Coronavirusët e internetit

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Si rishtar në rrjetet sociale (RRS), kam mbetur pa tekst sidomos nga forca e tyre destruktive. Nuk ka mënyrë më të lehtë se sa t’i përdorësh rrjetet sociale për ta shpërndarë një rrenë si të vërtetë dhe një të vërtetë si rrenë. Nuk ka mjet më efikas se RRS për t’i paraqitur budallenjtë si të menqur e të mençurit si budallenj, njerëzit normal si të çmendur e këta të fundit si persona normal, renegatin si atdhetar e atdhetarin si renegat, idealistin si tuxhar e tuxharin si idealist, sharlatanin si të dijshëm e të dijshmin si sharlatan…

Një tollovi masive në një shesh të paanë, ku, më duket se, shqiptarët prijnë me përmasat e marrëzisë. Një panagjyr budallakishë të pafundme…

Te internetistët tanë kjo vërehet sidomos gjatë krizave politike. E meqë te shqiptarët këso krizash ka, gati, vazhdimisht edhe rrjetet sociale që ata frekuentojnë janë poashtu të tejskuqura vazhdimisht nga intensiteti dhe tensioni i lartë. Sepse kokat e nxehta zakonisht kanë mend pak

2.

Shkarkimi i qeverisë në kohë murtaje ka ndikuar që sherret ne RRS të arrijnë pikun. Gëlojnë gjithandej akuzat e skajshme të të gjitha taborreve politike dhe në këtë tollovi viktima e parë domosdo është e vërteta.

Ngujimi i detyrueshëm ma lejoi luksin që t’i bëj një analizë të përciptë gjithë kësaj pshtymnaje në RRS dhe përfundimi ishte zhgënjyes.

Kam identifikuar 4 grupe:

  1. mercenarët e Prontomafisë;
  2. ushtarët e Lëvizjes Vetëvendosje;
  3. senilët e LDK-së dhe
  4. njerëzit që përpiqen të jenë të paanshëm dhe nuk pranojnë të bëhen as pre e zallahisë e as myhybë të kujtdoqoftë.

Mercenarët e Prontomafisë janë të strukturuar, shihet se kanë hierarki dhe sistem të përkryer dezinformimi dhe mjete të konsiderueshme financiare. Realisht këta janë ndotësit më të mëdhenj të opinionit dhe dominues në ‘panagjyrin’ marrëzive. Synimi i tyre është shpartallimi i kundërshtarëve dhe ruajtja e pushtetit me çdo çmim. Këtu kemi të bëjmë me përvojën dhe format më perfide të propagandës dhe praktikave staliniste.

Ushtarët e VV-së janë kryesisht të rinj, janë të rreshtuar si regjiment dhe nuk kursejnë shprehje të skajshme deri në marrëzi. Ata nuk kanë asnjë dilemë në të “vërtetat“ e tyre… dhe janë në gjendje të shkojnë edhe në dreq të mallkuar për to.

Senilët e LDK-së janë disa kategori: ata që mendojnë se diploma të bëka intelektual, ata që gjithë jetën kanë jetuar si skrraja, një tufë karrieristësh e hipokritësh, gjoja të rinj në moshë, që shkruajnë për t’u dëshmuar te shefat e tyre si myhybë të devotshëm. Ka prej këtyre të fundit që janë shumë më ekstremistë e më idhnakë se edhe vv-istët e thekur.

Pëderisa vv-istëve edhe mund t’u falet, sepse janë të rinj, nuk kanë as përvojë jetësore e as politike, sepse janë në transin e dashurisë së parë, ndërkaç “gexhat“ e LDK-së, që shumica janë edhe gjyshër, thjeshtë janë të neveritshëm. Të neveritshëm me përkushtimin e tyre të shtirur. Këta më duken tutkunë e banal si ‘snaiperistët’ me ‘llovaçkë’ që, kësaj radhe, në shënjestër kryesore e kanë kthyer bashkëpartiaken e tyre, Vjosa Osmanin! Çka nuk u fiçiron mendja këtyre hijanetëve kokëshkretë.

Të paanshmit, ku bën pjesë edhe vogëlsia ime, janë pakicë absolute. Duke mos qenë “myhybë“ të askujt, këta mëtojnë të vijnë te e vërteta duke u bazuar në argumente të qëndrueshme ose duke i dhënë udhë dyshimit si një mënyrë e domosdshme për të ardhur disi deri te e vërteta. Te e vërteta që ka aq shumë ngjyra, e besa, edhe shumë më tepër nyansa.

Unë nuk kam kohë të qëmtoj shumë në rrjetet sociale, por, krahas shpërfaqjeve të miqve të paktë, shpesh i shikoj dy faqe personale të personave që i njoh vetëm përmes shkrimeve: atë të Agron Demit, sepse më duket se është intelektual me kurriz, i saktë, i dijshëm e i paanshëm dhe Kimete Berishës, sepse në shkrimet e saj ka njerëzillëk, ka talent, ka humor, ka dashuri e dhimbje të çiltër për Kosovën

3.

Zallahia digjitale krijon mjegull të tillë që mbulon edhe të vërteta të dhimbshme e të rrezikshme. Si për shëmbull:

Se prapa shkarkimit të qeverisë qëndron Hashim Thaçi, kryetari i mirëfilltë i LDK-së dhe i Prontomafisë. Sepse ky, si kupolë e krimit, ndihej seriozisht dhe shumanshëm i rrezikuar nga qeveria Kurti;

Se duhet mjegull posaqërisht e dendur për të kamufluar zëvendësimin Albin Kurtit me një kukull si Abdullah Hoti, apo të ministrave si Arben Vitia, Lumir Abdixhiku, Albulena Haxhiu etj., me Endrit Shalën, Pal Lekën e Abelard Tahirin…;

Se duhet të jesh i marrë e të mos e kuptosh se kushdo që cënon kufijtë ekzistues të Kosovës dhe kohezionin e saj territorial, në emër të çfarëdo preteksti qoftë, ai është armik i Kosovës;

Se cilido qoftë ai ose ata shqiptarë që nënshkruajnë marrëveshje, përmes së cilës cënohet, në çfarëdo forme, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës, duhet ta dijnë qysh tash se vendit nuk i sjellin mbarësi por trazira të përgjakshme e të pafundme… Sepse është derdhur shuuumë gjak për Kosovën, janë përjetuar kolektivisht vuajtje të papërshkrueshme dhe cilido që shkel mbi to duhet të matet mirë.

4.

Prandaj mendët në kokë e këmbët në tokë, sidomos kokënxehtët e lugetërit që livadhisin nëpër rrjetët sociale, të cilët duhet ta mësojnë se ne jemi popull i vogël dhe në një udhëkryq të rrezikshëm të historisë. Dhe te njëri-tjetri nuk duhet ta shohim armikun, por njeriun që, mbi partitë, mbi liderët dhe mbi çdo gjë tjetër, e do Kosovën, atdheun tonë të përbashkët. Pra sidomos jo armikun por njeriun që ka të drejtë të mendojë ndryshe nga unë, nga ti apo nga ai tjetri.

Dhe shyqyr Zotit që mendojmë ndryshe, sepse, në të kundërtën, bota do të dukej një shkretëtirë e paanë me hi.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code