Argumentet e LDK-së – një manual për të ofenduar një popull

Shkruan:
Enver Robelli

Çfarë po tenton të bëjë tani LDK, është devijim i vullnetit të votuesve. Dhe këtë vullnet LDK dëshiron ta devijojë për një mandat gati të plotë qeverisës. Kjo është sjellje e një lojtari të keq që e vjedh topin dhe fshihet pas kodrës. Këto veprime ka gjasa ta fundosin LDK-në edhe më thellë në batakun e historisë. Nuk mund të ketë qeveri duke devijuar vullnetin e 6 tetorit. Mund të ketë marrëveshje politike për një qeveri kalimtare, ku edhe VV duhet të japë kontributin e saj deri në zgjedhjet e reja, sepse kjo gjendje nuk i jep legjitimitet (të plotë) VV-së për qeverisje afatgjatë. E pandemia mund të zgjasë. E me këtë edhe improvizimet.

Pas rrëzimit të qeverisë pa zor të madh, eksponentë të LDK-së, kryesisht figura me përkrahje minimale apo pa vota fare, kanë nisur të rendisin disa argumente aq të pabaza, aq absurde, aq të tejdukshme, saqë kësaj partie po ia humbin çdo seriozitet dhe po e shndërrojnë atë edhe zyrtarisht në një filial të zyrës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

1. LDK po thotë: “Albin Kurti po zhvillon luftë personale me Hashim Thaçin”

LDK nuk ka zhvilluar asnjë luftë serioze politike kundër Hashim Thaçit. E ka bërë president, ka marrë buqeta prej tij, kryetari i LDK-së ka thënë se “nuk është pishman” që e ka zgjedhur Thaçin president. Me këso gjërash krenohet LDK. Kjo është trashëgimia e saj politike. Tash çfarë po ngjet është akti i fundit kur LDK e përqafon Hashim Thaçin. Kjo është konsekuente: e nënshtruar më 2016, e nënshtruar më 2020. (Tinëz trimat e LDK-së shprehin akuza shumë të ashpra ndaj Thaçit. Akuza që ndërlidhen me gjakderdhje).

2. LDK po thotë: “Albin Kurti po i prish marrëdhëniet me Amerikën”

E vërteta është kjo: Kosova ka problem me një pjesë të administratës së tanishme në Washington, e cila krejt presionin e ka orientuar mbi Prishtinën dhe toleron politikën e sabotimit ndaj Kosovës nga ana e Serbisë. Një emisar i Donald Trumpit, i njohur me emrin Richard Grenell, po kërkon një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo marrëveshje – sipas të gjitha informatave që kanë qarkulluar përmes kanaleve diplomatike dhe të tjera – parasheh vendosjen e në kufiri të ri në veri të Kosovës. A vendoset ky kufi në Zveçan, në Zubin Potok apo diku nga Leposaviqi, këtë e dinë vetëm dy presidentët që kanë folur për këto tema, pra Aleksandër Vuçiqi dhe Hashim Thaçi. A e merr Kosova Preshevën apo vetëm disa fshatra në brezin kufitar apo asgjë – edhe për këtë përgjigjen duhet kërkuar në kabinetet e presidentëve të dy vendeve. A do të mbetet Trepça tërësisht pjesë e Kosovës apo jo? A do të jenë manastiret zona eksterritoriale (domethënë disa Serbi të Vogla nëpër Kosovë) apo jo? LDK këtë nuk e di. Por LDK po e merr rolin e partisë që është e gatshme të nënshkruajë diçka që nuk e ka negociuar ajo. Domethënë: LDK po e merr rolin e mashës që përdoret nga të tjerët. E ka bërë këtë LDK edhe më herët, kur e ka nënshkruar atë që e ke negociuar Hashim Thaçi, ju kujtohet: “marrëveshja historike” mes Kosovës dhe Serbisë, e shpallur antikushtetuese. Në prapavijë buzëqeshte Thaçi, në vijën e parë të frontit me kalem në dorë – kryetari i LDK-së në rolin e kryeministrit. Përherë i gatshëm. Hazër dje, hazër sot, hazër përherë.

