Në kthetrat e Prontomafisë (4)

Gozhdimi i Sadri Ramabajës në Kryqin e Shikut

Shkruan:
Xhafer Shatri

Sadri Ramabaja është një personalitet i njohur i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, njëri prej zërave më të artikuluar të saj. Qysh i ri ai ishte pjesëtar i radhëve të organizimit të fshehtë në favor të pavarësisë së Kosovës. Në këtë aktivitet ai ishte shok celule me heroin e Kosovës Nuhi Berishën. Ka qenë i burgosur për veprimtari atdhetare e më vonë edhe i arratisur politik në Zvicër. Gjatë mërgimit Ramabaja militoi në radhët e LPK-së. Konkretisht ishte anëtar i redaksisë së organit të Lëvizjes, “Zëri i Kosovës“.

Më vonë ka milituar në radhët e subjektit që udhëhiqte Ukshin Hoti, në UNIKOMB.

Gjatë Luftës Sadri Ramabaja është marrrë intensivisht me mbështetjen e Luftës në planin diplomatik, intelektual dhe organizativ. Pas Luftës është kthyer në Kosovë dhe është marrë me veprimtari publicistike e akademike. Ishte mësimdhënës në Universitetin publik të Prizrenit, por pas angazhimit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje, pushtetarët e PDK-së e larguan menjëherë nga puna.

Si aktivist i njërit prej subjekteve më rëndësore politike shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje, Ramabaja është shquar për konsekuencë dhe beteja  intelektuale kundër çdo dukurie që ka dëmtuar shtetndërtimin e Kosovës. Ishte dhe vazhdon të mbetet ndër ata idealistë të Kosovës që i kanë dhënë çdo gjë vendit pa i marrë dhe pa i kërkuar për vete çkadoqoftë.

Ka marrë pjesë në debate të shumta dhe ka publikuar rregullisht analiza shterruese politike për çështje të ndryshme, ndërkaq publikimi i tij më serioz gjithsesi është studimi, njëherit edhe tema e doktoraturës me titull “Federata Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE“, botuar në vitin 2016. Ky është studimi dhe projekti më serioz për integrimin e etnikumit shqiptar, një ravijëzim i qartë teorik për unifikimin e interesave të përbashkëta të shqiptarëve dhe faktorizimin e tyre kudo që jetojnë në territoret e veta.

Si opozitar i pakompromis, Sadri Ramabaja kishte dhe vazhdon të ketë shumë kundërshtarë. Sidomos në korpusin politik udhëheqja e të cilit identifikohet gjithandej si Prontomafi dhe grupim që ka ngulfatur shtetin, që ka kriminalizuar administratën, që ka kapur sistemin e drejtësisë dhe ka rrënuar sistemin e arsimit dhe të shëndetësisë…

Ky është njëri prej shkaqeve kryesor pse Sadri Ramabaja është kurthuar nga segmente kriminale në organet e shtetit dhe është implikuar përdhunshëm në një dosje të shpifur që njihet me emrin “ Syri i popullit“.

Pa asnjë dyshim, Sadri Ramabaja është ndjekur, është arrestuar dhe po mbahet në burg vetëm për bindjet e tij politike. Ai është viktima kryesore e kësaj dosjeje penale të kurdisur.

  1. Linçimi dhe demonizimi publik të koordinuar nga organet e shtetit

 

Në çdo dosje penale, por sidomos kur është në pyetje një akt me ngjyrim terrorist, siç ishte atentati në Azem Vllasin, organet e hetuesisë dhe të drejtësisë në një shtet ligjor janë maksimalisht të kujdesshme për çdo deklaratë që bëjnë dhe për çdo informacion që japin lidhur me lëndën. Pasqyra e një shteti më se miri shihet në këso rastesh, ku kërkohet seriozitet, pjekuri dhe dinjitet institucional. Krejt e kundërta ndodhi me këtë rast që pati tronditur opinionin, sepse organet e hetuesisë dhe të drejtësisë të ngarkuara me dosjen u sollën rrugaçërisht. Dhe nuk është hera e parë që ato të keqpërdorin mediet për qëllime të dyshimta. E kjo nuk ndodhë në asnjë vend normal.

Dy ditë pas atentatit mediet e Shikut e pastaj edhe mediet e tjera shpërfaqën para publikut disa sms-a që i atribuoheshin Murat Jasharit. Ishte fjala për një komunikim vulgar e pornografik, të përcjellur me mesazhe keqdashëse e denigruese:

“Murat Jashari për opinionin synon të shfaqet si atdhetar i madh, por që në fakt duket të jetë një personalitet nën zero nga ana morale… Këtë e tregojnë edhe mesazhet e siguruara nga Indeksonline ku Jashari bisedon me një agjente rumune. Spiunja rumune, XY (emër i njohur për redaksinë), ka shkëmbyer mesazhe erotike me “patriotin” Murat Jasharin.“

 

Këto pisllëqe nuk janë marrë në rrugë nga legenë të paemër, por kanë dalur nga zyra e policisë, e ngarkuar me dosjen e kurdisur “Syri i popullit“, sepse telefoni i Murat Jasharit është konfiskuar me çdo gjë tjetër që ka pasur me t’u arrestuar ai, më 13 mars, në drekë, në motelin “Fontana“. Dhe të dhënat e telefonit e çdo gjë tjetër që i pandehuri kishte më vete kanë mundur dhe kanë guxuar të hetohen vetëm nga persona zyrtarë e nga askush tjetër.

Abuzimi me to me qëllim helmimin e opinionit me informacione të dyshimta e të rrejshme është vepër e rëndë penale dhe gjëra të tilla nuk do t’i lejonte vetës as një redaksi province e humorit e lëre më një shërbim serioz policor.

Ky është manipulimi më i shëmtuar me medie që mund ta bëjë një organ i shtetit. Është keqpërdorimi më flagrant i emrit dhe i kodit të organeve të policisë dhe të drejtësisë, është banalizim i dënueshëm i hetimit të një vepre të rëndë penale. Është një tallje e palejueshme me viktimën dhe me publikun. Në këtë funksion ishte edhe lajmi bombastik për gjoja përdhunimin që paskësh kryer Avni Llumnica mbi një të burgosur.

