Baroni i Prontomafisë

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Mërgata është bërë atraksion i vërtetë  elektoral. Sidomos për partitë e haraçit. Këto të fundit, pas 20 vitesh, i dërguan gjithandej në mërgatë bedelët e tyre, për ta ujitur ndonjë degë ose ndonjë pip që është tharë kaherë.

Bedeli më interesant i partive të haraçit, padyshim se ishte Elmi Reçica, alias Elmi Pyka, përndryshe shefi i departamentit të Prontomafisë për mërgatën.

Para dy-tri javësh, zoti Pyka shkoi gjithandej nëpër Zvicër, Gjermani, Finlandë etj. Kishte dalë herifi me e mbledhë ndonjë votë për PDK-në, partinë e haraçit që e ka rrjepë Kosovën, hiç më pak se Serbia.

2.

Me Elminë njihemi kaherë. Para 36 vitesh e kam takuar për herë të parë në Gjenevë. Krejt ato që thoshte mund t’i përmblidhje në tri mesazhe:

– Pa e mësuar mirë dhe përmendsh teorinë politike të Stalinit ne nuk do të mund ta çlirojmë Kosovën kurrë;

– Adem Demaçi është i mirë, por nuk është marksist-leninist. E ai që nuk është marksist-leninist, rrjedhimisht nuk mund të jetë as patriot i vërtetë;

– Ti, duhet të na i japësh të gjitha lidhjet e organizimit ilegal të LRSHJ-së në Kosovë, që t’i përfshijmë në Grupin Marksist-Leninist.

Për sqarim: Elmi Reçica kishte ardhur asajherë në Zvicër vetëm disa muaj pasi ishin arrestuar Kadri Osmani, Enver Topalli, Sejdi Veseli etj.

E dëgjova me vëmendje,dhe, aty për aty, erdha në përfundim se edhe ky duhet të ketë dejtpërdrejtë dorë në shpartallimin e radhëve të organizuara në fund të vitit 1983 dhe në janar të vitit 1984, kur i vranë Heronjtë e Kombit, Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Në dekonspirimin e tyre një rol rëndësor kishte luajtur spiuni i UDB-së, me pseudonimin “Besniku“, përndryshe dorë e djathtë e Elmi Reçicës.

Në fillim të vitit 1985, të gjithë veprimtarët e ilegalës në Kosovë, për të cilët ishte në dijeni Elmi Reçica, përfunduan në burg. Mbi 500 veta u arrestuan brenda tri ditësh. Këto dy valë arrestimesh dhe likuidimet që përmenda ishin bërë përmes organizatës hibride të Elmi Reçicës, të cilën, në fakt, e kishte themeluar Zoran Mijatoviqi, njëri pre baronëve kryesor të UDB-së. Ky funksionar i lartë e i regjur i shërbimeve serbe e ka pranuar këtë publikisht e me mburrje në një emision në RTS.

Disa ditë pas këtij emisioni, sipas të gjitha gjasave, për të mos u zbuluar ky fakt, më 21 tetor 2004, është vrarë me plumb në kokë, Nezir Sherifi, njëri prej udbashëve kryesor të Ferizajit gjatë viteteve tetëdhjetë.

3.

Pas Luftës, Elmi Reçica, ishte njeriu i dytë i SHIK-ut. Në këtë cilësi ai ishte në dijeni të të gjitha krimeve që janë kryer, në ato ditë të turbullta anarkie e papushteti, në Kosovë. Nuk ka krim, nuk ka plaçkitje apo tjetërsim prone, nuk ka dallavere të mëdha gjithandej në vend, ku njeriu nuk i gjen edhe gishtërinjtë e pistë të Elmi Pykës.

Një vëmendje të veçantë asokohe Elmi Pyka i kushtonte lagjes së gazetarëve. Falë tij në mediet kryesore të vendit u instaluan gjithandej gazetarë e ‘analistë’ mercenarë që komandoheshin e komandohen publikisht edhe me rrudhje të syrit.

Krejt Kosova e dinë se Elmi Reçica është ndër mafiozët më të pasur në vend.

