KOSOVA DUHET TA NËNSHKRUAJË MARRËVESHJEN

Shkruan:
Xhafer Shatri

Jemi disi si në kohën e Rambujesë, natyrisht në rrethana shumë më të shlirshme, por jo edhe pa rreziqe serioze.

Sipas të gjitha gjasave në Ohër nuk do të ketë nënshkrime, por do të zhvillohet një luftë e ashpër për renditjen, oraret dhe mënyrat e zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme. Pra, për planin e zbatimin të Marrëveshjes. Kjo është një luftë e mundimshme për çdo fjalë, për çdo pikë e për çdo presje, sepse bëhet me një shtet kusar që ka përvojë e traditë të gjatë kusarie.

Vuçiq, siç po e pranon edhe vetë, po shkon në Ohër me dy synime:

– Që të vazhdojë të sillet si huligan, në mënyrë që, duke i kthyer kushtëzimet në shantazh, t’ia lërë fajin Kosovës për mosnënshkrimin e Marrëveshjes.

– Të bëjë çdo gjë të mundshme që Zajednicën ta kthejë në kalë beteje dhe ta përdorë për ta acaruar dhe për ta bërë të pamundur bashkëjetesën në Kosovë.

Por gjërat kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar rrënjësisht; ai nuk ka më përballë përfaqësues të shantazhuar të Kosovës që negociojnë fatin e vet, por njerëz të kalitur në beteja të ashpra politike, pikërisht kundër marrëveshjeve që shkaktuan mosmarrëveshje dhe rreziqe serioze… Ka përballë njerëz të vetëdijshëm se nënshkrimi i çfardo dokumenti që dëmton Kosovën do t’i heqë përgjithmonë nga skena politike dhe do t’i nxjerrë para gjyqit të pamëshirshëm të historisë.

Kjo do t’i ndihmojë delegacionit të Kosovës që të shpëtojë atë që mund të shpëtohet nga marrëveshjet e shumta dykuptimëshe të diktuara nga Serbia dhe të mbështetura, shpeshherë, nga ndërmjetësues ndërkombëtarë të pamoralshëm.

Opozita në Kosovë, një pjesë e saj, në dukje është kundër marrëveshjes, por, mendja ma thotë, se do të duhej të ishte shumë më e zëshme dhe shumë më kundërshtuese në takimet me faktorët, ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Sepse ashtu do t’i forconte pozitat negociuese të Kosovës.

***

Kur njeriu i lexon dhe i dëgjon kanalistët e ndryshëm, bindet se në çfarë përmasash është ndotur ambienti i mendësisë në Kosovë dhe në mërgatë. Se në çfarë përmasash është përmbysur sistemi i vlerave të ne…

Janë posaqërisht të neveritshëm disa mercenarë të përjetshëm dhe disa eksponentë të ish-pushteteve, të cilët edhe pas të gjithë të këqijave që ia kanë bërë vendit, sërish përpiqen të shesin lloç për çeshkek.

***

Përballja aktuale me Serbinë po ndodhë në një atmosferë të rënduar gjeopolitike: Ashpërsimi i luftës në Ukrainë dhe mundësia evidente e shpërthimit të konfliktit për kufij në mes Turqisë dhe Greqisë, i vë aleatët strategjikë të Kosovës në pozitë të palakmueshme dhe, është rrezik që çmimin ta paguajë Kosova. Siç dihet, më 24 korrik 2023, i skadon afati njëshekullor Traktatit të Lozanës dhe me të rreziku për acarimin e gjendjes në këtë zonë të valë “tektonike“ është evident.

Prandaj ngutja dhe serioziteti i shteteve perëndimore për t’ia vënë një kapak vorbës ku “zihet“, qe gati një shekull e gjysmë, konflikti mes Serbisë dhe shqiptarëve.

Fatmirësisht, siç e thash edhe më sipër, për dallim me kohën që iku, sot Kosova është në pozitë shumë më të mirë negociuese. Edhe për faktin se, aktualisht, me të udhëheqin dhe në emër të saj vendosin njerëz shumë më të përgatitur e më të përgjegjshëm se sa ata që na përfaqësonin në dekadën që iku.

Dallimi është shuuumë i madh dhe, absolutisht e në të gjitha pikëpamjet, i pakrahasueshëm.

Prandaj nuk ka vend për panik.

Kjo të gjithe neve, e sidomos organeve të Kosovës, na jep mundësinë që, tash e tutje, t’u kthehemi detyrave të përtditshme: ta bëjmë jetën në Kosovë më të mirë e më të këndshme, që krahas luftës kundër korrupsionit t’i ngremë në këmbë sistemet jetike për vendin: arsimin, shëndetësinë, drejtësinë etj.

Sepse nuk guxojmë të lejojmë që edhe më tutje Serbia ta mbajë peng gjithë jetën tonë.

Koha ka ardhë që me të të merren vetëm organet që e kanë detyrë kushtetuese.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*