Në kthetrat e Prontomafisë (2)

Shkruan:
Xhafer Shatri

NË KTHETRAT E PRONTOMAFISË* (2)

 

Letrat që po i kushtojnë me jetë Murat Jasharit

 

Në verë të vitit 2012, në një hark kohor prej 5 muajsh, u shpërfaqën në medie letrat pa zarf të Murat Jasharit drejtuar Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, Azem Sylës, Fatmir Limaj, Ali Ahmetit, Musa Xhaferit…

Këto letra ishin plot revoltë dhe shihet se burimin duhet ta kenë edhe në grindjet e kahershme të LPK-së, në luftën e egër brenda llojit, në të cilën dolën fitues Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti etj., por sidomos te abuzimet me luftën dhe më vonë me pushtetin nga Thaçi e C°. Ndërkaq, duhet nënvizuar veçmas se Fija e Kuqe që i përshkon tej për tej dhe që i lidhë këto letra gjithsesi është fati tragjik i Behadin Allaqit, sidomos zhdukja e tij mizore.

Sipas të gjitha gjasave këto letra janë prekur edhe nga ndonjë dorë tjetër, të paktën letra drejtuar Thaçit. Por nëse i referohemi edhe ndonjë paraqitjeje tjetër të Murat Jasharit, megjithatë letrat në thelb duken origjinale. Fundja autori kishte përgatitje shkollore superiore dhe gjërat që i shtronte i njihte përmendësh…, parasegjithash falë përvojës së gjatë politike. Çështje tjetër është se sa mund të jetë ndikuar ai nga njerëzit që i kanë ndejtë pranë, të cilët, sipas të gjitha gjasave, vinin nga e njëjta familje politike, sepse edhe kurthimi i tij në organizata fantome dhe cytja, veç tjerash, edhe në një akt të pafalshëm, kanë mundur të nxiten vetëm nga njerëz që ai u ka besuar.

Sidoqoftë, në letrat e Murat Jasharit, ka teprime, ka cënim të jetës private të atyre që u drejtohet, ka padyshim gjëra që nuk i bëjnë nder, ka detaje që dëshmojnë gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, por ka edhe të vërteta të dhimbshme që veç toka i mban.

Thelbin e këtyre letrave, të cilat do t’i merrte për zemër vetëm ai që e ka ‘mizën nër kapuç’, po i përmbledh në vijim, pa i prekur fare, sepse pikërisht këto janë shkaku i tragjedisë së Murat Jasharit, të cilin, njerëz të veshur me pushtet absolut në Kosovë, për qëllime hakmarrëse, përmes funksionarëve shikistë të shtetit dhe çakejve provokatorë, duke shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, e cytën për të kryer një akt të rëndë terrorist.

Letra e parë “e shenjtë“

Mban datën 30 maj 2012. Kjo është si parathënie e letrave të tjera që do të publikohen gjithandej nëpër media deri në nëntor të atij viti. Pasi e jep versionin që ia kanë servuar sistematikisht për ndarjet e Lëvizjes gjatë viteve ’80-të, Murat Jashari, prekë tema të nxehta që akoma rrijnë pezull në jetën politike të Kosovës. Ai nënvizon se mësuesit e tij të parë në politikë e në adhetari ishin Asllan Hasani dhe Hoxha i fshatit Orizare, Hajdar Jashari, që të dy pjesëtarë të NDSH-së dhe të burgosur politikë.

Sidomos për Hoxhën Murati thotë se ka pasur ndikim thelbësor në formësimin e tij politik e moral.

Ai thotë se një këshillë të Hoxhës, nuk e ka harruar kuurrë:

“Mbaj mend këto që do t´i them tani, se do të të duhen në jetë:

Mos ju beso dhe mos afro frymorë me dy këmbë, me surrat njeriu, që e kanë merak shumë pushtetin, paret dhe sidomos dilinxhinjtë (tipat që vrapojnë pas grave të huaja), – sepse, këto tri kategori nuk bëhen kurrë për popull e për Atdhe dhe të tradhtojnë!…“

Në këtë kategori, Murati fut ata që, në fund të qërshorit 1998, “të shtyer nga shërbime të huaja, kishin bërë puç në ‘Nënën biologjike’ të UçK-së, LPK-në duke formuar Drejtorinë politike, Njerkën e UçK -së!“

“Si fëmijët që gëzohen për karamelet dhe bonbonet kur i dhurohen nga më të moshuarit, ashtu edhe unë u gëzohesha si fëmijë kur e mbushja kamionin me material luftarak për luftëtarët e lirisë. Dita 24 orëshe më dukej shumë e shkurtër. Nga 15 minuta gjumë në ditë i bëja, e drekë e darkë i kisha vend-parqet e pompave të benzinës. Kishte shumë punë, dhe gëzimi e lumturia shpirtërore e imja dhe e nja 30 shokëve në Sektorë (sa ishim), të gjithë veteranë të mekanizmit politiko-ushtarak të LPK-së, ishte shumë e madhe. E kam vështirë dhe jo me shumë dëshirë të flasë në vetën e parë!

“Isha me kamionin plotë duke u kthye nga Lichtenstein për në banesë Murg/SG, fshat i vogël buzë liqenit të bukur Valense. Në rrugë e sipër m’u lajmërua vëllai im Ismet Jashari, – tani Luftëtarët i Lirisë, (bashkëluftëtarët dhe populli e kishin pagëzuar me pseudonimin “Komandant Kumanova”).

– E ndala Kamionin në një skaj rruge dhe po bisedonim të qetë, pa rreziqe nga ndonjë incident. Duke respektuar rregullat ushtarake, tim vëlla kurrë nuk e kamë pyetur se në cilën Zonë je dhe çfarë numri të mobilit ke.

Si zakonisht e prisja që ai të flas më shumë.

Dhe, gjatë bisedës po më thotë:

“Gaga Murat fol me Zekën (Xhavit Halitin, shën. i autorit) dhe le t´na dërgojë veshmbathje, – dhe ato t’i sigurojë!!!

… Dhe, ti dërgomi dy snajperë të mirë; një për mua dhe një për Flamurin (Gafurr Elshanin).“

– Unë i përgjigjem: -“Po, këto ditë jam te ai, do ti them dhe snajperkat në një magazinë i kam”.

