Donald Tramp mëson nga shëmbulli i Kosovës se si mund të përmbyset rezultati i zgjedhjeve

Shkruan:
Xhafer Shatri

Burimet e mia të besueshme nga Shtëpia e Bardhë më kanë përshpëritur në vesh se presidenti aktual D. Tramp ka dërguar në Kosovë, me mision sekret, dy njerëzit e tij më të besueshëm: Rick Grenell dhe Rudi Giuliani…

Ata vijnë për të mësuar drejtpërdrejt nga Komisioni ynë Zgjedhor, konkretisht nga trimat dhe trimneshat e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, se si një rezultat i qartë zgjedhor mund të përmbyset saora.

Delegacionin e lartë në aeroport e paskeshin pritur Skënder Hyseni dhe Valdete Daka.

Kjo e fundit i paskësh mësuar se rruga më e mirë për ta rrëxuar Joe Bajdenin është që në zarfat e fletëvotimeve të panumëruara të futet helmi sarin në mënyrë që numëruesit e fletëvotimeve të dalin në tjetër hesapë dhe t’ia nisin me folë me yje…

Sipas Zonjës Daka “helmi“ u dëshmua i suksesshëm per ta futur Nismën në Kuvend… dhe për ta përgatitur grushtshtetin e mëvonshëm.

Rudi Juliani u interesua të mësojë nëse vënësit e helmit në zarfa kishin tërhequr vëmendjen e Kryeprokurorit, por Zonja Daka e siguroi avokatin e njohur se helmi sarin e kishte vënë në gjumë jo vetëm kryeprokurorin por edhe të gjithë vartësit e tij gjithandej në Kosovë.

“Grahni shlirë, por nëse dikush shfaq dyshime, atëherë akuzojeni Serbinë për diversion”, qenkesh shprehur Zonja Daka!

Ndërkaq Skënder Hyseni i paskësh hapur delegacionit edhe një dritare tjetër: “Përvoja  e freskët na ka mësuar se nëse brenda korpusit të kongresmenëve dhe senatorëve demokratë mund të gjeni aleatë ose t’i bleni ata me para apo me poste, atëherë përmes një koalicioni të paparë, mund ta qitni, atëherë kur nuk i shkon as mendja, Joe Bajdenin në kokërr të shpinës.

Për udhëzime më të thella, delegacioni qenkësh pritur edhe nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Takimi me dyer të mbyllura qenkesh mbajtur në kështjellën e këtij të fundit, në Prapashpinë.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*