Di shembuj me emër e mbiemër, kur shpallej konkursi për pranimin e studentëve në konvikte, për pranimin e një mësuesi në shkollë, për një post si pjesëtar i policisë ose i FSK-së, apo për një post nëpunësi të thjeshtë, jo vetëm në Prishtinë, Lipjan e Ferizaj, por edhe në Dragash, Junik, Istog, Mitrovicë, pra gjithandej nëpër Kosovë, e ku Elmi Pyka nuk e kishte fjalën kryesore.

Në këso rastesh ai, ani se i veshur vetëm me petkun e deputetit, shkonte dhe vazhdon të shkojë e t’i takojë personalisht, njerëzit e rrethit të kandidatit për postet që përmenda, në mënyrë që ta dijë prejardhjen dhe pikëpamjet politike të kandidatit dhe të rrethit të tij  familjar, ndikimin e tyre etj. Dhe, për çudi e si me magji, për fatin e atyre njerëzve, për mirë ose për keq, vendoste e vazhdon të vendosë vetë Elmi Reçica, pavarësisht se a udhëheqte me komunën apo me dikasterin ministror, LDK-ja, PDK-ja apo AAK-ja.

Në këtë mënyrë, Elmi Reçica, krijoi sistematikisht, rrjetin e tij personal e në vijë vertikale, duke futur njerëzit e vet në të gjitha institucionet e Kosovës, në ndërmarrjet publike dhe në shërbimin diplomatik. Fjala është për njerëzit që i shërbejnë dhe i raportojnë personalisht atij.

Një miku im, përndryshe, funksionar i lartë i shtetit zvicëran, ma ka thënë para dy-tri vitesh se diplomati i Kosovës asokohe në Zvicër, A.K., përndryshe dhëndërr i Elmi Reçicës, tërë kohën merrej me syrvejimin dhe spiunimin e mërgatës shqiptare. Sidomos me ata që nuk i trembeshin e nuk i nënshtroheshin Prontomafisë.

Taman si UDB dikur.

4.

Para kësaj nevoje imediate elektorale, Elmi Pyka ka qenë në Diasporë edhe para nja 6 vitesh. Asaj radhe e vizitoi në spitalin psikiatrik, në Friburg, Murat Jasharin. Kishte ardhur me detyrë. Pas disa muajsh Murati i sëmurë rëndë, e që nuk kishte mbetur as hija e vetvetes, me metoda të SHIK-ut u kurdis për të kryer atentate politike në emër të një fantom organizate që quhej “Syri i popullit“.  E cila fund e krye ishte pjellë  e strukturave të SHIK-ut.

Prontomafia aso kohe, nën trysninë e Gjykatës speciale, kishte nevojë për t’ia ngarkuar në shpinë komunikatat e rrezikshme dhe, sidomos, vrasjet e kundërshtarëve politikë, gjatë dhe pas Luftës, Lëvizjes Vetëvendosje.

Pasojat dihen: u arrestuan dhe u përndoqën mbi 100 shqiptarë, u dënuan njerëz të pafajshëm, ndërsa Murat Jashari përfundoi në burg të përjetshëm psikiatrik.

Ishte ky “shpërblimi“ i përgjakshëm që Prontomafia ia dha një idealisti të qashtër që, vetë e familjarisht, bëri e dha, çdo gjë për Kosovën.

5.

Aktualisht, gjithandej në Mërgatë dhe në Kosovë, e shohim Elmi Reçicën, me fytyrë të “pegllatur“ e me flokë të mbjellur, duke mobilizuar me panik rrjetin e tij shikist për të mbledhur sa më shumë vota për Prontomafinë.

Por kësaj radhe ndryshon puna. Sepse Elmi Pyka me shokë janë zhveshur krejtësisht si kapës të neveritshëm të shtetit, të cilëve po iu rrëshqet dheu nën këmb.

Ndërsa në mërgim nuk po mund ta ndihmojnë as diplomatët mizerabël që i ka emëruar vet, e të cilët po i keqpërdor për të ardhur deri te adresat dhe telefonat e mërgimtarëve, të cilëve, pastaj Stalini i vogëlith u troket në derë për një votë.

E ka nga halli; se po e sheh me sy verdiktin e shkërmoqjes së pashmangëshme.

Prontomafia, vertebralja e Krimit të Organizuar në Kosovë, do ta korrë atë që e ka mbjellë qe 20 vjet dhe kjo do të ndodhë, gjithsesi, në ditën e bekuar të Shën Valentinit.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code