Këso metodash të pista kundër shqiptarëve nuk ka përdorur as Udba e Serbisë. Dhe në pikëpamjen time as një njeri me këmbë në tokë nuk i merr si të mirëqena këto rrjedhje nga kanalizimi i Shikut.

Por siç u pa në vijim e sidomos gjatë gjykimit, ky linçim bëhej me porosinë e kupolës së shtetit, si hakmarrje ndaj Murat Jasharit që i kishte bërë për pesë pare me letra publike, por kjo përflliqje shtetërore nuk stërpikte vetëm të pandehurit, por edhe opozitën, konkretisht Lëvizjes Vetëvendosje, duke e lidhur këtë subjekt serioz politik me një rast të rënd penal.

Këtë e dëshmojnë edhe “rrjedhje“ të tjera, të dënueshme, nga dosja që po vazhdojnë dhe pas dy vitesh… Në këtë vijë është publikimi i një ‘komunikate’ tjetër të “Syrit të popullit“, më datën 16 maj 2017, në të cilën shprehimisht thuhet:

“Populli është i katandisur përgjatë qeverisjes së Kosovës nga ky koalicion i turpit si mos më keq.

Prandaj i bëjmë thirrje masave të gjëra të popullit të votojnë të vetmen forcë politike e aftë të nxjerre Kosovën nga balta e së keqes: Lëvizja Vetëvendosje.“1

E ngjashme është edhe ‘komunikata’ tjetër e “Syri i popullit“, e datës 13 dhjetor 2017, përmes së cilës regjia e kësaj maskarade gjyqësore, me qëllim të inkriminimit të Lëvizjes Vetëvendosje, përzihet në përçarjet e brendshme të saj:

“Organizata “Syri i Popullit” me vemendje po i percjell zhvillimet brenda Levizjes Vetevendosje, me të cilen jo veq qe kemi bindje politike te njejta, po edhe kauzë te përbashket për bashkimin e vëllezërve e motrave tona të përhumbuna gjithandej botes se civilizune.

Edhe pse Vetevendosje ka ba shume gabime, tu e lanë në mëshiren e shpirtshitunve edhe ideologun e saj, Sadri Ramabaja, qe pa drejte po mbahet ne burg, na i qendrojme prapa levizjes se Albin Kurtit dhe krahut te tij, sepse kurrenihere nuk i kane braktisur idealet patriotike.“

“Organizata jone kombetare ban thirrje te bashkeveprimtaret e vet ne Levizjen Vetevendosje qe te mos dorezohen para shantazheve te atyne qe veq emnat i kane dardana e dukagjina, se veprimet gjithmon i kane pas qellimkqija per lëvizjen.

Na mbesim me shpresen se partia e zemres e gjithe shqiptarise nuk do dorezohet para atyne qe ne politike jane vetem per ta zhvatur popullin.“2

Ashiqare këto shkresurina janë përpiluar në kuzhinën e Shikut, me qëllim që ta implikojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe ta inkriminojnë Sadri Ramabajën në një veprimtari kriminale.

Këso trillimesh të pista bëhen kur një dosje e stisur penale, siç është “Syri i popullit“ është bosh, nuk ka asnjë argument bindës, nuk ka asnjë provë të qëndrueshme.

Natyrisht, pos atentatit kundër Azem Vllasit, që krejt bota e dijnë, se është kryer nga një person i sëmurë seriozisht dhe i cytur drejtpërdrejt nga strukturat kriminale të Shikut, të implantuara gjithandej në organet e shtetit.

  1. Sadri Ramabaja në kthetrat e shtetit mafioz

 

Prej momentit që Shtatmadhoria e Prontomafisë u bind se përballja me Gjykatën speciale është e pashmangshme, vendosi që të gjëjë kurban për t’ia varë në qafë mëkatet e veta. Prandaj ajo e trilloi dhe e fryu në këtë masë “Syrin e popullit“ me qëllim që ta përdorë si cjapin biblik. (Sipas Biblës, në kohën e Moisiut, kishte mundësi që dikush t’ia “varë“ mëkatet e veta një cjapi dhe pastaj ta therë ose ta braktisë kafshën e gjorë në shkretëtirë…, një mënyrë mizore për të “shfajësuar“ vetën…).

Murat Jashari, tashmë ishte përthekuar në të gjitha anët me “Avni Rrustemat“ e Shikut, por skenarit i duhej edhe ideologu. Sadri Ramabaja ishte kandidat ideal. Së pari sepse ishte veteran i LPK-së, se dyti sepse ishte aktivist i njohur i Lëvizjes Vetëvendosje, së treti si hakmarrje për redaktimin e librit të Murat Jasharit dhe së katërti sepse kishte zhvilluar një debat të rreptë me Azem Vllasin dhe strukturat e dikurshme që ky përfaqëson lidhur me ngjarjet politike të viteve tetëdhjetë etj. dhe kjo e fundit përputhej me nevojat e regjisorëve.

Gjatë gjithë kësaj kohe, përmes rrjetit të gjerë të provokatorëve të Shikut, është bërë një luftë speciale për destabilizimin dhe frikësimin e Sadri Ramabajës, i është vëzhguar telefoni, i është kontrolluar emaili dhe janë përcjellur e skeduar të gjitha kontaktet e takimet e tij. Në këtë funksion, në qërshor të vitit 2017, ia thyen dhe ia demoluan shtëpinë, në këtë funksion ishte edhe përmbajtja e thirrjes që Prokurori special ia përcolli Ramabajës, më 25 shtator 2017, për t’u lajmëruar në Prokurorin më 9 tetor 2017, në orën 10, “si i dyshuar për veprat penale: vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 126, paragrafi 1, lidhur me nenin 34, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144, par. 1 dhe 2 të KPRK-së.“3

Së pari, kjo ishte një lojë e tejdukshme e jeniçerëve të Shikut, sepse për këso dyshimesh të rënda, në një vend normal, nuk thirret askush me letërthirrje, por arrestohet drejpërdrejt e me procedurën më të shkurtë dhe më të sigurtë të mundshme;

Së dyti, gjatë hetimeve 7 muajshe të kësaj dosjeje, për sa kohë që z. Ramabaja ishte i lirë, nuk kishte asnjë element tjetër, pos atyre që thuhen për të në aktakuzë, pra redaktimi i librit “Lufta e pambaruar“, nënshkrimi i parathënies së librit me pseudonimin Besnik Berisha dhe takimi me Murat Jasharin e Avni Llumnicën në restoranin “Panorama“, në Matiçan. Asgjë tjetër!

Reagimi i Sadri i Ramabajës lidhur me përmbajtjen e thirrjes së Prokurorit ishte i pritshëm: “Kam arsye të dyshoj thellë se janë pjesëtarë të kësaj bande që urdhëron ndjekjen e atdhetarëve, që në fillim të qershorit më paten demoluar shtëpinë, duke hedhur gjithë mllefin në bibliotekën time. Zatën paralajmrimi i njërit nga pjesëtarët e forenzikës në atë rast, se nuk kemi të bëjmë me akt vjedhjeje, meqë duket sheshit se, personat kanë qenë në kërkim të dokumenteve, tek tashti më tingëllon shumë real.

Duket qartë se, kjo gjueti shtrigash, ka karakterin e hakmarrjes politike nga ana e Serbisë, ndërkaq marionetat e instaluara në krye të Republikës dhe të Prokurorisë Speciale, si puna e Sylë Hoxhës, e bëjnë punën që ju urdhërohet.

Këto duhet të jenë arsyet reale përse inskenohen e krijohen kuaziorganizata, duke instrumentalizuar, nëpërkëmbur e manipuluar edhe personat me shëndet mendor të dëmtuar…“4

Sipas të gjitha gjasave, Ramabajën provokatorë të ndryshëm e kanë cytur që të mos i përgjigjet ftesës së Prokurorit, sepse kjo ishte edhe një praktikë e Lëvizjes Vetëvendosje që procedurave të përditshme penale kundër aktivistëve të saj të mos u përgjigjen më, si shenjë revolte për persekutimet masive të organeve të shtetit ndaj tyre. Por kishte edhe një segment tjetër: oficerë të organeve të sigurisë, gjoja dashamirë të Sadri Ramabajës, të cilën në të gjitha mënyrat e kanë cytur të mos i përgjigjet thirrjes së Prokurorit dhe të largohet nga Kosova, me arsyetimin se mund t’i ndodhë diçka në burg ngjashëm me Astrit Deharin e ndjerë etj. Ky rrezik ishte dhe vazhdon te jetë krejt real, prandaj ky motiv dhe fushata intensive mediale, që vazhdonte të bëhej lidhur me dosjen e kurdisur “Syri i popullit“, duhet të kenë ndikuar që ai të përpiqet të largohet nga Kosova. Kjo Ramabajës i ka kushtuar shumë, sepse pikërisht këtë e kërkonin regjisorët e tragjikomedisë “Syri i popullit“.

Dhe duke u thirrë në këtë veprim të cytur, Gjykata dhe prokurori vazhdojnë ta mbajnë Sadri Ramabajën kundërligjshëm në burg tash e një vit e gjysmë. Dhe pikërisht për ta mbajtur atë sa më gjatë në burg, e kanë kthyer një gjykim që normalisht do të kryhej për tri ditë, në një sagë që u ngjan telenovelave banale turke e latinoamerikane që zgjasin me vite.

 

  1. Për çka e ngarkon Prokuroria speciale Sadri Ramabajën?

Sipas aktakuzës, tekstin e të cilës po e sjell pa asnjë ndryshim, Sadri Ramabaja vetë i nënti, “Me datë 15.05.2015 si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit” me të ashtuquajturit “Avni Rrustema”diku, në një shtet evropian, kanë marrë vendim që në mars të vitit 2017 të fillojnë me aksione të kundërligjshme, me qëllim që seriozisht të destabilizoj ose të shkatërroj strukturat themelore politike, kushtetues, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, që me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtar të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016…“5

Megjithatë, për çdo lexues normal është e qartë se, në 78 faqet e aktakuzës dhe në të gjitha shkresat e lëndës, nuk ka asnjë provë e as më të voglin argument që implikon Sadri Ramabajën në Sajesën e Shikut me emrin e “Syri i popullit“.

A.“Në komunikimet mes të pandehurit Murat dhe të pandehurit Sadri Ramabaja përmes email, shihet kjartë një komunikim sqarues dhe vëretohet se, i pandehuri Sadri Ramabaj e ka redaktuar librin “LUFTA e PAMBARUAR, Ballë për Ballë me komplotistët“, të autorit Murat JashariGjatë komunikimit Murati ia dërgon librin për redaktim, ndërsa i pandehuri Sadri i përgjigjet se është i nxënë dhe i kërkon mirëkuptim.“6

Siç duket, për shkak të insistimit të përseritur të Murat Jasharit, Ramabaja pranon ta bëjë redaktimin e këtij libri: “Me datën 19.07.2016, i pandehuri Sadri Ramabaja i shkruan të pandehurit Murat:‘siç e sheh i kam hequr nga kjo tërësi dy letrat që i kishe për Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferin. Mendoj se nuk është mirë ti kesh tabel qitjeje edhe Aliun e Musën, aty ku i merr në shënjestër me shumë të drejtë këtë pjesën tjetër që i bën puçin LPK-së dhe UÇK-së”.

“Me datën 18.07.2015, i pandehuri Sadri i drejtohet të pandehurit Murat me fjalët: “Letrat, këto që ti kam redaktuar dhe rinumëruar, po i publikove me një libër dhe me këtë titull dhe nën titull, besoj se shumë mund të kenë efekt shpjegues. Si i tillë libri mund të shëndrohet në referencë speciale për të gjithë ata që për efekte studimi ose thjeshtë politike, në të ardhmen e afërt mirren me LPK-në dhe UÇK-në. Gjithsesi kujtimet mos i bashko në një libër me letrat” pastaj nuk e di a e ke pas edhe një letër ekstra për Hashim Thaqin me shumë pyetje, apo jam gabim. Nëse të është shmangur ma dërgo dhe unë e inkorporoj aty ku e ka vendin ,fill pas dyshes së famshme komplotistëXhaviti dhe Azemi” po ashtu i shkruan “nëse askush nuk pranon të jetë recenzent të majfton vetëm redaktura që po e bëjë unë nën PSEUDONIMIN TIM që e kisha edhe gjatë ilegales, sa isha në celulë me Nuhi Berishën”. 7

 

Nga aktakuza del qartë, se përpjekjet e Kadri Veselit, Elmi Reçicës, Xhavit Halitit dhe Hashim Thaçit gjatë “dëshmisë“ së tyre në Gjykatë, për t’ia mveshur Sadri Ramabajës autorësinë e letrave pa zarf që Murat Jashari ua kishte adresuar atyre dhe të tjerëve, në vitin 2012, bien krejtësisht në ujë.

