Grenelli paraqiste rrezik serioz për Kosovën

Shkruan:
Xhafer Shatri

Është hera e dytë, që Zoti po e merr në mbrojtje Kosovën, njëherë më 1999 e dje edhe një herë.

Unë nuk kam shpjegim tjetër.

Herën e parë, shqiptarët e rrezikuar seriozisht me zhdukje fizike, ishin bërë pikë  e pesë dhe Amerika me aleatë i bëri bashkë, me qykë të zorit, dhe e bënë Serbinë telef.

Kësaj radhe dreqi ishte edhe më i madh, sepse ishte atje ku s’e prisnim, në Washington dhe me emër Richard Grenell, një mbështetës serioz i përpjekjeve të Serbisë për ta copëtuar Kosovën.

Të merremi vesh, unë nuk besoj se Grenell ishte spiun serb as rus, ai thjeshtë kishte interesa konkrete vetiake; ia kishte qitë terezinë herifi të bëhet sekretar shteti dhe për këtë qëllim, siç e dëshmoi disa herë, ishte i gatshëm me e rrahë edhe Hanën me kamxhi!

Por e zeza ishte e shumëfishtë, e me të edhe rreziku: Në Prishtinë Grenelli gjeti dy mbështetës të vendosur: Hashim Thaçin, me një dosje penale disa mijëra faqesh e me vendim arresti në sirtar dhe Isa Mustafën një faqezi par excellence, i sërvitur për t’i shërbyer kujtdoqoftë vetëm nëse fiton diçka. Ama çkadoqoftë.

Këta të dy dhe kukullat e tyre në LDK, u bënë zbatues të vendosur të çdo dëshire të Grenellit.

Dhe plani i tyre diabolik do të realizohej, po të mos kishte zyrtarë të lartë amerikanë që ishin tepër të pakënaqur me Trampin dhe me Grenellin e sidomos me përpjekjet e tyre që një projekt amerikan; Ballkani i paqësuar dhe Kosova e pavarur të dështonin për ibret.

Prandaj, sipas të gjitha gjasave, e informuan Prokurorin special se Thaçi ishte i gatshëm të bënte çdo pazar, të nënshkruante çdo marrëveshje vetëm të mos shkonte në Hagë… Prandaj u bë publik lajmi se aktakuza kundër Thaçit me shokë ishte në procedurë aprovimi.

Asokohe Grenelli ishte drejtor i të gjitha agjencive merikane të zbulimit e kundërzbulimit, nëse nuk gaboj 17 sosh, përfshirë edhe violinën e parë të tyre CIA-n e famshme, dhe ky e ka ditur shuuumë mirë për aktakuzën, por ka dashur që Hashim Thaçin ta shtrydhë për të fundit herë para se ta hedhë në shportën e bërllogut…

Dhe falë kumtesës së Prokurorit special, Marrëveshja e shumëpërfolur dhe e shumëpritur ra në ujë. Disa javë më vonë u nënshkrua një zotimmarrëveshje, por nuk ishte as hirra e asaj që ishte gatuar nga Grenelli, Vuçiqi dhe dueti shtetrrënues Thaçi-Mustafa…

Zgjedhja e Joe Bajdenit President, këto përpjekje të rrezikshme i ka ndalë njëherë e përgjithëmonë.

Për tu dhënë udhë rrjedhave të historisë në këso rastesh, dy prej të cilave i përmenda në këtë ode, fuqia e njeriut, cilido qoftë ai, është tepër e vogël.

Veç i madhi Zot mund ta bëj këtë dhe ne duhet t’i jemi falenderues përgjithmonë!

Sepse Kosova vërtetë ka qenë në rrezik.

Merreni me mend po qe se për fatin e saj do të vendosnin Grenelli e Vuçiqi dhe Thaçi e Mustafa!

E në pikëpamjen time nuk do të kishte fatkeqësi më të madhe për një popull se sa për fatin e tij me vendosë horra të tillë që nuk njohin as një kod moral, as një normë drejtësie, as një fakt historik…

 

Ps.

 

Sabedin Fazliu, askohe pensionist i vjetër, ka qenë ndër mërgimtarët e parë shqiptarë në Gjenevë. Banonim në të njëjtën ndërtesë. Ka qenë shuuumë burrë i mirë, Shpirti i bëftë Dritë. Si shumica prej nesh, gjatë Luftës edhe ai rrinte me vesh në krah.

Më kujtohet si sot, kur një mengjes herët, në fund të janarit të vitit 1999, duke shkuar ta marrë liftin, kur kalova pranë derës së tij, e ndëgjova duke bërtitur me zërin e tij të drithëruar sa ia zinte fyti:

O Zot, pashë madhninë tane, ndihmoje Kosovën!

O Zot, po të lutem si asnjëherë tjetër, mos na e kthe shpinën!

O Zot!…

Zëri i tij kumbonte në krejt ndërtesën. Kurrë nuk e harroj.

M’u dridhën leçet e këmbëve nga trishtimi.

E lash liftin dhe zbrita shkallëve tu dënesë si fëmijë.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code