“- Pastaj Ismeti vazhdoi: ‘Na i kanë pru këtu në Kleçkë dy vetë, i kemi në burg. Kishin qenë udhëheqës të Lëvizjes, dhe na kanë thënë se janë spiunë’!…

Unë e pyeta, si i kishin emrat? Behadin Allaqi dhe Shaban Shala.

Unë, fillova ta përdori memorien, – meqenëse isha shumë i lodhur, dhe më erdhi shpejt një mendim, ndoshta edhe jo më i miri, megjithatë, i fola:

‘Nuk e dijë gagës se si është organizimi momental tek ju, por mos zbato asnjë urdhër sa i takon atyre dy vetëve. Le të merren ata ma të “mëdhenjtë” me ta. Ky emër Behajdin pak më është i njohur, nuk e dijë nga po më vjen se nga kam dëgjuar, kurse për atë tjetrin nuk paskam dëgjuar’.

– E kreva bisedën me tim vëlla dhe menjëherë iu lajmërova Zekës (Xhavit Halitit). Zeka më tha se është i informuar për këtë punë. Kam informuar Abazin (Ali Ahmetin), ky nuk e kishte ditur dhe më tha: ‘Do të interesohem’ – më porositi që mos ta përhapi si lajm.

– Gjatë rrugës m´u desh të ndalojë në Walenstadt te Selim Haliti (vëllai i Xhavitit). Po sa u takova me të, menjëherë, po më tregon për Behajdinin se vëllai im (Ismeti) po e mbante në burg.

– Po, i thashë, sa më tregoj Ismeti.

‘Ata dy i ka dërguar ndokush aty’.

Se kush nuk e pyeta.

Selimi vazhdoi: ‘Po a e dini se kush është ai’?

‘Nuk e di në detaje se kush është, por është i Lëvizjes’.

Selim Haliti po më thotë: ‘Behajdini është shoku i Zekës’.

‘Mirë de, Zeka le të intervenoj te Jakup Krasniqi apo te ndonjë udhëheqës i UÇK-së në atë Zonë, në Kleçkë dhe le t´i lirojnë.“

“Dhjetor 1998

Ishte muaji i tretë që po e kaloja në burg, me akuzën ‘Blerje e furnizim me material luftarak për terroristët e UҪK-së…’. Kështu e ka cilësuar veprimtarinë time atdhetare kryeprokurorja e shtetit më ‘demokratik’ Helvetia, znj. Karla del Ponte. Nga burgu i Bernit (ku isha), në fillim të dhjetorit 1998 më transferuan në një burg tjetër, dhe ndërkohë kam mësuar se më kishin sjellë në vendin e quajtur, Torberg.

– Më 15 dhjetor `98 aty rreth orës 10.00 paradite u hap dera e dhomës. Një gardian më njoftoi se kam vizitë dhe më tha menjëherë të shkoja pas tij. Më futi në një sallon ku ishin disa policë me uniformë, dhe disa të tjerë me rroba civile.

Në vizitë më kishte ardhur bashkëshortja.

Kur më pa, u ngrit në këmbë. Ia pashë sytë e saj të përlotur.

Pa u përshëndetur, e pyeta çka ke, pse po qanë?!

Ajo ma ktheu: “Po na kanë lajmëruar, para ca ditëve se Ismetin e kishin vra më 25 Gusht 1998”’.

Në atë moment më erdhi një forcë e madhe – e papërshkruar, dhe ju drejtova gruas:

– Asnjë lot! Për dëshmorët nuk duhet derdhur lot!

Lumë ne, oj Selvisha! Tani Kumanova qenka bërë Kosovë!“

Letrat tjera ‘të shenjta’

Letra e radhës mban datën 10 qershor 2012 dhe i drejtohet Fatmir Limajt me 372 pyetje.

Këto Pyetje – Testament, që sot po ia përcjelli z. Fatmir Limaj, paralajmëroj opinionin publik, se me pyetje të kësaj natyre – në ditët në vijim, do të përballen edhe: Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Emrush Xhemaili, Gafur Elshani, Ibrahim Kelmendi, Jakup Krasniqi, Fazli Veliu, Ramush Haradinaj (urojmë që sa ma shpejt të lirohet si i pafajshëm nga gjyqi i Hagës) dhe Musa Xhaferi (të cilin as kujdestar nëpër demonstrata nuk e kemi lënë)

89. Anëtarët e SHP të UÇK-së a e kanë analizuar si ra në pritë Mujë Krasniqi (KAPUÇI) me bashkëluftëtarët në kufirin Shqipëri-Kosovë, në dhjetor 1998? A bashkëveproi Azem Syla dhe Zeka me ata brenda se nisej kollona dhe a e dinit që përgjoheshit në telefon? Kur e dinit pse flisnit hapur?

114. Në natën e 24/25 Gusht 1998 për çka shkoi Elmi Reçica në Kleçkë?

115. Çfarë misioni kishte Elmi Reçica atë natë?

116. Më 25 Gusht është vrarë Komandant Kumanova, a po jo?

279. A ishte Komandant i Përgjitshëm i UÇK-së Azem Syla (Daja) dhe Kush e emroi?280. Pse ky alamet Komandanti nuk kërkoi të bëhet Raporti përfundimtar për luftën?284. Mjetet e mbetura të Fondit „Vendlindja Thërret“, që ishin pare të djersës e gjakut, ku i çutë?

288. Nga kush u erdhi urdhëri me i arrestu Behajdin Allaqin e Shaban Shalën kur ata mbrritën në Kleçkë?

289. Behajdin Allaqit e Shaban Shalës natën kush ja çojke qebet, e ditën ia merrke?

290. Kur erdhën me e marrë dy vetë te burgu i Kleçkës, Behajdin Allaqi e Shaban Shala a i kishin kambët të lidhura, sikurse i kishin edhe duart?

291. A e ke ditur se Behajdin Allaqi ka qenë antëtar i Komitetit Drejtues së LPK-së?

293. A e ke ditur se Afrim Zhitia në krahë të majtë ka pasur Behajdin Allaqin e Arif Seferin (ky i fundit nga Kumanova) në të djathtin?

353. Ma i varfëri prej shqiptarëve materialisht në Zvicër unë jam! A e dinë këtë? A e din se gjithë pasuninë teme ua dërgova juve atje në malet e Kosovës?

