Pordhët e emisarëve të Hashim Thaçit

Shkruan:
Xhafer Shatri

Skënder Hyseni, Isa Mustafa e C° po vazhdojnë të dërdellisin akoma për taksën, për konspiracionin e Kurtit dhe për mungesën e dashurisë ndaj Grenellit… Ndërkohë që kufijtë janë mbyllur krejt dhe për një kohë të gjatë. Ndërkohë që njerëzit kanë halle krejt të tjera, sepse janë të shqetësuar, seriozisht të shqetësuar për pandeminë e coronavirusit që nuk po ndalet.

Po të isha në Kosovë do ngrisja padi penale kundër tyre për shqetësimin e opinionit që ndryshe njihet si propagandë armiqësore! E dënueshme sipas nenit 118, alinea 1 të Kodit penal të Jugosllavisë. Padinë do t’ia adresoja drejtpërdrejt Lekë Lumezit, sepse, askush si i biri Nikës nuk ia ka zanat kësaj pune. Nikë Lumezi është gjithandej i njohur, sepse mijëra të rinjve të Kosovës ua ka këputë rininë përgjysmë me dënime drakonike për një fjalë goje, për një trakt, për një Kosova-Republikë, për një ëndërr a dëshirë rinore!

Nuk na e ka zgjedhur kot Adem Grabitësi të birin e Nikës si kryeprokuror.

O pismilet, lëreni taksën, debatet, dialogun, bisedimet, negociatat, Grenellin, Vuçiqin, Putinin e shumë të tjerë derisa ta kalojmë dhe ta mundim disi ‘dhuratën’ e fundit nga Kina e Mao Ce Dunit.

Kur ta kemi mundur coronavirusin, atëherë i kthehemi normalitetit, taksës, grindjeve, ndërskamcave, deklarimeve se nuk jemi antiamerikan, tatimeve, përditshmërisë së mërzitshme…

Dashurinë mos e ndalni se Djehja kurrë nuk bëhet Sot.

Në vend se të lexoni pordhët e Hashim Thaçit dhe lakejve të tij, Skënder Hysenit e Isa Mustafës me shokë, lexojeni Bill Browder, Danilo Kish, Martin Camajn, Petro Markon, Heminguein…;

Dostojevskin dhe Emil Zolën mos i lexoni se ju shkon mendja ku s’duhet.

Libri më i mirë për këtë kohë të pakohë do të ishte Gargantua e Pantagrueli i François Rabëlenë (Rabelais). Ju kënaq, ju shliron, ju bën me qeshë, ju bën me mendu gjatë dhe thellë.

Mua më ka pas shpëtu ky libër, kur isha në kështjellën e Kotorrit.

Ditën nuk mund të lëvizja, sepse prangat në këmbë m’i kishin shtrëngu aq shumë sa që zogu i këmbëve më ishte bërë mish i gjallë… Ndërsa natën nuk ma linin kund çaren mushkonjat. Tërë kohën luftoja me to. E bëja këmishën si top dhe i gjuaja me të. Rrallë i huqja. Pas nja një muaji gati krejt muret e qelisë qenë ‘vizatuar’ me skelete mushkonjash dhe me gjakun tim, që ma kishin thithë pak para se t’i ekzekutoja.

Askund në botë nuk ka aq shumë mushkonja sa në gjirin e Kotorrit.

Besomëni, edhe Gargantua e Pantagrueli më kanë ndihmuar shumë të qëndroj dhe t’i kqyri në sy e pa m’u dridhë çerpiku prangavënësit e mi.

Nuk e di a është përkthyer në gjuhën shqipe kjo kryevepër e letërsisë botërore.

Blerim Latifi në vend që ta shajë Vetëvendosjen mercenarisht, do të bënte shumë më mirë ta përkthente këtë libër të mrekullueshëm. Do t’i pastronte gjynahet e veta si mbështetës i verbër i kryekëlbaçve të Kosovës…

Ata që nuk kanë mundësi ta lexojnë Rabëlenë (Rabelais), le ta lexojnë Kimete Berishën. Se në shkrimet e saj ka optimizëm, ka humor, ka freski, ka xigëlime e mikëlime dhe në këtë kohë përballjeje e paniku për shkak të coronavirusit do t’u ndihmonte të ndiheni më mirë, të rrini e të flisni serbez.

Ju që frikoheni se u ka trokitur në derë ky farë dreq gripi, pijeni nga një knatë me kumsht, se ju ndihmon, besa edhe ju pshton… Nëse doni të jeni edhe më të sigurtë qitjani kumshtit nja 13 thelpinj të hudrës dhe pak spec të djegës. Ilaç sagllamë!

Edhe do ditë dalin hithat e reja dhe kënaquni tuj hongër laknor. Sepse kam ndëgju se kumshti dhe laknori me hitha janë egjeli i coronavirusit.

Konfuçie e ka thënë këtë dikund, por nuk më kujtohet se në cilën kryevepër!

Nana ime 101 vjeçe nuk po i thotë virus, po viruc. Kur është përpjekur ta korrigjojë mbesa e saj, ajo i ka thënë “vetë po du me i thanë qashtu për t’ia zvogëlu rëndësinë…, se virucit iu ka rritë mendja tepër dhe po kujton se e ka kapë Zotin atje ku s’thuhet… Pikë falë mos i kofsha!“

Tash buxhetin e kemi, pa pare nuk jesim krejt, e besa edhe pranvera po vjen pandalshëm.

Në koftë kismet, me behar shkojnë në rrs coronaviruci, urrejtësit e taksës dhe Hashim Thaçi bashkë me emisarët e tij të neveritshëm.

Se gati me harru:

Rrnoftë Kosova e lirë!

Zoti i bekoftë Kosovën!

Zoti e bekoftë Amerikën dhe krejt aleatët tanë!

Zoti i marroftë e i mallkoftë ata që nuk na e duan të mirën!

Zoti ia theftë qafën coronavirucit!

Rrnoftë Gargantua e Pantagrueli!

Përshëndetje të përzemërta (po me kurrizin drejt) Rick Grenellit!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code