Koronavirus plus Richard Grenell!

Shkruan:
Elida Buçpapaj

Kam mbështetur pa rezervë Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin ose vice versa dhe kam kundërshtuar me të gjitha forcat mocionin e mosbesimit, si një akt kriminal dhe i paprecedentë në një sistem demokratik.

Kupola e sistemit të korruptuar të Kosovës rrëzoi një qeveri demokratike 50 ditëshe.

E bëri duke shpërdoruar “proamerikanizmin”!

A është e mundur ata që kapin shtetin të duan Amerikën!

Kurrën e kurrës! Asht rrenë klluqe do të thosh Ali Podrimja!

Profilet e këtyre, Vjosës dhe Albinit, pa skeletë në sirtarë dhe me integritet të pastër, përputhen me orentimet që ka marrë Kosova nga SHBA dhe Perëndimi.

Profilet e këtyre dy politikanëve të rinj kanë mbështetje të plotë nga populli i Kosovës!

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë legjitimitet të plotë të jenë në komunikim dhe bashkëpunim me institucionet e SHBA dhe BE.

Të dy, si Vjosa, si Albini janë besnikë edhe të SHBA, edhe të BE, edhe të popullit të Kosovës!

Ndërsa Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë profilet e dy liderëve të komprometuar, që kanë vjedhur me mashtrim votat e popullit të Kosovës për të zgjatur pushtetin!

Që të dy janë ilegjitimë!

Ekspertët Amerikanë dhe Europianë e dinë shumë mirë se me çfarë manovrash kanë uzurpuar pushtetin Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, sikur e di edhe populli i Kosovës.

Faktorizimi i Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës nga Richard Grenell është absurd. Nuk përkon me stilin e demokracisë Amerikane!

Aq më tepër sulmet dhe etiketimet si “antiamerikanë” për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtit janë anekdoda!

Po ashtu populli që ka votuar për këta dy liderë është më proamerikani në botë!

Pra këtu ka diçka që nuk shkon!

Nuk shkon roli që ka marrë Ambasadori Richard Grenell në një deal që është e dimensioneve shumë më të mëdha se institucioni që ai përfaqëson.

Për të ndalur atë tragjedi që ndodhi në Kosovë, përkatësisht konfliktin, me pasojat, për çka është arritur në Kosovë këta 23 vjet janë marrë direkt SHBA, në nivelin më të lartë, Senat-Kongres-President, qeveritë e vendeve të BE-së dhe NATO. Prandaj them që Ambasadori Grenell duket liliput në krahasim me këto institucione gjigande që janë kështjella e demokracisë në botën e qytetetëruar që është Perëndimi, lavdi i qoftë.

Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi tregon agresivitetin e Serbisë në raport me Kosovën, se gjithçka që varet prej Serbisë është e pamundur për Kosovën! Kosova nuk e kishte vendosur taksën e 100%, ndërsa Serbia vazhdonte me egërsi diplomacinë për çnjohjet e shtetit të Kosovës!

Pra nuk është Kosova pengesë, as nuk ka qenë ndonjëherë, as agresore, por Serbia!

Kosova dhe shqiptarët janë të gatshëm që të kenë me Serbinë marrëdhënie të fqinjësisë të mirë, sikur Franca-Gjermania, por së pari Serbia duhet të njohë krimet, të kërkojë ndjesë dhe të heqë dorë nga lufta që bën kundër shtetit të vogël të Kosovës, të cilit ia pengon anëtarësimin në OKB, si dhe në institucioneve ndërkombëtare sikur UNESCO, OMS etj.

Pra nuk mund të ketë deal dhe dialog mes dy shtetesh, kur njëri vijon luftën diplomatike kundër ekzistencës të shtetit tjetër, përkatësisht të shtetit të Kosovës!

Në këtë kontekst përpjekjet e Ambasadorit Grenell duke u duarshtrënguar me figura të komprometuara si Hashim Thaçi, Isa Mustafa kur skena politike e Kosovës sot përfaqësohet me emra të rinj dhe të pastër, janë të gabuara.

Kosova kërcënohet nga Serbia, por kurrë jo nga SHBA!

Sepse SHBA i kanë shpëtuar jetën dhe ekzistencën!

SHBA nuk kërcënojnë shtetet demokratike!

Ambasadori Richard Grenell është me një karierë brilante që nga koha e Presidentit George W.Bush, pra e di shumë mirë ecurinë që ka pasur Kosova sidomos vështirësitë e tejkaluara të krijuara nga pala serbe.