354. Me ndihma sociale jetoj. A e din këtë?

355. Kanjëherë nuk kam pare as për bukë e cigare, por kurrë nuk ju kam thënë dhe përkulur. A e din për këtë?

361. Ftyra, nderi e emri e mbajnë njeriun dhe njerëzimin. A është kështu?


Letra nr. 3, sipas të gjitha gjasave, i adresohej një anëtari të ‘Njerkës së UçK -së’, por ajo nuk u publikua, sepse ky herifi i ka ndejtë gati dhe e ka bindur që të mos publikohet.

Letra ‘e shenjtë’ nr. 4, datë 16 korrik 2012, i adresohej Ali Ahmetit dhe përmban 286 pyetje për të.

Abaz Ali, po fillojmë me pyetësorin pas 28 viteve që njihemi! Për hir të së vërtetës për të kaluarën dhe të ardhmen, jam i detyruar popullin ta sqarojë! 

64. Unë, me shokët e logjistikës bënim plane për furnizim me të gjitha nevojat që do t´i duhen për 50 mijë ushtarë lirie dhe bëhet ndryshimi i Komunikatës së tanishme dhe lëshohet Komunikata Nr.7 a ka qenë kështu “muhabeti” o, Ali Rrenci…?

65. Pse pranuat të tërhiqen ushtarët e lirisë e UÇ Kombëtare nga Kalaja e Tetovës?

66. Cili qe qëllimi dhe pse e dorëzuat atë duke e lënë armatimin duke ikur kah sytë këmbët?

68. Ato armatime që i keni lënë duke ikur me lekë djerse dhe gjaku të MËRGATËS apo?

102. Që nga 15 Maji 2012 ora 03.26 jam më i fuqishëm se horrat, kodoshët dhe dilinxhitë, frymorë me dy këmbë, surat njeriu!

103. Këtë force ma ka dhënë Zoti dhe drejtësia!

222. Kush i dha urdhër Nazmi Beqirit, e ky e mori me vete Ulusi Beqirin dhe Menderez Zendelin (ky i fundit i rrethit të Preshevës) dhe shkuan në Shtrazë, e thyen derën e shtëpisë së Arif Seferit, më 18 Qershor 1992 dhe aty brenda në shtëpi ka pasur materiale, që ja kemi dërguar ne prej Zvicrës, shaptilograf e shumë materiale të tjera dhe Nazmiu ia ka dorëzuar oficerit të vet, pra, UDB-së dhe atë ditë Arifin e kanë arrestuar dhe mbas 5 ditëve nga torturat ka dhënë shpirt., -PSE?

253. Me sa dhoma e ke shtëpinë?

254. Rreth 12 dhoma i ka, apo?

255. Me ndihma sociale ke jetuar në Zvicër, apo ?

256. A për pushtet e kapital me surratet e tu janë vrarë më të mirët e invalidëve u kullojnë varrët a?

286. Fundi i jetës së Muhamer Ell Gadafi ka me ju dukur si film, çka ka me ju gjetur juve të gjithëve edhe të PDSH-së e të gjithëve që kanë luajtur me nderin e moralin e këtij hallemadhit popull qe 22 vjet.

Letra nr. 5, mban datën 28 korrik 2012, përmes së cilës i drejtohet Xhavit Halitit, me 510 pyetje:

“Fundi i vitit 1985 dhe fillim viti 1986 bëri një dimër shumë i madhë. Në një prej atyre mbasditeve m’u lajmëru Rrusta (Mustafa Xhemajli) dhe më tha: “Nji shok i Organizatës ka mbërij në Itali dhe duhet të shkosh patjetër me e marrë. Të lutem, gjejë disa pasaporta të moshës 28-35 vjeçarë”, dhe më dha adresën dhe nji numër telefoni fiks.

I telefonova Rashit Rashitit dhe Selim Sejdinit dhe u tregova se sonte na duhet të udhëtonim gjatë, për të kryer një detyrë të Lëvizjes.

Mirëpo, Unë e Rashiti nuk i kishim veturat të përgatitura teknikisht për këtë dimër aq të ashpër, ndërsa Selimi nuk kish fare veturë. Shkuam në Aeroport të Cyhrit e muarëm një veturë Rentakard (me qera). Paguajtëm nja 380 fr zviceriane dhe u nisëm.

Mbërritëm në Chiasso, te pika e fundit e karburantit që është. Pijtëm nga nji kafe. Rashitit i dhashë adresën dhe numrin e telefonit dhe ata të dy u nisën. Unë mbeta aty, jo se nuk kisha pasaportë, por më tha Rrusta të mos rrezikoja. Po prisja të ktheheshin. Mbas 3-4 orëve mbërrinën. Pimë kafe dhe nga nji sendviç dhe u nisëm.

Udhtari i ri, që ata sollën me vete, ishte i moshës time, por nji çik ma i rritur. Kishte nji mantil e nji “shapkë“ të „zhelezniçkëve”, si të atyre që presin trenat dhe u japin lejen me u nisë. Emrin ia mësova rrugës. Më quajnë Zeka, më tha, dhe unë nuk e zgjata më tepër edhe pse e pash që ishte pseudonim.

24. Në një emision të KTV, kur të pyetën për kapitalin e bërë mbas lufte, pate thënë se ke kursyer gjatë qëndrimit në Zvicër. Si munde me bë pare në Zvicër, ndërkoë që ty vetëm dy orë ke punuar dhe aspak më shumë? A është kështu ?

37. Më 16 Dhjetor (e premte) 1988, në Manedorf të Kantonit të Cyhrit, ishe pacient në Klinikën Neuropsichihatrike, a është kështu?

38. Si shef që të kisha në Celulë të OMLK-së, të raportova se dje një bashkëvendas e kam nisur për Kumanovë me nji koferë libra, gazeta Zëri i Kosovës dhe kaseta me inçizime të emisionit të Radios që u emitohej në çdo të diel në Cyhri, që emrin e kishte emisioni Radio Zëri i Kosovës. A është kështu?

39. Ti dhashë emrat se tek kushë kanë me mbëritë materialet, kush kish me i shpërnda, a është kështu?

40. Më 19 Prill (e mërkur) 1989 fillonë arrestimi i atyre emrave që unë t’i dhashë në Manedorf, dhe ata ishin: vëllau i im Xhemal Jashari (Orizare-Kumanovë), Haxhi Maliqi Likovë-(Kumanovë), Fuat Jashari (Orizare-Kumanovë), Fadil Uka (Podujevë), Die Uka (Podujevë), Haki Rexhepi (Hajvali), Nazmi Musa (Gjilan), Destan Ajdini dënohet në mungesë, Sabile Maliqi (Prishtinë) e shumë të tjerë. A është kështu?