Këtë detyrohet ta pranojë edhe Prokurori special, sepse përmes penës së tij del se Murat Jashari ia kishte dërguar Sadri Ramabajës krejt lëndën e librit për redaktim, dhe ky fillimisht, për mungesë kohe, nuk kishte pranuar.

Por, më vonë, konkretisht në korrik 2015, pra 3 vjet pasi që ishin publikuar gjithandej letrat e famshme, kur e merr përsipër redaktimin, e arsyeton këtë me argumente të një intelektuali që di se çka flet:

“Si i tillë libri mund të shëndrohet në referencë speciale për të gjithë ata që për efekte studimi ose thjeshtë politike, në të ardhmen e afërt merren me LPK-në dhe UÇK-në…“ Ndërkaq, për autorësinë e letrave flet qartë edhe kjo frazë e Sadri Ramabajës, me të cilën ky i drejtohet Murat Jasharit, lidhur me librin; nuk e di a e ke pas edhe një letër ekstra për Hashim Thaqin me shumë pyetje, apo jam gabim?

Po të ishte Ramabaja autor i këtyre letrave, ai nuk do të kishte nevojë ta pyes Murat Jasharin për njërën prej letrave më gjithpërfshsirëse me 1443 pyetje që ky i fundit ia kishte dërguar Hashim Thaçit përmes medieve dhe, sidomos, nuk do të kishte nevojë t’i redaktonte ato edhe njëherë.

Ramabaja gjatë procedurës e shpjegon edhe në mënyrë pedagogjike se cili është roli i redaktorit të një libri:

“Detyra kryesore e redaktorit është të vlerësojë se a është për publikun një libër apo jo, jo rrallë në historinë politike nëse mbrenda një libri redakton qoftë vetëm edhe një ide të mirë një fakt historik atij i mjafton që ta bëjë redakturën e tij. Redaktimi nuk do të thotë shkrim ose rishkrim i një libri, më shumë do ti ngjante një terziu që heq pjesë të tepërta të tekstilit”.8

Çka ka këtu me “Syrin e popullit“? Asgjë, bash asgjë! Sepse i pëlqeu dikujt ose jo, në letrat e Murat Jasharit përthehen përçarjet e mëdha ndërshqiptare në kohën kur krejt Kosova ishte përfshirë në flakët e luftës, të cilat ai i njihte shumë më mirë se Sadri Ramabaja, që prej vitesh nuk ishte më pjesë e LPK-së. Në fakt letrat e Murat Jasharit e kanë burimin në thyerjen e madhe që ndodhi më më 2-3 maj 1998, në Wurzburg, në Gjermani në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, kur disa aktivistë të saj, konkretisht Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Elmi Reçica, Adem Grabovci e tjerë, duke anashkaluar organet e LPK-së, uzurpuan udhëheqjen e UÇK-së dhe eliminuan disa nga kuadrot më të besueshëm, më të dijshëm, më të përvojshëm e më të devotshëm të Lëvizjes, vetëm pse këta ishin për një front të gjerë e të përbashkët të të gjithë shqiptarëve në përballjen e tmerrshme me Serbinë.

Në të njëjtën mënyrë Thaçi e C° eliminuan pastaj edhe Adem Demaçin, Përfaqësuesin politik të UÇK-së e ideologun e saj, dhe, në orën më të ligë të historisë, e sollën vendin në prag të një lufte vëllavrasëse. Pikërisht ky grupim qëndron prapa vrasjes së Behadin Allaqit, Ilir Konushevcit, Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Ibrahim Nikqit me vëlla etj., Xhemajl Mustafës, Shaban Manajt, Ekrem Rexhes, Smajl Hajdarit, Ismet Racit etj, për të cilët krejt Kosova e di se çdonjëri prej tyre ishte atdhetar i qashtër 1000 karatë!

Pikërisht për shkak të veprimtarisë antikombëtare të këtij grupimi, Kosova shkoi në Rambouillet e përçarë dhe doli nga lufta pa asnjë institucion të besueshëm, pikërisht falë këtij grupi maskarenjsh u nda Veriu i Kosovës, pikërisht këta cuba sabotuan disa vjet Shpalljen e Pavarësisë…, plaçkitën kusarisht të gjitha ndërmarrjet e pronat publike dhe, në fund, arritën që Kosovën ta kthejnë në një shtet të dështuar dhe tani, për të shpëtuar lëkurën e vet, i nxorën territoret dhe kufijtë e saj në pazarin e madh.

Për të parë përmasat dhe pasojat e veprimtarisë së klanit Pronto, mjafton ta bëjmë një krahasim të thjeshtë: Timori Lindor, falë Amerikës u çlirua njëkohësisht me Kosovën, në vitin e ndritshëm 1999. Timori, që, në të gjitha pikëpamjet, ishte dy shekuj pas nesh, e shpalli Pavarësinë më 2002, ndërsa Kosova 6 vjet më vonë, në rrethana gjeopolitike shumë më të disfavorshme.

Prandaj me redaktimin e këtij libri, Sadri Ramabaja jo vetëm që nuk ka kryer vepër penale, po përkundrazi, e ka kryer me konsekuencë detyrën e tij prej intelektuali e atdhetari.

