Biri im, drita e syve të mi, po te pres natë e ditë te pragu i derës

Mesazhi i Nanës, Nesrete KUMNOVA, drejtuar Albionit, djalit të saj të zhdukur këtu e 21 vjet më parë

 Zgjohu biri im, Albion, sot shënohet 21 vjetori i lirisë së Kosovës! Zgjohu bir, eja në përqafimin e munguar, të pritur që nga viti 1999.
Nëna të pret tek pragu i derës çdo ditë e natë, me shpresën se do të kthehesh, por ti ende askund!
Sytë e mi janë shndërruar në liqe lotësh nga malli i pashuar dhe pritja e pa fund!
Eja bir, të festojmë bashkë lirinë e vendit, Kosovës, që aq shumë e deshe dhe për të cilën edhe u sakrifikove!
Sot të gjithë festojnë dhe kanë arsye të festojnë, por unë pres bashkë me shumë nëna tjera, zbardhjen e fatit tënd dhe të shumë shqiptarëve të vrarë!
Ku je bir, Albion, drita e syve të mi!
Sa e bukur do të dukej liria sikur ta festonim së bashku, por ja që ti u bëre shqiponjë lirie dhe ike në pa kthim!
Sikur të preheshe i qetë në varrin tënd, në dheun e lirë të Kosovës, nëna do ta stoliste varrin me lule të lirisë, por ja që varri yt rri i zbrazur dhe pret trupin tënd!
E ç ‘kuptim ka liria për mua, kur nuk të kam pranë, kurrë nuk mund të sjellë lule as tek varri, pasi për 21 vjet rresht nuk pushova së kërkuari dhe nuk të gjeta!
E dikush edhe ngre dolli, kur ne qajmë! Le të festojnë të gjithë, sepse liria është e të gjithëve, por le të mendojnë edhe për nënat që po vdesin në pritje, për djemtë që mbetën të ngujuar nëpër varrezat masive të Serbisë armike! Vetëm kur të kthehesh ti dhe të gjithë shqiptarët, do ta ndjejmë festën dhe do të derdhim lot gëzimi mbi varrin tënd!
Vetëm atëherë do të qëndroj e qetë dhe krenare përjetësisht duke të lëmuar ballin mbi mermerin e ftohtë!
Biri im, Albion, kudo që ndodhesh, urime dita e çlirimit të Kosovës!
E di që ti e ndjenë këtë gëzim, pa marrë parasysh ku gjendesh, por mos harro se në zemrën e nënës qëndron si kështjellë e pamposhtur përherë” shkruan Kumnova në kujtimin e saj për të birin.”

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code