Shkruan:
Janusz Bugajski
Ndonëse shqiptarët shpeshherë e shfaqin unitetin e tyre kombëtar në valëvitje flamujsh, fjalime madhështore dhe gjeste simbolike, në realitet konfliktet mbi pushtetin dhe shtetësinë ziejnë nën sipërfaqe.
Në rastin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, tensionet politike dhe ambiciet konfliktuale tani po vlojnë dhe efekti do të favorizojë në radhë të parë agjendën rajonale të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kritikuar publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama për mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq duke ndihmuar në hartimin e një statuti për një ent autonom serb në Kosovë pa u konsultuar me Prishtinën.
Ai theksoi gjithashtu se Rama ka dështuar të bëjë një propozim reciprok për shqiptarët në luginën e Preshevës, edhe pse neni i tetë i kushtetutës shqiptare e detyron Tiranën të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në të gjitha vendet, veçanërisht në Ballkan.
Në fakt, Prishtina ka një grumbullim ankesash kundër Tiranës dhe veçanërisht ndaj qeverisë aktuale socialiste.
Udhëheqësit e Kosovës kanë ngritur pyetje serioze mbi mbështetjen e Ramës për nismën e Ballkanit të Hapur – një format që favorizon biznesin serb dhe objektivat ekspansioniste.
Qeveria në Tiranë gjithashtu demonstron pak solidaritet publik me Prishtinën për çështje jetike në dialogun me Beogradin. Në të vërtetë, shpesh duket se lidhjet personale mes Ramës dhe Vuçiqit tejkalojnë çdo shqetësim për sigurinë e Kosovës dhe integrimin ndërkombëtar.
Megjithatë, një lojë më e thellë është gjithashtu në pyetje. Rama beson se Tirana duhet të jetë qendra e “botës shqiptare” me Prishtinën si kryeqytet provincial.
Qëllime të tilla janë të neveritshme nga pothuajse të gjithë liderët politikë në Kosovë, të cilët e shohin shtetin si arritjen e tyre kurorëzuese pas viteve të nënshtrimit ndaj përsëritjeve të ndryshme të Serbi-Jugosllavisë.
Edhe pse Kurti ka shprehur mbështetjen e mundshme për një shtet të vetëm shqiptar përmes procedurave demokratike dhe një referendumi të hapur, është e vështirë të imagjinohet pranimi i tij për një bashkim me Shqipërinë, në të cilën statusi i Kosovës është ulur në një krahinë.
Për më tepër, sa më gjatë të ekzistojë Kosova si shtet, aq më e thellë është ndjenja e dallueshmërisë tek popullata e saj dhe mosgatishmëria për t’u nënshtruar sërish.
Rama shfaq një pikëpamje të panshqiptarizmit me në qendër Tiranën, në të cilën mund të bëhen marrëveshje mbi kokat e liderëve të zgjedhur në Prishtinë.
Si rrjedhojë kemi mbështetjen e heshtur të Tiranës për ndarjen e Kosovës gjatë administratës Trump, në të cilën veriu do t’i kthehej Serbisë dhe pjesa tjetër Shqipërisë.
Edhe pse marrëveshja sekrete nuk u bë publike, mjaft detaje u zbuluan në lidhje me ndryshimet kufitare që implikuan Serbinë dhe Shqipërinë. Propozimet e Trump më në fund u lanë në sirtar kur hasën në rezistencë të ashpër ndërkombëtare dhe kërcënuan të ndeznin rajonin.
Projekti më i ri parashikon rindarjen e rajonit pa ndryshim kufijsh dhe dukshëm ka marrë miratimin në administratën e Bidenit.
Ballkani Perëndimor do të ndahet në tre sfera të veçanta ndikimi, ku Beogradi, Tirana dhe Zagrebi do të fitonin ndikim politik dhe ekonomik mbi fqinjët më të vegjël, duke përfshirë Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Nën presionin ndërkombëtar, shtetet më të dobëta do të pritej të pajtoheshin për të siguruar gjoja stabilitetin rajonal.
Kritikat e Kurtit për Ramën tregojnë se plani është i njohur në Prishtinë dhe po acaron më tej marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare.
Në mënyrë paradoksale, pasi ka shfaqur rezistencë të patundur ndaj dominimit të Beogradit për disa dekada, Prishtina tani duhet të demonstrojë rezistencën e saj ndaj sindromës së “vëllait të madh”, të Tiranës.
Kosovarët do të kundërshtojnë përpjekjet për të kufizuar pavarësinë e tyre ose skema të tilla si “asociacioni i komunave” serbe që me siguri do ta bëjë shtetin politikisht jofunksional.
Në të vërtetë, Kurti duhet të konsiderojë thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme për të demonstruar se sa mbështetje publike ka qeveria në të vërtetë për t’i rezistuar presioneve për t’i dhënë terren Beogradit. Kjo do të dërgonte gjithashtu një sinjal të fortë për qytetarët shqiptarë se për zhvillimet në Kosovës nuk mund të vendoset në Tiranë.
Mosmarrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndërmjet liderëve shqiptarë përtej kufijve shtetërorë mund të jenë konstruktive nëse ato çojnë në nisma të reja dhe përfshijnë publikun e të dy vendeve në diskutimet për një të ardhme të përbashkët.
Megjithatë, mosmarrëveshja aktuale i shërben kryesisht interesave të administratës së Vuçiqit në tre mënyra.
Së pari, mbështetja nga Tirana forcon dorën e Beogradit në dialogun me Prishtinën.
Së dyti, zvogëlon pozitën e Kosovës si në Uashington ashtu edhe në Bruksel, ndërkohë që rrit reputacionin e Ramës si zgjidhës i problemeve rajonale.
Dhe së treti, ushqen akuzat stereotipike serbe se shqiptarët janë të paaftë për të qeverisur veten dhe kanë nevojë për një mjeshtër rajonal.
*Janusz Bugajski është një anëtar i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington DC. Libri i tij i fundit është Shteti i dështuar: Një udhëzues për këputjen e Rusisë. Libri i tij i ardhshëm titullohet Polonia boshtore: Lojtari strategjik në rritje i Evropës.
Burim: Geopost
Be the first to comment