Kur jemi te letrat e Murat Jasharit, duhet nënvizuar edhe një detaj që flet shumë: gjatë kohës së letrave, pranverë – vjeshtë 2012, Murat Jasharin e kanë vizituar në spital, në Friburg dy operativistët kryesor të Prontomafisë, shefi i shefave Adem Grabovci dhe zëvendësshefi i Shikut, Elmi Reçica, njëri prej personazheve më të errëta të Prontomafisë, gishtërinjtë e pistë të të cilit i gjen kudo dhe roli i të cilit në këtë dosje është rëndësor…

Personat që kanë komunikuar rregullisht me Murat Jasharin në atë kohë, pohojnë atë që ua ka thënë ai: “qëllimi i vizitës së Grabovcit dhe Reçicës ishte së pari të më bindin, përmes premtimesh të majme, që të mos i përmend emrat e tyre në letrat e ardhshme dhe pastaj të mos i përmend Thaçin dhe Veselin.“

Sipas këtyre burimeve, prej asaj ditë e tutje rreth fatit të Murat Jasharit fillon të mbështillet rrjeti i merimangës së Shikut, Vejusha e Zezë, siç e quajnë Elmi Reçicën gazetarët. Përndryshe, siç dihet, Vejusha e Zezë është një qenie e vocërr, e cila kur i pickon viktimat, helmi i saj sulmon drejtpërdrejt sistemin nervor të tyre.

B.“Gjatë hetimeve në këtë çështje penale duke i shtjelluar dhe analizuar shkresat e lëndës e kemi siguruar një ekzemplar të librit “LUFTA E PAMBARUAR” e të pandehurit Murat Jashari e botuar në Prizren më 2016. Ndërsa si redaktor i librit Dr Besnik Berisha i cili është konfirmuar se është i pandehuri Sadri Ramabaja. Nga kjo vërtetohet se i pandehuri Sadri Ramabaja me qëllim dhe plan të detajuar i ka ikur publikimit të emrit të sakt si redaktor i librit dhe ka shkruar emrin dhe mbiemrin tjetër. Me këtë i ka ikur identitetit të vërtetë pasi që është i involvuar direkt në organizimin, planifikimin e planeve të organizatës “Syri i Popullit”, në teren si dhe në shkresat operative si përgjegjës i grupit politik (BESNIKU), i cili ka pas për detyrë të lëshoj komunikata, njoftime dhe sipas nevojës edhe reagime.“9

Këso formulimesh butaforike e keqdashëse kemi mundur të gjejmë vetëm në aktakuzat e përpiluara nga prokurorët serbë në periudhat më të errëta të historisë së Kosovës. Pse?

Së pari, të përdorësh pseudonimin në një veprimtari legale, siç është publikimi i një libri, nuk është vepër penale, për më tepër është një praktikë e kultivuar kaherë e shumanshëm në letrat shqipe: Pashko Vasa, Fan Noli, Faik Konica, Esat Mekuli, Mitrush Kuteli e deri te Rexhep Qosja. Më i njohuri prej tyre është Mit’hat Frashëri, i cili tërë jetën, edhe publikimet e tij lapidare, i ka nënshkruar me pseudonimin Lumo Skëndo. Dhe të gjithë e kanë ditur se ai ishte Mit’hat Frashëri! Madje edhe të huajt.

Së dyti, krejt shkresurinat e Shikut që i mveshen “Syrit të popullit“, gjegjësisht Sadri Ramabajës: komunikata, promemorje, lista për ekzekutime me sqarimet përcjellëse ekzotike, parashtresa e tandara mandara, me të cilat prokurori e qëndisë aktakuzën e tij, në të gjitha pikëpamjet, për marre, shihet se janë paçavure të sajuara nga budallenjtë e Prontomafisë. Ato nuk kanë strukturë sintaksore, ato në çdo rresht janë kundërthënëse, aty nuk ka mendim politik por stil të fletërrufeve qesharake, aty ka gabime drejtshkrimore e logjike që nuk do t’i bënte as një fillorist etsetera etsetera… Merreni me mend në njërin prej këtyre shtarave shkrimore u kërkohet Fuqive të Mëdha ta njohin Enver Hoxhën si Hero tonin kombëtar! Thuase për këso çështjesh u dashka njohje ndërkombëtare… Apo te listat e famshme, ku kam pasur nderin të figuroj edhe unë, e ku dënohet me pushkatim edhe Ibrahim Rugova, ani se kishte vdekur 11 vjet më parë!

Sadri Ramabaja është ndër penat më të mprehta e më të kultivuara të letrave shqipe sot, ai nuk ka blerë diploma doktorature nëpër çymezet e asociacioneve komike nëpër Amerikë, siç kanë bërë krejt shtatmadhoria e Prontomafisë, madje edhe Koçi Xoxja i Kishnarekës, prandaj është turp i pafalshëm për krejt gjyqësinë e Kosovës t’i marrë si të mirëqena dhe të përpiqet t’ia mveshë Sadri Ramabajës këto sajesa diabolike të Shikut.

Së treti, në aktakuzë përmenden me emër e mbiemer të mirëfilltë 4 persona, të cilëve u mveshen role edhe më delikate se Ramabajës, këtyre skenari i “Syrit të popullit“ ua cakton rolin e prokurorëve që do t’i merrnin në pyetje Thaçin e C°, pas arrestimit! Skenari nuk e lë pa punë as z. Mazllom Baraliun, ish-rektor i Universitetit të Prizrenit, të cilit i cakton rolin e ekspertit… Atëherë, meqë Prokurori na qenkesh kaq i përpikt në hetimin e kësaj dosjeje, pse më shumë i besoka vërtetësisë se një pseudonimi se sa emrave të mirëfilltë?

Së katërti : Komunikata, përmes së cilës Syri i popullit merr përsipër aktin terrorist kundër Azem Vllasit, është nënshkruar nga “Sakati“, sipas prokurorisë, pseudonimi i Murat Jasharit. Siç dihet, në kohën kur është shpërndarë komunikata, Murat Jashari, alias “Sakati“, ndodhej në burg. E meqë “Sakati“ ishte në burg pse atëherë komunikatën të mos e nënshkruaj “Besniku“ (pseudonimi që Shiku ia mvesh Sadri Ramabajës)  që nuk ishte në burg?

Së pesti, këto shkresurina u ngjajnë si veja vesë trakteve që i shpërndante Udba gjatë viteve tetëdhjetë në mërgim para aksioneve të ndryshme kundër aktivistëve të spikatur të Lëvizjes tonë Kombëtare… Sinqerisht, duke i lexuar këto budallaki të “Syrit të Shikut“, kisha përshtypjen se i ka shkruar e njëjta dorë dhe i ka diktuar e njëjta gojë.

