George Orwell në Shqipërinë e Edi Ramës

Shkruan:
Xhafer Shatri

Mediet në Kosovë, për çudi, nuk i kushtuan asnjë rëndësi trajtimit orvelian që i ka bërë Partia Socialiste, në pushtet, të dhënave private të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë:

Emri, mbiemri, emri i babait (nuk e di pse jo edhe i nënës!), numri personal, numri i telefonit, numri i zonës zgjedhore dhe krejt në fund: pikëpamjet politike të qytetarit (të të gjithë qytetarëve një për një) në vëzhgim si dhe personat (me emër e mbiemër) që ua kanë konstatuar ato pikëpamje dhe mund të ndikojnë për t’ua ndryshuar ato! Pra vullnetin politik të çdo qytetari veç e veç.

As në romanin e George Orwel- it “1984″, nuk ka kësi sistemi të përkryer kontrolli e syrvejimi.

Madje as në kohën e Enver Hoxhës nuk kanë mundur të jenë kaq efikas.

Në listë janë të gjithë: të papunë, të punësuar, përfshirë këtu gazetarë, protagonistë të estradës, gjykatës, prokurorë, mjekë, ushtarakë e madje edhe shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar! Ky i fundit e kishte votën e sigurtë për partinë e Edi Ramës! Nuk është çudi! Prandaj është aty!

Lista e vjedhur nga organet e shtetit, u është shpërndarë të gjitha degëve të Partisë Socialiste gjithandej Shqipërisë dhe gjahu për vota është intensifikuar maksimalisht.
Ose hunin, ose tirçit!

Ndërkaq mediet e Kosovës bënë shumë zhurmë, edhe më tepër se që do të duhej, për haxhillëkun e qeveritarëve tanë dhe të Kryeministrit Kurti në Shqipëri.
Zemra ma thotë se Kurti me shokë kishin të drejtë dhe këtë për shumë arsye:

– T’i mbështesin kandidatët e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 25 prillit, sepse mbi 10 vjetë janë përpjekur bashkë për t’i thyer praktikat e tabutë që shqiptarëve ua kishin caktuar kufijtë, mënyrën e sjelljes brenda tyre e deri edhe ëndërrat!
– Me kontribu që këneta politike në Shqipëri me u pastru sadopak nga krokodilët e shumët që asaj po ia thejnë gjymtyrët e po ia ndalin rritën.
– Me ia rritë ndikimin Boiken Abazit me shokë, sepse, në pikëpamjen time, përfaqësojnë modelin e politikanit për të cilin ka aq shumë nevojë Shqipëria: idealistë, të përgatitur në të gjitha pikëpamjet, të vendosur, të papërlyer dhe të gatshëm me ia hjekë Shqipërisë nga qafa bollat që po e ngulfatin e po ia pijnë gjakun qe 75 vjet.

Ndërkaq mendja më thotë krejt ndryshe:

Shqipëria, historikisht, e ka dëshmuar se nuk mund të bëhet kurrë Piemonti i shqiptarëve. Në asnjë pikëpamje.

Kosova po, sepse këtu ka idealizëm, ka vizion, ka vendosmëri, ka gjerësisht gatishmëri të dëshmuar për të vdekur, në rast nevoje, për të e për çështjen shqiptare përgjithësisht.

Por Kurti me shokë duhet ta dijnë se shqiptarët janë kështu siç janë për shkak se asnjë projekt të tyrin nuk e çojnë deri në fund. E nisin një dhe, pa i shkuar në gjysmë, ia nisin një tjetri, për ta bërë më bërllog të dytin se të parin. E vice-versa!

Kurti më së shumti mund ta ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë, duke u koncentruar ekskluzivisht në Kosovë, duke e bërë atë një shtet model, një shtet evropian në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Të gjitha kushtet i ka për t’ia arritur kësaj.

E kam vërejtur kaherë një gjë: sa herë që Kosova është në krizë, cilado qoftë ajo, sa herë ajo ka nevojë me u marrë me punët e saj, shtohen zërat për “bashkim“ kombëtar. Zhurmaxhinjtë e tillë më duken të cekët dhe qesharakë. Ata nuk e dijnë fare se një projekt i tillë kërkon dije, kohë dhe shumë punë. Fjalë, zhurmë e shkumbë à la shqiptarqe më së pakut.

Kush i pengon Kosovën apo Shqipërinë që ta kenë një treg të përbashkët, një përplotësim reciprok të nevojave të tregut të brendshëm, të kenë njësi të unifikuara antiterroriste, të kenë organe të mirëkoordinuara për ta luftuar krimin e organizuar, të kenë ekipe të përbashkëta agjenturore për t’iu kundërvënë armiqve të kombit shqiptar, të kenë institute të përbashkëta për hulumtime e projekte shkencore, të kenë ushtrime të përbashkëta ushtarake, të kenë ekipe të përbashkëta diplomatësh që merren me çështje strategjike, siç është mbrojtja e shqiptarëve dhe e të drejtave të tyre pavarësisht se ku jetojnë etj., etj….?
Askush. Ama bash askush!

Kushdo që merr vesh në politikë e di se aktualisht projekti më madhor i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë, është bërja e Kosovës shtet normal, mbrojtja me çdo çmim e integritetit territorial dhe sovranitetit të saj.

Ta përfundojmë këtë projekt njëherë e mirë e pastaj shohim e bëjmë.

Deri atëherë kemi shuuumë për të bërë, prandaj t’i lëmë fjalët koti dhe t’i përvishemi punës.

 

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code