77. A është e vërtetë që je ti ai, i cili i dërgove nga Zvicra Naitit Telefona Paeger, a është kështu?

78. Dhe Naiti ua shpërndajti antarëve të Shtabit Qendror të UÇK-së këta Telefona Paeger, apo jo?

79. UDB i përcjellke se ku po lipen numrat dhe shumica e Antarëve ranë në burg dhe disa u vranë, a është kështu?

93. A të lajmërova se Behajdin Allaçi e Shaban Rexhep Shala ishin të kindnapuar dhe po mbaheshin në Burgun e Kleçkës, pse nuk reagove që t’i lirojnë ?

95. Së paku, sa për fillim, tregonju familjarëve ku i kanë eshtrat Behajdin Allaçi e Shaban Rexhep Shala?

98. Më 10 Mars (e martë) 1998 kanë ardhë me linjën ajrore Cyhri-Tiranë, vëllau im (Ismet Jashari) me Fatmir Limaj dhe Haxhi Shala, ndërsa unë nëpërmjet tokës mbërrina në Tiranë më 12 Mars (e enjte) 1998, dhe të pyeta ti Zekë se ku mundem me e taku vëllaun. Dhe Ti më the: “Ismetin nuk ke më për ta parë.“ Doli fjala jote. Bravo! A është kështu?

 99. Të pyeta se pse nuk kanë shku shokët me i ndihmu Adem Jasharit. U përgjygje shkurt: ‘Ne i kemi thënë me u largu, por ai ka dashtë me pi çaj’. A është kështu?

122. A e din se sa ushtarë lirie janë vrarë për mungesë municionit, i cili faktikisht nuk mungonte pasi paret u ishin dhanë?

125. Ndërkohë që ishin caktuar Halili dhe Ramizi, çka dojshe ti që i pranojshe çantat me Dollarë, DM, CHF etj? Kush i adresontë këta korjerët me këso çanta të vijshin veç te ju, kur dihej se ku duhej me u paraqit në Tiranë?

142. Cila dorë tradhtare shkrepi mbi Agim Bajramin, Sali Çekun, Agim Ramadanin, Tonin, Micin, e… ?

154. Sa bodigarda i ke ti Zekë dhe nga sa kanë antarët e tjerë të Drejtorisë Politike?

155. Prej kujt frigoheni dhe pse frigoheni nëse e ndjeni veten të ndershëm, sikundër mbureni nëpër televizona?

162. Në Zvicër a ke jetu me ndihma sociale, apo jo?

163. Sa hektarë tokë i ke ble tash në Kosovë?

164. Po pasuri tjetër, a ke vu pas lufte? A i ke tregu të gjitha shpijat që ke ble dhe që ende i ke në Tiranë?

165. Me çfarë paresh i ke vu tanë këto pasurina, apo me ndihmën sociale që merrshe në Zvicër ?

189. A është e vërtetë se Remzi Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes dhe financues i UÇK-së, është vrarë nga SHIK-u sepse, sipas SHIK-ut, donte të prishte raportet me vëllezërit maqedonë, serbë dhe grekë ?

190. A është e vërtetë se zëdhënësi i UÇK-së, Ali Uka, është masakrua nga SHIK-u në banesën me Hashim Thaçin dhe kur ky ishte atje?

194. A është e vërtetë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë qenë punëtor të SHIK-ut ?

219. A është e vërtetë se në momentin kur populli ikte nga masakrat, ti bëjshe qejf me prostituta? Po Çekut (Agimit) a i regullutë një prostitutë të tillë (infermjere) kur mbriti në Tiranë?

224. A e dinë se 4 persona prej 5-ve të Drejtorisë Politike të UÇK-së i kanë lyer duart me gjakun e patriotëve?

237. A është e vërtetë se 99% e parave të Fondit “Vendlindja Therret“ janë vjedhur nga ju?

291. Pas luftës a erdhi i ndjeri Jashar Salihu, kryetar i “Fondit Vendlindja Therret“ në Tiranë?

292. Jashar Salihu a kërkoi të bënte bilancën e Fondit, apo jo?

293. Si u përgjegjen Adem Grabovci dhe Hashim Thaqi?

294. A e kërcënuan Jashar Salihun në familje?

295. A kërkuan paret e fundit, 9 milion franga të Zvicrës?

296. A e helmuat Jashar Salihun në Tiranë?

317. A është e vërtetë se SHIK-u ka financuar me qindra mijë euro për të dhënë dëshmi të rrejshme sikur për rastin e Ramush Haradinit?

329. Xhavit Halit, Azem Syle, Kadri Vesel, Hashim Thaçi a keni bërë propagandë gjatë vitit 1997-98, si në Zvicer ashtu edhe me klyshët tuj në Kosovë se Adem Jashari është njeriu i Serbisë, apo jo?

330. A keni shkuar tek arkatari i Levizjes Gafurr Elshani duke i thënë se nuk duhet të financohet Adem Jashari sepse është njeriu i Serbisë?

337. Ju keni thënë Behadin Allaçi, kordinatori kryesor i UÇK-së dhe anëtari i Komitetit Drejtues i LPK është spiun i serbëve, apo, jo?

338. Në fillim të muajit korrik, i vitit 1998, të lajmërova se Behajdin Allaçi e Shaban Rexhep Shala ishin të kidnapuar dhe po u mbajshin në Burgun e Kleçkës, a është kështu?

340. Kush është autori i Komunikatës Nr. 61 që është lëshuar në emër të SHP të UÇK-së, më 31 Tetor 1998?

342. Në Komunikatë, mes të tjerave, thuhet se, në betejë ranë 54 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Behajdin Allaçi, a shkruhet kështu, apo jo?

343. Behajdin Allaçin e Shaban Rexhep Shalën, në një mbrëmje të fillim të korrikut 1998, në Kleçkë, i kanë marrë duar lidhur Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kështu është, apo jo?

366. Ju jeni munduar me i përça familjet e forta, apo jo?

367. Ju pas luftës keni martuar disa komandanta si në kohën Serbisë, për t’i kontrolluar ma lehtë, apo jo?

368. Ju jeni munduar t’i fundosni personat e fortë që ishin kundër qëllimeve tuaja të mëshefta, apo jo?

375. Ju u munduat me i kthy Bekimin dhe Lulin kunder Muratit, apo jo?

376. Ju i shtini familjet dhe vllaznin njeni kundër tjetrit, apo jo?

383. Pse nuk është bërë shpallja me Referendum të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe ndarja nga Serbia, pas tri vjetësh, sikundër deklaruat nga Rambujeja?

434. Kosova a është masakruar materialisht, ekonomikisht, politikisht nga ish përbërja e Drejtorisë Politike?

436. Sa herë Rose Mary di Carlo ka kërkuar më shumë lobim?

437. Qeveria serbe në vitet 2008-2009 a ka vizituar 92 shtete ?

438. Qeveria e Kosovës në vitet 2008-2009 a është e vërtetë se nuk ka vizituar asnje shtet për lobim ?

439. Mbasi nuk loboj Qeveria e Kosovës, Kryetari amerikane Bush a ftoj Hashim Thaçin dhe Fatmir Sejdiun për çeshtjen e 6 pikave të Samarqiqit, 6 pikat e Ban Ki Munit ?

440. Çka tha Bushi ?

441. A ju tha s’keni vepruar hiç për lobim ?

Letra e shenjtë nr 6, mban datën 2 gusht 2012, dhe i drejtohet Musa Xhaferit me 121 pyetje.

Murat Jashari, si duket nuk ka pikë respekti për Musa Xhaferin, për të cilin thotë se ‘nuk i kemi besuar as të bëjë roje gjatë demonstratave…’

Zotri Xhaferi po fillojmë me pyetjet e nxehta, shkrumuese, meqë vetë e ke pru punën të japesh llogari mbas 11 viteve të formimit të Fondit të shenjtë „Liria Kombëtare“ dhe që je për disa vjet zv/kryeministër dhe kryesori për implimentimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Shoku Ramiz (Musa), e di se nga pyetjet e mia shqetsohesh dhe djersitesh!

Pyetjet që ja kam parashtruar Abazit (Ali Ahmetit) nga 105 deri 169 vlejnë edhe për ty, a po?

Për nga natyra je i qetë, por sherrin e ke të madhë, a është kështu?

Me Aliun je si vëllezërit siamezë, a është kështu ?

Në Zvicër mbi 14 milion CHF janë grumbulluar, a është kështu?

Shpenzimet e luftës kanë qenë gjithësejtë DM 6 milion, a është kështu?

Ku i çuat parat e mbetura?

Kur në asnjë moment nuk ke mbrojtur interesin e shqiptarëve, ne kemi të drejtë të themi se je anti-shqiptarë?

Fëmijët e dëshmorëve të kombit po rriten dhe të gjithë janë Avni Rrustema e Nora Kelmendi, a po?

Letra numër 7, ‚e shenjtë’, e datës 9 gusht 2012, i adresohet Azem Sylës. Për ‚komandantin e përgjithshëm’ Murat Jashari i ka vetëm 104 pyetje:

13. “Shokët” tuaj të Drejtorisë Politike para luftës spiunonin dhe u burgosën e u vranë antarët e Shtabit Qendror të UÇK-së, ndërsa gjatë luftës me snajperat që i kam sjellë nga Zvicra u vranë djemtë e vashat më të mira vetëm se ishin anëtarë të devotshëm të LPK-së dhe luftëtar e çlirimtarë me mendje, shpirt e zemër, a ishte kështu?

14. Ju zotëri, si Komandant i Përgjitshëm, a jeni informuar nga Drejtori i Policisë së UÇK-së, se në burgun e Kleçkës janë kidnapuar dhe burgosur Behajdin Allaqi dhe Shaban Ramë Shala?

15. A e keni ditur se Behajdin Allaqi ka qenë anëtar i Komitetit Drejtues të LPK-së dhe Sekretar Ndërlidhës i Këshillave të Rretheve të LPK-së?

16. A jeni i vetëdijshëm se katërshja mafioze e Drejtorisë Politike ua kanë shfrytëzuar idealizmin dhe naivitetin tuaj?

17.  A ju ka informuar Xhavit Haliti dhe Ali Ahmeti se Shaban Ramë Shala se të gjitha informacionet të cilat i posedonte UDB-ja për ilegalen, ia ka treguar Behajdin Allaqit e ky shokëve tij, apo jo?

23. Komandant Kumanova dhe Flamuri m’i kanë kërkuar ata snajperë për të vrarë komandantë të pushtuesit serb e jo që ju po me ata snajperë t’i vrisnit ushtarët më të mirë të lirisë. A ishte kështu?

24. Si e ndjeni veten më shumë, si profesor, ushtarak apo si pehlivan-politikan?

25. Kjo e fundit më duket se ju pëlqen më shumë sepse keni para “lluk-lluk”, a është kështu?

 42. Në qershor 1999, në Prizren, LPK-së iu bë atentat nga bijtë e saj, a është kështu?

47. Çfarë turpi pati bërë LPK-ja?

48. Pse aq fort ju kultivoi “dikush” që ta urreni LPK-në?

70. Pse ke qenë i papërgjegjshëm si Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së?

71. Pse e ke pranuar atë detyrë pasi nuk keni mundur t’i dilnit zot?

72. Katërshja mafioze e Drejtorisë Politike kanë parë e studiuar personalitetin tënd si naiv dhe të kanë lënë me emër në atë përgjegjësi të madhe dhe tani ju jeni bërë halë në sy i tyre, sikurse të tjerët, të cilëve tashmë po u kalben eshtrat?

Letra numër 8, ‘e shenjtë’, mban datën 21.09.2012, është një ese i përgjithësuar për tradhtarët dhe spiunët. Sipas të gjitha gjasave, eseu ka ‘zëvendësuar’ një letër tjetër të gatshme me disa qindra pyetje fort të pakëndshme. Por për shkak të një ndërhyrjeje tjetër ‘me kohë’ të dikujt që nuk donte kurrsesi të jetë objekt i ‘rafaleve’ të Murat Jasharit, përmes të cilave dilnin në pah veprime të dënueshme në emër të luftës për liri, nuk është publikuar.

Letra numër 9, ‘e shenjtë’, a datës 12 nëntor 2012, i drejtohet Hashim Thaçit dhe ajo përmban 1443 pyetje:

– Behajdin Allaqi me Familje –

1. Zotri Thaçi po fillojmë me një proverb populloreVra natën e qajë ditën“a është kështu ?

2. Në fillim të korrikut 1998 natën duar lidhur vrave Behajdin Allaqin dhe ditën më 30 tetor 1998 në Komunikatën Nr. 61 të SHP të UÇK-së e shpallët dëshmor të kombit, me humbë gjurmë, a është kështu?

3. Pra plotë 110 ditë mbase se e vrave, e publikuat Komunikatën, a është kështu ?

10. Ku u varrosë Behajdin Allaqi ?

11. Pse nuk ftuat asnji anëtar të familjes së Behajdin Allaqit në varrim ?

12. Mbas 14 vjetëve pse nuk i tregoni familjes së Behajdin Allaqit se ku e keni varrosur ?

141. Si ka mundësi një djal i ri si ti, pa asnjë rezultat, pa asnjë punë të kryer në UÇK të bëhet shef i UÇK-së ?

148. Dinakë si gjyshi i ytë Sinan Idrizi (Thaçi) oficer i OZNA-s e i KOS-it që në kohën e vetë Drenicën e kishte sjellë në gishtë, nipi i tijë Hashim Haxhi Thaçi po e sjellë krejtë Kosovën në gisht me ndihmën e BIA-s e shërbimeve të shteteve të bashkësisë europjane mike të serbisë, a është kështu ?

160. Ti Hashim tradhëtari me bandën tënde Kadri Vesel, Xhavit Halit, Azem Syle a e keni bllokuar edhe parat edhe armët Adem Jasharit?

173. Arrestimi masive të  350 anëtareve në gusht 1993, a është organizuar nga ju bashkarisht me serbët?

184. Ti dhe SHIK-u keni lëshuar disa letra, disa fotografi në Kosovë për të diskredituar Adem Demaçin dhe patriota të tjerë apo jo?

186. Ty Hashim SHIK-u (UDB-a) ta ka ndërtuar një reputacion, një famë të rrenjshm për të të ngritur si patriotë të shqipëtarëve, kinse ke luftuar etj, etj…Por faktikisht, je patriotë por i Serbisë e jo të shqiptarëve!!!

245. UDB-ashet dje, SHIK-asit sot kontrollojne firmat, bankat, bizneset, apo jo?

361. Në Kosovë, a është Ilmi Reçica n°2 i SHIK-ut ?

362. Ilmi Reçica, a është shok i ngushtë i shef shërbimit sekret Sasha Mihallkov ?

363. Sasha Mihallkov ka kordinuar shitjen e drogës në Çeki me vllaun e Ilmi Reçicës në Prag.

364. Ilmi Reçica me Petrit Amin patën mundësuar arrestimin e Princ Dobroshit për t’ia marrë klientët, apo jo?

365. Njëjtën gjë bërën për Qorrin e Ferizajit!

458. Erdhe në Mars 1998 me duar në xhepa dhe u bëre SHEF !!!???

459. Diçka shumë e çuditshme po më duket !?

460. Pa bë gjë, erdhe si parashutist në krye të UÇK-së!?

483. Pse nuk i vuat kushte Serbise lirimin e Ukshin Hotit njeriu i diplomuar në Universitetin Amerikan të Harvardit për politik dhe baba shpitëror i UÇK-së ?

484. Ukshin Hoti përveq shkollës kishte vuajtuar 3 here burgjet e Serbisë për çeshtjen e Kosovës dhe ishte inicuesi të organizimit ushtarak në 1991.

736. A je produkt iUDB apo i KOS-it ?

773. Një djalë i UDB-ashit i punësuar nga UNMIK, vrau midis ditës Sadik Ukën veprimtarë i vjetër, shok i Remzi Ademit dhe Jusuf Gervallës.

780. Shefko Sallkoviq ishte përfaquesi i 5 fshatrave muslimane afër Leposaviqit.

781. Ishte kërcenuar nga përfaqesuesja e UNMIK-ut rusja LILIA GALIEVA, sepse Shefko punonte për institucionet e Kosovës.

782. Ajo e kishte kërcenuar për oganizimin e zgjedhjeve të Kosovës në Veri. Ajo kishte kërkuar që të heqë dorë. Shefko Sallkoviqi refuzoj në ora 13.30.

783. Shefko Sallkoviqi është vrarë në ora 14.00, të datës 8 tetor 2010, do të thotë gjysëm ore pas refuzimit.

784. Vëllau i Shefkos është kidnapuar në Veri, dhe sot gjindet i burgosur në Novi Pazar.

805. Ju SHIK-u, a keni friguar ose keni bërë shantazhe për të larguar ndërkombëtar të cilët ju kanë penguar sepse ishin në favor të Kosovës?

835. A bëhet një raport tjetër nga Daniel Phillips për Komitetin Kombëtar i Politikes së Jashtem Amerikane ? ( 1 maj 2010 google Daniel Phillips)

836. Në raport a thuet SHIK-u merr 200 million dollare në vit nëpermjet ryshfetit, grabitjeve dhe shantazhit ?

851. Bou de Marnhac a është BABA shpirtëror i yti o Hashim?

852. Bou de Marnhac si shef të EULEXit a ti pastroj gjitha dosjet e krimeve tua ?

1035. Qeveria organizon dështimin e PTK (lexo Express 01/01/2012)

1044. Ballkani i Therandës kishte një kontratë 30 million euro për shiritat për ekstrakcionin të KEK-ut në Obiliq .

1045. Ti Hashim ke anuluar kontratën, për t’ia kaluar firmës DELTA të Mishkoviqit ?

Kthimi i Murat Jasharit në Kosovë

Në letrën e dytë ‘të shenjtë’, datë 28 korrik 2012, Murat Jashari shpërfaq copëza kujtimesh, që vetëm njerëzit me një të kaluar si ai mund t’i kuptojnë. Duhet nënvizuar se kjo pasqyrë kujtimesh, që shpjegon thelbin e revoltës së Murat Jasharit, është publikar dy muaj pas letrës së parë.

“Në mëngjezin e ditës së premte, të 14 janarit 2000, mbas 15 viteve në mërgim, si rezultat i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, me në krye UÇK-në, dhe gjakun e derdhur të mbi 2300 luftëtarëve të lirisë, – dëshmorëve të kombit, unë së bashku me gruan shkelëm në tokën e lirë të Kosovës.

Autobusi na la te restorant “Theranda” në Prizren… I telefonova Muharrem Dinës (Mixhës). Ai e çoi djalin të na marrë. Ndërkohë Mixha kishte lajmëruar shokët e Këshillit Popullor të LPK-së për Prizren e Rahovec dhe ishin bë tok në shtëpi të Mixhës.

Në takimin me shokët e tij të vjetër, siç del nga letra, Murat Jashari e shtron një çështje të mprehtë, të cilën e kishte peng kaherë dhe e cila do t’i kushtojë vuajtje e poshtrime të paimagjinueshme. Çështja e Behadin Allaçit:

A dinë ndonjëri prej jush të më tregoj për Behajdinin, si shok të ilegales që e keni pasur, të kohërave më të rezikshme e të sakrificës ‘Ku e keni shokun e ilegales, të madhin Behajdin Allaqin, anëtarin e Komitetit Drejues të LPK-së dhe Sekretar ndërlidhës të Këshillave të Rretheve?!’

Pse Mixho dhe ju të tjerët, edhe pas një viti e gjys, nuk ja dini se ku pushojnë eshtrat e tij. Nuk e dini ku e ka varrin, që ta përkujtoni, së paku një herë në vit, e ti dërgoni lulkuqe të freskëta Kosove! Pse keni heshtur deri më tani dhe, me sa po shoh në sytë tuaj, edhe në të ardhmen keni për të heshtur! Moni shokë kështu, se kjo heshtje nuk ju bën nder as juve dhe as luftës, as të rënëve për liri dhe as atyre që janë vrarë pabesisht mbas shpine.

Motrat e kishin mësuar se unë me gjithë gruan kemi ardhë në Kosovë.

Mbas tri ditëve më treguan se janë te baca Isak Krasniqi, në Tërpezë.

Me ‘Topin’ shkuam dhe i gjetëm motrat e mia shumë të dashura.

U përqafuam përmallshëm. Kishim një periudhë gati 15 vjeçare pa u pa. Përmallimi ishte edhe më i madh ngase na mungonte vëllau ynë, Ismeti, pavarësisht se ishim krenarë që ishim vëllezrit dhe motrat e tij.

Ka mbrëmja na u bë me shkue e me i bë homazhe dëshmorëve të kombit, të varrosur ndër do lisa.

Topi më tha: ‘Ja, ky është varri i Komandant Kumanovës, ku e kanë varrosur më 2 dhjetor 1998 (ditë e mërkurë)’.

U ofrova me grua dhe nuk disha çka t’i them vëllait. Kisha shumë për t’i thënë, por s’e kisha ende të qartë se çka do t’i them. U ula kaçipupa. I çova selam shpirtit të tij me katër dova që i di që kur kam qenë 8 vjeç. Bana Amin! dhe u ngrita në këmbë.“

 

Takimi me parinë e re 

“Hyna te objekti ku ishte alamet qeveria… Ndërkohë kaloi Kryesupremi Hashim. Më përshëndeti dhe duke më dhanë dorën dhe tha: Nuk vonohem shumë, kthehna përsëri.

Hymë në një zyrë të madhe, u ulëm. Tu bë Bismila, ja, arriti edhe Kryeministri. Përsëri më përshëndeti për dore dhe pyeti: Kur ke ardhë?

Ulu, – i thashë – t’i ndërrojmë nja dy – tri fjalë.

U ulë. Nuk vonoi dhe një vajzë 16-17 vjeçare, me mini të shkurtër, na solli kafe me ujë të pusit, në gotë.

Hashimi, nuk priti me krye muhabetin –  më tha – ‘Më fal Bac, se Buja, i madhi e i trashi po më presin, se kam adalet mbledhje me ata të pushtetit lokal. Sa i takon luftës e ushtrisë, fol me Fatmirin, ky është zv/ministër i Mbrojtjes dhe ta shpjegon ma mirë, se vallai mos me shku tek Buja, nuk bën, më tha Hashimi dhe u ngrit.’

Hajt, shko, se edhe unë nuk kam kohë ma shumë me ndejtë këtu. Ndërsa ndër veti – në heshtje, thashë: ‘Shko e mos u kthefsh kurrë më!’“

“Derisa ushtarët shkuan me kërku A. Grabovcin, unë u ula në një lokal para Shtabit të TMK-së (në podrum). Ishte lokal i dy vllezërve nga Besiana, të cilët shpejt e kuptuan se kush jam dhe bënë shumë muhabet. Ata dy ushtarët e lirisë e kishin gjetë Adem Grabovcin. Ademi kur më pa u turr të më marë n’grykë. I thashë: ‘Mos provo të më përqafosh, se, qafa, duart dhe tërë trupi im janë të shenjtë. Ulu aty ku je e ngomë njëherë.’

Adem, – i thashë, një kohë kemi qenë shokë ideali, tani kanë ndryshuar punët për të keq, si për popullin ashtu edhe për juve paska fillu teposhtëza. O Adem, Fondi i shenjtë “Vendlindja Thërret“ mos vallë është i yti, i babës apo miraz gruaja ta ka pru në çejzë? Ku e keni marrë atë të drejtë me ia ndërru emrin Fondit të Shejt të UҪK-së, o Adem?

“Paj bac, po vallahi bac u desht”…, nuk i përfundonte fjalët kurrësesi.

Mirë bre Adem, Peja jote është çlirue, por me këtë Fondin e Kosovës pse luani? Pse po luani me paret e shejta të këtij populli? Çfarë geni e gjaku keni, bre? Kështu si po veproni, nuk keni gjak shqiptarit, jo! Bile as të maxhupit – Jo! Hajt, Adem, hajt, shko bëj biznes, se të ka ardhë vakti me ba qefe, biznese e pashallëqe.“

“Shkoi dhe nuk e lashë të më përshëndet. Dola dhe u nisa me shkue te Luli (Kadri Veseli), me ja këthy vizitën. Këta ushtarët e lirisë, krejt birat i kishin ditë. Në rrugë e sipër u ndalë një xhip para nesh, nja 16 m. larg. Një burrë i gjatë mu drejtua ka unë. Kur po shohë, ishte Shaip Muja!:

‘O, Bac! a paske dalë me na pa, a!?’

‘Po, mor bacës, erdha se më ka marrë malli me ju pa, sa kjo bora e sivjeme. Por çka janë gjithë këto çina që po të rëndojnë, o Shaip Muja!? Prej kur je ba Nënkolonel pa qenë asnjë ditë në luftë, e pa dhënë betimin si ushtar lirie? Haj medet haj! Po çka u bë me ato medikamente që t’i sillnim me kamion në çdo 3-4 javë, a i shite apo çka ju bane o Shaip? Më treguan se atje poshtë e kishit ba një restorant të madh. Qysh po duket, Fondi „Vendlidja Thërret“ gjysmën e Prishtinës e paska ble! Hajt Shaip hajt, këtë xhip s’e ka as kryetari i Zvicrës…! Mjerë populli e mjerë Kosova në krye me ju.’ Iku, por dorën nuk ja dhashë.“

“Pas pak arrita te Luli.

Ata ushtarët e lirisë mbetën te dera jashtë, ndërsa unë hyna në atë farë ndërtese në katin e parë, ku kishte zyrën e tij Luli si shef i Shërbimit të Fshehtë. Në korridor kishin qenë tre të rinj, dhe atij të parit që e kisha më afër i thash se jam filani. Ai i treti ndëgjoi dhe hyni mbrena në zyrën e Kadris me i thënë se ka ardhë dikush me ju taku. Kur doli nga zyra më tha se shefi është i nxanun, duhet me prit pak! Eja mbas meje më tha, dhe më çoi në një skutë ku i mbushin bateritë e telefonave. Ma ofroi një karrikë druri të çarë dhe shkoi te vendi i vetë. U lodha tu pritë gati 1.46 minuta, dhe kur u bënë 2 orë e 6 minuta erdhë ai djali i ri, (me flokë krejt të rrume), dhe më tha: ‘Eja mbas meje!’

Kur hyna, Luli kishte qenë t’u bisedu me dikë, dhe mbaj mend se i tha atij, të më falësh se më ka ardhur një njeri i madh.

Doli prej asaj si byroje ku ishte dhe ma zgjati dorën duke më uruar mirëseardhje në Kosovën e lirë. Bashkë me Lulin ishin edhe dy-tre vetë tjerë. Vetëm Ekrem Jasharin e njoha. Pas 5-6 minutash hynë Elezi i 1985-ës, Elmi Reçica, Halit Naxhaku dhe Isa Demiri.

Sa filluam të pyesim njëri – tjetrin, për tu futur në muhabet, cingërroi telefoni, u lajmëruan G2 (SHIK-at) e pasluftës, i treguan shefit se diku në kufi i kanë zënë 20 çisterna me karburant. Kadri Veseli, pasi mbaroi bisedën në telefon, tha: ‘Me këtë rast del edhe për Bacën diçka’!

U pa se nuk kishte atmosferë për bisedë, u përshëndetëm ashtu si mundëm …“

“Më  23 Janar 2000 në mbrëmje, Jonuz Musliut ja dhamë një thesë me emblema të UÇPMB-së dhe u nis me mision në Kosovën Lindore ku po bëhej gati UCPMB-ja për luftë, ndërsa më 24 Janar Haxhi Shala -Topi, mua dhe gruan time na përcolli deri në kufi me Shqipërinë për tu kthyer nga Tirana në Zvicër.“

Murat Jashari – Baca, Fribourg, 28 korrik 2012

Mesazhi që Murat Jasharit do t’i kushtojë me vuajtje të papërshkrueshme

Këtë letër, siç e thekson në fillim,  Murat Jashari ia kushton një përvjetori, duke u përpjekur në këtë mënyrë të përçojë te njerëzit me ndërgjegje një mesazh alarmi:

“Në 14-vjetorin e zhdukjes pa sheje pa dok të Behajdin Allaqit dhe Shaban Rexhep Shalës! 

Në një mbrëmje Korriku 1998, Udhëheqësit e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi (Gjarpëri) dhe Kadri Veseli (Luli), kanë udhëtuar me një xhip, për Kleçkë. Me të zbritur nga xhipi kërkojnë nga K.S. t’ua sjellin dy të marrunit peng, të burgosurit, me shprehjen ‘ata dy spiunët’. Përgjegjësi i burgut atë natë i thotë Gjarpërit: ‘Zotri Suprem, këta të dy nuk janë spiunë. Njëri prej tyre është Sekretar i Komitetit Drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës’. Mirëpo Gjarpëri, luftëtarit të lirisë i thotë:

‘Silli, silli këtu se unë e di se çfarë janë e kush janë ata, por m’i sill këtu“.

E luftëtari u detyrua ta zbatonte urdhërin e supremit – të komandantit politiko-ushtarak.

Pas pak, të dy ‘spiunët’ i sjellin duar lidhur dhe ua dorëzojnë Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Ata i hypin në xhip ngadalë, ashtu të rraskapitur e duar lidhur!

Se ku i çuan atë natë të errët, kush e vrau njërin e kush tjetrin, nuk dihet, por shumë shpejt do të tregojë e shenjta Kohë!“

 

Siç del nga letrat, Murat Jashari, nuk e ka njohur personalisht Behajdin Allaçin, por, krahas Sheradin Berishes, është i vetmi, që me një bindje e vendosmëri të jashtëzakonshme e ka shtruar çështjen e tij dhe është përpjekur të kërkojë zbardhjen e fatit të njërit prej veprimtarëve më të spikatur të Lëvizjes tonë Kombëtare. Murati këtë e bën në emër të idealeve që u ka shërbyer gjithë jetën. E ka bërë atë që nuk e kanë bërë me qindra aktivistë të LPK-së, kuadro dhe ushtarë të UÇK-së, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, deputetë e ‘intelektualë’ që e kanë ditur ose kanë dëgjuar për rrethanat e zhdukjes së Behadin Allaqit, e ka bërë atë që nuk e kanë bërë organet e kapura të drejtësisë, e ka bërë atë që nuk e kanë bërë me qindra gjoja gazetarë e pronarë mediesh që rrahin gjoksin për demokraci e ‘profesionalizëm’…

Le ta shajnë e le ta quajnë Murat Jasharin me të gjithë emrat e me të gjithë termat, le t’ia mveshin të gjitha të zezat e kësaj bote, por një gjë nuk do të mund ta ndryshojnë: faktin se, duke denoncuar një krim të tmershëm, që po i kushton me jetë, ai i ka bërë një shërbim të madh Kosovës po edhe Lëvizjes tonë Kombëtare.    

* Në këtë kapitull nuk përdora fusnota, sepse letrat janë shpërndarë në shumë medie dhe janë marrë nga njëra-tjetra e janë ribotuar në vazhdimësi, kështu që ishte e pamundur t’i referohem një burimi të mirëqenë.

VIJON

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code