Kur zjarri shkatërron bjeshkët e organet e shtetit kqyrin seri

Shkruan:
Xhafer Shatri

Pas Luftës në Kosovë ndër gjërat më tronditëse ishin zjarret që shperthenin gjithandej, sidomos nëpër bjeshkë. Me javë të tëra, në një indiferencë të plotë, digjeshin malet e paprekshme shekullore me breja e pisha. Askush nuk çante kaptinën për këso katastrofash ekologjike, ku natyra e virgjër sakatohej edhe qëllimisht.
Më kujtohet si sot djegia, menjëherë pas Luftës, e Majës së Zezë, në Bjeshkët e Istogut, mu buzë Gurrave të Bardha. Me javë të tëra tymi e flaka gllabëronin malin e paprekur ndonjëherë. Ndërsa autoritetet kosovare freskoheshin me birra të ftohta në Rrafsh.
Më vonë, një ushtarak i KFOR-it, më tha, në konfidencë, se sipas të gjitha gjasëve, malin e kishte djegur ushtria e Serbisë, me qëllim që ta syrvejonte me lehtë këtë pikë strategjike në kufirin Kosovë-Sanxhak.
Në një indiferencë zoologjike janë djegur, para dhjetë vitesh, disa qindra hektarë male mu rrëzë Lkenit të Njëqindnatit në Rugovë. Digjej Bjeshka e shkatërrohej natyra, ndërkohë që Kosova e mjerë kishte polici, njësi zjarrfikësish, Qeveri, FSK, president e Parlament.
I njëjti skenar u përserit këto ditë në malet e Shtupeqit të Madh, në Rugovë.
Zjarri, sipas të gjitha gjasave, ishte ndezur qëllimisht. Posa kishte shpërthyer, një rugovas, i kishte thirrë zjarrfikësit. Ai që ishte përgjigjur në telefon, kishte filluar me gallata: “ishalla i del flaka deri në maje!“
Dy ditë nuk kishte dalë njeri. Pas dy ditësh kishin ardhur zjarrfikësit, gjoja e kishin ndal zjarrin, por të nesërmen, zjarri kishte shpërthyer edhe më me forcë. Kishte djegur shtëpi dhe kishte bërë shkrumb e hi me dhjetëra hektarë male!
Vetëm, mbrëmë, pra pas 6 ditësh, dhe në saje të intervenimit të drejtpërdrejtë të Gazmend Muhaxherit erdhi nga Prishtina njësia e KFOR-it dhe e FSK-ja. Ato e lokalizuan zjarrin që rrezikonte të përhapej dhe të shkatërronte, pakthyeshëm, me qindra hektarë male e shtëpi të rindërtuara mbi themelet objekteve që i kishte djegur sërish Serbia në Luftën e fundit.
Nuk ka gjë më lehtë se sa ta ruajsh natyrën e Kosovës. Nuk janë as 11’000 km katror! Me një dron të thjeshtë mund ta kontrollosh cep me cep krejt vendin. Mund ta angazhosh menjëherë njësitë e zjarrfikësve e të FSK-së, duke i zgjuar nga gjumi i ariut e në pikë të verës.
Por këtë mund ta bëjë vetëm ajo Qeveri e ai ministër që e do Kosovën me zemër.
Uroj që Qeveria Kurti t’i zgjojë e t’i shkundë organet e shtetit nga letargjia shumëvjeçare…
Dhe të mos lejojë më kurrë që njerëzit përgjegjës, që paguhen për të kryer obligimet e tyre, të sillen serbisht me Kosovën, me popullin dhe pasuritë e saj.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*