Oligarkët po i rrezikojnë themelet e shtetit

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kapja e shtetit nuk ka brina. Ajo bëhet kur pronat publike, institucionet, intepretimi i Kushtetutës dhe i ligjeve, me një fjalë kur shteti dhe liritë elementare që shtetasve kthehen në pronësi dhe në vullnet të rrënuesve të shtetit.

Me këtë logjikë i ndalohet Albin Kurtit, shefit të opozitës, që të jetë kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër ! Dhe jo vetëm atij. Ani se në kohën kur ata ishin dënuar Kodi penal nuk parashihte asnjë pasojë juridike për të dënuarit me kusht. Pra as ndalesën për t’u zgjedhur.

Cili ishte faji i Albin Kurtit dhe i të tjerëve që u dënuan bashkë, e të cilëve u mohohet e drejta për të qenë kandidatë për deputet ?

Ata u dënuan për vepër penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Për këto vepra penale (?) shefi i opozitës ishte dënuar më 18 muaj burg, me kusht për 3 vjet.

Cila ishte vepra “penale“ dhe në çfarë rrethanash u krye ajo ?

Më 25 gusht 2015, në bashkërenditje me Hashim Thaçin e në prezencën e tij, Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, nënshkroi bashkë me homologun e tij serb, Alaksandër Vuçiq Marrëveshsjen për parimet e përgjithshme sipas të cilave duhej të funksiononte Bashkësia e komunave serbe (Zajednica).

Tandemi Thaçi Mustafa u përpoqën disa herë radhazi ta kalonte Marrëveshjen e rrezikshme në Kuvend. LDK dhe PDK kishin edhe vullnetin e plotë edhe numrin e deputetëve dhe pajtimin e tyre për ta miratuar këtë Marrëveshje.

Opozita e kundërshtoi kategorikisht. Ajo, kur u sosën të gjitha mundësitë parlamentare, përdori gazin lotsjellës në Kuvend, si mjet i fundit për të penguar copëtimin e shtetit. Kriza zgjati e u thellua dhe Kosova u soll në prag të luftës qytetare. Prandaj, Kryetarja e Kosovës, Zonja Atifete Jahjaga, në cilësinë e shefit të shtetit, më 31 tetor 2015, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që instanca më lartë juridike e Kosovës ta thoshte mendimin e vet për këtë Marrëveshje.

Më 23 dhjetor, Gjykata Kushtetuese, përmes Aktgjykimit KO130/15, e hodhi poshtë Marrëveshjen, sepse përmes saj ishte shkelur 25 herë (dhe rëndë) Kushtetuta dhe ishte cënuar keq sovraniteti i Kosovës ; sepse Marrëveshja e kthente “Zajednicën“ në “…një nivel horizontal bashkëpunimi me qeverinë qendrore. Kjo nga ana e saj i ngjan një forme konfederate, ku njësitë territoriale bashkëpunojnë në nivel horizontal …

Asnjë formë e vetëqeverisjes lokale apo edhe e vetëqeverisjes rajonale nuk njeh një marrëdhënie të tillë horizontale me autoritetet qendrore…”

Marrëveshja u nënshkrua në kohën kur kishin filluar bisedimet e fshehta për copëtimin e vendit dhe ky ishte një veprim diabolik në funksion të këtij synimi anti-Kosovë.

Për këtë akt të turpshëm e të dënueshëm, organet gjyqësore të Kosovë, në vend që t’i penalizojnë ata që rrezikuan seriozisht sovranitetin e vendit, sot 6 vjet më vonë, po i penalizojnë për të dytën herë ata që mbrojtën Kosovën, Kushtetutën dhe integritetin territorial të saj.

Me vendimin arbitrar e të kundërligjshëm që ia ndalon shefit të opozitës të kandidojë në zgjedhje, oligarkët e Kosovës, me metodat e Putinit, po përpiqen ta pengojnë ndryshimin e pashmangëshëm që po vjen.

Çdo qytetar i Kosovës, pavarësisht se cilën parti politike mbështetë, duhet t’i vërë gishtin kokës dhe të mendojë thellë se në çfarë krize e rreziqesh po e fusin vendin rrënuesit e shtetit që, mjerisht, flasin shqip, por ashiqare mendojnë dhe veprojnë serbisht.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*