FYTYRA E SHËMTUAR E SHTETIT

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kur e lexova Raportin e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në SHBA, SHT, zotit Ilir DUGOLLI, ndiesitë që më krijoi, e të cilat po i ndaj me ju, ishin të përziera: zhgënjim, trishtim dhe poshtrim. Nuk e teproj nëse them se, ka shumë vjet, që nuk e kam ndier vetën kaq keq.

Sepse kam besuar, si shumë të tjerë, se shtetarët aktualë të Kosovës, të vetëdijshëm për dëmet kolosale që janë bërë nga pushtetmbajtësit paraprakë, sidomos në politikën e jashtme, do të bëjnë të pamundurën që të ndalet ky trend i rrezikshëm dhe të riparohen dëmët e mëdha.

Nga raporti del se ndryshimet janë minimale, sepse Ambasada atje dhe sigurisht jo vetëm atje, përballet me probleme serioze deri ekzistenciale.

Prandaj mediet kanë bërë shumë mirë që e kanë publikuar këtë raport, sepse duke e fshehur pisllëkun nën tepih pisllohet e i vjen era krejt shtëpisë.

E di se, mjerisht, as 2% e atyre që e kanë lexuar nuk e kuptojnë krejt dimensionin dramatik të këtij raporti, por ai flet shumë për të gjithë neve e sidomos për ata që u ka mbetur shteti ynë i shkretë në dorë.

Gjithësëcili që e ka përcjellur aktivitetin diplomatik të Kosovës e dijnë se; prej që Edi Rama dhe Hashim Thaçi patën vendosur t’i nxjerrin sovranitetin dhe kufijtë e Kosovës në pazar, konkretisht që nga viti 2016, shumë përfaqësi të Kosovës në botë, e sidomos Ambasada jonë në SHBA, qenë kthyer në qendra lobimi për ndarjen e Kosovës.

Ky lobim diabolik kishte shkuar aq larg, sa që edhe një ikone të mbështetjes së Kosovës në orët e saj më të liga, si Bob Dol, i ishin ofru të holla për të lobuar në favor të transaksioneve të pista territoriale të Ramës, Vuçiqit dhe Thaçit.

Çka është edhe më keq, Edi Rama e Hashim Thaçi e kanë shkatërruar, me themel, lobin shqiptar në Amerikë, i cili, më shumë se një shekull është ndërtuar, me mund të jashtëzakonshëm, nga ajka e elitave tona.

Nuk është çudi prandaj pse pikërisht sot, në Ambasadën e SHBA-së, në Prishtinë po mbahet një mbledhim për të diskutuar për një çështje tepër serioze për Kosovën siç është Asociacioni i Komunave Serbe. Ndërsa kryeministri bën bën sehir nga dritarja.

Nuk thuhet kot se vërshimet nuk ndalen as në oborr e as në rrugë, por atje larg, në grykë të lumit, duke ndërtuar pendën me kohë.

Albin Kurti ka dy vjet që është në pushtet dhe po shihet ashiqare se ka bërë shumë pak për t’i riparuar dëmet kolosole që i janë bërë Kosovës dhe politikës së saj të jashtme.

Nëse mbledhimi i sotëm në Ambasadën amerikane nuk ia nxjerrë gjumin Albin Kurtit, pasojat do t’i paguajë Kosova, sepse politikanët janë si mushkonjat: shkojnë e vijnë.

Raporti i Ilir Dugollit, pa asnjë dilemë, dëshmon për qeveritarë të papërgjegjshëm që, siç po shihet, nuk kanë ndonjë dallim të madh nga ata që kur nënshkruanin marrëveshje me Serbinë dilte se nga 23 nene të saj, 22 shkelnin Kushtetutën.

PS

Për ata që nuk e dijnë:

Kurrë shteti serb nuk ka punuar më shumë dhe më djallëzisht kundër Kosovës se sa këto vitet e fundit.
Serbia ka dërguar ambasador në Washington, njeriun e dytë më të rëndësishëm të saj, edhe për faktin se e ka nënën me prejardhje jevreje; Ndërsa Osmani e Kurti nuk e kanë emëruar, të paktën ambasador, njeriun tonë me shumë përvojë që e njeh personalisht dhe ka lidhje familjare me kryetarin Joe Bajden!
Serbia vetëm për lobim në Amerikë harxhon mbi 80 milionë dollarë në vit; ajo, tani së fundit, ka blerë alamet objekti vetëm disa qindra metra larg nga Shtëpia e Bardhë… dhe, jo rastësisht, në inaugurimin e Ambasadës së re merrte pjesë Escobar, i cili, siç po e shohim, nga ndërmjetës neutral që do të duhej të ishte, është kthyer në postier të Vuçiqit.
Etj. etj…
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*