3. LDK po thotë: “Jemi parti institucionaliste”

Institucioni më i lartë është ai i votës. Më 6 tetor 2019 LDK mori mbështetje bukur të madhe nga qytetarët, jo vetëm nga elektorati burimor i LDK-së. Isa Mustafa e luajti lojën egërsisht mirë: duke ditur se asnjë nga të ledhatuarit e tij nuk është i popullarizuar në opinion dhe nuk merr shumë vota, ai e kandidoi Vjosa Osmanin për kryeministre dhe e vendosi në krye të listës. Anëtarët e kryesisë që nuk gëzojnë popullaritet mbarëkosovar, por marrin vetëm vota në rajonet e tyre të ngushta, duke shtrënguar dhëmbët u shtiren sikur u rreshtuan pas kandidates për kryeministre. Më parë ajo u zgjodh edhe nënkryetare e LDK-së. Vjosa Osmani ishte lokomotiva që solli votat. Pra, votat nuk i sollën ata që këto ditë gënjejnë nga foltorja e Kuvendit dhe nga studiot televizive dhe përpiqen të njollosin Vjosa Osmanin. Pas zgjedhjeve Vjosa Osmani u trajtua si “tepricë teknologjike”, domethënë: zonjë, e kreve misionin, tash e marrin timonin Skender Hysenat e Agim Velinjtë (njëri me vota të papërfillshme, tjetri pa asnjë votë të 6 tetorit), megjithatë ata shkuan në Berlin për të folur me Grenellin për të ardhmen e Kosovës, ndërsa kandidatja për kryeministre duhej të qëndronte në shtëpi – dhe pastaj si nënkryetare e LDK-së mënjanohej nga mbledhjet e rëndësishme të partisë. Në këtë maskaradë rolin e statistit e pranoi, fatkeqësisht, edhe Avdulla Hoti, ai që nëse funksionon plani i Thaçit mund të bëhet kryeministër me ndihmën e Srpska Listës dhe miqve të Millan Radoiçiqit në Prishtinë. Për “tema të mëdha”, sipas kësaj logjike, nuk duhet të flasë Vjosa Osmani, pra kandidatja e LDK-së për kryeministre. Në historinë e demokracive të brishta të Europës Lindore ky është keqpërdorimi më mizor që një parti, pra LDK, i bën një funksionareje të popullarizuar, e cila e ka dëshmuar se qëndron larg pazareve të pista të bodrumit që LDK ka bërë, bën dhe do të bëjë me shefin e shtetit, shefin e vërtetë të PDK-së dhe shefin e një pjese të LDK-së, Hashim Thaçin. Por tallja dhe luftimi i Vjosa Osmanit nuk e dëmtojnë Vjosa Osmanin, do ta dëmtojnë LDK-në. Rëndë. Këtë e kanë kuptuar disa, për shembull Gazmend Muhaxheri apo Lutfi Haziri, i cili po përpiqet të jetë më i balancuar, por pa pasur ende guxim (apo strategji?) të bëjë shkëputjen definitive nga ata që nuk i sjellin më asgjë LDK-së përveç ndonjë beteje për ndonjë tender në Podujevë.

4. LDK po thotë: “VV po provon ta ndajë dhe ta frikësojë LDK-në”

Sa keq, sa keq, sa keq! Po a nuk tha LDK qe 20 vjet se PDK-ja e ka përçarë e shkatërruar “partinë e rugovistëve”, që sot nuk është gjë tjetër veçse parti e recidivistëve? A nuk tha LDK qe 20 vjet se shërbimi për dasma e varrime i PDK-së i ka vrarë mbi 20 (apo mbi 30?) funksionarë të LDK-së? A nuk i fitoi Isa Mustafa zgjedhjet në Prishtinë me një fjali që ia tha një kandidati të përdorur nga PDK: “E keni SHIK-un ju”? A mos e organizoi VV “kuvendin e karrigeve” të vitit 2006, kur LDK u nda, u përça dhe u bë gaz i dheut tamam për qejfin e PDK-së?

5. LDK po thotë: “Kjo qeveri duhet të shkojë, të vijë një qeveri e re”

Kjo qeveri mund të shkojë. Partitë e “krahut të luftës” dhe LDK do të përpiqen të gjejnë “një zgjidhje kushtetuese”. Kanë përvojë në këtë drejtim. Por me argumentin se kjo qeveri duhet të shkojë, LDK po e pranon haptazi se fushata për të marrë vota më 6 tetor 2019 ka qenë një simulim, një mashtrim, sepse tani vullneti i qytetarëve po devijohet. Vjosa Osmani, Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli e shumë të tjerë qenë të nevojshëm vetëm për t’ua shfrytëzuar autoritetin dhe popullaritetin, ndërsa frytet e fitores (sepse LDK më 6 tetor ishte fituese tok me VV-në) tani mund t’i korrin argatët e Hashim Thaçit në LDK. Po ta dinin qytetarët më 6 tetor se LDK 7-8 muaj më vonë do të bënte koalicion me partinë NISMA (e cila është futur në Kuvend me njëqind të shtyra, përfshirë insistimin militant të kreut të LDK-së për të numëruar deri në pafundësi votat) dhe me AAK-në, partinë më të paaftë për qeverisje që nga shpikja e qeverisjes, LDK nuk do të merrte atë përkrahje që mori më 6 tetor. Pas 6 tetorit LDK ka bërë pothuaj gjithçka për të hedhur në ajër një koalicion me VV-në. Njëherë thanë: po presim rezultatet. Pastaj: po insistojmë në numërim, rinumërim, stërnumërim. Mandej: e duam postin e presidentit, një kërkese shantazhi për të penguar koalicionin. Kur, më në fund, u nënshkrua marrëveshja për koalicion, shefi i LDK-së dukej si pjesëmarrës i një ceremonie varrimi. Nuk ishte pajtuar kurrë LDK që doli e dyta. Pa Vjosa Osmanin LDK do të dilte e treta. Por, o doli e para, o e dyta, o e treta: LDK është parti që nuk di çfarë të bëjë me besimin e elektoratit, përveç se t’ia falë atë besim agjendave të Hashim Thaçit. Në dhjetor të vitit 2017, kur “krahu i luftës” pështyu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe drejtësinë me përpjekjen për varrosjen e Gjykatës Speciale, LDK bëri aleancë me VV-në. Nuk i mbrojti VV ata që LDK i akuzon qe 20 vjet për vrasje. E tash? Tash ata pritet të jenë aleatët e rinj e të vjetër të LDK-së! Çfarë po tenton të bëjë tani LDK (me përkrahje edhe të PDK-së, sepse ajo do të jetë pjesë e qeverisë së “re” edhe nga opozita), është përdhosje e vullnetit të votuesve. Dhe këtë vullnet LDK dëshiron ta devijojë për një mandat gati të plotë qeverisës. Kjo është sjellje e një lojtari të keq që e vjedh topin dhe fshihet pas kodrës. Këto veprime ka gjasa ta fundosin LDK-në edhe më thellë në batakun e historisë. Nuk mund të ketë qeveri duke devijuar vullnetin e 6 tetorit. Nëse qëndron argumenti i LDK-së se VV po e “uzurpon” pushtetin, çka të bëhet me uzurpimin e vullnetit të qytetarëve për ndryshim të shprehur më 6 tetor 2019? Këtë uzurpim po e bën LDK. “Futja popullit, populli është lopë” – kështu thoshte një argat i një kryeministri të mëhershëm dhe kjo është logjika dominuese e partive të vjetra dhe të diskredituara nga krimi, korrupsioni e nepotizmi. Por, nuk mund të ketë qeveri duke devijuar vullnetin e 6 tetorit. Mund të ketë marrëveshje politike për një qeveri kalimtare, ku edhe VV duhet të japë kontributin e saj, sepse kjo gjendje siç është tani nuk i jep legjitimitet (të plotë) VV-së për qeverisje afatgjatë. E pandemia mund të zgjasë. E sa më shumë zgjat pandemia, aq më të shpeshta do të jenë edhe improvizimet e Albin Kurtit.

Burim: https://www.koha.net/veshtrime/217783/argumentet-e-ldk-se-ndash-nje-manual-per-te-ofenduar-nje-popull/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code