Kur jemi te libri “Lufta e pambaruar“ duhet përmendur edhe një detaj fort interesant: Zijafeti i mbajtur më 3 janar 2017 në fshatin Mazgit, të cilit Prokurori i jep dimensionin e një tubimi politik, gjegjësisht strukturimit të mëtejmë organizativ të “Syrit të Popullit“, alias “Syrit të Shikut“, e ku ishin të pranishëm 50 pjesëmarrës, një ekip i TV-së, edhe dy këngëtarë me çallgia, fillimisht ishte menduar si promovim i librit të Murat Jasharit, “Lufta e pambaruar“. Këtë fakt e pohojnë dy dëshmitarë. Por në realitet  ky duhet të ketë qenë një kurth i regjisorëve, për ta joshur aty Sadri Ramabajën, si redaktor i librit dhe pastaj të gjitha do të ishin në një vend: ‘organizata terroriste’, ‘ideologu’, ‘myhybët’, fjalimi ‘programatik’ i Murat Jasharit (fjalim që cilin prokurori e quan ‘emotiv e patriotik’!), filmimet, nënshkrimet etj. Të gjitha bashkë, si në shfaqjen e dramës së famshme të Ymer Shkrelit “Hotel ‘Kashta’“.

Një Zot e di se çfarë rrethanash e kanë penguar Dr Ramabajën të mos ndodhet në atë mjedis të zhurmshëm folklorik, me çka do ta plotësonte për marak skenarin e Prontomafisë!

C. Më 11 mars 2017, dy ditë para atentatit kundër Azem Vllasit, Sadri Ramabaja takohet me Murat Jasharin në një restoran, në Matiqan. Aty është i pranishëm edhe Avni Llumnica, por krejt afër tyre edhe dy persona të tjerë, që më vonë, gjatë procedurës, do të kthehen në dëshmitarë të mbrojtur (A2 dhe A3), si intepretues të muhabetit që është bërë në një vend publik për gjoja strukturën organizative të një subjekti ilegal. Natyrisht se fjala është për agjentë të policisë ose AIK-ut.

Ky takim nuk është bërë rastësisht, sepse regjisorët kishin nevojë për të, në mënyrë që mozaiku i krimit që do të ndodhte pas dy ditësh, me porosi të Prontomafisë, të mos ketë asnjë boshllëk. Njeriu i Shikut që manipulonte prej kohësh Murat Jasharin ka insistuar që ky takim të bëhet me çdo kusht dhe në prag të atentatit. Në këtë takim të kurdisur është përmendur numri i telefonit të Azem Vllasit, të cilin gjoja Murat Jashari ka kërkuar t’ia gjente Ramabaja dhe këtë përmes një dëshmitari tjetër që ai po edhe Vllasi e kishin mik. Krejt me qëllim që në këtë kurdisje të ketë sa më shumë fije, sa më shumë gjurmë…

Ashiqare fjala është për një manipulim të lig të zyrtarëve të ngarkuar me këtë dosje me qëllim inkriminimin e Sadri Ramabajës. Sepse, siç del qartazi nga aktakuza, të gjithë të dyshuarit dhe të akuzuarit, përfshi Murat Jasharin, kanë përdor masivisht rrjetet sociale dhe kanë ditur se përmes sistemit google, me një rënie gishti, kanë mundur ta gjejnë numrin e telefonit dhe adresën e cilitdo avokat në planetin tonë gjithnjë e më të vogël. Natyrisht edhe telefonin dhe adresën e avokatit, Azem Vllasi.

Ky është një detaj krejt i vogël, por flet shumë, sepse ia heq krejt pelerinën e zezë një dosjeje të kurdisur nga funksionarë të shtetit, të cilët zyrat e organit ku punojnë i kanë kthyr në zgafella të një organizate kriminale të njohur gjithandej me akronimin SHIK.

 

  1. Pse Prontomafia e përdori Azem Vllasin si tabelë për qitje?

Nga të gjithë ata që përcjellin rrethanat në Kosovës dhe shkrimet për të kaluarën e vonshme të saj, dihet se Sadri Ramabaja shpeshherë në analizat e tij e ka lakuar emrin e Azem Vllasit, pa kursyer edhe terma që, megjithatë janë të diskutueshme. Në fakt Sadri Ramabaja dhe Azem Vllasi janë bashkëvendas dhe që të dy i “lidhë“ edhe një dramë e rëndë e viteve ’80. Arrestimi i Sadri Ramabajës dhe trajtimi i tij çnjerëzor gjatë hetimeve nga i vëllai i Azem Vllasit, Aliu, në atë kohë inspektor i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror. Më vonë kjo marrëdhënie merr edhe përmasat e një procedure civile, që në thelb, ma thotë mendja, burimin e ka te burgosja e Sadri Ramabajës, këtu e 36 vjet më parë.

Dhe pikërisht në këto marrëdhënie të acaruara, Shiku ngulë gozhdën e tij të ndryshkur për ta varë në të strajcën me “gjynahet“ e Sadri Ramabajës.

Duke analizuar këtë dosje kam lexuar plot shkrime, në të cilat autorët përpiqen ta mbrojnë Sadri Ramabajën me teorizime krejt boshe duke sulmuar Azem Vllasin! Duke i lexuar disa prej tyre më kanë bërë të them: më mirë është me të hëngër dreqi se me të mbrojtë budalltë.

Në ato shkrime për z. Vllasi thuhen të vërteta, gjysmë të vërteta por edhe shumë rrena.

Është e vërtetë se gjatë viteve tetëdhjetë, në një kohë me shumë trazira e përplasje në Kosovë, Azem Vllasi ka qenë në një post të rëndësishëm politik, por jo në postin kryesor. Është e vërtetë gjithashtu se gjatë atij aktiviteti ai ka qenë pjesë e nomenklaturës së kohës dhe, me shumë të tjerë, ka marrë pjesë nëpër mbledhje dhe ka mbajtur fjalime, me të cilat jam i sigurt se nuk krenohet sot. Por është e vërtetë gjithashtu se Azem Vllasi në një moment rreziku serioz për shtetësinë e Kosovës e ka kundërshtuar vendosmërisht suprimimin e autonomisë, për çka Millosheviqi personalisht, dhe para një milionë njerëzve, ka urdhëruar arrestimin e tij.

