
Shkruan:
Xhafer Shatri
Epopeja në Kodrën e Trimave
Si sot, 37 vjet më parë, u vranë në Prishtinë, prijësit e shquar të Lëvizjës tonë Kombëtare e Heronjtë e Kosovës, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha.
Ata, pas një aktiviteti të dendur ilegal, u zbuluan dhe u rrethuan në lagjën që, më vonë, mori emrin e qendresës së tyre, Kodra e Trimave.
Rexhepi e Nuhiu, që personifikonin lulen e djalërisë shqiptare, u vranë heroikisht e me armë në dorë, në përpjekje për ta çarë rrethimin e shumfishtë.
Zbulimi dhe vrasja e tyre deri vonë mbeti një prej enigmave më të errëta të organizimit dhe të qëndresës ilegale në Kosovë.
Koha e dëshmoi se rrethimi i tyre ishte një aksion i koordinuar nga maja e shërbimeve sekrete jugosllave, civile e ushtarake, për shpartallimin e Lëvizjes së fuqishme Kombëtare të Kosovës. Zbulimi dhe vrasja e Rexhepit dhe Nuhiut, ishte rezultat i një rrjeti të sofistikuar spiunazhi të ngulitur gjithandej përmes renegatësh të rrezikshëm dhe organizatash “ilegale“ hibride.
Vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës në mërgim dhe e Rexhep Malajt e Nuhi Berishës në Kosovë ishte një ndër grushtet më të rëndë që Serbia ia dha Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.
Pasojat e vrasjes së tyre ishin rrënuese për qendresën ilegale, sepse ata, që të pestë, ishin kuadro të zotët, njerëz me vizion, me guxim e përvojë të jashtëzakonshme.
Vrasja e këtyre prijësve të shquar të Lëvizjes tonë Kombëtare, krijoi boshllëqe të tilla, sa që u reflektua shumë dhe gjithandej gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, gjatë kohës së apart’heidit dhe sidomos gjatë dhe pas shpërthimit të luftës në Kosovë.
Por historia e popujve të robëruar, zakonisht, shkruhet me gjak, me vuajtje të papërshkrueshme dhe akte heroizmi e vetëflijimi të njerëzve më të mirë të tyre.
Të djemve që, si Rexhepi e Nuhiu, me jetët e tyre ia trasojnë rrugën Lirisë.
Lavdi e përjetshme Heronjve të Kombit, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës !
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment