Portreti i politikanit të zgjuar dhe politikanit dinak

Shkruan:
Hajro Limaj

Në përgjithësi  dinakëria me  zgjuarsinë janë dy tipare dalluese, që tek jo pak njerëz, edhe nga fusha e politikës, ngatërrohen me njëra-  tjetrën. Kuptohet,  tek dikush më pak e tek dikush tjetër më shumë. Për këtë arsye,  një listë ndarëse për tiparet apo karakteristikat e politikanëve mendova  se do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë  ndryshimin që ekziston midis tyre, çka mund të na vlejë në fushatat e ardhshme zgjedhore.

***

Politikani i zgjuar është i moralshëm, i përgjegjshëm dhe i drejtë.

Politikani dinak është pa ideal, pa moral dhe gënjeshtar i paskrupullt.

***

Politikani i zgjuar futet në politikë për t’i shërbyer vendit  dhe popullit  të tij.

Politikani dinak futet ne politikë  për t’i shërbyer vehtes, familjes së tij dhe miqve të tij më të ngushtë.

***

Politikani i zgjuar  mendon se edhe zgjedhësit, aleatët dhe konkurentët  apo kundërshtarët e tij janë të paktën po aq të zgjuar sa ai dhe me këtë gjykim e bindje  ai vepron dhe komunikon me ata.

Politikani dinak zgjedhësit, aletatët dhe konkurentët apo kundërshtarët  e tij i vlerëson si naivë dhe të  trashë dhe me këtë vlerësim dhe bindje mendon se ata  do t’i gënjejë në çdo kohë, vepron dhe komunikon me ata.

***

Politikani i zgjuar  u drejtohet  në të njëtën kohë mendimeve, ndjenjave  dhe interesave reciproke të zgjedhësve dhe të aleatëve.

Politikani dinak u drejtohet vetem ndjenjave të zgjedhësve dhe aleatëve, duke paramenduar  se i ka manipuluar.

***

Politikani i zgjuar  krijon një  qeverisje që  mbështetet në besim dhe në respekt.

Politikani dinak  krijon një qeverisje  që mbështetet tek frika dhe tek presioni.

***

Politikani i zgjuar ka parësore dhe  mbron interesat e komunitetit.

Politikani dinak  ka parësore interesat personale, familjare, klanore apo ortakërore.

***

Politikani i zgjuar  zgjedh dhe bashkëpunon me ndihmësa dhe këshilltarë të klasit të parë, që kanë njohuri dhe aftësi, të cilat i mungojnë atij.

Politikani dinak përdor zëvëndësa dhe këshilltarë të nivelit të tretë, të cilët i duhen vetëm për t’u përcjellë detyra dhe urdhëra.

***

Politikani i zgjuar  i sjell  shumicës së qytetarëve siguri, mirëqënie, liri dhe demokraci të gjërë e të vërtetë, të prekshme e të përjetueshme.

Politikani dinak  i sjell vehtes dhe familjes së tij siguri dhe mirëqënie, duke e varfëruar shumicën e  qytetarëve dhe duke ua ngushtuar atyre hapësirat e lirisë dhe të demokracisë.

***

Politikani i zgjuar nuk shikon vetëm  ata që e votojnë, por interesat e të gjithë komunitetit.

Politikani dinak  shikon vetëm interesat e atyre qe i japin votën dhe që e kanë mbështetur financiarisht dhe në forma të tjera, më së shumti të pista.

***

Politikani i zgjuar  bashkon, zgjeron, kulturon, ndërgjegjëson  dhe e emancipon komunitetin.

Politikani dinak e përçan komunitetin,  i konflikton apo armiqëson njerëzit  me njeri-tjetrin.

***

Politikani I zgjuar i zgjeron, respekton   dhe konkretizon liritë e njeriut.

Politikani dinak ngushton, nëpërkëmb dhe formalizon liritë e njeriut.

***

Politikani i zgjuar e pavarëson, respekton dhe zgjeron  drejtësinë.

Politikani dinak  e vendos në vartësi të tij dhe e përdor për interesat ngushtësisht personale, familjare, partiake, ortakërtore.

***

Politiakni I zgjuar është transparent.

Bëmat e politikanit dinak janë të fshehta, sekrete.

***

Politikani i zgjuar  e pasuron dhe mbron  shoqërinë, duke ruajtur dhe zhvilluar natyrën.       

Politikani dinak  shfrytëzon dhe shkatërron natyrën  për pasurimin e tij,  të familjes dhe rrethit të ngushtë partiak e shoqëror.

***

Politikani I zgjuar është me edukatë, komunikues, i sjellshëm, i sinqertë.

Politikani dinak është pa edukatë, kapadai, autokrat, hipokrit.

***

Politikani i zgjuar i  jep besim të ardhmes së tij dhe të komunitetit.

Politikani  dinak  mendon vetëm për përfitimet ditore dhe e fut vehten dhe të ardhmen e komunitetit në rrugë pa krye e në rrezik.

Burim: https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1049377298766882&id=100010838649745

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*