Azem Vllasi ka qenë në burg rreth 1 vit e gjysmë dhe është liruar në saje të një presioni serioz ndërkombëtar. E di mirë sepse, veç të tjerëve, edhe unë me dorën time kam shkruar me dhjetëra letra për ta mbrojtur atë si edhe çdo të burgosur tjetër politik në Kosovë.

Në anën tjetër, për njerëzit me vetëdije politike, më 1 maj 1990 ka ndodhur njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës, Tubimi madhështor te Verrat e Llukës, 1 maj 1990! Aty Kosova nuk i ka pajtuar vetëm gjaqet, por çdo lloj armiqësie ndërshqiptare, për të qenë gati e bashkë në vitet me furtunë që po vinin.

Në këtë vijë Adem Demaçi, Përfaqësuesi politik i UÇK-së, më 1998, emëroi për këshilltar të vetin edhe Azem Vllasin, jo për formë, por për shkak të përvojës dhe njohurive të tij.

Ndërkaq ata që përpiqen ta mbrojnë Sadri Ramabajën duke gozhduar Azem Vllasin, bëjnë një gabim të pafalshëm, sepse harrojnë se Azem Vllasi është viktimë e një atentati terrorist. Dhe se mjafton një hetim i përciptë, por i paanshëm, për të dalë në shesh fare lehtë se, njerëzit që ia kanë çu në shtëpi Murat Jasharin e sëmurë rëndë, për ta vrarë për motive gjoja atdhetare, janë funksionarë të shtetit në shërbim të Prontomafisë dhe se me këta tipa Sadri Ramabaja nuk kishte dhe nuk ka asgjë të përbashkët.

Zatën ai këtë e konfirmon qartazi para Prokurorit dhe gjatë gjithë procedurës:

“Në pyetjen se a ka biseduar i pandehuri Murat me ju për organizimin e vrasjes së Azem Vllasit, i pandehuri përgjigjetjo në asnjë mënyrë por sikur të kishte biseduar sigurisht që do ta qortoja se nuk është një veprim i arsyeshëm dhe në konceptin tim politik pavarësisht mos pajtimeve aktet e tilla janë të papranueshme dhe natyrë e cubave… ndërkaq demonstrata e vitit 1981 por edhe Republika sot mbrohet me mjete politike dhe juridike dhe jo me akte terroriste”. 10

Në të njëjtën vijë është edhe artikulli që prokurori përpiqet ta përdorë për gozhdimin e Dr Ramabajës,  Republika si produkt i kthesës së 1981-së – duhet mbrojtur me mjete politike dhe juridike“, botuar më 15 mars 2017… përmes të cilit, në substancë dhe përkundër disa teprimeve, ai kërkon që të gjitha përpjekjet për liri, të kristalizohen përmes ligjeve si vlera kombëtare dhe ato gjithashtu të mbrohen përmes ligjeve. Fundja, kjo analizë më shumë se asgjë tjetër, është vazhdim i një përballjeje të kahershme mes përfaqësuesve të dy rrymave dominuese politike të viteve ’80-të në Kosovë. Por për këtë debat nuk janë protagonistët e atyre ngjarjeve (në këtë rast zotërinjtë Vllasi e Ramabaja) që do ta thonë fjalën e fundit, por historianët, duke u mbështetur në fakte e dokumente relevante.

Në këtë kontekst duhet nënvizuar edhe një element tjetër, si përgjigje atyre që duan ta nxjerrin Azem Vllasin si njeri të Serbisë; nuk është Azem Vllasi ai që është ulur përballë Vuçiqit dhe po bisedon me të për ndarjen e Kosovës, por shefi i shtatmadhorisë së Prontomafisë, Hashim Thaçi. Dhe për t’i shkuar deri në fund kësaj teme, duhet nënvizuar se prej referendumit për pavarësi, 26 shtator 1991 e deri sot, nuk ka asnjë prononcim të Azem Vllasit që vë në pikëpyetje përcaktimin e tij për sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. E ky do të duhej të ishte guri i provës për cilindo shqiptar.

Azem Vllasi është burrë i zgjuar. Ai është avokat me përvojë, madje edhe vetë ka qenë viktimë i një procesi të ngjashëm të montuar politik, prandaj duhet ta ketë kuptuar me kohë atë që del qart edhe gjatë gjykimit se vrasësin në derë nuk ia kishte dërguar Sadri Ramabaja por funksionarët e kriminalizuar të shtetit dhe për hesape të Prontomafisë. Ai gjithashtu duhet ta marrë krejt të mirqenë një të vërtetë absolute që Sadri Ramabaja ia tha përsëritshëm në gjykatore: Ju dhe unë, që të dy jemi viktima.

  1. Si në romanin “Vdekja me vjen prej syve të tillë“

Gjatë krejt procedurës po sidomos në esenë e tij brilante, “Pse po më gjykojnë“, të shkruar në burg, në gusht e vitit 2018, Sadri Ramabaja, nga pozita e Xhezairit të Gjikës, kryepersonazhit të romanit të famshëm “Vdekja më vjen prej syve të tillë“, me të gjitha argumentet e një logjike të shëndoshë dëshmon pafajësinë e tij. Por, mjerisht, ai ka përballë një sistem të drejtësisë që është kthyer në instrument të mujsharëve që e kanë kapur shtetin për fyti.

Për implikimin e tij të përdhunshëm në këtë dosje të kurdisur Ramabaja konstaton: përfshirjen time në këtë farsë gjyqësore, e vlerësoj edhe si fyerje të intelegjencës sime.

Se sa larg kanë shkuar sejmenët e Prontomafisë në këtë maskaradë e dëshmon edhe fakti flagrant se, Aktakuza, objekt i kësaj analize, fillimisht u është shpërndarë medieve, pastaj disa ditë më vonë avokatëve, ndërsa Sadri Ramabajës pas plot 3 javësh! 11

Prandaj nuk është rastësi pse ai ka kërkuar me të drejtë që gjykimi të monitorohet nga ambasada e SHBA-së, sepse të gjithë të tjerët janë të pafuqishëm.

