Gjashtë deputetë zviceranë kanë një apel për Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën

Zvicra ka qenë ndër vendet e para që e ka pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës. Këto dy vende kanë një lidhje të ngushtë. Gjatë viteve të tmerrshme të luftës 50’000 njerëz nga Kosova kanë gjetur në Zvicër një atdhe të dytë. Ata dhe familjet e tyre sot vetëkuptueshëm janë pjesë e Zvicrës. Që nga shpallja e pavarësisë, Konfederata e Zvicrës është angazhuar në të gjitha fushat për ndërtimin e një ekonomie të fuqishme, të institucioneve për sundimin e ligjit dhe atyre të sigurisë sociale si dhe për një gjendje stabile të sigurisë në Kosovë. Lidhjet familjare, kulturore, miqësore dhe politike janë edhe sot të rëndësishme për të dy palët. Ne, nënshkruesit e këtij apeli, e ndiejmë veten thellësisht të përkushtuar për të ruajtur këtë miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve tona.

Botën e ka përfshirë koronavirusi. Edhe në Republikën e Kosovës gjendja është serioze. Si në vende të tjera edhe në Kosovë qeveria ka ndërmarrë masa drastike për të kufizuar me vendosmëri përhapjen e virusit. Por ne po e përcjellim me shqetësim të madh se si qarqe të caktuara politike po përpiqen që krizën ta shfrytëzojnë në dobi të tyre. Sidomos e kemi fjalën për presidentin Hashim Thaçi dhe për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, partia e të cilit është pjesë e qeverisë. Ne e hedhim poshtë me vendosmëri përpjekjen e kryetarit Hashim Thaçi që, duke marrë si shkas koronavirusin, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe kështu t’ia marrë kompetencat qeverisë së koalicionit nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti. Një kërkesë e tillë nuk ka asnjë bazë dhe do ta shkatërronte pjekurinë e sapoarritur demokratike të Kosovës.

I bëjmë apel edhe LDK-së, e cila është partner koalicioni i Vetëvendosjes bashkëqeverisëse të kryeministrit Kurti. Pas shkarkimit kontrovers të ministrit të saj Agim Veliu, kjo parti kërcënon se do të braktisë qeverinë apo do ta rrëzojë atë me mocion mosbesimi. Në këto kohëra të tensionuara ne paralajmërojmë urgjentisht që të hiqet dorë nga këto lojëra politike. Rrëzimi i qeverisë së popullarizuar do ta fuste Kosovën në një situatë të pakëndshme politike në valën e koronavirusit.

U bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë që të japin kontributin e tyre në shtendosjen e situatës. Qeveria e re sapo ka marrë detyrën dhe deri më tani nuk ka dhënë ndonjë arsye për mosbesim. Përkundrazi, kjo qeveri gëzon respekt të madh në arenën ndërkombëtare. Nëse qeveria Kurti do të rrëzohej me pretekste bajate apo do t’i merreshin kompetenca me urdhëresa të gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë vendet si Zvicra do të rishqyrtonin thellësisht vlerësimin dhe rrjedhimisht edhe marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Në 20 vitet e fundit Zvicra jep kontribut me forca speciale dhe në bashkëpunim me vendet e tjera për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Për zgjatjen e mandatit ka qenë e paraparë të votohet në sesionin e fundit të parlamentit, por për arsye të njohura që lidhen ne koronavirusin është shtyrë.

Tiana Angelina Moser, deputete nga Partia e Gjelbër Liberale (GLP) dhe kryetare e Komisionit të politikës së Jashtme

Doris Fiala, deputete nga Partia Liberale (FDP) dhe bashkëkryesuese e Grupit Parlamentar ZvicërKosovë

Cédric Wermuth, deputet i Partisë Socialdemokrate (SP) dhe bashkëkryesues i Grupit Parlamentar Zvicër-Kosovë

Fabian Molina, deputet nga Partia Socialdemokrate (SP)

Sibel Arslan, deputete nga Partia e Gjelbër (GPS) dhe anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

Niklaus-Samuel Gugger, deputet nga radhët e Partisë Popullore Evangjeliste (EVP) dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

Burim: https://fabianmolina.ch/wp-content/uploads/sites/111/2020/03/Statement-zur-aktuellen-Situation-in-der-Republik-Kosovo_def_breit_FY-1.pdf?fbclid=IwAR26ZRLuuOGHdPRUX32l7FFEwRxHA8i3ktYzkY9qd_osIyb-XPiWpy4Yan4

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*