Pra, ishte sureale kur gjithë shtypi botëror shkroi se qeveria e Albin Kurti u rrëzua në kohë pandemije nga aleatja me një shtysë nga SHBA!

Sureale, por e vërtetë!

Sepse në votim u manipulua me “proamerikanizmin” e deputetëve?

Por Amerika nuk është kot demokracia më e madhe e botës!

A e patë reagimin e kryetarit të Dhomës të Politikës të Jashtëme të Kongresit Amerikan, Z.Eliot Engel?

A e patë reagimin e ekspertes të Ballkanit Shirley Cloyes Dioguardi?

Janë Amerikanë të shquar që e duan Amerikën, me vlerat që ka, që e shpërndan dhe e mbjell si farë gruri lirinë!

Kosova është një çështje e madhe, paradigma e “Fuçisë me Barut” që i janë përkushtuar për ta shfuqizuar si term fatkeqësie kolektive Presidentët George Bush Senior, Bill Clinton, George W. Bush, figura të ndritura si Robert Doll, Madeleine Albright, Eliot Engel, Wesley Clark, Hillary Clinton, Tom Lantos, Joe Dioguardi, John Mc Cain, Richard Holbrooke etj. etj.

Këta emra i beson Kosova! Kosova i beson edhe Presidentit Donald Trump! Mjafton që është President i SHBA! Sepse të gjithë presidentët e SHBA duhet t’i kontribuojnë lirisë!

Ajo që është arritur në Kosovë është rezultat në unison i Republikanëve dhe Demokratëve amerikanë! Për Kosovën janë bërë bashkë Senati, Kongresi, Presidentët e SHBA-ve, NATO, burrat e shtetit të Europës!

A është e mundur që Richard Grenell të përfaqësojë të gjitha institucionet ekzekutive, legjislative të SHBA dhe atyre Euro-Atlantike e të BE-së?

Jo, nuk i ka këto kompetenca!

Populli i Kosovës është i vuajtur, por largpamës, ai do Amerikën si shtet të vlerave e të demokracisë, që bashkë me shtetet e Europës e kanë ndaluar shfarosjen e shqiptarëve nga makineria kriminale e Milosheviçit.

Pra, nuk vihet në diskutim proamerikanizmi i shqiptarëve!

Sepse merr përmasa komike!

Nëse janë antiamerikanë shqiptarët atëherë do të thotë që janë proVuçiç?!

A mund të jetë populli i Kosovës proVuçiç?!

Jo kurrë!

Nëse Vuçiç do të ishte si Haveli, populli i Kosovës do ta vlerësonte, sepse paqja dhe demokracia do të ishte e mirë e përbashkët e serbëve dhe shqiptarëve, por Vuçiç nuk është as si Haveli dhe as me vizionin e një politikani që ndërton ura për të ardhmen e dy popujve.

Kosova dhe Serbia kanë ndërprerë dialogun, pasi në thelb dialogu është një bashkëpunim midis dy palëve, për përfitime reciproke, pa cënuar reciprokisht interesat e dy vendeve që janë pjesë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kërkojnë të vendosin me Serbinë marrëdhënie barazie. Kështu i kanë premtuar popullit të Kosovës! Prandaj u votuan! Dhe duhet ta mbajnë premtimin!

Po ta shohësh situatën në një kohë larg pandemisë, dialogu midis dy vendeve është në duart e Serbisë: Kosova e heq 100%, nëse Serbia deklaron se me Kosovën do të hapë një faqe të re në histori, atë të ndërtimit të të ardhmes për të mirën e brezave, duke hequr dorë nga lufta kundër Kosovës, të cilën e ka humbur në planin ushtarak, por e ka vazhduar edhe më egërsisht sidomos në planin diplomatik!

Kosova është një histori e mbyllur! Serbia e humbi Kosovën! Me urrejtje, genocid, spastrim etnik kundër popullit të Kosovës! Me luftë! Me ndërhyrjen e NATO-s, me ndërhyrjen e fuqishme të Fuqive të Mëdha kryesuar nga SHBA dhe me një vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila më 22 korrik 2010 vendosi të njohë ligjshmërinë e shpalljes të pavarësisë të Kosovës.

Burim: https://www.voal.ch/koronavirus-plus-richard-grenell-nga-elida-bucpapaj/?fbclid=IwAR3F2H1Z4-x27-2rkX9s2wIMk4QxN-v3TXoLWnSz2FN9-QvEmk3Cc6q2E94

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code