Lamtumirë, Leze Qena !

Shkruan:
Xhafer Shatri

Sot, në kohë me murtajë, në kohën kur cubat e Kosovës arritën ta rrënojnë koalicionin e brishtë qeverisës, vdiq Leze Qena, aktorja emblematike e Kosovës.

Në vitet e studimeve kam shkuar shpeshherë në Teatër, ku Lezja me shumë kolegë të saj, shkëlqenin në hapësirën dhe dërrasat e tij modeste, por atë ngrehinë e bënin madhështore aktorët dhe aktoret tona me talentin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm.

Duke menduar për Artisten e Shquar, sot në këtë ditë zije për Kosovën, për artin dhe kulturën e saj, dua të ndaj me ju një rrëfim të Isa Kastratit, mikut tim të burgjeve e të prangave:

Për herë të parë Isain e takova në Ndëshkimoren e Spuzhit, në vitin e kahershëm 1977 dhe ndër rrëfimet më mbresëlënëse të tij ishte ai për dramën e Ymer Shkrelit “Hotel Kashta“ dhe rolin e Leze Qenës në këtë dramë të harruar, por ndër më të mirat e gjithë letërsisë shqipe.

Kur u ktheva në Kosovë, pas një mungese prej një çerek shekulli burgjesh e mërgimi, ndër veprat e para letrare e teatrore që u përpoqa ta gjej të incizuar ishte drama e Ymer Shkrelit “Hotel Kashta“. Nuk ia arrijta.

Por pavarësisht kësaj përpjekjeje shtërpe, ende e ruaj të freskët imitimin e shkëlqyer që Heroi i Kosovës Isa Kastrati, ia bënte në qelinë e burgut rolit plot talent të Leze Qenës:

“Kur po navalit qaj Sadiku, qaj buri jem…“

Falemnderit për të gjitha, Leze Qena!

Falemnderit sidomos për rolet, përmes të cilave ti dhe kolegët e tu, edhe në orët më të liga të Kosovës, në kohën e Apart’hedit dhe Gazepit më të madh na ke bërë të qeshim dhe të qajmë të gjithëve: gra e burra, fëmijë e pleq.

Lamtumirë, Leze Qena!

U prehsh në paqe e Shpirti të bëftë Dritë!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*