Koha kur shteti serb i vriste serbët për t’ua mveshur krimin shqiptarëve

Shkruan:
Xhafer Shatri

Si sot, para 21 vitesh  ndodhi një krim i rëndë në Pejë, konkretisht në kafiterinë “Panda“, që frekuentohej nga të rinj serbo-malazez.

Në orën 20:15, dy persona me uniforma te zeza e me maska në fytyrë hynë në kafiteri dhe zbrazen rafale automatike mbi klientët e pranishëm. Mbetën të vrarë në vend 6 të rinj serbë dhe 3 të tjerë u plagosën (dy serbë e një boshnjak).

Ishin kohë të vështira. Krejt Kosova ishte përfshirë në flakët e luftës dhe ky krim i shëmtuar kundër civileve paralajmëronte kredhjen e Kosovës në një gjakderdhje të pambarimtë.

Menjëherë pastaj pasoi arrestimi i qindra shqiptarëve me akuzën se kishin marrë pjesë në këtë vrasje mizore. Shih analizën e gjerë te:

https://xhafershatri.info/serbia-perballe-demoneve-te-saj

Deri në dhjetor të vitit 2013 te serbët dominonte bindja se vrasjen e kishin kryer shqiptarët, por, para 6 vitesh, para medieve serbe doli Aleksandër Vuçiq, atëherë nënkryetar i qeverisë së Serbisë dhe shef i Zyrës për koordinimin e shërbimeve sekrete  dhe deklaroi se: “… ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat ne do të detyrohemi të përballemi, si për shëmbull vrasja e serbëve në kafiterinë “Panda“ në Kosovë e Metohi, më 1998, për të cilën nuk ka fakte se e kanë kryer shqiptarët siç besohej…“

Dy vjet më vonë Vuçiq, por tash në cilësinë e kryeministrit të Serbisë deklaroi: “Po vërdallisemi nëpër terr. Jam gati krejt i sigurt se çka ka ndodhur në “Panda“, por nuk ka fakte. Nuk jam i sigurtë se organet tona do të mund të mburreshin me atë që kanë bërë atëherë…“ 1

Më 29 dhjetor 2016, A. Vuçiq ishte edhe me konkret: “Ne e dijmë se çka ka ndodhur, por po qëmtohen detaje që këtë do ta mbështesnin. Mendoj se jemi afër zbulimit. E kemi ditur edhe para nje viti, por nuk i kishim emrat konkretë. Mendoj se tash i kemi edhe emrat…“2

Sipas burimeve të gazetës serbe “Blic“ krimi ishte kryer nga komandanti i Njësisë Speciale të policisë serbe në atë kohë, Milorad Ulemek “Legija“  dhe me urdhër të Rade Markoviq, asokohe shef i shërbimit sekret serb. Sipas këtij burimi, masakri ishte kryer me qëllim që ai t’i mveshej UÇK-së për ta paraqitur atë para opinionit ndërkombëtar si organizatë terroriste.3

Megjithatë prej atëherë e deri më sot organet e Serbisë nuk bënë asgjë për zbardhjen e krimit apo, thënë më mirë ,nxjerrjen e kriminelëve para drejtësisë. Dhe nuk është për t’u habitur sepse është në natyrën e shtetit serb që të mos i nxjerrë kurrë të palarat e veta në shesh, por të përpiqet me këmbëngulje t’ua mveshë të tjerëve…

Por ajo që është për t’u habitur dhe për t’u habitur shumë është qëndrimi shpërfillës i autoriteteve të Kosovës së pasluftës ndaj krimeve të shumta të Serbisë në Kosovë e gjethkë. Këto autoritete deri sot janë udhëhequr drejtpërdrejtë nga Hashim Thaçi dhe këlbaçët e tjerë rreth tij.

Në kohën kur Gjykata Speciale këtë vit ka thirrë mbi 250 shqiptarë qoftë si të dyshuar qoftë si dëshmitarë për krime të ndryshme, shtrohet pyetja si është e mundur që Gjykata të mos e thërrasë edhe ndonjë serb qoftë si dëshmitar, qoftë si i dyshuar për krime të shumta, përfshirë edhe këtë në kafiterinë “Panda“?

Kjo ka ndodhur dhe po ndodhë, parasegjithash, sepse Kosova keto dy dekadat e fundit, si asnjëherë tjetër, është udhëhequr nga shqiptarë të padijshëm, të pavetëdijshëm, të pandërgjegjshëm dhe të pamoralshëm.

Burim: 

  1. https://www.danas.rs/drustvo/ko-krije-istinu-o-masakru-u-pandi/
  2. B92, 29 dhjetor 2016
  3. Blic:https://www.kurir.rs/vesti/politika/1182597/rade-markovic-dao-nalog-da-se-ubiju-srpska-deca-u-peci-1998

    Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

    Be the first to comment

    Leave a Reply

    Your email address will not be published.


    *


    *

    code