Këndellja e LDK-së e ndihmon shumë këndelljen e Kosovës

Shkruan:
Xhafer Shatri

Ndryshimet e fundit në LDK janë shenjë e mirë se elitat e reja nuk po depërtojnë vetëm në majet e pushtetit por edhe në opozitë. Efektet e këtij ndryshimi sasior e cilësor do të jenë të mëdha dhe afatgjata. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se në Kosovë po kthehet shpresa, se vendi ynë po del nga balçaku ku e kishin katandisur mafiozët politikë.

Vendimi i Kryesisë së LDK-së për të mos e bojkotuar Kuvendin, për t’u sjellur si opozitë e mirëfilltë, për ta sfiduar pushtetin jo me inat, budallaki e destruksion ballkanik, por evropianisht, me ide e me alternativa, dëshmon se ky subjekt rëndësor politik, po çlirohet jo vetëm nga uzurpuesit e tij dhe nga darët e SHIK-ut, por edhe nga një shtresë hajvanësh e tipash destruktiv që njeriu normal e ka vështirë t’i dallojë se a janë karrieristë të sëmurë, kokëbosh të shkretë apo argatë të dreqit.

Nga kjo shtresë më të neveritshmit janë një grup zhurmaxhinjsh të internetit në Mërgatë, të cilët, ani se, një jetë të tërë jetojnë në vende normale, në fakt nuk kanë mësuar asgjë… Dhe jo vetëm nuk janë integruar aspak por kanë mbetur atje ku ishin: me mendësinë e ligë të UDB-së që detyrë parësore ka me hedhë dyshime, me pështy e me sha gjithëkë e gjithçka. Sepse këta tipa të mjerë, paradite e urrejnë krejt botën, ndërsa pasdite edhe vetën e tyre!

Këta urithë të rrjeteve sociale që plot gojën e kanë Kosovë, kur t’ua analizosh veprimet e tyre hollë e hollë bindesh se, megjithatë, argatin ia bëjnë ose SHIK-ut, ose Serbisë.

Natyrisht se Abdixhiku dhe krahu i tij reformator nuk do ta kenë të lehtë. Sepse e kanë kundër një rrjet të tërë zullumçarësh që me vite e kanë rrjepë Kosovën dhe janë tallur me LDK-në duke u thirrë në të sa herë ua ka lypë nevoja. Por këta do të zhveshen shpejt posa të fillojë t’i japë frytet e veta vetingu, por jo vetingu à la Edi Rama, por një pastrim i themelshëm i krejt organeve të shtetit e në veçanti e atyre të drejtësisë dhe të sigurisë.

Kritikuesit e Abdixhikut brenda LDK-së dhe sidomos shpura e lakejve të Prontomafisë që proçkallisin nëpër medie duke u shitur si analistë, e dijnë shumë mirë se, aktualisht në skenën politike të Kosovës e veçmas në opozitë, Albin Kurtit mund t’i dalë përballë dhe të matët me të, për dije e vizion, vetëm Lumir Abdixhikut e askush tjetër.

Duke reformuar vetën dhe duke kontribuar në reformimin e shtetit, Lidhja Demokratike do të bëhet joshëse për një vistër njerëzish të rinj që i afrohen asaj jo për ndonjë interes material ose pushtetor, por pse e gjejnë vetën aty dhe mundësitë për ta bërë Kosovën një vend normal e të këndshëm me jetu në të.

Prandaj, nëse vazhdon kështu, LDK në zgjedhjet e ardhshme do të jetë një rival serioz i koalicionit në pushtet.

Këtë shëmbull do të duhej ta ndiqte, sa nuk është bërë tepër vonë, edhe Partia Demokratike e Kosovës. Natyrisht nëse aty ka njerëz që marrin vesh në politikë. Në të kundërtën ajo do të vazhdojë të jetë një firmë private e Elmi Reçicës dhe Sami Lushtakut me shokë. Dhe si e tillë në zgjedhjet e ardhshme ajo nuk do ta shohë as pragun.

Sepse koha e cubave ka perënduar përgjithmonë!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code