfiskimi i kullotave shtetërore dhe komunale. Çubriloviç, gjithashtu sugjeron presion mbi fenë, poshtërim të klerikëve, gërmimin e varrezave, ndalimin e poligamisë. Djegia e fshehtë e fshatrave dhe lagjeve shqiptare nëpër qytete.

Vasa Çubriloviç, akademik, historian, ministër i dyfishtë, profesor universiteti, fitues i çmimeve të Tetorit dhe 7 korrikut, anëtar i organizatës revolucionare “Bosnja e Re” dhe pjesëmarrës në atentat, u bë njëri nga krijuesit përfundimtarë të lindjes së Serbisë “Mbinjerëzore” (hyjnore, v.j.).

Ky nuk do jetë “Mbi-njeriu” i Niçes. Ky do jetë (njeri v.j.) i keqpërdorur, i rremë, i Hitlerit. I cili do të vijë në krye të Gjermanisë, si dhe të Serbisë tonë.

Rreth 10. 000 shqiptare dhe shqiptarë të Kosovës u vranë në ata tre muaj të përgjakshëm dhe të çmendurisë me 1999.

Ushtria dhe policia e RFJ-së së atëhershme, nën kontrollin e udhëheqjes së shtetit, dëbuan mbi 850,000 shqiptarë të Kosovës nga Kosova.

Kur ata largoheshin nga vendi, autoritetet kufitare ua konfiskonin dokumentet personale si dhe provat tjera të shtetësisë qytetarëve të dëbuar, duke ua fshirë sistematikisht identitetin e tyre.

Millosheviç urdhëroi që të gjithë kufomat në Kosovë që mund të ishin me interes për gjykatën e Hagës, duhet të tërhiqen.

Gjatë viteve 1998 dhe 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen shkatërrime të mëdha, masakra, zjarr-vënie, helmime pusesh, përdhunime, grabitje, vrasje të civilëve…

Krimi më i tmerrshëm, të cilin një mendje e shëndoshë njerëzore nuk mund ta pranojë, u krye me 1998 (mars, v.j.) në Prekaz, në zonën e Drenicës.

Forcat e mëdha të policisë ushtarake serbe, të armatosura me tanke, armë vetëlëvizëse dhe artileri, rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe për tre ditë e tre net qëlluan pa dallim ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve dhe civilëve të tjerë.

Helikopterët dhe automjetet ushtarake goditën çatitë e fshatit me breshëri dhe më pas forcat e policisë hynë në fshat, duke qëlluar me zjarr mbi shtëpitë.

Forcat serbe të sigurisë, me ndihmën e ushtrisë serbe, likuiduan 56 anëtarë të familjes së Adem Jasharit. Midis tyre janë 18 gra dhe 10 fëmijë. Fara e tyre u shkatërrua dhe gjenocidi u krye kundër një familjeje.

Pas gjitha këtyre krimeve monstruoze, imazhet e të cilëve mund të krahasohen me imazhet e krimeve fashiste nga Lufta e Dytë Botërore…, a duhet Republika e Kosovës, në fund të fundit, ta njohë Republikën e Serbisë?

Çdo kafshë dhe çdo njeri në këtë botë të trishtuar ka të drejtë ta mbrojë veten kur dikush e sulmon atë. Ashtu sikur populli i çdo vendi, apo ata duhej të prisnin për t’u vrarë, deri në njeriun e fundit..!?

Shumë shqiptarë që ishin përkrahës të politikës jo të dhunës, pas krimeve kundër familjes Jashari, iu kthyen rezistencës së armatosur.

Një numër i madh i oficerëve të policisë që morën pjesë në aksione kundër shqiptarëve në Kosovë, ende në Serbi konsiderohen heronj të luftës.

Hetimi në Serbi është i ngadaltë sepse shumë janë larguar nga vendi dhe disa prej kryesve të krimeve akoma janë në radhët e policisë.

Duhet të tregohet rrëfimi, një rrëfim i vërtetë, për krimet e pakuptimta të një kombi kundër një tjetri dhe kundër vetes së tij.

Serbët vranë edhe serbë.

Dy sulmues të maskuar, të veshur me uniforma të zeza me shenja të UÇK-së, hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe vranë me armë automatike gjashtë të rinj të nacionalitetit serb. Kjo ndodhi 22 vjet më parë. Masakra u organizua nga Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Serbisë.

Sepse, ishte e nevojshme që UÇK-ja të paraqitej para publikut ndërkombëtar si një organizatë terroriste që të justifikoheshin aksionet e forcave serbe në territorin e Kosovës.

“Unë kam besuar në vendin tim, në Serbinë, që luftëtarët e saj janë të drejtë, por duket se ajo krijoi (ushtarë, v.j.) monstra që ishin në gjendje të sakrifikonin fëmijë të pafajshëm. Ata mbollën urrejtje. Nuk e di se si është e mundur që Serbia të lindë monstra të tilla. Çfarë janë trutë e tilla !?

Milena, nëna e njërit prej të rinjve të vrarë, shqipton fjalë tronditëse.

Në afërsi të vendit të ngjarjes nuk kishte asnjë shqiptar, por vetëm forcat ushtarake dhe policore serbe.

Ata vranë Oliver Ivanoviqin. Dhunshëm. Nga prapa shpinës. Kështu vrasin vetëm frikacakët më të mëdhenj.

Dhe vdekja flet në heshtje … Të gjitha gjurmët e vrasësve dhe ideatorëve çojnë në Beograd.

Dhe, kush e dinë edhe sa mizori të tjera janë kryer nga ushtria dhe policia serbe, të maskuar me uniformat e UÇK-së?

Kërkoj falje për të gjitha mëkatet e popullit tim të bëra kundër popullit shqiptar.

Dhe ne do t’i falim mëkatet e tyre.

Dhe, le të vijnë në Kosovë ata serbë që nuk kanë kryer krime dhe le t’iu dëshirojnë fqinjëve të parë (shqiptarëve, v.j.) një jetë të lumtur dhe të pavarur në Republikën e tyre të Kosovës.

Ne dëshirojmë që ata të bëhen anëtarë të plotë të OKB-së, BE-së, NATOs, UNESCO, Interpolit dhe në të gjitha organizatat e tjera të cilave u përket Republika e Kosovës.

Që serbët dhe shqiptarët të fillojnë të jetojnë një jetë të qetë dhe të sigurt së bashku.

Pas të gjithë vuajtjeve që ata kanë kaluar në historinë e tyre, si pak popuj në botë, shqiptaret dhe shqiptarët në Kosovë i pretë fillimi i jetës të cilën e kanë ëndërruar paraardhësit e tyre, si dhe fillimi për ata që do të vijnë, që kurrë më të mos trajtohen si një komb i racës së ultë.

Nuk ka asnjë ndryshim midis nesh, dhe nëse ato shfaqen, ato do të jenë në dëmin tonë.

Zoran Gjingjiç tha: “Unë ju them, shikoni në të ardhmen, shikoni në të ardhmen dhe atje ju dhe unë do të takohemi” !

Unë besoj se ai nuk do të zemërohej me mua për këtë që do të shkruaj: “Shikoni të ardhmen, shikoni të ardhmen dhe atje në Union (BE-ja, v.i.), Kosova, Serbia dhe Shqipëria do të takohen përsëri si dhe gjithë ata që dikur ishin pjesë e një vendi, një e mirë vendi, siç ishte Jugosllavia..”.

Autori është një artist dramatik

Përktheu: Rexhep ELEZAJ

Burim: https://www.danas.rs/dijalog/licni-stavovi/treba-li-kosovo-da-prizna-srbiju/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*