Lufta për LDK-në

Shkruan:
Xhafer Shatri

Ka disa muaj që Prontomafia po bën një luftë të nëndheshme tepër intensive për të mbrojtur dhe zgjëruar rrjetin e gjërë të saj në LDK. Është një ekip i posaçëm i njerëzve të Shikut që punojnë në Polici, AKI dhe institucione të tjera që, nën shkopin e Hashim Thaçit, po veprojnë natë e ditë për këtë qëllim. Dosjet, shantazhi dhe paratë janë argumenti më i fortë.

Dhe nuk është çudi, sepse partia e tyre, PDK, ka marrë një teposhtëze të tillë, sa që për një kohë të gjatë nuk do të mund ta marrë vetën. Ajo kurrë nuk do të mund të mbërrijë më as 10 përqindshin e elektoratit. Sepse e ka qelbë me ka krejt. Sepse veç akteve të tjera të rënda shtetrrënuese, është zënë me kërpesh për dore duke bërë pazar me territorin e Kosovës vetëm për të shpëtuar lëkurën e Kupolës së Mafisë.

Natyrisht në këtë konstatim nuk përfshihet mekanizmi i përkryer i Partisë së Cubave të Kosovës për t’i vjedhur e manipuluar votat.

Prandaj shpresa e vetme e tyre është që ta forcojnë ndikimin e tyre mafioz në partinë e Ibrahim Rugovës, të cilës, mjerisht, nuk i kanë mbetur as shkronjat I. e R. të tij.

Nëse i dalin llogaritë, Prontomafia është e interesuar që, me ndihmën e LDK-së të formojë një qeveri teknike dhe përmes saj t’i barazojë plaçkitjet dhe paudhësitë e panumërta, t’i shtyejë zgjedhjet për një kohë të gjatë derisa ta marrë vetën disi nga arrestimet që pritet të ndodhin shpejt dhe pasi të jetë konsoliduar sadopak.

Ose, në rast zgjedhjesh të sigurojë një koalicion shpëtimtar me LDK-në.

Do ta shohim të enjtën efektin dhe sidomos shkallën e ndikimit të veprimtarisë diverzive të Hashim Thaçit me shokë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo do të pasqyrohet në vendimet që priten të merren nesër nga Kryesia e LDK-së.

Në këto vendime që po thuhet se, veç të tjerash, do të ketë marrëveshje edhe për kryetarin e ardhshëm do të shihet se a kanë reflektuar ata njerëz për përkrahjen parezervë që i kanë dhënë Hashim Thaçit në forcimin e pushtetit të tij mafioz e sidomos për vendime e përpjekje që çuan te Marrëveshja e 15 gushtit 2015, të nënshkruar nga Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiq, përmes së cilës shkeleshin me të dy këmbët Dokumentet Themeltare të Republikës: Shpallja e Pavarësisë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Kushtetuta.

Këtë akt të rëndë, Isa Mustafa është përpjekur ta arsyetojë pa iu dridh çerpiku dhe pa pikë keqardhjeje, se e ka bërë për shkak se nuk na qenkesh ekspert!!! Po cili kryeministër në botë është ekspert për çështje të tilla? Asnjëri, prandaj ata rrethohen me ekspertë eminentë dhe vendimi merret vetëm pas shoshitjeve të hollësishme, fjalë për fjalë e pikë për pikë nga shumë ekipe të ndryshme ekspertësh. Arsyetimi për klauzolën “ nëse e aprovon Gjykata Kushtetuese“ nuk e lanë Isa Mustafën.

Se ky nuk ka qenë gabim, por faj kolektiv e dëshmon edhe këmbëngulja e pabesueshme e Kryesisë së LDK-së që, me urdhër të Hashim Thaçit, që krahas Marrëveshjes së dënueshme për demarkimin të aprovohet nga Kuvendi i Kosovës edhe kjo Marrëveshje shkatërruese për vendin.

Pa një debat dhe sqarim të themelshëm për këso veprimesh tepër të rënda për fatet e vendit, Lidhja Demokratike e Kosovës kuuuurrë nuk do të mund të shërohet dhe të bëhet ajo që qytetarët e Kosovës dhe sidomos anëtarët dhe simpatizantët e saj presin me të drejtë.

Ua përkujtoj lexuesve se kjo Marrëveshje e turpshme, të cilën Gjykata Kushtetuese e bëri fërtele, do të aprovohej fare lehtë po të mos ishte kundërshtimi i vendosur i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i një pjese të opozitës, e cila u detyrua të përdorë edhe gazin lotsjellës për të ndalur këtë akt të rëndë shtetrrënues.

E them me përgjegjësi të plot se për t’u penguar konfederalizimi e pastaj ndarja e Kosovës, edhe nëse ithtarët e Albin Kurtit do të kishin hedhur bomba në Kuvend, nesër historia do t’u jipte të drejtë.

Ato gra e ata burra të Vetëvendosjes me konceptin e tyre të modestisë, as me mend nuk e marrin se çfarë shërbimi të madh i kanë bërë Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë.

Çmimi i lartë që pagoi Lëvizja Vetëvendosje për këtë Qëndresë Historike, kur përmes një diversioni kolosal të Prontomafisë u përça keq dhe po e merr vetën me vështirësi megjithatë ia ka vlejtë.

Ia ka vlejtë fort bile dhe Populli i Kosovës nuk guxon ta harrojë kurrë këtë.

Miratimi i Marrëveshjës Thaçi-Mustafa-Vuçiq nga Kuvendi i Republikës do të ishte shumë më i rëndë dhe me pasoja shumë më të mëdha se sa suprimimi i autonomisë nga Kuvendi i Kosovës përmes Kushtetutës së Tankeve në vitin e tmershëm 1989.

Lidhja Demokratike e Kosovës, kësaj radhe nuk guxon të gabojë, nuk guxon të tradhtojë shpresat e Kosovës dhe idealet e anëtarësisë së gjerë.

LDK nuk guxon kurrë të bëjë pakt me varrmihësit e Kosovës, sepse do të identifikohet me ta.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*