Ramabaja gjithashtu ka kërkuar edhe ndihmën e shoqërisë civile dhe të medieve. Por duhet të jetë zhgënjyer edhe më shumë se unë. Sepse gjatë publikimit në vazhdime të kësaj analize, kam marrë shumë letra e mesazhe. Shumë prej tyre mbështesin argumentet që kam shtruar, por ajo që më ka bërë më së shumti përshtypje është letërkëmbimi që kisha me dy gazetarë të njohur, që të dy analistë që shpesh herë kanë denoncuar guximshëm politikat dhe praktikat shtetdëmtuese të parisë së Kosovës.

Këta, grosso modo, më thanë troç: kjo që po bën ti është një mega huqje, sepse po merr në mbrojtje njerëz që nuk e meritojnë!

Ishte një komunikim kafkian:

Unë: Po pse po thuani kështu, o jahu! Unë nuk po mbroj askënd, por po e denoncoj një procedurë të kurdisur gjyqësore, po denoncoj një kurdisje viktimë e të cilës mund të jesh nesër edhe ti, edhe unë dhe çdo qytetar tjetër?

Ata: Nuk e meritojnë sepse na kanë futur në listë edhe neve!

Unë : Po në atë listë jam edhe unë, madje shumë më lartë se ju, por atë listë nuk e kanë shkruar këta që janë në burg, por ata që kanë shkruar këso listash edhe në vitin 1998, e që sot janë në krye të shtetit…, sepse e tëra është një kurdisje. Dhe konkretisht Sadri Ramabaja është viktimë e një hakmarrjeje të paskrupull personale të kreut të shtetit… Ai po mbahet mizorisht në burg, sepse kështu nuk po thotë Ligji, as Drejtësia, por Hashim Thaçi!

Ata : Po, po, por ai është enverist dhe nuk meriton me e mbrojtë… !!!

Mbeta pa tekst. Dhe nuk më la pa tekst përgjigjja e tyre, por fakti se ajo përgjigje është një barometër për të kuptuar përmasat e indiferencës, manipulimit  dhe marrëzisë që ka kapluar Kosovën sot. Sepse ky është rezultat i një nënshtrimi kolektiv e poshtrues që të krijon idhtësinë e zhgënjimit të Laokoontit me bashkëqytetarët e tij, të cilëve u doli gjumi vetëm pasi që Troja u bë shkrumb e hi.

Por, Dieu merci, ka edhe përjashtime: I vetmi intelektual me emër që ka prekur thelbin e Lojës në këtë proces të pistë gjyqësor ishte Kimete Berisha. Ajo në shkrimin brilant me titull, “Hashim dramaturgu dhe gjykata si teatër i tij“ në stilin qesh e ngjesh, e demistifikoi krejtësisht Procesin gjyqësor dhe u tall për qef me Thaçin, Veselin, Halitajn dhe suitën e tyre të zezë.

Por ajo që më ka befasaur më së shumti ka qenë lagjja politike ku Ramabaja ka milituar në vitet e rënda tetëdhjetë, pra LPK-istët e moçëm; disa prej tyre kanë reaguar por jo siç është pritur, disa kanë rënë në rezignim, ndërsa një pjesë, si duket, janë displinuar me dosje, por jam i sigurtë se nuk janë kthyer në mercenarë të neveritshëm, siç është rasti me Kryekorbin e Mërgatës, i cili u zbulua se është argat i zellshëm i Shikut, sepse prej vitesh sa herë që Prontomafia mbështetej me shpatulla për muri, ky çakall, bashkë me përcjellësit e tij të budalltë, gjente dhe gjen tema të shpifura enkas për të zhvendosur vëmendjen nga presioni në rritje.

Ndërkaq për të ashtuquajturen Shoqatë të të ashtuquajturve të burgosur politikë dhe për KMLDNJ, që prej vitesh është kthyer në ekspoziturë të Shikut, nuk ia vlen as me folë.

Sidoqoftë, tash për tash regjisorët e kësaj dosjeje të gërditshme mund t’i fërkojnë duart, mund të zgërdhihen siç bëjnë gjithë ditën para medieve dhe ekraneve të nënshtruara edhe për gjëra shumë më të rënda, por një gjë duhet ta dijnë se asgjë në këtë botë nuk mbetet pa dalë në Dritën e Diellit. Serbia ka mekanizma shumë më të përkryer, ka struktura shtetërore shumë më të përvojshme, por asnjë kurdisje kundër shqiptarëve nuk ka mundur ta fshehë përgjithmonë.

Shëmbull janë proceset gjyqësore që u përmendën në shkrimin e parë të kësaj analize, por një rast tjetër që Prontomafisë dhe jeniçerëve të saj do të duhej t’ua ngrijë zgërdhirjen në surrat, është nxjerrja për fushë e krimit të tmershëm në kafenenë “Panda“ në Pejë, kur, më 15 dhjetor 1998, Udba vrau 6 të rinjë serbë dhe plagosi shumë të tjerë, me qëllim që këtë mizori t’ua mveshë shqiptarëve. Me atë rast janë arrestuar, janë terrorizuar disa dhjetëra shqiptarë, shumë prej të cilëve edhe janë dënuar për krimin që s’kishin haber…

Por, 15 vjet më vonë, vetë kryetari i Serbisë u detyrua të pranonte se këtë krim të tmershëm nuk e kishin kryer shqiptarët, por vetë shteti serb.

Së shpejti vazhdimi i fundit : Shfaqja publike e Komplotit të Prontomafisë

Fusnotat

  1. https://www.syri.net/rajoni/65131/syri-i-popullit-thirrje-qytetareve-votoni-vetevendosjen/
  2. http://ulpianapress.com/rishfaqet-syri-popullit-jep-mbeshtetje-albin-kurtit-dhe-krahut-te-tij/
  3. https://www.koha.net/arberi/47791/sadri-ramabaja-ftohet-nga-prokuroria-si-i-dyshuar-per-vrasje-e-terrorizem/
  4. https://www.koha.net/arberi/47791/sadri-ramabaja-ftohet-nga-prokuroria-si-i-dyshuar-per-vrasje-e-terrorizem/
  5. Aktakuza, faqe 4
  6. Aktakuza, faqe 29
  7. Aktakuza faqe 29
  8. Aktakuza, faqe 39
  9. Aktakuza faqe 27
  10. Aktakuza faqe 39
  11. Për Dr Ramabajën, reagime dhe opinione, Prishtine 2018, faqe 168
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*