Ju lutem, mos e instrumentalizoni proamerikanizmin tim për nevojat e politikës ditore

Shkruan:
Belul Beqaj

Derisa Christopher Dell ka ushtruar detyrën e ambasadorit amerikan në Kosovë, kam deklaruar publikisht se miqësia e shqiptarëve dhe e Kosovës me popullin dhe shtetin amerikan është konstante dhe e përjetshme. 

Por kjo nuk nënkupton se edhe miqësia dhe bashkëpunimi  i pushteteve tona (sidomos kur ato e ndjekin kryesisht vetëm interesin e vet) duhet të jenë konstante dhe të përjetshme. Respektimi dhe miqësia mes pushteteve bëhen në saje të interesave të ndërsjella, rrjedhimisht edhe kualiteti i bashkëpunimit  duhet të varet nga interesat e ndërsjella. Meqë  vetëm interesat   e ndërsjella janë të përjetshme. Si qytetar i Kosovës, jam mirënjohës dhe koshient se populli dhe shteti i Kosovës nuk do të kishin  arritur këtë stad historik të pavarësisë pa ndihmën dhe përkrahjen  e të gjitha administratave amerikane nga koha e V.Villsonit  e deri më sot . 

Asnjë administratë, deri te ajo e presidentit Trump,  nuk e ka kushtëzuar bashkëpunimin me popullin dhe  pushtetin e Kosovës. Asnjë administratë nuk i ka përjashtuar aleatët evropianë në përpjekje për të arritur objektivat perëndimorë në Kosovë. Pikërisht qasja unike dhe e pakushtëzuar e administratave e deritanishme ndaj Kosovës ka krijuar dhe thelluar ndjenjën  e proamerikanzimit te secili qytetar i Kosovës. Të gjitha administratat e mëhershme kanë  bërë më shumë për Kosovën dhe për shqiptarët sesa administrata juaj, zoti Trump, jeni administratë e parë,  e cila po e sjell në dyshim proamerikanzimin tim. 

Kjo, sepse  dëshironi zgjidhjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë ta instrumentalizoni në funksion të zgjedhjeve presidenciale! Për më tepër, jeni administrata e parë që presion po u bëni shqiptarëve e jo Serbisë! Dhe në fund, jeni administrata e parë që e mbështet rrëzimin e Qeverisë në gjendje të emergjencës kombëtare, në  vend se ta mbështetnit luftën e përbashkët kundër armikut të panjohur, COVID-19, ndërsa luftën politike ta linit në hije gjatë kësaj periudhe! Angazhimi juaj është i paanashkalueshëm për këtë marrëveshje. 

Ajo, thjesht, nuk është e mundur pa Amerikën, por ju lus,  mos e temponi për zgjedhjet e nëntorit! Mos e shikoni vetëm nga prizmi i interesave tuaja individuale. Ky diskurs është i  papranueshëm, të mos them  i rrezikshëm. Unë nuk jam kundërshtar i juaj. Jam po aq mbështetës republikan sa edhe demokrat. Por nëse e mbështes anën tuaj, e vë në dyshim proamerikanizmin tim, duke shpërfillur dhe përbuzur kontributin historik të administratave Klinton, Bush dhe Obama. Pra, ju lus,  fitoni zgjedhjet e nëntorit sikur që kanë bërë të gjitha administratat deri sot, pa i kushtëzuar qytetarët e Kosovës. Miku i madh dhe i fortë nuk e kushtëzon dhe nuk e instrumentalizon mikun e vogël për interesat e veta, për konsum lokal dhe për politikë ditore. Përkundrazi, i jep krah atij pa e shikuar vetëm interesin e vet. 

Në favor tuajin lidershipi i LDK-së (parti kjo e cila nga vdekja e presidentit historik Ibrahim Rugova e ka marrë rolin e nuses që martohet në koalicione me partitë e tjera vetëm e vetëm për të shijuar benefitet e pushtetit), i vetëdijshëm se nuk e ka mbështetjen e elektoratit , e ka keqpërdor “kartën amerikane” dhe peshën që kjo kartë ka në mesin e kosovarëve   për te përmbysur qeverinë dhe thelluar ndasitë amerikano0evropiane.  Jam thellësisht i bindur se juve dhe Amerikës nuk ju duhen dhe vetëm ju shkaktojnë dëm proamerikanët fals. Këta politikanë e kanë perfeksionuar licitimin me proamerikanizëm në luftë për pushtet në Kosovë, duke e fshehur keqqeverisjen e vet gjoja me proamerikanizëm të madh.

 Në praktikë, më besoni se ata janë nga antiamerikanët më të mëdhenj, sepse as nga ideologjia politike dhe as nga veprimet konkrete nuk kanë asgjë të përbashkët me vendin tuaj.   Pro trampizmi është i kalueshëm, ndërsa proamerikanizmi është kategori e përjetshme në Kosovë. Ai nuk duhet  të instrumentalizohet si proamerikanizëm në luftë për pushtet apo kundër ishpartnerit të koalicionit. Koha do të dëshmojë sa do të jetë gjatësia e tendencës së keqpërdorimit të proçamerikanizmit Fundja, zgjidhja që po tentohet të bëhet në Kosovë në saje të argumentit të fuqisë nuk ka bazë të qëndrueshme dhe jetëgjatësi stabile në krahasim me zgjidhjen që mbështetet dhe udhëhiqet me  fuqinë e vullnetit të popullit, i cili po anashkalohet sa nga “trampistet” aq edhe nga LDK-istët.  

Për Kosovën është fat historik se interesat tona janë përputhur deri më sot dhe se nuk do të mund të prishen gjatë mandatit të administratës suaj. Pikërisht ,për ketë, si proamerikan i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, ju lus, mos e instrumentalizoni proamerikanizmin tim sot për nevojat tuaja të brendshme. E ardhmja e juaj politike, sikur ajo e amerikanëve fals në Kosovë, është e limituar dhe një ditë do të marrë fund, ndërsa dashuria e kosovarëve ndaj vendit tuaj dhe të qenit e tij si kombi më proamerikan në botë dëshiroj të bëhen kategori të përhershme politike. / KOHA.net

Burim: https://www.koha.net/veshtrime/215813/ju-lutem-mos-e-instrumentalizoni-proamerikanizmin-tim-per-nevojat-e-politikes-ditore/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code